Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Kosovari_78_Ca
    Anëtarësuar
    24-12-2003
    Vendndodhja
    Kanada
    Postime
    257

    Ismail Kadare flet për zhvillimet politike në Shqipëri

    Shkrimtari i madh Ismail Kadare flet për zhvillimet politike në Shqipëri, vizitën e fundit të Presidentit grek, Stefanopulos, çështjen çame, hapjen e arkivave të fshehta dhe imazhin e shqiptarëve sot në Evropë

    Kadare: PD-PS, dy kulla hakmarrëse

    “Te këta politikanë ekziston mendësia e terroristit, kultura e mjerë e tij”



    Pyetje: Si zakonisht në një intervistë e fillojmë me diçka të përgjithshme. Çfarë keni vënë re kohët e fundit në Shqipëri?

    Përgjigje: Vendi rrezaton energji. Kjo ndihet kudo. Mungesa e energjisë është gjithsesi negative dhe e pashpresë për një vend. Por nga ana tjetër, prania e saj nuk do të thotë medoemos të kundërtën. Energjia mund të jetë pozitive, aq sa mund të jetë negative. Në Shqipëri, tani për tani,këto përzihen. Le të shpresojmë se energjia pozitive do ta vëjë në gjunjë tjetrën...

    Pyetje:` Çfarë kërkojnë, sipas jush, shqiptarët sot?

    Përgjigje: Ajo që shqiptarët kërkojnë sot për vendin e tyre është e drejtë, e saktë dhe e mënçur. Ata kërkojnë një Shqipëri serioze dhe të moralshme. Këto të dyja shkojnë bashkë. Një vend pa moral, s’mund të jetë serioz dhe anasjelltas. Një vend tejet i varfër në Evropë gjithashtu s’mund të merret seriozisht.

    Pyetje: Keni qenë mjaft kritik ndaj politikanëve shqiptarë, ndërsa kohët e fundit nuk jeni shfaqur në publik me ndonjë mendim për ta. Mendoni se ata kanë ndryshuar për mirë?

    Përgjigje: Për fat të keq, jo. Skajet kryesore të politikës shqiptare, në vend të dy qendrave, që propozojnë secila vizionin e vet ndërtues të Shqipërisë, vazhdojnë t’u ngjajnë dy kullave tradicionalisht hakmarrëse që ritualisht presin orën e zemërimit.Mungesa e projektit pozitiv, vazhdon të jetë tipari i parë i politikës shqiptare.Në shtypin e Kosovës, ku me sa duket ka shpesh të njëjtat probleme si tek ne, në shkrimin e një mikut tim, kam ndeshur maksimën e vjetër aq shumë të domosdoshme sot: “mendo mirë se të del mirë”.Për fat të keq, tek ne nuk mendohet mirë. Tek ne mendohet keq. Dhe ky është fillimi i projektit të keq, e pas tij, i aksionit të keq.Ato dy kullat ndjellakeqe që përmenda më lart, gjenden jo vetëm midis kundërshtarëve politikë, por edhe brenda të njëjtës parti. Fjala “larmi” të kujton zakonisht pasuri vlerash. Në rastin e politikës shqiptare ajo s’jep veçse trishtim dhe varfëri.

    Pyetje:Përmendët moralin dhe seriozitetin. Sa lozin rol në mungesën e tyre politikanët?

    Përgjigje: Për të këqiat e një vendi përgjigjen të gjithë. Por për disa përgjigjen veçanërisht politikanët. Para ca ditësh, në një debat televiziv, një i tillë më ka habitur me negativizmin e tij në gjithçka. Shqipëria, sipas tij, është një gjë e vockël, pa asnjë peshë, një diçka që veshin e Xhorxh Bushit mund ta ngacmojë jo më shumë se një mizë, e kështu me radhë. Vetvetiu vjen pyetja: zotëri politikan, kur Shqipëria qenka e tillë, përse ti merresh me të? Përse nuk del nga skena?Eshtë e qartë se për këtë politikan Shqipëria do të bëhet e rëndësishme, do të ketë peshë, do ta ngacmojë ndoshta veshin e Bushit jo si një mizë, po si një grenzë e madhe, kur ky zotëri të marrë ndonjë post ministri apo zëvendësministri. Ky lloj diskutimi e jep thelbin e amoralitetit dhe pa seriozitetit të një pjese të politikanëve tani. Kurse për të kapur trajtën e jashtme, shikoni marrëdhëniet e tyre me telefonin celular. Kudo ku gjenden, në Kuvend, në mbledhje të qeverisë, në takime ndërkombëtare, nuk ndahen dot prej tij. Prapë vjen pyetja: janë në mbledhje në instancat më të larta të shtetit, po përse e kanë mendjen gjetkë? Ç’janë ato instanca edhe më të larta me të cilat flasin? Meqenëse nuk dimë të ketë instanca më të larta, atëhere s’na mbetet të mendojmë veç ca punë të ulëta. Ca maune p.sh., ose ruajna zot, çfarë!

    Pyetje: E lidhët mungesën e seriozitetit me negativizmin. Mendoni se ky negativizëm është tipari dallues në jetën tonë politike?

    Përgjigje: Mungesa e vizionit pohues të një vendi tek ne po zgjatet shumë. Do ta quaja se ky është një tipar terrorist i politikës shqiptare. E di që fjala është tepër e rëndë, por ajo është e pashmangshme. Thelbi i terrorizmit është: unë s’ndërtoj asgjë, por as ty s’të lë të ndërtosh. Unë nuk rroj, po s’të lë të rrosh as ty.Një shembull i thjeshtë: Ashtu si në zgjedhjet e mëparshme, ku të dy krahët e politikës shqiptare kanë lojtur me radhë rolin e kërcënuesit, e prishësit,gjer tani vonë, sa herë që binte fjala për zgjedhjet e vitit 2005, kjo dehje terroriste shfaqej aty për aty. Me sa pasion një pjesë e politikanëve nisnin të ulërinin: do t’i bojkotojmë zgjedhjet! Nuk do t’i njohim zgjedhjet! Do të prishim KQZ-në.
    Ata e dinë se këto fjalë shkaktojnë dridhje në zemrat e shqiptarëve që presin më në fund ca ditë më të mira. Ata e dinë se zgjedhjet e ardhshme janë test themelor për Shqipërinë. Ata e dinë mirë se Bashkimi Evropian me të cilin është lidhur fati ynë, na ka vënë si kusht të parë ato. Ata e dinë mirë se me dështimin e këtyre zgjedhjeve, Shqipëria ngecet prapë në varfëri e ndoshta në kaos. E megjithatë tërthorazi vazhdojnë të ulërijnë: Do t’i prishim zgjedhjet.
    Kjo tregon se te këta politikanë sundon mendësia e terroristit, kultura e mjerë e tij, e terroristit që ka në dorë një bombë, e cila mund të prishë, po asnjëherë të ndreqë. Shëmbulli i shkëlqyer i qytetarisë që Kosova, me zgjedhjet e saj, e dha përpara gjithë botës e përpara ndërgjegjes së saj, e ka vënë në një pozitë të vështirë krahasuese politikën shqiptare. E fill pas saj, shembulli madhështor i zgjedhjeve në SHBA.


    Pyetje: Të dy palët flasin për integrimin në Evropë. A janë sipas jush të sinqertë?

    Përgjigje: Kur një rrymë e politikës nuk ka vizionin ndërtues, ajo nuk mund të ketë as më të voglin vizion evropian. Evropa përdoret në këtë rast si një parullë mashtruese. Politika shqiptare e di fare mirë se dalja kundër Evropës do të ishte katastrofike për të. Ndaj qëllon që hosanatë për Evropën shtohen në atë masë që forcohet thelbi antievropian i një politike.


    Pyetje: Populli shqiptar, opinioni publik unanimisht është shprehur pro Evropës. Nga ana tjetër, populli shqiptar pothuajse zyrtarisht e ka marrë cilësimin si “populli më proamerikan në Evropë”. A ka një kontradiktë në këtë gjë?

    Përgjigje: Aspak. Mendoj se këto dy kredo, thënë thjesht, këto dy simpati të popullit shqiptar, as janë kundërthënëse as e vënë atë në një skajim delikat. Mund të thuhet se ky lloj vizioni bashkues që vetvetiu del nga ky i ashtuquajtur paradoks, është shumë më i logjikshëm sesa vizioni i një pjese të evropianëve.Për shqiptarët, ashtu si edhe për shumicën e popujve të porsa dalë nga sundimi i ish-perandorisë komuniste, ( popujt baltikë, hungarezët, polakët etj) Perëndimi, domethënë SHBA dhe Evropa, janë një e të pandarë. Ndaj për ne, të mbingopur dyzetë e ca vjet me stalinizëm, që është baza e urrejtjes kundër Amerikës, moda e antiamerikanizmit ngjan e palogjikshme. Siç ka thënë kohët e fundit një filozof frances: urrejtja kundër Amerikës është urrejtje ndaj vetes.
    Dua të shtoj këtu se zakonisht pikëshikimet shqiptare kanë qenë të gabuara dhe groteske. Ndaj mund të thuhet se është një rast i rrallë kur pikëvështrimi ynë për unitetin perëndimor është edhe i saktë edhe serioz.Nga ana tjetër do të shtoja se ky pikëshikim s’duhet të ketë asgjë të përbashkët me dalldisjen e sejmenit, i cili, me që ka përkrahjen e dikujt i nxjerr gjuhën të tjerëve.

    Pyetje: Gjatë vizitës së presidentit grek, pra e një vendi të BE-së në Shqipëri, doli prapë problemi çam . Ç’mendoni për këtë?

    Përgjigje: Miqësinë ndërballkanike e çmoj si një program themelor për çdo vend. E sidomos me vendet si Greqia, me të cilën veç gjeografisë na bashkon një e kaluar e tërë historike. Ndërkaq duhet thënë se nëqoftëse ka një gjë që nuk mund të jetë veçse e ndërsjelltë, ajo është miqësia.
    Kemi pritur shenja dhe ide të reja evropianiste nga fqinji ynë jugor, anëtar i BE-së. Për fat të keq, në vend të tyre vjen më së shumti, një erë sepetesh të vjetra, që s’i hyn në punë askujt. Në mjaft raste politikanët grekë që kanë ardhur këtu nuk e kanë patur as përgatitjen e as emancipimin e duhur për të përballuar rrahje problemesh delikate të Ballkanit të sotëm.Problemi çam është nga ata që nuk mund të shmangen me ca fraza retorike për të ardhmen, miqësinë etj etj. Ai nuk mund të futet në kategorinë e rekuizitës së vjetër, e miteve, legjendave, fantazive boshe, që ballkanasit i kanë aq shumë qejf. Këtu kemi të bëjmë me një dëbim të dhunshëm popullsie, shoqëruar me masakër dhe tmerr, pra me një krim masiv.Problemi çam ka dy anë. E para njohjen nga Greqia të asaj dhune të rëndë. E dyta, çështjen e pronave.Njohja e krimit nuk ka të bëjë me dufet nacionaliste. Krimi është makina më e vjetër e njëkohësisht makina më bashkëkohore, që s’e lë të qetë ndërgjegjen e një populli. Greqia duhet të çlirojë vetveten prej tij.Shkulja e një popullsie me dhunë s’ka të bëjë me pretendimet tokësore. Greqia dhe Shqipëria ndërsjelltas kanë patur pretendime të tilla ndaj njera-tjetrës. Ato kanë hequr dorë prej tyre dhe kjo është meritë e të dy palëve.Siç e thashë, krimi s’ka të bëjë me to.
    Nëqoftëse Shqipëria ka bërë dhunë të ngjashme ndaj grekëve, do të isha i pari që do të kërkoja njohjen dhe dënimin e krimit të popullit tim.Nëqoftëse Greqia ka dëshmi për krimet shqiptare kundër saj, që ne nuk i dimë, ose kemi dashur t’i harrojmë, ajo duhet t’i shpallë e të na kërkojë njohjen dhe dënimin e tyre.Kjo është rruga e pastrimit shpirtëror të Ballkanit.

    Pyetje: Presidenti grek ngriti gjithashtu çështjen e të drejtave të pakicës greke në Shqipëri. Këtu zotëron mendimi se kjo pakicë i ka të gjitha të drejtat, madje disa thonë me tepricë.

    Përgjigje: Të drejtat e një pakice qoftë edhe me tepricë, nuk janë kurrë tepër. Le t’i kenë qoftë edhe ashtu.Mendoj se nga gjithë vendet e Ballkanit, Shqipëria i ka më së shumti mundësitë të kthehet në vend model për të drejtat e pakicave. E mendoj këtë jo pse më kap ndojë eufori kombëtariste, por sepse populli ynë e ka dhënë një provë me tolerancën fetare. Toleranca fetare dhe ajo etnike janë si dy motra binjake.Një prani e ndryshme etnike midis një shumice homogjene, është zakonisht zbutëse. Eshtë një sy, një kamera tjetër, një lloj dërgate që vjen nga larg, dhe që vetvetiu e vë në gjendje më të përgjegjshme kombin që përbën shumicën. Kjo vlen sidomos për popujt disi të ashpër të Ballkanit. Një Ballkan me pakica të ndërsjellta te fqinjët është më i njerëzishëm, më i vërtetë dhe sado e habitshme të duket, më i sigurt.
    Siç u tha më lart, Shqipëria i ka të gjitha shanset që këtë vizion emancipimi ta rrezatojë në Ballkan. Natyrisht që ai mund të veprojë vetëm me një kusht: të jetë i ndërsjelltë.

    Pyetje: Çështja e hapjes së dosjeve dhe arkivave brenda vendit që ju e ngritët dhe me të cilën merret tani Parlamenti, vazhdon të shkaktojë polemika.

    Përgjigje: Nervozizmi që shkaktoi ky problem tregon se ndotja morale në Shqipëri është tepër e thellë. Shqipëria po bëhet e ndergjegjshme për ndotjen mjedisore, dhe kjo duhet përshëndetur: Përfitoj nga rasti për të theksuar se mbrojtja e mjedisit është mbrojtja e atij që quhet “atdhe”, në kuptimin më të mirëfilltë të tij. S’është hordhia otomane që sulmon. As ajo fashiste ose ballkanonacionaliste. Është Shqipëria që sulmon, që prish vetveten. Dhe dihet se Shqipëria është veçanërisht e rrezikshme kur sulmon veten e saj. Përsa i përket ndotjes morale, Shqipëria nuk po tregohet e gatshme ta përballojë. Ka mbrojtje të krimeve të shkuara, prej njerëzve që i kanë kryer ato. Ka solidaritet të ish-xhelatëve kundër ish-viktimave. Kjo lidhet me një iluzion të rikthimit të stalinizmit e të hoxhizmit në jetën shqiptare. Ka një fushatë për praninë e tyre në shtyp. Ka një këmbëngulje të neveritshme për të mos pranuar asgjë nga tmerret e krimet komuniste. Ka përpjekje për diskretitimin e atyre personaliteteve që dëshmojnë kundër tij. Ka një batalion servilësh, midis të cilëve shkrimtarë, publicistë, gjysmëshkencëtarë që shkojnë natën të marrin udhëzime te ish-sunduesit, ashtu si dikur.Këta i gjen kudo nëpër borde, nëpër komisione e forume, ashtu si dikur. Ngrejnë probleme të paqena, çoroditëse, për të fshehur ato të vërtetat, ato që djegin si acid, siç është puna e arkivave të fshehta. Sapo ndodh kjo ata ndërsejnë kundër teje shërbëtorët që ende i kanë në sundim.

    Pyetje: Mendoni se ka ende shumë tabu?

    Përgjigje: Natyrisht që mendoj. Do të shkaktoja ndoshta një fushatë tjetër nervoze po ta kujtoja për shembëll një çështje që nuk e kujton më askush, atë të të ashtuquajturit “Fond të partisë”, që komunistët e kanë nxjerrë nga Shqipëria për ta depozituar diku, nnë Zvicër, në Brazil, apo dreqi e di se ku.
    Dhjetë vjet më parë, një i huaj që foli për të u quajt provokator e psikopat. Ndërkaq, asnjë qeveri nuk deshi të hetonte për atë fond, ndonëse i huaji, bashkë me të dhënat e tjera, tregoi numrat e dy avionëve zviceranë bashkë me emrat e pilotëve, të cilët sipas tij, nxorën jashtë Shqipërisë ngarkesat e fundit me ar. Ekzistenca e “Fondit të Partisë” mund të vërtetohet. Pas kësaj, pyetja e dytë që do t’i interesonte popullit të varfër shqiptar do të ishte: ku ndodhet sot ky fond? Përse nuk fillojnë përpjekjet për ta rimarrë? Ka disa shembuj që tregojnë se fonde të tilla diktatorësh u janë kthyer vendeve nga ku kanë dalë.
    E përmenda këtë, i shtyrë nga mjerimi shqiptar, nga pikat e shiut, që siç i përshkruan këto ditë në TV nxënësit e vegjël shqiptarë, “u binin mbi kokë dhe mbi libra”, në shkollat e ftohta e plot lagështirë të Shqipërisë. Nga ana tjetër, rikthimi i këtij fondi në Shqipëri, do të ishte një paralajmërim i qartë se ata që kanë ndërmend të nxjerrin nga vendi pasuri të grabitura, nuk do t’i gëzojnë dot ato.

    Pyetje: Me që jemi te arkivat e fshehta, shtypi shqiptar ka folur gjerësisht për një “ekspertizën” tuaj për vjershën e një poeti të ri. A mund të na thoni ndonjë hollësi. Ç’ishte ky poet, a e keni njohur?

    Përgjigje: Nuk e kam njohur kurrë. Nëqoftëse kujtesa s’më tradhton, emrin e kishte Maks dhe ishte rreth 25 vjeç. Kur hetuesi Ferdinand Doja deshi të dinte mendimin tim për vjershën e tij, Maksi ndodhej nderkaq në pranga, në burg. Një ekspertizë e mëparshme nënshkruar nga dy shkrimtarë të njohur, ishte monstruoze. Ç’mund të them tjetër? Për ekspertizën time, të vetmen që kam shkruar në jetë, jam po aq krenar sa çdo të isha për një roman të suksesshëm. Ajo nxori nga burgu një njeri, gjë që ndodhte tepër rrallë, ose askurrë në atë kohë.

    Pyetje: Çështja e transparencës a duhet të shtrihet edhe në dosjet e paqarta të historisë sonë?

    Përgjigje: Natyrisht. Ajo është pjesë e saj. Shëndoshja morale e një vendi nuk mund të ngrihet mbi themele prej rëre. Në historinë tonë, sidomos atë moderne, ka ende pjesë që janë në mjegull. Ato shkaktojnë çoroditje dhe çoroditja i hap udhë amoralitetit dhe përçarjes së sotme. Të marrim për shembëll kohën e mbretërisë. Nuk shihet asnjë konsensus në vlerësimin e saj. Në peisazhin e dinastive evropiane, për nga legjitimiteti moral, mbretëria e Zogut zë një vend të mesëm. Në një republikë siç është Shqipëria, natyrisht s’ka si ta ketë atë prani si në vendet ku mbretëritë, qoftë edhe formalisht, janë në këmbë.Por nga ana tjetër, s’mund të thuhet se ajo bën pjesë në dinastitë e zhvlerësuara, si në rastin e Italisë dhe Francës, vende ku për arsye të rrethanave të përmbysjes së tyre, askush nuk i kujton. Mbretëria shqiptare u nxor jashtë Shqipërisë nga pushtuesi fashist, ndaj është plotësisht e kuptueshme prania e saj morale në Shqipërinë e sotme. Ajo është pjesë e historisë kombëtare. Në kryeqytetin tonë ku nuk mungojnë emërtimet e në ndonjë rast shtatore që s’duhej të ishin, si ajo e një shefi otoman ngritur në 2000!, mungon një rrugë me emrin e mbretëreshës Geraldinë ose një shtatore e saj.E njëjta gjë mund të thuhet për vlerësimin historik të Ballit Kombëtar, lëvizje e karikaturizuar padrejtësisht, nga 40 vjet propagandë komuniste.
    E kështu me radhë.

    Pyetje: Flitet shumë për imazhin jo të mirë të shqiptarëve në Evropë. Ka shumë diskutime dhe shumë preokupim. Ç’ mund të na thoni?

    Përgjigje: Ka arsye për t’u shqetësuar. Imazhi ynë në Evropë është dëshpërues. Kur një populli i bie një fatkeqësi e tillë, ajo është shenjë e keqe paralajmëruese. Është një sëmundje me të cilën jemi të detyruar një farë kohe të bashkëjetojmë. Do të jetë pengesa jonë më serioze drejt integrimit në Evropë.Imazhi nuk është çështje luksi për një vend. Nuk është reklamë turistike. As pudër për të mbuluar rrudhat dhe shëmtitë. Imazhi lidhet me thelbin e një populli. Imazhi prodhon realitet dhe shpesh ai vetë kthehet ose hyn në realitet. Kjo është zbuluar qyshkur, që nga theatri antik grek.

    Pyetje: Flitet shumë për shkaqet e këtij imazhi , dhe për rrugët e ndreqjes.Por diskutimet janë kontradiktore.

    Përgjigje: Krijimi i imazhit të keq për një popull, nuk është lehtë të shpjegohet. Ka një ndërthurrje faktorësh, rrethanash. Madje, ashtu si në çështjen e racizmit, ka gjithmonë një anë të pashpjegueshme, do të thoshja misterioze. Është lehtë të përmendësh skenat e ikjes me anie më 1990, ose egërsinë e banditëve shqiptare, ose prostitutat ose vitin 1997. Këto janë të pamjaftueshme për të damkosur një popull. Ashpërsia e irlandezëve, kokëfortësia terroriste ndërfetare, nuk e kanë prekur aspak imazhin e popullit irlandez. As banditizmi ose gjakmarrja korsikane imazhin e Korsikës. As prostitutat ruse atë të Rusisë.
    Mendoj se faktori kryesor për imazhin e keq të një populli, është pikërisht ajo për të cilën nuk flitet asnjëherë me zë të lartë: paraqitja e tij e jashtme. E njerëzve dhe e mjedisit ku ai popull jeton. Kjo gjë ngjan e padrejtë, por në këtë botë, shpesh herë gjërat e padrejta janë vendimtare. Evropianët, pavarësisht se nuk e pranojnë haptas, nuk i duan popujt që duke qenë në Evropë, nuk u ngjajnë atyre. Ata gjithmonë e më tepër acarohen nga shenjat dalluese, veshjet e zakonet që vijnë nga kontinente të tjerë, kryesisht nga Lindja e Mesme.Një pjesë e shqiptarëve, sidomos nga disa zona të caktuara, në sytë e evropianëve japin një përshtypje të tillë. Mjediset gjithashtu u ngjajnë atyre të botës së tretë. Evropianët e pranojnë botën e tretë, (pluhur, miza, tezga dhe pisllëk), kanë marrëdhënie me të, po ata e pranojnë atje ku është dhe jo të zhvendosur brenda kontinentit evropian.

    Pyetje: Mendoni se identiteti shqiptar është acarues për evropianët?

    Përgjigje: Mendoj të kundërtën. Identiteti shqiptar jo vetëm nuk është acarues, por është tërheqës për Evropën. Këtu është fjala për një keqkuptim, për një ngatërresë me shënja të kontinenteve të tjerë, Afrikë dhe Azi, që kanë depërtuar në Ballkan. Ka një alarm të fshehtë, që gjithashtu rrallë shpallet haptas, për një rrezik të hamendësuar të përdorimit të Gadishullit Ballkanik si bazë antievropiane. Polemika për hyrjen e Turqisë në BE e ka nxjerrë në pah këtë alarm.
    Jam i bindur se as muslimanizmi tradicional shqiptar nuk përbën ndonjë problem për Evropën. Ajo e njeh atë prej kohësh. Ajo e çmon atë si një shembëll, si një model të emancipimit. Siç e thashë më lart, janë shenja të tjera të kontinenteve të tjerë, që për evropianët ngjajnë të huaja e shqetësuese.
    Në rrethana të tilla, shqiptarët nuk kanë pse të bëjnë kozmetikë, për t’i pëlqyer njerit ose tjetrit. Ata duhet të paraqiten ata që janë.Përmirësimi i imazhit nuk bëhet me aksione të sipërfaqshme të ngjashme me operacionet plastike. As me reklama pishinash, konkurse bukurie e kartolina rozë. Imazhi i vërtetë diktohet nga thellësitë, nga zhvillimi ekonomik e kulturor.Shkurt nuk është identiteti shqiptar, por braktisja, përçudnimi i tij. pengesa për integrim. Braktisja nis me veshje jo shqiptare, qoftë tradicionale, qoftë qytetare- moderne), për të përfunduar në rastet më të skajshme, me braktisjen e gjuhës shqipe që zëvendësohet me turqishten...

    Pyetje: Ky identitet ka patur megjithatë probleme...

    Përgjigje: Natyrisht që ka patur probleme serioze. Eshtë koha që ato të sqarohen, Ato lidhen në radhë të parë me cenimin e identitetit shqiptar. Janë bërë përpjekje për të shfrytëzuar besimet fetare, për tretjen, zhbërjen e këtij identiteti. Tundimi ortodoks grek , ai që e shpallte të paqenë krishterimin ortodoks shqiptar praktikisht shpallte të paqenë një pjesë të madhe të shqiptarëve. Ky është një etnocid i ftohtë nëse mund të përdoret kjo shprehje. Rilindja shqiptare ngulmoi ta bënte të qartë se kryqi shqiptar ishte po aq i vjetër dhe po aq rrënjës (autokton) sa edhe kryqi grek.Mohimi i krishterimit ortodoks shqiptar, për fat të keq, ende vazhdon sot. Eshtë rasti për t’i bërë publikisht një pyetje peshkopit të kishës ortodokse të Shqipërisë, hirësisë së tij Janullatos: a ndihet ai peshkopi i të gjithë të krishterëve ortodoksë shqiptarë, ku përfshihen edhe të krishterët ortodoksë të pakicës greke, apo këtu ka një mjegullimë që kërkon kthjellim?
    Tundimi otoman u përpoq për një tjetër kthim, atë të myslimanëve shqiptarë në turq ose thjesht në myslimanë të përgjithshëm . Ky etnocid i dytë i ftohtë gjithashtu nuk ngadhnjeu. Myslimanët shqiptarë duke qenë të tillë, mbetën gjithmonë shqiptarë. Ata punuan e luftuan për lirinë dhe emancipimin e Shqipërisë në mënyrë të admirueshme.Katolikët shqiptarë, rojet e kryehershëm të dokeve e të shenjave, arritën ta mbajnë në vazhdimësi identitetin, madje të bëjnë që qendra botërore e katolicizmit, Vatikani, t’i njihte ashtu siç ishin, shqiptarë katolikë në radhë të parë, e jo thjesht katolikë. Eshtë rasti të thuhet se pas hyrjes në Evropë të Sllovenisë dhe Kroacisë ( hyrje në të cilën feja katolike ka lojtur pa dyshim një rol të ndjeshëm) Shqipëria mbetet i vetmi vend, jo vetëm në Ballkanin perëndimor po në krejt gadishullin, me një pjesë të rëndësishne katolike të popullsisë.Sot, kur bie fjala për pranim ose mospranim vendesh jo të krishtera në Evropë, ndersa bie në sy zelli kundër “ Shqipërisë myslimane”, nuk kam parë ndonjëherë të zihet ngoje kjo prani katolike, bashkë me kështjellën e katolicizmit të gjithë rajonit të sotëm ballkanik, Shkodrën.

    Pyetje: Shpesh, sidomos nga të huajt, por edhe nga vetë ne, shtrohet pyetja: a ndihemi vërtet evropianë? A jemi të tillë? Apo na pëlqen të jemi?

    Përgjigje: Këto janë pyetje që sa më shumë të kalojë koha, aq më shpesh do të bëhen. Rrugëtimi ynë drejt Evropës, e kushtëzon këtë. Mendimi shqiptar, qoftë ai politik, diplomatik, qoftë ai shoqëror,duhet të jetë i përgatitur për përgjigje.Qëllon që pyetjet e mësipërme shoqërohen nga cinizmi. Ju s’jeni evropianë, përse hiqeni të tillë? Ju jeni muslimanë, rrjedhimisht s’mund të bëni pjesë në familjen tonë. E kështu me radhë: ju jeni kanunorë, primitivë, barbarë etj etj. Përkthimi i kësaj retorike është i keq: ju s’jeni pjesë e natyrshme e këtij kontinenti. Ju jeni të ardhur nga kontinente të tjerë, siç thonë serbët. Në bazë të këtij përkthimi monstruoz, Millosheviçi kujtoi se mund të shkulte një milionë shqiptarët e Kosovës për “të pastruar” kontinentin evropian. Por kontinenti, siç dihet, e dënoi.Pyetja ç’janë shqiptarët, ç’ identitet kanë përsëritet shpesh nga vetë shqiptarët. Ç’ jemi, ç’kërkojmë, ku vemi. Përgjigjet janë shpesh të gabuara . Padija, vaniteti, përçudnimi politik ose thjesht njerëzor kushtëzojnë këto përgjigje.
    Identiteti i gabuar përbën dramë qoftë edhe për një njeri të vetëm. Mendoni se ç’ndodh me një bashkësi të tërë. Identiteti shqiptar është pjesë e natyrshme e identitetit evropian. Skajimi gjeografik, historia, gjuha, doket dhe kultura shqiptare kanë qenë dhe mbeten thellësisht evropiane. S’është vendi këtu të shtjellohet vërtetimi i kësaj.Por meqenëse keqkuptimi ka përmasa dhe pasoja të mëdha më lejoni të zgjatem në këtë pyetje përmbyllëse. Identitetin evropian të shqiptarëve e ripohojnë, ndër të tjera, faktorë të tillë si letërsia e vjetër shqipe, e cila megjithë pushtimin osman, vazhdoi të kultivohej sipas traditës më të përparuar evropiane. Ashtu si në Evropë, shkrimtarët e mëdhenj shqiptarë Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, e të tjerë i shkruan e i botuan veprat e tyre poetike e filozofike, në dy gjuhë, shqip dhe latinisht. Dhe kjo vazhdoi disa shekuj. Për fat të keq, studimet shqiptare, kanë kaluar si të verbra përbri kësaj dukurie. Për të mbetur te fusha e kulturës, mjafton të përmendim Rilindjen shqiptare, lëvizjen më të emancipuar dhe më evropianiste në Ballkan. Midis territ otoman ajo projektoi Shqipërinë e ardhme sipas modelit zviceran.Thirrjen “e duam Shqipërinë si Evropa” thirrje me të cilën u rrëzua komunizmi më 1991, e formuloi mbi njëqind vjet më parë pikërisht kjo Rilindje.
    Për ata që mund të thonë se këto janë programe e kushtrime elitare, do të sillja një shëmbëll të fundit, ku përfshihet gati gjithë populli shqiptar. Ne e dimë se ç’po ndodh sot me vendet joevropiane ku ka ndërhyrje të ushtrive perëndimore. Një moskuptim tragjik shoqëron këto ndërhyrje, edhe kur duket haptas se ato janë në të mirë të popujve. Rrëzohen diktatura të neveritshme, hapet udha drejt përparimit, megjithatë, thirrjet kundër ndërhyrjes nuk reshtin. Kjo dëshmon se sa larg është ajo botë nga bota perëndimore, ç’humnerë ka midis tyre. Kështu po ndodh në Avganistan. Kështu në Irak.
    Por ç’ndodhi me Shqipërinë më 1997? Në kulmin e kaosit, në Shqipëri zbarkoi ushtria evropiane. Shqiptarët ishin armatosur gjer në dhëmbë, mendjen e kishin të turbullt, nervat të ngritura, kokën të ndezur. E megjithatë askush nuk ngriti armën kundër evropianëve. A është bërë ndonjë herë pyetja: përse? Përse nuk punuan reflekset suvereniste, patriotike, klishetë dhe kujtimet e vjetra?..
    Përgjigja është e thjeshtë, kuptimplote. Pa patur nevojë për propagandë apo thirrje pajtuese, shqiptarët, gati unanimisht, e ndien se kjo ushtri që kishte zbarkuar nuk ishte e huaj për ta. Ajo ishte e së njëjtës botë, e të njëjtit qytetërim. Ishte ushtria e kontinentit mëmë që vinte për të vënë rregull. Dhe ata natyrshëm e pranuan atë, siç pranohet njeriu yt. Ky është vërtetimi më i saktë i të ndjerit evropian i një populli. I të ndjerit evropian në një çast prove të rëndë, ndoshta më e rënda në atë shekull.

    ( Marre nga "Shekulli " )
    Miresia civilizon inteligjencen
    PUNEN E SOTME MOS E LE PER NESER

    “Po iu jap një porosi,
    Këmba e huaj keq iu rri,
    Nuk durohet gjithë vaji i fëmisë, Çonu të gjithë në shërbim Shqiperis”

  2. #2
    Citim Postuar më parë nga Pink^ Pearl
    Mendova se do te ishte me interes te lexoni mendimet e ketij shkrimtari te madh Shqiptar dhe si i sheh ai problemet e Shqiperise sot per sot si dhe ceshtje te tjera ....

    Une e lexova me vemendje te madhe mqs kerkohet qe te lexohet vetem.Artikulli me me pelqeu shume...e gjeta shume interesant...e me vlere...per te njohe edhe me shume Kadarene dhe mendimet e tia rreth Shqiperise e Shqipetareve.

    Ps.Shpresoj te mos keme dale nga tema.Nuk e di a e kam lejen e Moderatorve te bej komentimin i kesaj Interviste pse do te ishte me vlere te diskutohej nese qendrojne apo jo theniet e pozicionet qe merr Kadareja ne kete Interviste.
    Ndryshuar për herë të fundit nga shirokas : 18-11-2004 më 18:29

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Pyetje:` Çfarë kërkojnë, sipas jush, shqiptarët sot?

    Përgjigje: Ajo që shqiptarët kërkojnë sot për vendin e tyre është e drejtë, e saktë dhe e mënçur. Ata kërkojnë një Shqipëri serioze dhe të moralshme. Këto të dyja shkojnë bashkë. Një vend pa moral, s’mund të jetë serioz dhe anasjelltas. Një vend tejet i varfër në Evropë gjithashtu s’mund të merret seriozisht.
    Jam dakord me Kadarene qe kriza shqiptare ka arritur aq thelle sa e ka kaluar shtresen politike, ekonomike dhe tani po deperton edhe shtresen shoqerore, duke u kthyer nga nje krize politike ne nje krize morali. Por nuk jam dakord me kendveshtrimin e Kadarese i cili per mua eshte nje kendveshtrim qe Kadare ende nuk e ka shkundur edhe tani qe po jeton ne Tirane. Eshte gabim ta shikosh krizen e moralit te shoqerise shqiptare nga nje prizem i jashtem evropian, por nga nje prizem i brendshem shqiptar. Kjo krijon nje iluzion dhe ndjesi te genjeshtert ne lidhje me motivimin dhe frymezimin e shqiptareve per ti dhene zgjidhje kesaj krize. Interesat tona kombetare nuk fillojne me identitetin evropian te shqiptareve, por me ruajtjen dhe rilindjen e identitetit shqiptar. Nuk eshte identiteti shqiptar nje derivat i atij evropian, por eshte identiteti i sotem evropian qe trashegon edhe nga identiteti shqiptar. Ky eshte burimi i nje paradoksi te madh te ushqyer edhe nga politika ne shoqerine shqiptare: shqiptaret do te behen evropiane kur te hyjne ne BE. Ne fakt, Shqiperia eshte evropiane, rilindja dhe rindertimi i saj ka per qellim jo ta beje ate "evropiane", por te hapi dyert qe i ishin mbyllur deri me sot ne menyre qe ajo te zere vete vendin qe i takon ne familjen evropiane.


    Jam plotesisht dakord me pjesen e dyte te intervistes ne lidhje me perkatesine evropiane te shqiptareve. Megjithate, ka ende shume qe mund te shkruhet apo debatohet ne lidhje me identitetin shqiptar pasi ky identitet ka nje pamje te jashtme dhe nje pamje te brendshme, ka nje trup ashtu sic ka edhe nje shpirt. Me mire se Kadare apo kushdo pyetjes se mesiperme, cdo shqiptar i pergjigjet ne menyren e tij.

    Albo

Tema të Ngjashme

  1. Fatmir Limaj
    Nga ARIANI_TB në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 295
    Postimi i Fundit: 07-02-2015, 16:09
  2. Premisa të gabuara
    Nga Arrnubi në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 30-04-2012, 18:25
  3. Esse dhe artikuj të muslimanëve
    Nga ORIONI në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 35
    Postimi i Fundit: 09-12-2010, 09:31
  4. Drafti për Unitet
    Nga Modesti në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 39
    Postimi i Fundit: 04-08-2010, 16:10
  5. Rexhep Qosja: Të vërtetat e vonuara
    Nga ARIANI_TB në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 20
    Postimi i Fundit: 19-09-2006, 20:51

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •