Duke ngritur siparin e Festivalit të 11-të.
Nga Skifter Këlliçi.
Revolucioni që solli Todi Lubonja në RTVSH
Që në ditët e para të punës si drejtor i RTVSH-së, Todi Lubonja, mbaj mend, na bëri mbledhje ku theksoi se detyrat tona në kohën që programet e televizioneve të huaja, kryesisht italiane dhe jugosllave, shiheshin lirshëm në pjesën më të madhe të vendit, ishin shumë të mëdha. Duhej ngritje profesionale, intuitë, fantazi, punë këmbëngulëse. Të mos harrojmë se atëherë e deri më 1990, TVSH-ja transmetonte jo më shumë se 4-5 orë në ditë dhe të dielave, duke përfshirë dhe kohën e mesditës, edhe 2-3 orë të tjera. Ai dha mendime interesante edhe për një harmonizim të programeve të Radios, duke vënë theksin se ajo më shumë duhej të fliste sesa të lexonte.
Menjëherë, gjatë majit të vitit 1972, u transmetuan për herë të parë këngët e Festivalit Evropian të porsazhvilluar në Dublin, të cilat Thanas Nano më parë i kishte ndaluar kategorikisht jo më të transmetoheshin, por edhe të dëgjoheshin nëpër studio. Sipas modelit të RAI-t u unifikua redaksia e informacionit të Radios me atë të Televizionit, që t’i jepte hov të ri pasurimit të ndërsjelltë të ngjarjeve në vend; u lidh një kontratë me Vis -Njuzin, një agjenci ndërkombëtare që shpërndante informacione të filmuara nga tërë bota; nisën të regjistroheshin lajme nga RAI, që i dhanë tjetër fytyrë revistës televizive, deri atëherë shumë e varfër me informacione të ilustruara nga bota e jashtme. Me propozimin tim, nisi transmetimi i ndeshjeve ndërkombëtare të marra nga televizionet e huaja; u transmetuan edhe Lojërat Olimpike të Mynihut. Të gjitha këto ngjallën interesim të jashtëzakonshëm te teleshikuesit në të gjithë vendin. Më kujtohet se si pas transmetimit të ndeshjeve të para të fazës finale të Kampionatit Evropian të zhvilluar në Belgjkë, sportdashës nga Elbasani, të përfaqësuar nga pedagogu i njohur i kulturës fizike qysh në vitet ‘30 në Normalen e këtij qyteti, solli në emër të tyre një fletë-falenderimi për këto transmetime në gjuhën shqipe, që zgjeronin kulturën e sportdashësve, aq më tepër që stacionet e huaja nuk shiheshin në Elbasan dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Veç tyre nisën të përgatiteshin emisione të tjera, ku ndihej një fllad i ri, me aq sa lejonin kushtet e censurës komuniste, të cilat ndiqeshin me interes nga teleshikuesit.
Mbi të gjitha, Todi Lubonja qëndronte shumë pranë krijuesve, bisedonte me ta lirshëm, nuk harronte të përgëzonte personalisht ata që bënin emisione të mira, ose, kur nuk kishte mundësi t’i takonte, i falenderonte me telefon. Ishte krijuar kështu një mjedis i shpenguar dhe periudha e drejtimit të RTVSH-së nga Thanas Nano, cilësohej si periudhë e zymtë, ku çdo punonjës, sa shihte drejtorin të dukej në korridoret e këtij institucioni, largohej si të mundej, duke u shprehur: “Kujdes, po vjen Thanasi!...”.
A thua Todi Lubonja i bënte të gjitha këto shndërrime nga koka e tij? Në asnjë mënyrë! Që ishin propozime të tij, ose të të krijuesve të RTVSH-së, kjo, siç e pamë, nuk vihet në dyshim. Por, duke e parë Todi Lubonjën të shoqërohej me Ramiz Alinë, ose me Pirro Kondin, asokohe anëtar i Komitetit Qendror dhe drejtor i Drejtorisë së Propagandës në KQ-së, të krijohej menjehërë bindja se këto ishin veprime pas konsultimeve me ta. Madje, siç më ka thënë vetë Todi Lubonja, ai, pasi mori përgëzime nga një prej udhëheqësve më të lartë të Partisë dhe shtetit për transmetimin e ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit, për të cilat shkrova më sipër, i propozoi atij të transmetoheshin nga TVSH-ja edhe Lojërat Olimpike të Mynihut dhe gjeti miratimin e plotë të tij.
Jo vetëm kaq, por në një mbledhje në KQ, ku diskutoheshin probleme të ngritjes së cilësisë sportive në shtypin tonë, Pirro Kondi u shpreh se transmetimi i tërë programit të Lojërave Olimpike kishte ngjallur nje farë ndrojtje te udhëheqja, sepse jo të gjithë teleshikuesit mendohej se do të ishin tifozë, por reagimi nga poshtë, gjithnjë sipas fjalëve të tij, kishte qenë shumë i mirë.
Todi Lubonja nuk u mjaftua vetëm më kaq. Ai nxiti që grupe redaktorësh dhe regjisorësh të shkonin jashtë shtetit, sidomos në vendet e Lindjes dhe të blinin filma artistikë dhe dokumentarë, në mënyrë që të pasuronin programet e TVSH-së, ende të varfra në këtë drejtim. Gjithashtu, nisi edhe regjistrimi i filmave dhe i programeve të tjera nga RAI.
Për të pasur një ngritje edhe më të madhe profesionale, u nënshkruan kontrata me televizione të huaja edhe për specializimin e kuadrit krijues, sidomos teknik. Përsëri me këmbënguljen e drejtorit të ri, u tërhoqën nga Kinostudioja “Shqipëria e re”, nga Universiteti, nga Instituti i lartë i Arteve etj., kuadro shumë të aftë, ardhja e të cilëve do të ndihmonte edhe më shumë në ngritjen cilësore të programeve, veçanërisht radiotelevizive. Për këtë qëllim erdhi në Televizion edhe regjisori i talantuar, Mihal Luarasi, i cili kishte pasur bashkëpunim të ngushtë me Todi Lubonjën që në Korçë. (Siç e pamë në pjesën e parë të këtij cikli, ishte Lubonja që kishte aprovuar vënien në skenë nga Luarasi të dramës “Njollat e murrme”, fituese e çmimit të parë në Festivalin Kombëtar të Teatrove profesioniste, dramë që më pas, siç kemi thënë, u cilësua si antisocialiste nga Enver Hoxha. Dhe në fakt, ndonëse pa përvojë në televizion, Luarasi, diplomuar në Hungari si regjisor teatri, nisi me vrull djaloshar të punonte në TV, me të cilin falë dhuntive u ambientua menjëherë. Të gjitha këto ishin masa të domosdoshme për t’i dhënë RTVSH-së një hop edhe më të madh cilësor. (Mirëpo, siç do të shohim më poshtë, përpjekje të tilla do të cilësoheshin si shkelje të vijës së Partisë nga diktatori Hoxha).
Duke harruar censurën dhe autocensurën
Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe: Festivali i 11-të i Këngës në RTVSH, nuk mund t’i shmangej kësaj fryme që po flladiste programet radiotelevizive. Ai përkonte me 10-vjetorin e krijimit të festivaleve, (dhjetor 1962) të cilët priteshin me një interesim të jashtëzakonshëm nga teleshikusit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe trojet shqiptare në Malin e Zi. Siç e pamë, Festivali i Dytë (dhjetor 1963), ishte goditur nga diktatura për shfaqje të huaja, që nga drejtuesit deri te shumë këngëtarë. Kjo goditje solli si pasojë që të shkarkohej shefi i redaksisë së muzikës, kompozitori i njohur, Abdulla Grimci, një ndër ideuesit e festivaleve, për t’u zëvendësuar nga një gazetare,e cila, sado e aftë në këtë profesion, kishte njohuri shumë të kufizuara në fushën e muzikës. Vërejtje të rëndë mori edhe Petro Kito, nëndrejtori i Radios që mbulonte programet muzikore. Duhej të ndëshkohej edhe Thanas Nano, drejtori i përgjithshëm, por ai u justifikua, sepse ditët e zhvillimit të Festivalit të Dytë u ndodh në një konferencë ndërkombëtare që mbahej në Varshavë dhe asistoi në festival vetëm ditët e fundit, thua se ai ishte organizuar e zhvilluar vetëm gjatë ditëve të qëndrimit të tij jashtë shtetit. Goditja që pësoi Festivali i Dytë, solli si pasojë që festivalet e tjera t’i nënshtroheshin një censure dhe autocensure nga vetë krijuesit dhe të mbizotëronin këngë të punës, tekste tejet të politizuara, me melodi ku i mëshohej vetëm mbështetjes në tabanin popullor. Kjo ndodhi sidomos pas vitit 1966, kur në Shqipëri, nën ndikimin e Revolucionit Kulturor Kinez, arti dhe letërsia u vunë nën një trysni të paparë, ashtu si dhe vetë jeta e mbushur me qarkullimet e kuadrit, luftën për zhdukjen e kishave dhe xhamive, pra, të besimeve fetare, për krijimin e njeriut të ri, që duhej të lartësohej në çdo fushë të jetës, sidomos në art dhe letërsi. Kuptohet se edhe festivalet e këngës në Radio dhe pas vitit 1965 dhe në TV, nuk mund t’i shpëtonin kësaj trysnie mizore.
Të gjithë duke parë RAI-n
Mirëpo, ndërkohë, kishte nisur një erë tjetër. Puna kishte arritur deri aty sa komitetet e partisë në Tiranë e rrethe, në mungesë të televizorëve, të rekomandonin që njerëzit të shkonin në qendra pune e prodhimi, ku punonin të afërmit e tyre, për të parë Festivalin e San Remos të vitit 1972...
Nuk mjaftonte vetëm kjo, por kryeministri, Mehmet Shehu, i njohur për prirjet e tij dogmatike, sidomos ne fushën e artit, të urdhëronte UEM-nin,(Uzinën Elektromekanike në Durrës), që televizorëve në shitje të mos u hiqej një pjesë, që mundësonte të shiheshin programet e kanalit të dytë të RAI-t.
Në këto rethana nisi të përgatitej edhe Festivali i11-të i Këngës në RTVSH. Është e kupueshme se, përderisa në letërsi dhe artet tona kishte filluar një periudhë tjetër, kuptohet mbrenda kërkesave të rrepta të përligjura nga Partia,kjo nuk kishte si të mos të ndikonte edhe në këngët e zgjedhura për të konkuruar në këtë festival, nuk kishte si të mos ndikonte edhe në tekstet që tani kishin një ngritje edhe më të madhe cilësore, me një fjalor më të pasur figurativ e larmi tamash, ku, doemos do të mbizotëronte tema e dashurisë, së cilës populli ynë tradicionalisht i kishte kënduar. Jo vetëm kaq: edhe paraqitja e jashtme e e festivalit, qoftë dekori, qoftë edhe veshjet e këngëtarëve e drejtuesve, duhej të kishin një ndryshim të dukshëm. Nuk kishte asgjë për t’u çuditur. Fëmijët e udhëheqësve, që nga ata të ministrave, deri tek ata të Komitetit Qendror, madje edhe të Byrosë Politike, visheshin sipas katalogëve të ardhur nga jashtë. Me gjithë kushtet e vështira ekonomike, këtë përpiqeshim ta bënim edhe ne, asokohe te rinj. E pse kjo veshje e re të mos paraqitej në festivalin e 11-të?
Një festival sipas modës
Mbaj mend se një muaj para festivalit kisha qepur një xhaketë blu me kopsa metalike të cilën e kisha kombinuar me një palë pantallona të hirta. Një xhaketë të tillë do të vishte edhe drejtuesi, Bujar Kapexhiu gjatë tre netëve të Festivalit të 11-të. Doemos, partnerja e tij, aktorja e njohur Edi Luarasi, do të kishte veshje edhe më të larmët. Po kështu edhë këngëtarët e këngëtaret e tjera. Por edhe formula e zhvillimit të Festivalit të 11-të do të kishte ndryshime.Veç jurisë qendrore në sallë, do të kishte edhe juri në qytete të tjera, të cilat, me anë te lidhjeve telefonike që do të bënin drejtuesit, do të krijonin larmi dhe do të përcaktonin më drejtë këngët fituese të këtij festivali. Të gjitha këto nën regjinë e studiuar mirë të Mihal Luarasit dhe, për më tepër, me sugjerimet e Nefo Myftiut, drejtoreshës së Radios, që mbikëqyrte sektorin e muzikës, e cila siç e thamë ishte e shoqja e një anëtari të rreptë të Byrosë Politike, ish-ministër i Arsimit, që kishte mbuluar e më pas do të mbulonte si zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave edhe kulturën dhe i cili, për më tepër, ishte në atë kohë edhe sekretari i parë Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës. Po të marrim parasysh se Todi Lubonja ishte edhe shok i ngushtë i Ramiz Alisë, kuptohej se Festivali i 11-të nuk duhej të kërcënohej nga ndonjë rrezik, ose nga ndonjë shkarje nga mësimet e partisë dhe shokut Enver. Mirëpo nuk do të ndodhte kështu.
Krijoni Kontakt