Close
Faqja 3 prej 3 FillimFillim 123
Duke shfaqur rezultatin 41 deri 48 prej 48
  1. #41
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Universitetet private nuk kanë imituar dot vlerat e tregut të lirë


    Mero Baze

    Nga aq sa më mbeti në mendje nga letra e hapur e Henri Çilit, ishte shqetësimi i tij për përfshirjen dhe mospërfshirjen e disa gazetarëve të njohur shqiptarë në evidentimin edhe të disa universiteteve të mirë në Shqipëri, ndërkohë që opinioni publik ishte i përfshirë në teledramën e Renzo Bossi-t. Dy ishin argumentet kryesore të tij. E para, që shumë prej nesh u kanë rekomanduar miqve apo familjarëve Universitetin Evropian të Tiranës dhe e dyta që ne kemi një lloj paragjykimi për tregun e arsimit privat. Me argumentin e parë nuk po merrem, pasi më duket e palogjikshme që për një raport personal me një pronar universiteti të mbaj një qëndrim publik. Do të them disa gjëra vetëm për atë se çfarë solli arsimi privat në Shqipëri, së paku deri tani.
    Në çdo fushë të ekonomisë shqiptare pas vitit 1990 sektori privat ka bërë një histori më vete. Ai ka rritur cilësinë, ka evoluar tregun dhe ka prodhuar vlera. Mjafton të kujtojmë gjërat elementare, p.sh siç është buka që hamë sot dhe atë që hanim në vitin 1990 e deri tek apartamentet, stomatologjinë, furnizimin me ushqime, veshjet etj. I vetmi rast kur ne kemi treg privat, por nuk kemi zhvillim cilësor është arsimi. Më vjen keq të them që çdo student që ka mbaruar shkollën në vitin 1990 është shumë herë më i kualifikuar dhe serioz në diplomimin e tij sesa studentët e dekadës së pas viteve 2000, kur filluan të lulëzojnë godinat e universiteteve private. Kjo natyrisht nuk na jep të drejtën të ndalim arsimin privat, por duhet ta standardizojmë atë në një masë të tillë që ai të mos kthehet në një biznes të mbështetur mbi vesin dhe inferioritetin e njerëzve të paaftë mendërisht për të marrë një diplomë, por të mbështetet mbi ambicien e një njeriu që do të shkollohet. Lulëzimi i arsimit privat universitar dhe bumi i 42 universiteteve u mbështet mbi një kategori të ekzagjeruar shqiptarësh inferiorë, që duan një diplomë për stoli dhe jo mbi makthin që kisha unë apo mijëra të rinj të brezit tim se mos nuk na dilte e drejta e studimit për shkak të notave apo biografisë. Tashmë mendoj se kjo kategori shqiptarësh u konsumua, por dëmi që i bën imazhit të një të diplomuari është i pariparueshëm.
    Bazuar mbi këtë ves njerëzor, unë nuk pranoj dot në bllok që këtu ka vetëm universitete të mira dhe universitete jo të mira dhe nuk mund të quaj fatlumë ata që kanë shkuar tek UET apo UMB dhe fatkeq ata që janë te ‘Kristali’. Unë më shumë jam i shqetësuar për ata studentë të ‘Kristalit’ që janë seriozë, që kanë shkuar në mësim, që e kanë merituar notën, që kanë qenë qysh në shkollë fillore apo tetëvjeçare në atë shkollë, pasi ata kanë shkuar aty për të studiuar dhe janë dëmtuar
    nga një skandal, i cili është dhe virusi i universiteteve, jo vetëm private. Siç e theksova, universitetet private duhet ta përmirësonin cilësinë e arsimit dhe duhet të detyronin Universitetin Publik të ishte më cilësor dhe më elitar. Në të vërtetë arsimi privat universitar deri tani jo vetëm që nuk ia ka dalë të jetë vetë cilësor, por ka shkatërruar dhe Universitetin Publik, duke e bërë atë po ashtu një prodhues diplomash fiktive, dhe duke dypunësuar pedagogët e tij part-time në tregun privat. Brenda gjithë universiteteve ka studentë që kanë shkuar aty për të mësuar, si te publiku, te ‘Kristali’ tek UET, tek UMB, te NYU etj., dhe shqetësimi ynë do të jetë i fokusuar te mosfyerja e përkushtimit të tyre për të mësuar dhe ëndrra për t’u diplomuar. Dhe për t’u bërë kjo, ka vetëm një mënyrë, standard të njëjtë vlerësimi për ata që hyjnë e dalin në dyert e universiteteve. Vetëm kështu do të shpëtojmë nga Renzo Bossi dhe të ngjashmit e tij, por dhe nga nderet apo rekomandimet që krijojmë me pronarët e universiteteve, siç përmend dhe Çili shumë raporte të tij me gazetarët e njohur në Shqipëri. Deri më sot, nderi i vetëm që i kanë bërë universitetet private tregut të arsimit është e drejta e pafundme për t’u regjistruar, por kjo nuk duhet të ngatërrohet me të drejtën e pafundme për t’u diplomuar. Shqipëria ka nevojë urgjente të reformojë rrënjësisht standardin e universiteteve private, jo vetëm duke i rankuar ato me kritere të pabesueshme, siç dhe bën, por duke standardizuar vlerësimin e studentëve nga agjenci të specializuara, që korrigjojnë testet, esetë, apo provimet e studentëve, jashtë këtyre universiteteve.
    Universitetet janë vende ku studiohet dhe lexohet, dhe u duhet hequr urgjent e drejta e vlerësimit të studentëve, ku qëndron dhe hallka e vetme korruptive e tyre. Vetëm kjo mund të na shpëtojë nga epidemia e diplomave dhe t’i kthejë universitetet private dhe publike në vend ku shkohet për të studiuar dhe jo në kartëvizita apo diploma të printuara për dekor.

    Në fund desha të them diçka dhe për atë që Henri Çili e quan heshtje të pedagogëve të mirëpaguar. Mendoj se dëmi i dytë që kanë prodhuar universitetet private është humbja e pavarësisë akademike. Në çdo vend të botës, sidomos në vende problematike për demokracinë si kjo e jona, pavarësia akademike është një nga siguritë e mëdha që ka shoqëria për të shmangur deformimet e mëdha të demokracisë, por dhe për orientuar debatet te tema të mëdha të ekonomisë, politikës, reformave dhe standardeve të demokracisë. Falsiteti i elitave universitare, të prodhuara nga tregu privat, ka fyer në thelb pedagogët e vërtetë të këtij vendi, ata që dhe në kohë të komunizmit kanë shtrënguar dhëmbët, por s’e kanë ulur kokën. Mjafton të kujtojmë zgjedhjet e fundit lokale në Tiranë, kur vetë Henri Çili vuri në rresht gjithë pedagogët e universiteteve private dhe publike në favor të pushtetit, për të parë sa çfarë keqkatandisje ka pavarësia universitare për shkak të tregut privat. Është e vërtetë që pagat janë të larta, është e vërtetë se ata ndoshta nuk i meritojnë gjithë ato rroga, por as ne nuk e meritojmë të na shitet për elitë universitare një çupëlinë, që më shumë shikon gjoksin para pasqyrës sesa librat në bibliotekë dhe të presim pastaj prej saj të ketë pavarësi mendimi, apo më keq akademike. Duke mos qenë një treg konkurrent, por i favorizuar, arsimi privat universitar ka dëmtuar rëndë, së paku deri më sot, pavarësinë akademike, jo vetëm duke prodhuar studentë fals, por dhe pedagogë fals. Nuk dua të lëndoj askënd, se shumë prej atyre pedagogëve të vërtetë që punojnë në arsimin privat u kemi borxh përkushtimin për të investuar dijet e tyre në atë treg, por e sigurt është se ata janë alibi për një standard të ulët pedagogësh. Ndaj Henri Çili nuk ka çfarë pret prej tyre. Ata të mirët natyrisht që nuk flasin, pasi paguhen shtrenjtë për të mos folur, ata të dobëtit natyrisht që nuk kanë çfarë thonë përveç mirënjohjes që i quajmë dhe pedagogë.
    Duke e mbyllur, dua ta them se rruga e vetme është të mos bëjmë hapa pas sa i përket tregut të arsimit, por hapa para përsa i përket standardizimit të tij. Dhe kam vetëm një propozim, agjenci vlerësimi kombëtare për testet, provimet dhe diplomat e studentëve, të cilat nuk kanë lidhje me universitetet. Të caktohen ato në fillim të vitit me konkurrim në raport me numrin e studentëve dhe nxënësve, të certifikohen për të korrigjuar teste, ese dhe provime, dhe ta bëjnë këtë pa ditur se i kujt universiteti është studenti. Një agjenci, fjala vjen, specializohet për korrigjim të matematikës, tjetra të lëndëve të juridikut, tjetra të ekonomisë e kështu me radhë. Vetëm ky hap i parë drakonian kundër spekulimit me notat dhe cilësinë universitare mund të ndalë ofertën që ka ende tregu për të blerë diploma që të përdoren ose si stoli, ose si alibi për vendet e punës në administratën shtetërore, e cila është konsumuesja më e madhe e këtij tregu informal.

    Tema

  2. #42
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Pro mbështetjes së shtetit për universitetet private ose rasti ‘Luarasi’

    Henri Çili

    Një seri kronikash televizive kritikuese ose denigruese janë duke atakuar një procedurë normale tenderi të Ministrisë së Ekonomisë në lidhje me marrjen me qira të ish-konviktit të shkollës së Gjuhëve të Huaja nga Universiteti “Luarasi”. Është nga ato kronika dhe fushata tipike, të cilat kanë gjurmuar ose kanë shoqëruar shoqërinë shqiptare sapo ka filluar një fenomen i ri. Cili është fenomeni? Është rasti i parë që një universitet privat, dhe fatmirësisht rasti e do që të flasim për universitet privat serioz dhe shumë cilësor të themeluar nga profesori i nderuar, Aleks Luarasi, dhe në pronësi tashmë të aktorëve të tjerë po aq seriozë të medias ose të sektorit bankar, mund të marrë një hapësirë publike, një aset publik përmes një procedure të rregullt.

    Në dijeninë time si operator, asnjë aset publik, asnjë formë tjetër e mbështetjes financiare me fonde publike, nuk ka shkuar në sektorin privat universitar ose në sektorin joshtetëror. Ndryshe nga zhurma e madhe që bëhet, që kjo qeveri mbështet sektorin privat ndaj sektorit shtetëror. Normalja e do që në kushtet e konkurrencës, unë dhe UET të ishim nga ata që duhet të bërtisnin se ‘pse po prishet konkurrenca, pse po favorizohet njëri në raport me tjetrin’ dhe shumë pse të tjera. Gjë të cilën, për ironi, e bëjnë media ose aktorë të tjerë të cilët janë përfitues të kësaj mënyre që sot e kritikojnë. Sidoqoftë, le të kthehemi te precedenti dhe parimi.

    Po mbështetjes me asete shtetërore ose forma të tjera të aktorëve të dëshmuar seriozë në një sektor të ri të edukimit në Shqipëri, siç janë universitetet joshtetërore, private apo të formave të tjera të pronësisë qofshin. Kjo ka një dobi të posaçme publike. Për ekuivalencë mund të themi që një të drejtë të tillë e gëzojnë edhe sektorë të tjerë me rëndësi të posaçme për infrastrukturën e zhvillimit, siç janë mediat dhe spitalet private. Me mediat, tashmë kjo është vërtetuar. Me spitalet private, diçka më pak, dhe impulset e zhvillimit në këta sektorë janë dhjetëra fish, sa ç’do të kishin qenë 7, 8 apo dhjetë vitet e fundit në kushtet natyrale të këtij sektori, në kushtet vetëm të sektorit publik.

    Dhe ndoshta këtë mbështetje fillestare me godina, me mjedise me qira afatgjata të ulëta, ose me pronësime prej disa prej mediave tona më të zhvilluara private, për disa prej spitaleve private më të njohura, ka bërë që ky sektor të fitojë një legjitimitet thuajse të padiskutueshëm në Shqipëri. Të gjithë e dimë që spitali privat sot, në disa prej elementëve është shumë më cilësor se spitali publik, të gjithë e dimë se media private televizive është shumë më mirë se media publike televizive. Atëherë, e njëjta gjë për simetri, duhet të ndodhë edhe me një sektor të ri, siç është universiteti privat, ndaj jo vetëm nuk më ka xhelozuar, jo vetëm nuk më ka shqetësuar, përkundrazi më ka gëzuar ideja që një godinë shtetërore po merret me qira, edhe pse në kushte normale, nga të dhënat paraprake nga një institucion privat i arsimit të lartë, siç është rasti i të nderuarit universitet, Universitetit “Luarasi”. Pse? Sepse kjo do të hapte një precedent shumë pozitiv, që për funksionin publik që kanë universitetet joshtetërore në Shqipëri, siç është rasti ‘Luarasi’, është shumë e dobishme që shpejtësia e përmirësimit të tyre në funksion të cilësisë të rritej, që koha që duhet në dispozicion dhe energjitë, të mos shpenzoheshin vetëm me infrastrukturën, por të harxhoheshin, mundësisht në funksion të cilësisë.

    Po ashtu, rasti e do që UET, i cili i ka zhvilluar krejtësisht kapacitetet e veta tashmë të rëndësishme infrastrukturore me fonde të veta ose fonde të kredituara, të mund të ndjehej i pari në këtë protestë, por në fakt është i pari në këtë mbështetje. Pse, sepse legjitimimi i sektorit, legjitimimi i një roli dhe pozicionimi të ri të shtetit në raport me këtë sektor, është me interes publik shumë më të madh, sesa me një interes të ngushtë privat të një institucioni të caktuar.

    Dhe le t’i kthehemi eksperiencës së atyre vendeve që universitetin e kanë më të mirin në botë, që e kanë zhvilluar modelin e universitetit publik dhe joshtetëror, pak a shumë hapësira e vendeve anglo-saksone, ku parimi ‘tokë për universitet’ ose ‘asete për universitet’ që ndjek shteti, ose dhënia e granteve, ka qenë një faktor zhvillimi për universitetet joshtetërore, fonde të cilat i janë kthyer shoqërisë disa fish në funksion të cilësisë ose produktit që këto universitete kanë prodhuar.

    Nga ana tjetër, rasti ‘Luarasi’ është një rast për të mos pasur asnjë kompleks, është një rast për të mos u bërë pishman askush. Aq më tepër nuk është fare nga ato raste kur duhet çuar ndonjë task-forcë për të verifikuar procedurën e tenderit, apo për t’u propaganduar nga shumë aktorë, të cilët janë në një mënyrë apo tjetër, përfitues të së njëjtës rrugë. Dhe mirë ka bërë qeveria e atëhershme që ka dhënë këtë mbështetje, sepse siç e thashë edhe më sipër, kjo ka përbërë një faktor zhvillimi me tepër rëndësi.

    Së fundi, rasti ‘Luarasi’ dhe çështja e konviktit të shkollës së Gjuhëve të Huaja, që tashmë vihet edhe legalisht në funksion të zhvillimit të këtij institucioni, është rasti për të hapur debatin mbi rolin imparcial që duhet të luajë shteti në raport me aktorë të arsimit të lartë, në raport me universitetet shtetërore ose universitete të tjera private, apo publike qofshin. Ky rol ka vend të rikonceptohet, sepse qëllimi i shtetit ose i qeverisë nuk është të mbështetet njëri sektor kundrejt tjetrit. Nuk është që të konceptohet se qeveria ka detyrime vetëm ndaj disa aktorëve të sektorit, siç është rasti ndaj universiteteve shtetërore, por ndaj të gjithëve. Është rasti të kuptohet dhe të rikonceptohet roli i shtetit në arsimin e lartë, ku qëllimi bazë është një gjë e ndryshme nga ajo që duket. Qëllimi bazë është diplomimi me cilësi i të rinjve shqiptarë, i specialistëve shqiptarë dhe kërkimi shkencor cilësor në funksion të zhvillimit, dhe jo mbajtja domosdoshmërisht e një sistemi të caktuar dhe tradite të caktuar. Në funksion të këtij qëllimi, përdorimi ose aplikimi i metodave të tilla, si mbështetja me asete publike i universiteteve joshtetërore është një nga rrugët më efikase për të rritur shpejtësinë e përmirësimit të arsimit tonë të lartë dhe bashkë me të, unë do të thosha se hapet me themel debati për ripozicionimin e shtetit në këtë çështje.

    Kryeministri Berisha, i cili në opinionin publik duket sikur është duke mbështetur universitetet private ndaj atyre shtetërore, në të vërtetë ndodhet në një paradoks shumë të madh të pozicionimit të tij. Ai është vetëm deklarativ në funksion të mbështetjes së universiteteve private, por ende nuk ka as edhe një provë të vetme nga kjo qeveri në ndihmë të universiteteve private, përveç lejimit dhe licencimit të tyre. Ende nuk ka asnjë provë të asaj që mund të quhet rritje e konkurrueshmërisë në këtë sektor. Pra, ndërtimi i një skeme të caktuar që këta aktorë të konkurrojnë ose e ashtuquajtura ‘reforma e financimit’, në kushtet kur ka prova pikërisht për të kundërtën. Një prej të cilave, Kryeministri e dha dje; zgjerimi i pafundmë dhe pothuajse falas i kapaciteteve të pranimit në universitetet publike. Elektoralizmi, fasada antikorrupsion si dhe mungesa e një koncepti thuajse total të mazhorancës aktuale dhe Kryeministrit Berisha për një vizion për ta mbështetur zhvillimin e sektorit të arsimit joshtetëror në veçanti, janë sot të përziera me nevojat elektoraliste të Kryeministrit, i cili duhet të bëjë disa qoka antikorrupsion dhe duhet të shfaqë një populizëm tashmë destruktiv për të ardhmen e arsimit të lartë shqiptar, siç ishte dje deklamimi i tij populist në mbledhjen e qeverisë se, po rrit kuotat e pranimit në universitetet publike me tre mijë vetë, dhe në asnjë mënyrë nuk pranon rritjen e tarifës së pranimeve, çka do të ishte një kontribut në konkurrueshmërinë e sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri, shtetëror apo privat.

    Nga ana tjetër, vonesa dhe shtyrja për në kalendat greke e zhurmëmadhes ‘reformë e financimit’ janë kompletimi i këtij populizmi që tashmë po bëhet i rrezikshëm për zhvillimin e dy pjesëve të arsimit të lartë në Shqipëri; qoftë sektorit publik, qoftë atij privat. Në të vërtetë, vazhdimi në këtë rrugë është të mos ndihmosh askënd, por mbi të gjitha të mos krijosh premisat që sektori i edukimit të lartë në Shqipëri të vihet në kushte reformimi dhe, në të tilla kushte ai vihet vetëm nëse i hapet rruga konkurrencës. Deri sa kjo nuk do të ndodhë, populizmi politik i mazhorancës dhe opozitës do të kthehet në armikun kryesor që kërcënon universitetet dhe të ardhmen e tyre në Shqipëri; shtetërore apo private qofshin.

    MAPO

  3. #43
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Universitetet private, MASH: Si të zgjidhni degët e duhura

    Jonida Tashi

    Maturantët janë përfshirë nga ethet e përzgjedhjes së studimeve në institucionet e arsimit të lartë në vend. Po ashtu edhe prindërit e tyre janë pjesë e këtij ankthi dhe përpiqen t’i orientojnë fëmijët e tyre në zgjidhjen më të mirë. Zgjedhja e duhur e fushës së studimeve dhe institucioni i duhur është një proces më delikat sesa në dukje. Për këtë arsye, Ministria e Arsimit ka përgatitur një shpjegues për institucionet e arsimit të lartë jopublik. Por, para se të vendosni se në cilin universitet privat do t’i ndiqni studimet, sigurohuni që institucioni i arsimit të lartë që ofron këtë program studimi të jetë i licencuar (vendim i Këshillit të Ministrave) dhe funksional (leje aktiviteti nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës). Po kështu, sigurohu që programi i studimit të jetë i licencuar (VKM ose urdhër i ministrit të Arsimit dhe Shkencës, leje aktiviteti). Po kaq i rëndësishëm është edhe fakti që programi i studimit të jetë i akredituar, në proces akreditimi ose brenda afateve ligjore për të kryer procesin e akreditimit. Sipas Ligjit të Arsimit të Lartë, një program studimi duhet të akreditohet para diplomimit të studentëve që studiojnë në këtë program. Për t’u ardhur në ndihmë maturantëve dhe prindërve të tyre, Drejtoria e Zhvillimit të Arsimit Jopublik (Privat) në MASH sqaron të gjithë kandidatët që dëshirojnë të regjistrohen e të ndjekin studimet në institucionet e arsimit të lartë jopublik (privat) dhe i njeh me procedurat e licencimit, të hapjes së programeve të studimit dhe të akreditimit të tyre si dhe me llojet e institucioneve të arsimit të lartë jopublik (privat). ”Institucionet e arsimit të lartë (IAL) jopublik (privat) njihen në Republikën e Shqipërisë pas licencimit të tyre nga Këshilli i Ministrave. Licencimi i IAL-ve private dokumentohet me një vendim të Këshillit të Ministrave. Veprimtaria e IAL-ve private fillon pas marrjes së lejes nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). IAL-të private duhet të kenë miratim për hapjen e programeve të studimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Miratimi i hapjes së programeve nga MASH dokumentohet me urdhër të ministrit të Arsimit. Përpara lëshimit të diplomës, programi i studimit i IAL-së duhet të jetë i akredituar nga Ministria e Arsimit. Akreditimi dokumentohet me urdhër të ministrit për akreditimin e programit dhe të institucionit. Në varësi të licencës, institucionet e arsimit të lartë jopublik mund të jenë universitete, akademi, shkolla të larta apo kolegje. Universitetet ofrojnë programe të të gjitha cikleve të studimit (bachelor, master dhe doktoratë), përfshijnë shumë disiplina studimore dhe janë të orientuara për nga kërkimi shkencor e aplikativ. Akademitë gjithashtu ofrojnë të gjitha ciklet e studimit, por ato janë të kufizuara në një ose dy disiplina studimore si në atë të kulturës, të mbrojtjes apo të një profesioni të caktuar, dhe bëjnë kërkime të aplikuara (applied research) apo kërkime artistike (artistic research). Shkollat e larta ofrojnë programe studimi në ciklin e parë dhe të dytë në një sërë disiplinash, por janë kryesisht të kufizuara në mësimdhënie dhe në kërkime të aplikuara. Kolegjet profesionale ofrojnë vetëm programe studimi të ciklit të parë dhe studime profesionale 2-vjeçare e janë të kufizuara në trajnim profesional. Zgjedhja juaj duhet të udhëhiqet nga interesat dhe perspektivat tuaja për të ardhmen. Në varësi të interesit tuaj për t’u përqendruar në studime profesionale apo për të vazhduar më tej më kërkimin shkencor, ju mund të zgjidhni një kolegj profesional, shkollë të lartë apo universitet. Statuti ligjor i institucionit, si universitet, akademi, shkollë e lartë apo kolegj profesional miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave”, sqarohet në njoftimin e Drejtorisë së Zhvillimit të Arsimit Jopublik (Privat) në MASH. Për t’u informuar në vazhdimësi mbi statutin e njohjes së institucionit (licencimit) apo akreditimin e programit të studimit, kandidatët mund t’i drejtohen faqes së internetit (www.mash.gov.al) si dhe faqes së Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë (www.aaal.edu.al).

    Këshilla, si të zgjidhni studimet e duhura

    1. Shkëputuni nga dilema e fushës së studimeve. Zgjidhni atë drejtim studimesh që përshtatet më shumë lidhur me njohuritë tuaja dhe përzgjedhjen e bërë në shkollën e mesme.

    2. Vendosni ku dëshironi të studioni brenda vendit apo jashtë vendit, në institucion publik apo institucion privat.

    3. Përzgjidhni programin e studimit nga fusha e studimeve. P.sh. fusha e studimeve janë shkencat e natyrës dhe programi i studimit mund të jetë Biologjia.

    4. Sigurohu që institucioni i arsimit të lartë që ofron këtë program studimi të jetë i licencuar (vendim i Këshillit të Ministrave) dhe funksional (leje aktiviteti nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës).

    5. Sigurohu që programi i studimit të jetë i licencuar (VKM ose urdhër i ministrit të Arsimit dhe Shkencës, leje aktiviteti).

    6. Sigurohu që programi i studimit të jetë i akredituar, në proces akreditimi ose brenda afateve ligjore për të kryer procesin e akreditimit. Sipas ligjit të Arsimit të Lartë, një program studimi duhet të akreditohet para diplomimit të studentëve që studiojnë në këtë program.

    7. Fokusohuni në indikatorin/et më të rëndësishëm për ju. P.sh. nëse jeni të interesuar për një institucion që ka pikë të fortë kërkimin shkencor, apo praktikën profesionale, apo mësimdhënien në gjuhë të huaj etj., ju duhet të përdorni të tillë filtra për të bërë zgjedhjen në përputhje me preferencën tuaj

    8. Drejtohuni institucioneve përgjegjëse në vend për arsimin e lartë për informacione më të detajuara, MASH, APAAL dhe faqeve të tyre zyrtare.

    MAPO

  4. #44
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Universitetet private, MASH nxjerr 199 programet e akredituara

    Jonida Tashi

    Ministria e Arsimit zbardh listën e universiteteve private që ofrojnë programe studimi të akredituara. Në total bëhet fjalë për 199 programe të akredituara deri në fillim të këtij muaji, të cilat i përkasin ciklit të parë “Bachelor” dhe të dytë të studimeve, ku përfshihen ato të Masterit. Programet e akredituara ofrohen në 21 institucione të arsimit të lartë privat, nga 46 që janë licencuar nga Këshilli i Ministrave për të ushtruar aktivitetin e tyre në vend. Në krye të klasifikimit për numrin më të madh të programeve të akredituara qëndron Universiteti Europian i Tiranës me 74 të tilla, të cilat u përkasin të dyja cikleve të studimit. Më konkretisht, për studimet e cilit të parë “Bachelor”, UET ka 6 programe të akredituara që janë: Financë bankë, Menaxhim biznesi, Shkenca politike, Marrëdhënie me publikun, Marrëdhënie ndërkombëtare dhe Jurist i përgjithshëm. Në studimet e ciklit të dytë, UET ofron 18 programe të akredituara në Master Profesional dhe 50 të tjera në Master Shkencor. Pas UET, një numër të konsiderueshëm degësh të akredituara, në varësi edhe të programeve të studimit që ofrojnë kanë: shkolla e lartë universitare, jopublike “Universiteti Kristal”, shkolla e lartë universitare, jopublike “Universiteti i New York-ut, Tiranë”, Universiteti katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Universiteti privat “Albanian University”, si dhe shkolla e lartë universitare, jopublike “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi”. Aktualisht, në universitetet private ofrohen më shumë se 330 programe studimi për ciklin e parë dhe të dytë, por jo të gjitha degët janë të akredituara nga MASH. Krahasuar me vitin e kaluar, numri i programeve të akredituara nga MASH pothuajse është dyfishuar. Kështu, një vit më parë numri i programeve të akredituara ishte 110. Lista e institucioneve të arsimit të lartë privat të licencuara apo të akredituara përfshin 46 të tilla, ku bëjnë pjesë: 3 universitetet me status, që janë: Universiteti Europian i Tiranës, Universiteti katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe Universiteti “Albanian University”, si dhe akademitë, kolegjet profesionale, shkollat e larta dhe qendrat ndëruniversitare. Nga këto institucione, 18 janë të akredituara plotësisht, që thënë ndryshe japin diploma të vlefshme dhe të njohura nga Ministria e Arsimit, ndërsa njëri prej tyre ka të akredituara vetëm 2 programe. Pjesa tjetër e shkollave të larta janë të licencuara, dhe nuk e kanë kaluar ende fazën e akreditimit të programeve të tyre të studimit. Sipas Ligjit të Arsimit të Lartë, një program studimi duhet të akreditohet para diplomimit të studentëve që studiojnë në atë program. Akreditimi është një proces sigurimi cilësie, gjatë të cilit një organizëm i jashtëm vlerëson përputhjen e shërbimit dhe aktivitetit të universitetit apo programeve të tij me standardet.

    MAPO

  5. #45
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Skandali Bossi, universitet private: të hetohen të gjithë


    Rektorët e katër universiteteve private në kryeqytet kanë reaguar me një deklaratë të përbashkët rreth asaj që ata e quajnë “debatin që ka shpërthyer në median shqiptare dhe italiane mbi spekulimet e mundshme lidhur me diplomimet fiktive në universitetet shqiptare të shtetasve italianë.” Kristaq Traja, i universitetit LUARASI; Kujtim Çashku i Akademisë së Filmit dhe Multimedias MARUBI; Tonin Gjuraj, i Universitetit Europian të Tiranës; dhe Spiro Brumbulli i Tirana Business University, nën siglën Consorciumi Universitar Shqiptar, u kanë kërkuar autoriteteve shqiptare që të hetojnë mbi dyshimet në përputhshmëri me ligjin. Sipas deklaratës së katër rektorëve, autoritetet, duke vlerësuar kontributin e çmuar të sektorit të arsimit të lartë privat në Shqipëri, duhet të marrin vendimet e duhura për të qartësuar të gjitha dyshimet te secili prej operatorëve në këtë treg. “Po ashtu, i bëjmë thirrje Qeverisë të kryejë të gjitha reformat dhe hapat e duhur për të rritur dhe garantuar cilësinë në sektorin e arsimit të lartë në Shqipëri, jo vetëm në atë privat, por dhe në atë publik, duke garantuar standarde bashkëkohore, cilësi dhe integritet në të gjithë sistemin, pavarësisht nga forma e pronësisë”, thuhet në deklaratë. Consorciumi Universitar Shqiptar e inkurajon qeverinë të hedhë hapa të mëtejshëm në reformimin e sistemit të arsimit të lartë ku, krahas liberalizimit dhe rritjes së konkurrencës në këtë sektor, të arrihet sa më shpejt në parametrat optimalë të cilësisë dhe të një edukimi me standarde europiane. Reagimi i katër universiteteve private vjen pas një debati të gjerë të hapur në shtyp pas zbulimit se djali i liderit të ‘Lega Nord’, Umberto Bossi, ishte pajisur në Shqipëri me një diplomë nga universiteti “Kristal”. Renzo Bossi ishte ‘diplomuar’ brenda një viti në shtator 2010 në universitetin “Kristal” për Menaxhim Biznesi. Në dokumentet e publikuara dje në të gjitha mediat italiane shkruhet se Renzo Bossi dispononte një diplomë shqiptare universiteti, ndërsa lista e tij e notave flet për një student shembullor, i cili ka arritur rezultate shumë të mira në të gjitha lëndët. Sipas hetuesve italianë, Renzo Bossi rezulton t’i ketë marrë të gjitha lëndët në universitetin shqiptar brenda një viti, pasi diplomën e maturës në Itali e ka marrë në vitin 2009, ndërsa më 2010-ën është pajisur me diplomë universitare. Hetuesit e Milanos dhe Napolit dyshojnë se djali i Bossit nuk e ka frekuentuar fare fakultetin dhe se diploma është blerë me fondet e fushatave elektorale të partisë “Lega Nord”.





    Djali i Umberto Bossit, student në Tiranë, policia gjen diplomën shqiptare

    Mediat italiane raportojnë se Renzo Bossi është diplomuar me nota shumë të mira, ndërsa i ka mbyllur 4 vitet e studimit brenda 1 viti. Hetuesit dyshojnë se diploma është blerë me fondet e fushatës së ‘Lega Nord’.

    Hetimet në Itali ndaj djalit të një politikani të lartë janë kryqëzuar me Shqipërinë, për shkak të një diplome universitare, të cilën mediat italiane e raportojnë si të dyshimtë. Djali i ish-liderit të ‘Lega Nord’, Umberto Bossi, i quajtur Enzo Bossi, disponon një diplomë shqiptare. Dokumenti u gjet në kasafortën e financierit të ‘Lega Nord’, Francesco Belsito, nga prokurorët italianë, që janë ngarkuar për të zbuluar detaje në lidhje me skandalin e shpërdorimit të fondeve të partisë nga ish-lideri Bossi. Djali i Umberto Bossit rezulton të jetë diplomuar më 29 shtator të 2010-ës në universitetin “Kristal” të Tiranës, për Menaxhim Biznesi. Në dokumentet e publikuara në të gjitha mediat italiane ditën e djeshme thuhet se Renzo Bossi dispononte një diplomë shqiptare universiteti, ndërsa lista e tij e notave flet për një student shembullor, i cili ka arritur rezultate shumë të mira në të gjitha lëndët. Sipas hetuesve italianë, Renzo Bossi rezulton t’i ketë marrë të gjitha lëndët në universitetin shqiptar brenda një viti, pasi diplomën e maturës në Itali e ka marrë në vitin 2009, ndërsa më 2010-ën është pajisur me diplomë universitare. Hetuesit e Milanos dhe Napolit dyshojnë se djali i Bossit nuk e ka frekuentuar fare fakultetin dhe se diploma është blerë me fondet e fushatave elektorale të partisë “Lega Nord”. Në dokumentet e sekuestruara pak kohë më parë u gjet edhe një kopje e diplomës së marrë nga Pierangelo Moscagiuro, ky i fundit mik i ngushtë me Renzo Bossin. Edhe diploma e Moscagiuros është siguruar në të njëjtin universitet, në Shkenca Politike me drejtim Sociologji. Diploma e Moscagiuro-s mban datën 29 qershor 2010. Prej afro tre muajsh, skandali i abuzimit me financimet në “Lega Nord” ka pushtuar vëmendjen e vendit fqinj. Hetimet e prokurorëve zbuluan se krerët më të lartë të kësaj partie dhe sidomos enturazhi dhe familjarët e kreut të saj, Umberto Bossi, kishin plotësuar çdo nevojë dhe kapriçio vetjake me fondet e partisë “Lega Nord”, fonde që më së shumti kjo parti i përfiton nga buxheti i shtetit. Apartamente, diamante, shëtitje fundjave me jaht, por deri edhe blerje pampersash duket se janë kryer me fondet e partisë. Dy javë pasi plasi skandali, Umberto Bossi ka dhënë dorëheqjen si kreu i LEGA-s. Tashmë të gjithë janë përqendruar te djali i tij Renzo Bossi, pasi deklaratat e këtij të fundit në media rezultojnë më interesante se shpenzimet e tij. Pak kohë më parë shefja e administratës së partisë Lega Nord, Nadia Dagrada, deklaroi në prokurori se në listën e shpenzimeve të partisë rezultonte edhe shkollimi i djalit të Umberto Bossit, i cili, sipas saj, po studionte në një universitet në Londër. Nadia Dagrada shpjegoi se shkollimi i Renzos do të kushtonte rreth 130 mijë euro, por jo të gjitha shpenzimet do të mbuloheshin nga fondet e partisë. Renzo Bossin në Itali shpesh e thërrasin me nofkën “Trofta”. Në fakt, ka qenë i ati i tij Umberto Bossi që e thirri i pari në këtë mënyrë dhe më pas shtypi italian vazhdoi duke e lakuar sipas mënyrës së preferuar të të atit. Historia e nofkës “Trofta” zë fill një ditë kur një gazetar italian e pyeti senatorin Umberto Bossi nëse Renzo – i cili kishte ngelur në klasë tri herë gjatë gjimnazit – do të ishte “delfini” i tij, një fjalë që në italisht përdoret për të nënkuptuar pasardhësin. Dhe Umberto Bossi u tregua i pamëshirshëm atë kohë: “Ai më shumë se delfin, është troftë”, citohet të ketë thënë. Duket se “Trofta” ka gjetur frymëzimin për të studiuar në Shqipëri, pasi, siç tregon libreza e notave që shoqëron diplomën e tij për Menaxhim Biznesi, në vendin tonë ai rezulton të ketë qenë një student shembullor, me notën më të ulët 8 në diplomën e tij. Përg: Habjon Hasani


    Lista e notave të Renzo Bosit

    Bazat e Financës 9
    Bazat e të Drejtës 10
    Gjuhë e Huaj 9
    Ekonomi bazë 8
    Informatikë 8
    Matematikë e përgjithshme (1+2) 10
    Makroekonomi 1 9
    Organizim e menaxhim biznesi 9
    Sociologji 8
    Bazat e Marketingut 8
    Menaxhim i burimeve njerëzore 10
    Menaxhim marketingu 10
    Gjuhë e huaj 8
    Investim ekonomik 10
    Kontabilitet financiar 8
    Makroekonomi 1 10
    Matematikë e aplikuar 10
    Statistikë 9
    Biznesi i vogël 8



    Universiteti “Kristal”: Renzo Bossi kreu studimet konform ligjit

    Universiteti “Kristal” ka pranuar dje, përmes një deklarate për mediat se Renzo Bossi ka kryer studimet konform ligjit. “Në lidhje me informacionet që janë transmetuar në mediat shqiptare mbi diplomimin e shtetasve italianë Pierangelo Moscagiuro dhe Renzo Bossi, universiteti “Kristal” dëshiron të sqarojë opinionin publik si më poshtë vijon: Shtetasi italian Pierangelo Moscagiuro është regjistruar në bazë të dokumentacionit të paraqitur në administratën e Universitetit në vitin akademik 2008-2009, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Shtetasi italian Renzo Bossi është regjistruar në bazë të dokumentacionit të paraqitur në administratën e Universitetit në vitin akademik 2007-2008, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Në Universitetin “Kristal”, aktualisht janë të regjistruar përveç shtetasve italianë edhe shtetas të tjerë të huaj. Universiteti ynë është i hapur për çdo informacion në lidhje me këtë çështje,” -thuhet në deklaratën e universitetit “Kristal”.

    Tiranë, 4 maj 2012

    DEKLARATË

    Ne, rektorët e universitetit “Luarasi”, Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”, Universitetit Europian të Tiranës, Tirana Business University, jemi duke ndjekur me shqetësim debatin që ka shpërthyer në median shqiptare dhe italiane mbi spekulimet e mundshme lidhur me diplomimet fiktive në universitetet shqiptare të shtetasve italianë.

    Duke kërkuar fort nga autoritetet shqiptare të hetojnë të gjitha këto dyshime në përputhje me legjislacionin shqiptar, ne jemi të shqetësuar për besueshmërinë e sistemit tonë të arsimit të lartë në tërësi dhe të sistemit të arsimit të lartë jopublik në tërësi.

    Duke njohur kontributin e paçmuar të sipërmarrjes së lirë në sektorin e arsimit të lartë privat në Shqipëri, të dhënë me sakrifica dhe pasion gjatë këtyre 10 vjetëve, që nga ligjërimi i sipërmarrjes private në arsimin e lartë, mendojmë se ka ardhur koha t’i kërkojnë në radhë të parë autoriteteve publike të ndërmarrin veprimet e duhura për të qartësuar të gjitha dyshimet mbi këtë sektor, në secilin prej operatorëve.

    Po ashtu i bëjmë thirrje Qeverisë të kryejë të gjitha reformat dhe hapat e duhur për të rritur dhe garantuar cilësinë në sektorin e arsimit të lartë në Shqipëri, jo vetëm në atë privat por dhe në atë publik, duke garantuar standarde bashkëkohore, cilësi dhe integritet në të gjithë sistemin, pavarësisht nga forma e pronësisë.

    Ne inkurajojmë Qeverinë të guxojë në hapat e mëtejshëm në reformimin e sistemit të arsimit të lartë ku, krahas liberalizimit dhe rritjes së konkurrencës në këtë sektor, të arrijmë sa më shpejt në parametrat optimalë të cilësisë dhe të një edukimi me standarde europiane.

    Duke iu kundërvënë çdo paragjykimi në bllok për sektorin privat në arsimin e lartë në Shqipëri, ne besojmë plot bindje se arsimi i lartë në Shqipëri ka një rrugë të rëndësishme për të bërë përpara, në shërbim të studentëve dhe familjeve shqiptare, në shërbim të zhvillimit të arsimit tonë kombëtar dhe të zhvillimit të vendit. Pavarësisht nga format e pronësisë dhe menaxhimit, kemi bindjen se institucionet tona janë një investim tërësisht publik, në shërbim të publikut, dhe streha të lirisë së mendimit, streha të ideve dhe në përfitim të të gjithë shoqërisë shqiptare.

    Kristaq Traja, Rektor i Universitetit Luarasi

    Kujtim Çashku, Rektor i Akademisë së Filmit dhe Multimedias MARUBI

    Tonin Gjuraj, Rektor i Universitetit Europian të Tiranës

    Dr. Spiro Brumbulli, Rektor i Tirana Business University


    MAPO

  6. #46
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Financimi i universiteteve, kush paguan për studimet


    Në të gjithë botën, arsimit të lartë po i kushtohet një vëmendje e veçantë në drejtim të reformimit, me qëllim rritjen e numrit të të diplomuarve dhe llojit të formimeve, lehtësimin e financimit, harmonizimin e diplomave me kërkesat e tregut të punës dhe rritjen e cilësisë dhe përgjegjshmërisë në edukim. Politikëbërësit në Shqipëri e kanë njohur nevojën urgjente për progres drejt përmbushjes së këtyre qëllimeve dhe kjo ka qenë shtysa e reformave të ndërmarra dhe të diskutuara së fundmi në këtë fushë.

    Diskutimi aktual mbi projektligjin mbi arsimin e lartë ka prodhuar deklarime pa fund, të cilat shprehin interesa dhe qëndrime nga më të ndryshmet, si nga radhët e komunitetit akademik të universiteteve, ashtu edhe nga ana përfaqësuesve zyrtarë të sistemit të arsimit të lartë. Qeveria është angazhuar për të ndërmarrë një reformë në financimin e sistemit të Arsimit të Lartë. Financimi i universiteteve është një nga çështjet që ka ngjallur më së shumti debate mes përfaqësuesve të universiteteve publike dhe atyre private. Edhe pse u premtua se kjo reformë do të niste të zbatohej në fillim të vitit të ri akademik, ende nuk ka asnjë shenjë të ekzistencës së kësaj skeme. Nga ana e Ministrisë së Arsimit, nuk njoftohet asnjë afat kohor se kur përfundon së hartuari kjo reformë financiare dhe as se kur nis implementimi i saj. Por, MASH bën me dije se zbatimi i kësaj reforme fillimisht është menduar në formën e një projekti pilot, që do të zbatohet fillimisht në universitetet publike. “Reforma financiare, ende nuk ka përfunduar. Madje, nuk ka një afat të qartë se kur përfundon hartimi i kësaj reforme. Por, financimi i universiteteve është menduar në formën e një projekti pilot, që do të nisë të zbatohet në universitetet publike”, bëjnë me dije burime nga Ministria e Arsimit.

    Privatët, jashtë skemës së financimit

    Pas luftës që universitetet publike bënë për mospërfshirjen e universiteteve private brenda skemës së financimit të universiteteve, Ministria e Arsimit bën me dije se tashmë universitetet private janë hequr nga kjo skemë. Ministria e Arsimit, thekson se pjesë e projektit pilot të financimit të universiteteve fillimisht janë universitetet publike. MASH pohon se nëse më pas, kjo skemë del e suksesshme, ajo do të nisë të zbatohet në të gjitha universitetet e vendit. Madje, Ministria e Arsimit thekson se nëse projekti pilot funksionon me sukses në pjesën e parë të zbatimit të saj, pjesë e skemës së financimit do të bëhen edhe universitetet private. Por, sipas MASH financimi i institucioneve private të Arsimit të Lartë, do të bëhet vetëm pas financimit të institucioneve publike dhe nëse pas këtij financimi, fondet mjaftojnë. “Aktualisht, universitetet private janë hequr nga skema e financimit. Pas projektit pilot, nëse fondet mjaftojnë, pjesë e kësaj skeme do të bëhen edhe universitetet private”, thekson Ministria e Arsimit. Kjo tregon edhe njëherë se si kjo e fundit, është tërhequr nga ideja fillestare e financimit të universiteteve të vendit. Fillimisht, pjesë e skemës së financimit të universiteteve, ishin edhe universitetet private. Por, kjo reformë u kundërshtua hapur nga përfaqësues të universiteteve publike, si dhe nga studentë të fakulteteve të ndryshme. Kërkesa e tyre kryesore ishte që nga kjo skemë të përjashtoheshin universitetet private. Pas shumë debatesh, MASH u tërhoq nga kjo skemë, duke i lënë jashtë universitetet private. Deri tani, mësohet se këta të fundit nuk do të jenë përfitues të fondeve që janë përcaktuar për financimin e universiteteve publike. Por, ende universitetet private nuk janë përjashtuar nga kjo skemë, pasi nëse fondet mjaftojnë, edhe universitetet private do të jenë pjesë e kësaj skeme, e cila ende nuk dihet nëse do të nisë të zbatohet këtë vit apo jo.





    Henri Çili: Financimi, si të shkojë te studentët

    Sa herë që institucionet politikëbërëse diskutojnë të përmirësojnë apo të reformojnë sistemin e arsimit të lartë, gjenden mes dilemës së modelit kontinental- ku universitetet janë publikë dhe financohen nga buxheti i shtetit dhe atij anglo- sakson, ku universitetet nuk janë as shtetërore e as private, por institucione publike, të cilat mbështeten dhe subvencionohen nga qeveria, por nuk financohen krejtësisht prej saj.

    Diskutimi mbi mënyrën e financimit të arsimit të lartë, nëse duhet t’i jepet më shumë peshë investimit privat apo duhet ai të mbetet kryesisht publik, ka përbërë gjithnjë një nga debatet më të mprehta të tij. Argumentet janë shpesh kontradiktore. Mbështetja apo subvencionimi publik i një aktiviteti të caktuar, mund të argumentohet me faktin, që ky aktivitet të përbëjë një të mirë publike.

    “Sot sistemi i financimit të arsimit të lartë është tipik pasiv sepse nuk shkon tek studenti, por tek institucioni i edukimit të lartë. Së dyti, financimi u shpërndahet në mënyrë të barabartë të gjithë studentëve dhe kjo përmes institucionit, i cili ofron falas studimet për të gjithë studentët (taksa e regjistrimit është në sasi të pallogaritshme) kur jo të gjithë studentët kanë nevoja të barabarta dhe së treti, financimi aktual i trajton njësoj të gjitha degët dhe disiplinat, pavarësisht se sa i mbulon ato oferta edukative alternative që vjen nga sektori privat”, është i mendimit Henri Çili në trajtesën e tij “Skema e re e financimit të arsimit të lartë”. Për këtë ai propozon një sërë reformash për ta bërë financimin nga pasiv në aktiv.

    Fillimisht duhet të mbështeteshin ato grupe sociale, të cilat kanë realisht nevojë, sepse kjo mënyrë financimi barazitiste, vetëm sa e riprodhon pabarazinë sociale, ndërkohë që ka nevojë për një diskriminim pozitiv,duke ofruar bursa të plota për shtresat në nevojë dhe studentët e shkëlqyer, si investim që do i kthehet mbrapsht shoqërisë.

    Së dyti, politikat publike në arsimin e lartë, duhet të mbështesin kryesisht ato degë për të cilat shoqëria ka më shumë nevojë, ose kanë një rëndësi strategjike, siç janë mësuesia, arkeologjia, gjuhësia, etj. Universiteti publik duhet të ketë tarifa reale dhe bursa reale për të pamundurit dhe ekselentët. Ata duhet ta kërkojnë dhe ta gjejnë vetë studentin, i cili i zgjedh ata me koshiencë dhe jo për faktin që është falas.

    Një tjetër ide është vendosja e kritereve dhe e standardeve të njëjta për operatorët publikë ose privatë në arsimin e lartë.

    Qeveria gjithashtu duhet të kujdeset në sigurimin e cilësisë në të gjithë institucionet e arsimit të lartë, publike dhe private. “Kërkohet një akreditim dhe një vlerësim i jashtëm, i besueshëm, i përhershëm, për cilësinë e diplomave , në mënyrë që publiku, të jetë i qartë se ku studion apo se ku të shkojë dhe të studiojë”, detajon Henri Çili.

    Por kushti themelor për përmirësimin e sistemit universitar në tërësi-mendon Çili-është konkurrenca mes universiteteve publike apo me universitetet private. “Edukimi konsiderohet si një detyrimet parësor të shtetit. Për këtë qeveria takson shoqërinë dhe financon sektorin publik të edukimit”- vijon ai- duke shtuar se sektori privat në edukim ia lehtëson detyrën shtetit për të përmbushur këtë detyrim, që shteti e ushtron duke harxhuar taksat e qytetarëve.

    “Janë në një keqkuptim të madh, të gjithë ata që mendojnë se vazhdimi i etatizmit dhe populizmit në arsimin e lartë, i shërben popullit. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Këto politika janë të papërshtatshme për shoqërinë shqiptare për studentin, për arsimin publik e jopublik dhe do të duhej të ndryshohej ky model me themel në funksion të efikasitetit”. Financimi i arsimit të lartë duhet konsideruar si një i tërë për të gjithë sistemin, publik e jopublik, përfundon idenë e tij Çili.







    Financimi publik i universiteteve: pro dhe kundër

    Pavarësisht se universitetet apo kolegjet private përbëjnë elitën e universiteteve

    më të njohura- sipas renditjes së përvitshme të universiteteve më të mira të botës nga Revista Time universitetet anglo–saksone udhëheqin renditjen dhe rol luan mënyra e financimit – universitet publike vazhdojnë të jenë në tërësi, baza e arsimit të lartë.

    Hapja e tregut të arsimit të lartë për institucione private ka sjellë një rritje të

    menjëhershme në këtë sektor.

    Por cilat janë disa nga argumentet kryesore pro apo kundër financimit publik të arsimit të lartë?

    “Zhvillimi i arsimit publik duhet të marrë parasysh edhe mundësitë reale që disponon një ekonomi që janë burimet financiare. Karakteristikë e përgjithshme e arsimit, në mjaft vende është rritja e konsiderueshme e kërkesës. Ai konsiderohet si një nga sektorët dhe

    aktivitetet ekonomike me bumin më të madh në vitet e e fundit”, shkruajnë në punimin e tyre mbi rolin që arsimi i lartë ka në ekonomi dhe format e financimit të tij, Engjëll Pere dhe Luljeta Minxhozi. Kështu në SHBA, shpenzimet e qeverisë federale dhe të shteteve të veçanta për arsim tejkalojnë shumën prej rreth 750 milion dollarë për vitin 2009. Në vendet e OECD përqindja e hyrjes të nxënësve që mbarojnë shkollën e mesme në shkollën e lartë nga viti 1992 në 2005, është rritur mesatarisht rreth 20%, duke shkuar nga 37% në 55%. Në vitin 2007 në disa vende si në Australi, Finlandë, Suedi, Poloni etj, kjo përqindje ishte mbi 70%. Sipas Bankës Botërore,“Shqipëria ka përqindjen më të ulët të individëve që kanë përfunduar arsimin e mesëm dhe të lartë (48,7%) krahasuar me mesataren prej 62 përqind të vendeve të Ballkanit.

    Reformat e finacimit te arsimit të lartë mbështeten më shumë në ndarje të kostove të shkollimit midis: qeverisë- nëpërmjet taksimit të përgjithshëm- familjeve, studentëve dhe donatorëve të mundshëm (sektori privat). Tendenca e përgjithshme në këtë bashkëfinancim është rritja e peshës së burimeve të sektorit privat dhe zvogëlimi i asaj të sektorit publik.

    Arsimi i Lartë mbetet një temë prioritare në diskutimet dhe axhendat publike. Ndërkohë që përtej shumë diskutimeve, është bërë pak për të ndikuar në përmirësimin e cilësisë së ofruar nga sistemi i arsimit të lartë.“Për të realizuar një reformë thelbësore në arsimin e lartë, gjykojmë se ka tre parakushte, pa të cilat asnjë reformë, sado e mirëhartuar të jetë, nuk ka shanse për të qenë e suksesshme. Këto tre parakushte janë: Akreditimi i arsimit të lartë;Përkushtimi i qeverisë për zhvillimin e arsimit të lartë profesional dhe Konsensusi i

    gjerë politik e publik, për të siguruar qëndrueshmërinë e reformës”, propozojnë në punimin e tyre mbi sfidat e financimit të unviersiteteve në Shqipëri Arbjan Mazniku

    dhe Gjergji Filipi duke shtuar se këto parakushte do të sillnin rritjen e cilësisë, efiçencën dhe efektivitetin e sistemit.

    Financimi i arsimit të lartë në Shqipëri mund të bëhej nëpërmjet kombinimit të tre

    mekanizmave që mund të akordohen me kalimin e kohës për të kompensuar njëri

    tjetrin në bazë të interesave të politikëbërësve. Këto mekanizma janë: Fondi i përgjithshëm, pagesa për studim që përfshin fondin e bursave dhe kreditë për studime si edhe Fondi për zhvillim.

    Meqënëse në pjesën më të madhe të vendeve arsimi i lartë financohet nga shteti, masivizimi i universiteteve është shoqëruar, përgjithësisht, me rritjen e buxheteve për sistemin e arsimit të lartë. Sidoqoftë, në periudha ekonomikisht të vështira, veçanërisht në periudha krizash, ministritë e financave përgjithësisht hezitojnë t’i kalojnë sektorit të arsimit një pjesë të buxhetit të alokuar për sektorët e tjerë. Një ndër arsyet është edhe fakti se problemet dhe sfidat e krijuara nga përkeqësimi i sistemit të arsimit universitar nuk

    kanë për politikëbërësit dhe institucionet vendimmarrëse atë rëndësi që kanë, fjala

    vjen, rënia apo falimentimi i një industrie të dhënë. “Ka dhe do të ketë tension dhe konflikte midis komunitetit akademik, nga njëra anë, dhe administratorëve të universiteteve apo autoriteteve qeveritare, nga ana tjetër, përsa i përket gjetjes sënjë raporti optimal midis synimeve të përhershme të stafeve akademike përsovranitet akademik apo autonomi dhe kërkesave për efektivitet dhe ndryshim, të cilat një pjesë e komunitetit akademik i kontestojnë, ose nuk i mirëpresin”, shprehet Fatos Tarifa, i cili sjell një panoramë të modelit amerikan të universiteteve. Autonomia (dhe jo vetëm financiare) e universiteteve shqiptare është, pa dyshim, një kërkesë shumë e drejtë dhe që duhet mbrojtur dhe realizuar në praktikë-ëshë i mendimit ai, por akoma më e rëndësishme se kjo autonomi është cilësia e programeve, e kurrikulave dhe eprocesit të mësimdhënies në universitetet tona, pa përmendur domosdoshmërinë që universitetet shqiptare të shndërrohen në qendra të vërteta të kërkimit shkencor.


    MAPO

  7. #47
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    A ka vend për përmirësime në reformën e arsimit të lartë?


    Aleksandër DHIMA

    Debati i kohëve të fundit, që ka marr krah te MAPO por edhe media t tjera, mbi Reformën në sistemin universitar është me vend dhe në kohë. Së pari, sepse ai pasqyron ndjenjën e përgjegjësisë qytetare që karakterizon botën akademike dhe shtysën e saj për të dhënë ndihmesë efektive në përmirësimin e mëtejshëm të programeve studimore dhe në cilësinë e veprimtarive me karakter formues. Së dyti, nga ecuria e Reformës varet në një masë të konsiderueshme pesha që duhet të zënë diplomat e shkollës së lartë në tregun aktual të Punës. Më tej po shpreh disa konsiderata personale mbi domosdojën e rishikimit të kahjes së studimit në të tre rrafshet e shkollës së lartë, për të pasur një impakt të ri në zhvillimin e Reformës sipas standardeve të Bashkimit Europian. Me studim unë kuptoj, në radhë të parë, formimin arsimor dhe shkencor adekuat të studentëve, pa të cilin opinioni ynë publik do ta kishte të vështirë “gëlltitjen” e bypass-it drejt këtyre standardeve.



    1. Një sistem me dy kahe

    Në këto 10 vitet e fundit, universitetet private kanë hyrë me sukses në tregun e arsimit të lartë, jo thjesht si komplementarë të sistemit, por si qendra formuese dinjitoze për një numër në rritje të studentëve. Ky pohim mbështetet në fakte dhe vlerësime. UET-i p.sh. ka siguruar akreditim të programeve të avancuara (sipas përvojës më të mirë perëndimore), një staf pedagogjik me njohje (ndër)kombëtare, pozicione të larta në rankimin ndëruniversitar (për të tre fakultetet e tij), periodicitet të tubimeve shkencore, ndërtimin e një sistemi kontrolli të trefishtë mbi cilësinë e mësimdhënies, monitorimin e produktit shkencor etj.

    Sa për infrastrukturën, në kuptimin material të fjalës, kjo ka qenë ndër synimet e para të çdo universiteti privat, për t’u bërë më tërheqës për prindërit dhe studentët e ardhshëm; por në universitetin tonë infrastruktura konceptohet e lidhur ngushtë me shërbimet ndaj studentëve dhe stafit akademik. Tregues kuptimplotë në këtë drejtim janë: strukturimi i organizimeve studentore (nga konkurset deri te shkollat verore); aktivizimi i bordeve të Punës; rifreskimi i bibliotekës me prurje të reja bibliografike (libra, revista, studime on line); vënia në dispozicion të disertantëve e produktit shkencor të pedagogëve përkatës nëpërmjet përfshirjes në home page të UET-it e lectures’ paper dhe biografisë akademike të çdo pedagogu të brendshëm; shkëmbimi i opinioneve mbi risitë e shkencës dhe të teknologjisë përmes shtypit dhe në liri të plotë akademike; krijimi i një network-u të posaçëm për aplikime projektesh me tagrin e liderit apo partnerit etj.

    Dua të besoj se edhe në universitetet publike realizohet një pjesë e mirë e këtyre objektivave, ndonëse në forma të ndryshme dhe me kërkesa të diferencuara. Por, këto të fundit e kanë sidoqoftë më të lehtë arritjen e qëllimeve, falë traditës dhe sepse “gëzojnë” privilegjin që nuk u është akorduar ende universiteteve private: mbështetjen financiare të Shtetit, çka e bën më të lehtë zbatimin e programeve afatgjata. Mendoj se për ta tejkaluar këtë situatë, ka gjithsesi një rrugëdalje. Meqenëse në Shqipëri ekziston një sistem i unifikuar arsimor (në pikëpamje të kurrikulave dhe programeve), atëherë ai duhet të konceptohet si sistem me dy kahe (publik dhe privat), të cilat i shërbejnë një qëllimi të përbashkët; ato duhet të ballafaqohen strukturalisht dhe të plotësojnë njëra-tjetrën nëpërmjet shkëmbimit të përvojës. Shteti, jo vetëm që mund të rishikojë mënyrën për një mbështetje financiare të ekuilibruar midis të dy llojeve të universiteteve (publike dhe private), nëpërmjet politikave të reja subvencionuese, por edhe mund të marrë përsipër një rol efektiv menaxherial në vendosjen e standardeve të njëjtësuara, përpos procedurave të licencimit dhe akreditimit që kryhen prej vitesh nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përkatësisht nga organizmat e specializuara në varësi të saj.

    Nëse do të reflektojmë drejt mbi fjalët e Kryeministrit se “asgjë nuk e nxit më shumë konkurrencën, sesa zhvillimi i arsimit privat”, atëhere do të dukej paradoksal fakti që politikat e deritanishme arsimore të vazhdojnë edhe më tej të kenë në qendër të vëmendjes shtimin e përvitshëm të kuotave të pranimit në universitetet publike dhe kufizimin e ndihmës financiare vetëm për këta të fundit.

    2. Kthimi i Universitetit në qendër ekspertize

    Kjo sfidë ka qenë e kahershme, por ajo mori konture reale me ngritjen e universiteteve private. Kjo është e kuptueshme, për vetë kornizën kurrikulare të këtyre të fundit. Në UET, një synim i tillë është sendërtuar në platformën e kërkimit shkencor, e cila programon monitorimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore nëpërmjet organeve plotësuese (në radhë të parë Komisionit të Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë), zbatimin e indikatorëve të performancës së kërkimit shkencor për stafin akademik dhe hartimin e planeve të integruara të kualifikimit shkencor të fakulteteve dhe qendrave kërkimore-shkencore sipas drejtimeve bazë të Strategjisë Afatmesme të Kërkimit Shkencor (2011-2015).

    Një drejtim i rëndësishëm për arritjen e këtij qëllimi lidhet me cilësinë e produktit shkencor dhe me ndikimin që kanë botimet në revista me lexueshmëri të lartë. Në Rregulloren e MASH-it për marrjen e gradave dhe titujve shkencorë, botimi i studimeve në revista me faktor impakti është ndër kërkesat më të rëndësishme (por edhe më “penguese”). Sipas mendimit tim, kjo kërkesë është ndër më objektivet, sepse vërtet ka kritere të shumëllojshëm vlerësimi të punës shkencore (në varësi të këndvështrimit dhe specifikave/ rrethanave konkrete, në të cilat zhvillohet puna shkencore), por unë nuk njoh ndonjë tregues më domethënës për këtë vlerësim se sa indeksi i citimit. Në karrierën e tij shkencore, çdo autor ka të drejtë të botojë ku dhe sa të dojë, por kur ai kërkon marrjen e një titulli shkencor të lartë duhet të provojë vlerat akademike të punës së tij shkencore dhe këto vlera duhet t’i nënshtrohen një procesi peer review nga autoritetet e fushës (të vendit ose të huaj). Kush më mirë se sa revistat me faktor impakti mund ta sigurojë një objektivitet të tillë? Natyrisht, vlerësimi i cilësisë shkencore është shumëdimensional; ai duhet të mbajë parasysh rëndësinë e fushës së kërkimit, reputacionin publik të autorit dhe recensionet për monografi apo artikuj studimorë të tij, kualifikimet shkencore dhe impaktin e tyre në zbatimin in situ të metodave të përparuara të kërkimit, prestigjin e institucionit punëdhënës etj. Transparenca në analizën e të gjithë faktorëve në dispozicion çon në një rezultante objektive të ekspertizës dhe ngre besueshmërinë shkencore të Universitetit.

    Në kuadrin e reformës së brendshme në UET, një rëndësi e posaçme po i kushtohet procesit të ristrukturimit të kurrikulave/ programeve dhe grup-lëndëve, për të kaluar nga tradita e “prerjeve horizontale” tematike në “ndërthurjen transversale” të lëndëve të përafërta. Bashkëngjitur kësaj metodologjie të re, edhe integrimi në programe i tipologjive të ndryshme, sipas impaktit në auditor dhe substancës (përmbajtjes), po i ndihmon konsolidimit të mëtejshëm të frymës filozofike të universitetit, si qendër e mirëfilltë ekspertize. Në vijim të këtij procesi kemi programe të detajuara akademike (teorike dhe praktike) që marrin parasysh zbatimin e parimit të “rrathëve” në thellimin gradual të dhënies dhe nxënies së dijeve kur kalohet nga një rrafsh më i ulët studimi (Bachelor) në atë më të lartë (Master).

    Një përbërëse e rëndësishme e kësaj reforme lidhet me përfshirjen e studentëve në projekte kërkimore nën drejtimin e pedagogëve përkatës. UET-i ka hartuar tashmë një plan të integruar për projekte konkrete me theks zbatues dhe me vokacion kombëtar. Kjo do të ishte një mundësi e mirë për studentët e të gjitha fushave për t’u profilizuar në disiplina dhe tematika që u duken më afër interesave dhe prirjeve të tyre. Më e dobishme duket kjo mundësi për studentët e ciklit të tretë (Doktoraturë), kur produkti shkencor individual do të përputhej me aksin doktoral të mentorit (udhëheqësit) të temës. Unë kam ndjesinë se plani në fjalë do të përqafohet sidomos nga studentët e shkencave shoqërore, të cilëve do t’u hapen mundësi të reja për punën në terren dhe përpunimin bashkëkohor të të dhënave.



    3. Përzgjedhja e profesionit

    Koncepti i deritanishëm mbi shkencat sociale, që qarkullon ende në mjediset akademike universitare dhe në publikun e gjerë shqiptar, i përgjigjet vetëm pjesërisht së vërtetës. Këto shkenca transmetojnë sot e kësaj dite kumtin se si duhet të ndërtohen marrëdhëniet midis njerëzve, në mënyrë që problemet e jetës së përditshme (po deshët, deri tek ato globale) të zgjidhen me kosto sa më të ulët shoqërore. Por, në realitet, shpjegimi i ngjarjeve me karakter politik, ligjor dhe ekonomik anashkalon shpesh përbërës vendimtarë të natyrës sociologjike, antropologjike, psikologjike, mjedisore etj., prandaj ai nuk mund të realizohet nga shkencat e veçanta, sepse ka të bëjë me një “detyrë” më thelbësore: me konfigurimin e realitetit social. Kjo është arsyeja pse unë jam i prirur të mendoj që programet e shkencave sociale duhet të vendosen në të ardhmen nën “ombrellën” e shkencave sociale dhe humane.

    Debati i saponisur duhet të plotësohet edhe me përgjigjen që duhet t’i jepet pyetjes pragmatiste: “pse duhet të vendos të arsimohem në shkencat shoqërore; se mund të pajisem më lehtë me një diplomë të shkollës së lartë, apo se kam mundësi reale për t’u punësuar sipas këtij profili, për të dhënë ndihmesën/ përkatësisht një produkt konkret në të mirë të zhvillimit të mëtejshëm (në këtë rast: social) të vendit?”. Nuk ka asgjë të keqe që shqiptarët të kenë (pasur) një “prerje kulturore” sui generis. Kjo ka përbërë prej një kohe të gjatë (ndonëse shpesh e pambështetur në elemente të sigurt) lajtmotivin e krenarisë dhe sigurisë së tyre në vetvete. Kur vjen puna në “përzgjedhjen e profesioneve”, mendësia tradicionale e prindërve dhe e studentëve të ardhshëm bën që vëmendja të drejtohet nga fushat që “japin bereqet” (d.m.th. që sigurojnë një vend pune) si Juridiku apo Ekonomiku.

    Kjo nuk më ngjan të jetë vizionare. Pse? Sepse një mendësi e tillë ka të bëjë me të kaluarën kolektiviste, kur shqiptarët i ndanin (dhe priren ende sot t’i ndajnë) shqetësimet dhe brengat e jetës së përditshme me familjen ose me “shoqërinë e ngushtë”, duke hezituar të këshillohen me specialistët e fushave shoqërore, në kuptimin e gjerë të fjalës. Ne duhet të ngulmojmë që studentët tanë të marrin njohuritë e duhura, në mënyrë që të ndërgjegjësohen për sfidat aktuale të tregut të Punës, sepse vetëm kështu do të përballnin me argumente të qenësishme deformimet strukturore që ka pësuar ky treg gjatë tranzicionit dhe do ta kishin ndërgjegjen të qetë për të vazhduar me pasion përditësimin e “modeleve ndërtimore” që janë të rëndësishme për të ardhmen e tyre profesionale. Ky synim duhet të iniciohet qysh ne auditoret e universitetit, nëpërmjet promovimit më të mirë të bazave teorike në kurset e leksioneve dhe pasurimit me shembuj konkretë nga realiteti shqiptar në ciklet e seminareve.



    _______________________________________

    * Pedagog i Antropologjisë në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe të Edukimit, UET.

  8. #48
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Maturantet e dobet, "stop" regjistrimeve ne privat

    Luljeta Ndoka

    Universitetet private nuk do te jene me "streha" e maturanteve te dobet, por edhe per ta do te kete nje sistem filtrimi. Keshtu, nese nje prej maturanteve nuk ka marre provimet me zgjedhje, nuk ka te drejte te regjistrohet ne asnje institucion te arsimit te larte jopublik. Udhezimi me i fundit i ministrise se Arsimit per keto institucione shpjegon qarte se kriteri kryesor do te jete perfundimi i te gjitha provimeve te Matures Shteterore. "Ky kusht do te jete i njejte edhe per ata qe kane mbaruar ne vitet e kaluara shkollen e mesme", - thote drejtori i Arsimit te Larte Privat, Alfred Mullai. "Ata mund te jene te diplomuarit e ketij viti shkollor, ata mund te jene te diplomuarit e viteve te kaluara, ata mund te kene nje deftese pjekurie, por si kusht eshte qe bashke me deftesen e pjekurise duhet te kene edhe nje certifikate qe jepet nga Agjencia Kombetare e Provimeve per vlefshmerine e provimeve me zgjedhje qe ata kane dhene ne provimin e Matures Shteterore", - vijon Mullai. Per sa i perket monitorimit te ketyre institucioneve, MASH ka ngritur grupet e punes, nderkohe qe kontrolli do te behet ne baze te dokumentacionit qe cdo i ri ka dhene prane universitetit perkates. "Monitorimi fillon pikerisht nga regjistrimet dhe nga regjistri baze, ose i ashtuquajtur amza dhe aty cdo student i regjistruar ka dosjen e vet. Kusht eshte qe kjo dosje te jete e plote dhe me pas mund te procedohet per regjistrimin e tij. Sipas shkeljeve merren edhe masat deri ne pezullim ne licences", - thekson ai. Monitorimi i universiteteve private nga strukturat e MASH, behet edhe per sa i perket stafit pedagogjik dhe infrastruktures ne ambiente. Ministria e Arsimit ka publikuar gjithashtu, edhe datat e regjistrimit te te gjithe kandidateve qe duan te nisin studimet e larta ne institucionet arsimore private. Udhezimi parashikon edhe dokumentet qe ata duhet te dorezojne, si dhe procedurat per transferimin e studimeve nga universitetet private, drejt universiteteve te tjera private apo edhe publike. Keshtu, udhezimi percakton se jane Institucionet private te arsimit te larte ato qe organizojne procesin e pranimit dhe te regjistrimit te kandidateve ne programet e studimit te ciklit te pare dhe/ose te ciklit te dyte. Ndersa procesi monitorohet nga rektori i cdonjerit prej institucioneve. Aplikimi per regjistrim dhe regjistrimi ne programet e studimit te ciklit te pare dhe ne programet e integruara te studimeve te ciklit te dyte, ne institucionet private te arsimit te larte privat te kryhet deri me date 15 nentor 2012. Per aplikim, kandidati duhet te dorezoje nje sere dokumentesh. Behet fjale per Diplomen e Matures Shteterore se bashku me certifikaten e notave ose deftesen e shkolles se mesme te fituar jashte vendit, te vleresuar te barasvlershme me te ne Shqiperi; deftese pjekurie te shkolles se mesme (kandidatet qe kane perfunduar shkollen e mesme perpara vitit 2011); si edhe certifikaten perkatese, te leshuar nga Agjencia Kombetare e Provimeve, qe verteton se ka fituar provimet me zgjedhje. Dokumenti tjeter eshte ai i identifikimit, si karte identiteti, leternjoftim ose pasaporte. Ne dosje mbahet vetem fotokopja e dokumentit te identifikimit. Gjithashtu, duhen dorezuar edhe 2 fotografi.

    Dokumentet:

    Diploma e Matures Shteterore se bashku me certifikaten e notave

    Deftesa e shkolles se mesme e fituar jashte vendit, e njesuar ne Shqiperi; deftese pjekurie te shkolles se mesme (kandidatet qe kane perfunduar shkollen e mesme perpara vitit 2011); si edhe certifikaten perkatese, te leshuar nga AKP, qe verteton se ka fituar provimet me zgjedhje

    Dokument identifikimi (karte identiteti, leternjoftim ose pasaporte). Ne dosje mbahet vetem fotokopja e dokumentit te identifikimit

    Dy 2 fotografi


    Koha Jone

Faqja 3 prej 3 FillimFillim 123

Tema të Ngjashme

  1. Rexhep Mitrovica
    Nga PORTI_05 në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 06-04-2011, 08:15
  2. Tahiraj: Rrefime mbi luften ne Kosove
    Nga Kuksjan_forever në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 22
    Postimi i Fundit: 09-11-2010, 14:42
  3. Ervin Hatibi
    Nga erzeni në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 18-11-2006, 00:39
  4. Miti i 'tolerances fetare' në Shqipëri
    Nga Qafir Arnaut në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 33
    Postimi i Fundit: 05-08-2006, 05:26
  5. Konferenca Islamike + Terrorizmi ne Shqiperi
    Nga Brari në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 82
    Postimi i Fundit: 16-04-2003, 14:48

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •