Faqja 24 - GAZETA E SHKODRES Nentor 17, 2004
Flet 14-vjeçari Muriqi: Jemi 35 fëmijë që nuk mund të shkojmë në shkollë
"Ja si jetojmë të ngujuar në kulla 140 vetë të një fisi"
--------------------------------------------------------------------------------
Brikena Shllaku
SHKODER
Një zënkë banale e pasuar me vrasjen nga pakujdesia të 16-vjeçarit Orland Gjoni, në fundgushtin e këtij viti, ka futur në gjak një fis të tërë, përfshirë dhe 34 fëmijë të pafajshëm (nga 0 deri në 14 vjeç) në fshatin Melgushë të rrethit të Shkodrës. 14-vjeçari Nazmi Muriqi, të cilin e takuam paraditen e së hënës në ambientet e teatrit "Migjeni", mes fëmijëve të tjerë të ngujuar, të ftuar në një aktivitet të organizuar nga "Misioni i Pajtimit të Shqipërisë", tregon në një intervistë për Gazetën dramën e fisit të tij, i cili numëron 140 vetë. Me një hije trishtimi në fytyrë, pinjolli i fisit Muriqi thotë se megjithëse xhaxhai i tij është arrestuar për vrasjen që bëri, që prej tre muajsh ai e fëmijët e tjerë të fisit janë mbërthyer me të rriturit nëpër kullat e tyre, që përtypin ditënetët ngjyrë murrëtyer, duke mos guxuar të shkojnë në shkollë, të dalin e të lozin në rrugë. Ata janë të privuar nga reflekset shumëngjyrëshe që rrezaton jeta jashtë. Të gjithë mbijetojnë falë një asistence (deri kur...?) dhe lekëve që kanë fituar nga shitja e bagëtive që kanë pasur.
Prej sa kohësh jeni të ngujuar?
Jemi mbyllur në kulla që prej tre muajsh. Nuk dalim dot as në oborr. Më 28 gusht të këtij viti xhaxhai im vrau pa dashje Orland Gjonin. Menjëherë pas vrasjes familja Gjoni na çoi fjalë që të ngujoheshim se do të merrnin gjak.
Sa është numri i të afërmëve të tu që janë ngujuar nga frika e hasmit?
Jemi gjithë fisi. Bëhemi gjithsej 140 vetë. Bashkë me të rriturit e fisit tim janë ngujuar edhe gjithë fëmijët meshkuj. Jemi 34 fëmijë nga mosha 0 deri në 14 vjeç që rrimë të mbyllur në shtëpi. 10 prej fëmijëve që unë i kam të gjithë kushërinj janë detyruar të ndërpresin mësimin në shkollën e mesme dhe të lartë.
Si i kaloni ditët në banesat tuaja në fshatin Melgushë?
Gjithë ditën rrimë brenda në shtëpitë tona. Lozim me njëri-tjetrin, shikojmë televizor dhe lexojmë ndonjë gjë. E çfarë mund të bëjmë tjetër në shtëpi.
Ju vjen keq që nuk mund të shkoni në shkollë?
Ndihem shumë keq kur shikoj nga shtëpia shokët e shoqet që shkojnë në shkollë. Por nuk kam se çfarë të bëj, pasi dhe unë si gjithë meshkujt e tjerë të familjes jam i ngujuar.
Në cilën klasë do të ishe ti?
Unë do të isha në klasën e tetë.
A vjen ndonjë mësues në shtëpi dhe a mundoheni të ndiqni mësimet në një hap me bashkëmoshatarët tuaj?
Deri tani asnjë mësues nuk ka trokitur në shtëpitë tona për të na dhënë mësim, shtu siç kemi dëgjuar në televizor. Një herë mbaj mend se ka ardhur drejtori i shkollës së fshatit, i cili ka biseduar me babanë dhe burrat e fisit tim. Thonë se do të na mbledhin gjithë ne fëmijëve të fisit në një nga shtëpitë tona dhe aty do të vijnë mësuesit për të na dhënë mësim.
Asnjë nga pjesëtarët e fisit tënd nuk punon. Si e siguroni bukën e gojës?
Që në momentin që na erdhi fjala se duhej të ngujoheshim, asnjë nuk guxon të dalë të punojë në arë apo qoftë edhe në kopshtin para shtëpisë. Deri tani jemi mbajtur me asistencë dhe me lekët që kemi siguruar nga shitja e bagëtisë që kemi mbajtur në shtëpi.
Sot jeni pjesëmarrës në aktivitetin e organizuar me fëmijët e ngujuar e jetimë te teatri "Migjeni". Si erdhët deri këtu? Nuk kishit frikë se mos ju vrisnin?
Sigurisht që kishim frikë, por këtu na sollën Misionarët e Paqes. Të gjithë fëmijët e ngujuar erdhën në këtë koncert të shoqëruar nga misionarët dhe policia.
Krijoni Kontakt