Opozita ukrainase proteston kundër rezultatit zyrtar të zgjedhjeve presidenciale
Vëzhguesit: Shteti vodhi votat në Ukrainë
OSBE deklaron se votimet nuk përmbushën standardet evropiane. Fiton kandidati pro Moskës
Shekulli
Zgjedhjet presidenciale të së dielës në Ukrainë nuk janë zhvilluar në mënyrë të rregullt. Senatori Richard Lugar, vëzhguesi më i lartë amerikan në zgjedhjet presidenciale që u zhvilluan në Ukrainë tha se qeveria ndihmoi në vjedhjen e votave për të nxjerrë fitues kryeministrin pro Rusisë, Viktor Yanukovich. “Eshtë e dukshme që një program i dirigjuar dhe i zbatuar mashtrimi dhe abuzimi ditën e zgjedhjeve ka patur lidhje ose është bërë në bashkëpunim me autoritetet qeveritare”, -tha për gazetarët Lugar, kreu i Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit amerikan. “Besoj se presidenti Leonid Kuchma, kishte përgjegjësinë dhe mundësinë për fabrikimin në këtë pikë të këtij rezultati”, -tha Lugar, që u dërgua nga presidenti Bush për të monitoruar zgjedhjet. Presidenti Bush e kishte paralajmëruar Kuchma-n se Shtetet e Bashkuara do të rishikojnë marrëdhëniet e tyre me Ukrainën nëse votimet presidenciale nuk bëhen të rregullta. Po kështu OSBE tha se votimet nuk përmbushën një numër të konsiderueshëm të kushteve të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, si dhe standarde të tjera evropiane për zgjedhjet demokratike
Diferenca mes dy kandidatëve për president ka qenë shumë e vogël. Kështu kryeministri pro rus, Viktor Yanukovich fitoi 49.42% të votave, ndërsa opozitari pro perëndimor Viktor Yushchenko fitoi 46.49% të votave. Kandidati i opozitës në zgjedhjet presidenciale, Yushchenko ka akuzuar gjithashtu autoritetet se kanë falsifikuar rezultatet e votimit të së dielës. Ai tha se ai ishte fituesi i vërtetë. “Kam çdo arsye të them tani se Komisoni Qendror i Zgjedhjeve nuk po thotë të vërtetën. Ne nuk kemi besim te vota e numëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe puna që po bën ky komision bazohet në dokumente të falsifikuara”. Gjithë sondazhet e mëparshme kishin sugjeruar se Yushchenko i opozitës po ecte drejt fitores me së paku 6%. Qëllimi i tij ishte të afronte lidhjet midis 50 milionë banorëve të Ukrainës me Perëndimin. Ndërsa prorusi Yanukovich kërkon lidhje më të forta me ish -fqinjët sovjetikë.
Mijëra përkrahës të tij mbajtën protesta paqësore dje në qendër të Kievit për të mos pranuar rezultatin zyrtar të zgjedhjeve. Gjithashtu ata i kërkuan Parlamentit që të nisë një hetim në lidhje me vjedhjen e votave. Gjithashtu studentëve iu është bërë thirrje të bojkotojnë mësimin dhe të marrin pjesë në një miting të përgjithshëm kundër qeverisë. Qeveria ruse, me në krye Vladimir Putinin ka punuar shumë për të rivendosur ndikimin e vet në ish -Bashkimin Sovjetik. Putini e kishte vizituar dy herë Ukrainën gjatë fushatës presidenciale duke shprehur mbështetjen për kryeministrin pro Moskës.
Krijoni Kontakt