Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe agjencia e OKB-së për fëmijët, UNICEF, kanë rekomanduar një trajtim të ri mjekësor për fëmijët në vendet në zhvillim që janë të infektuar me virusin e AIDS-it.
Sipas kërkimeve të reja shkencore të botuara në periodikun mjekësor të Britanisë, The Lancet, medikamenti i quajtur co-trimoxazole, një antibiotik i zakonshëm që kushton më pak se 10 cent në ditë për person - mund të ulë në mënyrë dramatike përqindjen e vdekjeve në mesin e fëmijëve që janë të infektuar me virusin HIV.

Vlerësohet se 1300 fëmijë vdesin çdo ditë nga AIDS-i.

Shpesh nuk është virusi HIV drejtëpërdrejtë që shkakton vdekjen e tyre, ai i dobëson sistemin e tyre imunitar duke i zbuluar ata para infeksioneve si pneumonia.

Mjekët britanikë zhvilluan një test në rreth 500 fëmijë në Zambia për të parë nëse antibiotiku mund të parandalonte infeksione si pneumonia dhe tuberkulozi, që shpesh merren kur virusi HIV shkatërron sistemin imunitar.

Studimi përfundoi para kohe kur kërkuesit vunë re se trajtimi gati e përgjysmoi përqindjen e vdekjeve - ai zvogëloi gjithashtu shtrimet në spital me 23 përqind.