Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 5
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Epitafi i Gllavenicës

    Ç’thonë analizat për “thesarin” e Arianitëve

    Studiues nga Hungaria, Brukseli e Shqipëria kanë kryer analiza mbi Epitafin e Gllavenicës. Gjergj Arianiti, murgu që qëndisi thesarin e Mesjetës. Tezat e Theofan Popës e Dhimitër Shuteriqit

    Alma Mile

    Si ai janë vetëm tre në gjithë botën. Tepër i lakmuar për bukurinë dhe vlerën e tij, prej koleksionistëve të huaj, por edhe prej grabitësve, Epitafi i Gllavenicës, ka qenë kohëve të fundit, objekt i studimeve të historianëve e shkencëtarëve shqiptarë e të huaj. Ky objekt i rrallë, i vitit 1373, në qendër të të cilit konturohet trupi i Krishtit të vdekur, shtrirë mbi një çarçaf, rrethuar nga shenjtorë, serafinë e ëngjëj, përbënte një mister për studiuesit, të cilët kanë qenë të interesuar të zbulojnë diçka më shumë rreth historisë së krijimit të tij, por edhe të realizimit. “Epitafi i Gllavenicës është një nga objektet më të rëndësishme që trashëgon Shqipëria nga Mesjeta, një brilant historie e teknologjie. Ai është konceptuar si një pikturë, duke përdorur të gjithë elementët e saj”, - thotë Frederik Stamati, shefi i laboratorit të Arkeometrisë dhe Konservimit, pranë Institutit të Kulturës Popullore, i cili ka drejtuar studimet mbi epitafin. Sipas tij, në këtë vepër, e grabitur një herë në vitin 1995, rigjetur një vit më vonë e që tani ruhet në Muzeun Historik Kombëtar, ka një larmi ngjyrash, dritë – hije, madje dhe një pikë imagjinare drite, e cila ndriçon gjithë epitafin dhe i japin atij një vezullim gati qiellor. “Fatkeqësisht Mesjeta jonë është e varfër në dokumente të shkruara. Deshifrimi i strukturës lëndore të një objekti është sikur ta ndriçosh atë nga brenda dhe na jep të dhëna, prej të cilave mund të nxjerrësh përfundime. Kjo është edhe arsyeja pse ndërmorëm një varg studimesh shkencore mbi materialin që është përdorur për realizimin e epitafit”, -shpjegon Stamati, i cili në Kongresin e Akademikëve nga e gjithë bota, ka referuar mbi epitafin dhe përfundimet e analizave. Këto studime janë kryer nga Laboratori i Arkeometrisë dhe Konservimit, pranë Institutit të Kulturës Popullore, në bashkëpunim me Laboratorin Qendror të Restaurimeve Muzeut Kombëtar Hungarez (Magyar Nemzeti Muzeum) dhe Institutit Mbretëror për Trashëgiminë Kulturore në Bruksel. Mësohet se për kryerjen e këtyre analizave kanë punuar dy historianë mjaft të njohur botërorë, hungarezja, Marta Jaro, specialiste për fillin metalik dhe belgu Jan Wouters, specialist për analizat e ngjyruesve të fillit tekstil. Sipas Stamatit, përveçse u arrit të zbuloheshin përbërësit e fijeve, me të cilat është qëndisur epitafi, studimet e kryera, hedhin dritë edhe mbi origjinën e këtyre fijeve dhe marrëdhënieve tregtare. Për t’i vënë një emër origjinës së këtij filli, në përbërjen e të cilit janë zbuluar elementë të mëndafshit, bakrit, argjendit e arit, studiuesit i janë referuar studimeve të Hoke dhe Petraschek – Heim, të cilët duke u mbështetur tek raporti i bakrit dhe argjendit, bëjnë dallimin mes prodhimit evropian dhe atij lindor. Sipas tyre, në bazë të këtij raporti, filli i përdorur në epitafin e Gllavenicës, është prodhuar dhe tregtuar në vendet e Lindjes. Kjo tregon për një lidhje tregtare që ka ekzistuar në shek.XIV. Frederik Stamati sqaron se të njëjtën përbërje fijesh e gjejmë edhe në tekstilet më të rralla, të asaj kohe, që ruhen në muzeumet e Evropës. Përsa i përket ngjyrave, në të dallohen katër ngjyra bazë: e kuqe, blu, jeshile dhe e verdhë. Sipas tij, tashmë që kanë kaluar gjashtë shekuj dhe veprimi i dritës ka ndikuar në zbardhjen e ngjyrave, është e vështirë që të flasësh me saktësi dhe të vlerësosh nuancat e dikurshme. Megjithatë, pavarësisht ndryshimeve nga koha, në të dallohen qartë, nga tre nuanca për çdo ngjyrë. “Nuancat e së njëjtës ngjyrë janë përdorur kryesisht në veshjet e paraqitura në epitaf për të formuar dritë-hijet, si në rastin e Shën Llukës, Shën Markut, Shën Theollogut, ose për të dalluar veshje të ndryshme dhe për të konturuar linjat e pjesëve të trupit, në rastin e nuancave bezhë. Kështu është vepruar për flokët, mjekrën, buzët, sytë, hundën, gishtat, e sidomos në dritë-hijen e Krishtit”, - shton Stamati. Sipas analizave që u janë bërë fijeve, ka rezultuar se ngjyrosja e tyre është bërë nga katër lloj bimësh dhe një insekt, disa prej të cilave jo vetëm rriteshin në vendin tonë, por edhe eksportoheshin drejt Venedikut.

    Porosia
    Dora e Gjergj Arianitit


    Përsa i përket moshës dhe deri diku krijuesit të tij, flet vetë epitafi. Mbi të është shkruar: “U plotësua (u qëndis) ky areas (epitaf) i gjithënderuar dhe i hyjshëm i së mbishenjtës Hyjëlindëse të patundur, me shpenzimin dhe mundimin e episkopit të gjithëhirshëm Kalisit të Glavenicës dhe Beratit në muajin mars 22, viti 6881 (1373). Ti që zotëron jetën, ah! Si (je) trup i vdekur pa frymë. Në kohën e zotërimit të zotërijve të shumëlartë të Serbisë, Rumanisë dhe gjithë Albanit dhe vëllezërve Gjergjit dhe Ballshës. Dora e Gjergj Arianitit dhe arëqëndisësit”.
    Sipas shefit të Laboratorit Arkeometrik dhe të Konservimit, Frederik Stamati, fillimisht, ky shkrim është botuar nga A. Papadopulos-Kerameus dhe shqip nga Theofan Popa në vitin 1957 në studimin “Të dhëna mbi princët mesjetarë shqiptarë në mbishkrimet e kishave tona”. “Në vitin 1964, në studimin “Glavenica e lashtë dhe Ballshi i sotëm”, Popa përmend se “…ekziston në Berat një gojëdhënë, sipas së cilës epitafi dhe disa objekte të tjera të rëndësishme janë sjellë në kishën “Fjetja e Shën Mërisë” nga manastiri i “Shën Mërisë” së Ballshit. Fillimisht kallogjerët i çuan këto objekte në manastirin e Shën Gjergjit të Mbreshtarit (rreth dy orë larg Beratit)”. Në vitin 1974, ndërsa punoja për një restaurim të pjesshëm të tij, Theofan Popa më thotë se “Epitafi i Glavenicës është qëndisur nga dora e murgut Savia, me porosi të Gjergj Arianitit, që historikisht i bie të jetë gjyshi i vjehrrit të Skënderbeut. Gjithashtu prej tij kam mësuar se epitafi është gjendur në bodrumin e një shtëpie të rrënuar në Ballsh, e cila në atë kohë ishte dioqezë, ku ishte futur për tu ruajtur si një objekt shumë i vlefshëm dhe se ishte dëmtuar nga minjtë, gjë që ne e vumë re gjatë restaurimit, në njërën nga mbulesat anësore të epitafit”, - thotë shefi i laboratorit. Sipas Stamatit, të njëjtën ide, lidhur me Gjergj Arianitin, e ka mbështetur edhe Dhimitër Shuteriqi, studiues i historisë së Arianitëve, vetëm pak kohë para se të ndahej nga jeta. Megjithatë, sipas tij, ky Gjergj Arianiti, ka qenë murg dhe mbetet të ketë qenë gjyshi i vjehrrit të Skënderbeut, i cili mund të jetë bërë murg, pas vdekjes të së shoqes. Për këtë Shuteriqi nuk kishte gjetur dokumente.

    “Epitafi i Glavenicës është qëndisur nga dora e murgut Savia, me porosi të Gjergj Arianitit, që historikisht i bie të jetë gjyshi i vjehrrit të Skënderbeut. Gjithashtu prej tij kam mësuar se epitafi është gjendur në bodrumin e një shtëpie të rrënuar në Ballsh, e cila në atë kohë ishte dioqezë, ku ishte futur për tu ruajtur si një objekt shumë i vlefshëm dhe se ishte dëmtuar nga minjtë, gjë që ne e vumë re gjatë restaurimit, në njërën nga mbulesat anësore të epitafit”

    Sipas analizave që u janë bërë fijeve, ka rezultuar se ngjyrosja e tyre është bërë nga katër lloj bimësh dhe një insekt, disa prej të cilave jo vetëm rriteshin në vendin tonë, por edhe eksportoheshin drejt Venedikut.

    Të dhëna

    Epitafe të këtij lloji janë vetëm tre në botë
    I përket vitit 1373
    U grabit në vitin 1995
    Sot ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 05-03-2005 më 20:48

  2. #2
    Gezuar Kosoven e Pavarur Maska e dodoni
    Anëtarësuar
    07-11-2002
    Postime
    3,393

    Epitafi i Gllavenicës

    Kryevepra e muzeologjisë shqiptare


    DR. MOIKOM ZEQO

    Epitafi i Glavenicës është monumenti më i shquar mesjetar për muzeologjinë shqiptare. Kodiku i Purpurt i Beratit i shek.VI dhe ky Epitaf krijojnë një diptikt, të mahnitshëm të Shqipërisë, dy skaje inkandeshente të historisë kulturologjike të kombit shqiptar. Me nismën e Muzeut Historik Kombëtar dhe të mbështetur nga Fondacioni Soros, u bë i mundur të realizohet një projekt, për rishikimin dhe ristudimin e vlerave unikale, të patjetërsueshme të Epitafit, si dhe të problematikave shkencore të konservimit të tij. Epitafi i Glavenicës është i ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar, u vodh në vitin 1994, por fatbardhësisht u gjet. Ndryshe do të kishim përjetuar një katastrofë kulturore, do të qe krijuar një vrimë e zezë për kujtesën kombëtare. Ky epitaf krejt i rrallë dhe i veçantë u bë i njohur për botën shkencore evropiane në shek.XIX, kur studjuesi A.Papadopulus – Kerameus lexoi dhe deshifroi mbishkrimin e Epitafit. Më pas shumë studjues u interesuan për të dhe prirja për ta rrëmbyer ka qenë e gjallë dhe ambicioze. Për fatin e mirë u ruajt nga shqiptarët. Dijetari ynë Eqrem Vlora në një libër të botuar më 1911 në Sarajevë, në kujdesin e Dr.Karl Patsch-it, në formë ditari, përshkruan udhëtimin e tij nga Berati në Tomorr. Në Kishën Mitropolitane të Beratit ai e pa për herë të parë edhe këtë Epitaf. Eqrem Vlora shkruan: “Një prift i lerosur nxorri nga një sënduk i vjetër hekuri një “Epitaphion” të rrasur brenda dosido. Ky njeri e tërhoqi me aq forcë dhe vrazhdësi pëlhurën, anash së cilas kish ngelur në gozhdët e sëndukut, sa unë u detyrova t’i tërhiqja vemendjen, që ta kishte parasysh, në mos vlerën reale si antikitet, së paku përdorimin e saj fetar. Epitafi thuhej se kishte qenë fillimisht perde e një altari. Ai ishte 1,25 m i gjatë dhe 0,85 m i gjerë, qëndisur nga të dyja anët me një sfond të gjelbër me fill mëndafshi, ari dhe argjendi të ngjyrave më të ndryshme. Edhe pse koha dhe njerëzit e kishin rrënuar keqas vizatimin dhe anët e tij, gjallëria e të parit dhe bollëku i thekëve të të dytëve ishin ende të habitshme. Ishte një nga qëndismat më të holla që kisha parë ndonjëherë. Në katërkëndëshin e qendrës dukej Krishti me kurorën e gjembave në kokë, me krahët të mbështetur pas trupit dhe me këmbët të shpuara. Në të katër cepat, në medalione të rrumbullakët qenë kokat e katër shenjtorëve”. Mbishkrimi i Epitafit u transkriptua dhe u transliterua saktësisht nga mesjetarologu më i shquar shqiptar, i ndjeri, Theofan Popa. Përkthimi është si më poshtë :
    “U plotësua (u qëndis) ky aeras (epitaf) i gjithënderuar dhe hyjnor i së mbishenjtës Hyjlindëses së patundur me shpenzimin dhe mundimin e Peshkopit të gjithëhirshëm Kalistit të Glavenicës dhe të Beratit, në muajin mars 22, viti 6881 (dmth 1373 pas Krishtit). Ti që zotëron jetën, ah si fiton i vdekur dhe pa frymë. Në kohën e zotërimit të zotërve të shumëlartë të Serbisë, Rumanisë dhe gjithë Shqipërisë (Albanit) vëllezërve Gjergji dhe Balsha. Dora e Gjergj Arianitit dhe arqëndisësit”. Mbishkrimi është qëndisur me ar dhe argjend në dy shtylla paralele pranë kokës dhe këmbëve të figurës së Jezu Krishtit.
    Sipas Theofan Popës, Epitafi qe një pëlhurë e qëndisur në formë katërkëndëshe me përmasa 1,18 m x 2,18 m. Baza e Epitafit qe prej sargije, e cila mbulohet me një pëlhurë të hollë mëndafshi ngjyrë kafe. Në të katër anët e kësaj pëlhure përshkohet një vijë e qëndisur me tel ari, që formon një brez, ose kornizë të Epitafit me gjerësi 13 cm, fusha e së cilës është stolisur me kryqe të qëndisur prej ari dy e nga dy, në vijë paralele. Kolona ku është vendosur mbishkrimi kanë madhësi 90 x 6 cm. Lartësia e gërmave është 3 cm. në mbishkrim janë zhdukur disa gërma në dy ose tre fjalë. Fusha e brendshme e Epitafit (emblema) ka madhësi 1,83 m x 0,91 cm, të mbushur me lule të rrumbullakta prej ari dhe mëndafshi blu, të kuqe, të gjelbër, me madhësi 3-4 cm diametri. Sipas Popës, një gojëdhënë e vjetër e Beratit, thotë se Epitafi, që quhet i Glavenicës është i Ballshit të Mallakastrës, pastaj është sjellë në Manastirin e Shën Gjergjit në fshatin Breshtan, më pas kur u islamizua ky fshat Epitafin e mori Mitropolia e Beratit, e vendosi në Kishën Katedrale të Fjetjes së Shën Marisë. Data e mbishkrimit është sipas kalendarit bizantin që nga Krijimi i Botës, që korrespondon me 22 marsin e vitit 1373. Epitafi i botuar nuk është i studjuar saktësisht. Është thënë që është qëndisur nga dora e Gjergj Arianitit, është thënë që Gjergj Arianiti është gjyshi në shek XIV, i Gjergj Arianitit të shek.XV, princ i famshëm shqiptar, që u bë vjehrri i Gjergj Kastriot Skënderbeut, të cilit i dha vajzën e tij, Andronikën. Kronika historike nuk e saktëson se cili është ky Gjergj Arianiti i shek.XIV. Epitafi është qëndisur nga një artist, që nuk e ka shënuar emrin, por që quhet thjesht “arqëndisësi”. Në një bisedë gojore të papublikuar Theofan Popa, është shprehur se ky artist është murgu Saba, por gjithashtu i paidentifikuar nga kronika. Mëkat, që ka humbur identiteti i artistit të madh në nivelin evropian të Epitafit. Nga pikëpamja historike nuk janë identifikuar saktësisht as emrat e princërve Gjergji dhe Balsha. Për herë të parë unë po i identifikoj këta princa, të cilët sipas kronikës duhet të jenë Balsha II, i cili ka vdekur në vitin 1385 dhe vëllai i tij Gjergji, me të cilin ka bashkësunduar. Balsha i XX qe një figurë shumë e shquar e principatës së Shkodrës, që e shtriu sundimin e tij në trevat jugore, duke përfshirë dhe Vlorën, Kaninën, Himarën, Beratin deri në Ohër dhe në Kostur, madje i mori Durrësin edhe Karl Topisë, duke u mbiquajtur “Duka i Durrësit”. Balsha u bë sundimtar i një shteti që nga Budva në Dalmaci, deri në brigjet e Jonit, ai dhe vëllai i tij Gjergji, cilësoheshin si “Zot i tërë Arbërisë”. Por princi tjetër Karl Topia, në vitin 1385 dhe konkretisht, më 25 shtator 1385 luftoi kundër ushtrisë së Balshës në fushën e Savrës në Myzeqe, duke vrarë Balshën. Karl Topia kishte thirrur në ndihmë mercenarë osmanë, një paradoks ky i historisë sonë. Përmendja e emrave të Serbisë, Rumanisë dhe Shqipërisë, është një mënyrë konvencionale, për të treguar të tërë trevat e shtetit të Balshës së II. Epitafi u bë në vitin 1373. Megjithatë përmendet emri i Gjergj Arianitit, që e lidh Epitafin me emrin e një tjetër familje princërore të famshme. Pse? Kjo nuk është lehtësisht e sqarueshme. Pse vallë peshkopi Kalisti i Beratit dhe Glavenicës, pagoi të tëra shpenzimet për Epitafin, duke vënë dhe emrat e zotërve të familjes Balsha por dhe emrin e Gjergj Arianitit. Fakti, që përmend në mbishkrim “Dora e Gjergj Arianitit” duhet shpjeguar, se ndoshta Gjergj Arianiti qe një dijetar i kishës, dhe formuluesi i mbishkrimit. Ndoshta ky dijetar qe në hierarkinë, në krye të së cilës qe Kalisti. Epitafi në fjalë, është përpunuar kimikisht për t’u pastruar nga specialisti i shkëlqyer shqiptar dr. Frederik Stamati. Është çliruar nga ngjyra e zezë, duke iu rikthyer koloritit të figurave. Është ekspozuar në Paris në vitin 1974, ku është vlerësuar lart nga bizantologu i madh francez Andrea Grabar, që e ka cilësuar “si të dytin në llojin e vet ne Europë”.
    Por studimi i Epitafit ka mbetur i papërfunduar, madje i papublikuar shkencërisht në mënyrë të tërthortë. Mungon studimi historik i mbishkrimit, procesi i identifikimit burimologjik. Mungon studimi kaligrafik krahasues dhe simbolik i mbishkrimit. Mungon studimi ikonografik i Epitafit. Duke e parë me vemendje dhe intensitet, mund të them publikisht se Epitafi i Glavenicës ka përmasa të tjera nga ç’janë thënë deri sot. Nga një matje e re del se ky epitaf ka një gjatësi 3,01 m dhe gjerësi 2,01 m. Skema ikonografike tregon një subjekt të veçantë kishtar. Emblema e Epitafit tregon Krishtin të shtrirë gjerë e gjatë, me sy të mbyllur me një trup anatomik, tepër të stilizuar me vrimat e plagëve në gjoks në sisën e majtë, në duar dhe në këmbë. Fytyra e Krishtit është e një djali të ri, me flokë të gjatë mbi supe, me mjekër të vogël dhe me mustaqe të holla, krejt e ndryshme nga fytyra ikonografike e Krishtit bizantin, që të kujton një ndikim nga ikonografia e Europës Perendimore. Epitafi ka gjithsej 22 figura. 20 figura antropomorfe dhe dy figura emblematike te kryqit. Në këto figura, do të përmend figurën në këmbë të Profetit Moisi në moshë të re, figurën me një letër të shkruar në dorë të Profetit Isaia, që ka profetizuar lindjen e Krishtit si dhe figurën në këmbë, me një rrobë në duar të Shën Josifit të Arimatesë. Në dy anët e Epitafit janë dhe figura e Shën Marisë, Nënës së Zotit dhe figura e Shën Maria Madalenës. Në katër këndet e Epitafit janë figurat e shkrimtarëve ungjillorë Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit, mbyllur në medalione. Çuditërisht figura e ungjillorit Gjon, e mbiquajtur si Gjon Teologu, përsëritet edhe një herë tjetër. Pastaj janë figurat e Engjëjve Vajtues, që kanë krahë dhe mbajnë edhe dy objekte të shkruar me fjalët “I shenjtë, i shenjtë”. Dy ëngjëj janë vendosur në shpinë të njëri-tjetrit me një kompozim harmonik dhe të çuditshëm. Figurat zbukurimore të Epitafit përbëhen nga lulja rozetë, por dhe nga një simbol heraldik, në formën e një elementi bimor, që unë nuk e kam parë kurrë më parë. Kompozimi i tërë Epitafit ka një strukturë gjeometrike sipas parimit të harmonisë, por jo të një simetrie të plotë. Figurat e Moisiut dhe të Isaisë, me letra të shkruara në duar, lidhen me Testamentin e Vjetër, me profecitë e tyre. Figurat e Marisë Nënë, të Maria Madalenës dhe të Josifit të Arimatesë, lidhen me Testamentin e Ri. Në miniaturë ka edhe disa figura kerubinësh me 6 fletë, që lidhen me Librin e Apokalipsit. Stili ikonografik i Epitafit lidhet me një risi të madhe të shek XIV, me stilin paleolog, që dokumetohet qartë dhe fuqishëm në Ballkan në kishën e Shën Kelmendit në Ohër, ndërtuar nga princi shqiptar i familjes Gropaj, si dhe në afresket e Trapezerisë së Kishës së Shën Marisë në Apoloni. Arti i stilit paleolog është i një cilësie më të lartë humanistike, i ngjyrave më te çelura dhe më të ndritura dhe është absolutisht risia me e madhe artistike dhe konceptuale e artit bizantin. Ky Epitaf është i vetmi në llojin e tij i stilit paleolog në Shqipëri. Nga pikëpamja epigrafike duhet thënë se, i ndjeri Theofan Popa, ka lënë jashtë botimit disa mikrombishkrime, që plotësojnë mbishkrimin kryesor. Studimi i tekstilit të epitafit ka një problematikë të shumëfishtë. Përveç katërkëndëshit kryesor ku është struktura ikonografike ka edhe afro 5 lloje të ndryshme të pëlhurave prej mëndafshi me dizenjo tepër interesante, që ndryshojnë njëra nga tjetra. Pra kemi një koleksion pëlhurash të mëndafshta tek i njëjti Epitaf. Këto pëlhura kanë qenë përdorur në garderobën e princërve shqiptarë në shek.XIV të burrave dhe të grave. Nga pikëpamja heraldike, figura e kryqit kryesor është e dyfishtë. Mbi të madhin, është një më i vogël, boshti vertikal është i gjatë, afron me kryqin latin më shumë se sa me atë bizantin. Anash figurës së këtij kryqi, janë në miniaturë katër gozhdët e kryqëzimit të Krishtit. Mbi kryqin e sipërm është kurora e martirizimit. Duket dhe silueta e heshtës, e quajtur heshta e Longinit, legjionarit romak, që e shpoi Krishtin në kraharor, të cilit i ra mbi sytë e tij të sëmurë dhe gjaku i tij e shëroi. Nën kryqin e dyfishtë janë dy shtylla paralele, midis të cilave është një strukturë arkitektonike, në forme kupole, nën të cilën është figura e librit të Biblës së Shenjtë. Për herë të parë, po bëj të njohur për publikun, se kemi të bëjmë me emblemën kishtare të Peshkopit Kalist, pra një simbol krejt të panjohur dhe të rrallë të shek.XIV. Disa prej luleve në Epitaf, kanë formën e lilave, (zambakëke), lule heraldike të përdorura edhe nga Karl Topia.
    Çështja e dëmtimit të Epitafit gjatë gjashtë shekujve, (kemi hyrë në shek.VII) është gjithashtu me interes të madh shkencor. Duken qartë 8 copë shirita ari, që kanë shërbyer si arna në vendet e grisura, por nuk e dimë se në cilin shekull është bërë ky restaurim. Dy shkencëtarët me famë evropiane dr. Marta Jaro nga Hungaria dhe dr.Jan Ëouters nga Belgjika, e studjuan gjatë Epitafin në Muzeun Historik Kombëtar. Ata konkluduan se, është i domosdoshëm një projekt ambicioz për konservimin e mëtejshëm dhe përfundimtar të Epitafit, në bashkëpunim me laboratorë të famshëm në Itali dhe në Zvicër. Ky projekt ka një faturë të konsiderueshme. Gjithashtu Muzeu Historik Kombëtar ka një projekt për dokumentimin grafik të Epitafit dhe të botimit të tij fotografik në një album të veçantë. Pikërisht për këtë objekt organizohet Sesioni Shkencor Ndërkombëtar, sot më 24 shkurt 2005, ora 11, në sallën e Bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar.
    Së fundi, dua të shtoj së Epitafi ka dhe një varg poetik të mahnitshëm dhe të jashtëzakonshëm “Ti që zotëron jetën, ah, si fiton i vdekur dhe pa frymë”, një varg i denjë për Uitmanin. Kjo tregon një kulturë poetike të lartë.



    24/02/2005
    Leje mos m'trano, pashe zotin!!!!

    Rrofte Shqiperia Etnike

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Përsëri mbi Epitafin, Fatura për restaurimin 50 mijë euro

    Emërtimi “Epitafi i Glavinicës” nuk është i saktë

    Dr.Moikom Zeqo

    Simpoziumi shkencor ndërkombëtar i Muzeut Historik Kombëtar mbi Epitafin i quajtur konvencionalisht si i Glavinicës qe i frytshëm, dobiprurës, sensibilizues, idelindës, horizont-hapës. MHK po përgatit një projekt të ri për rikonservimin e Epitafit. Në këtë projekt do të bashkëpunojnë një grup shkencëtarësh të huaj dhe shqiptarë. Projekti ka një afat kohor prej 5 vitesh për shkak të proceseve të gjata kimike dhe restauruese. Fatura është 50.000 euro, që mundet ta financojë fare mirë shteti shqiptar. Për hir të së vërtetës, duke e studjuar në plan krahasimtar dhe kuptimor Epitafin dalim në disa ide të reja.
    1.Emërtimi i këtij monumenti si “Epitafi i Glavinicës” nuk është i saktë. Mbishkrimi i Epitafit nuk e mbart aspak këtë emërtim. Emërtimi ka lidhje me Peshkopin Kalist, i cili quhet i Glavinicës dhe i Beratit, sipas qarkut dhe ndarjes peshkopale. Kjo nuk ka të bëjë me vendin, ku është bërë dhe ekspozuar për të parën herë Epitafi. Emërtime të tilla ekzistojnë edhe sot, qoftë për Monsinjor Rrok Mirditën, qoftë për Peshkopin Anastas. Por emërtimi i titullarit nuk është domosdo edhe emërtimi i objektit. Edhe nëse do nisemi nga formula titullare e Peshkopit Kalist, nuk kemi të drejtë ta quajmë Epitafin as si “Epitaf i Glavinicës” dhe “i Beratit”.
    2.Në mbishkrim del qartë që Epitafi është porositur në kohën e zotërimit të dy princërve shqiptarë të familjes princërore Balshaj, Gjergjit dhe vëllait të tij Balsha i Dytë në vitin 1373. Pra ky Epitaf mund të quhet në mënyrë më logjike si “Epitafi i Balshajve”. Balshajt qenë pushteti politik, që zotëronte në fakt ngjarjen fetare. Pse Balshajt e përjetësuan emrin e tyre në këtë Epitaf? Ku qëndron marrëveshja e Balshajve me një Peshkop autoritativ dhe shumë të ditur si Kalisti, i cili është titullar i një qarku peshkopal? Për ç’arsye të thellë politike, por edhe kishtare u përurua ky Epitaf, çfarë ceremonie të kohës u bënë për të në momentin e ekspozimit, si një instrument ritual shumë i rëndësishëm?
    3.Nga mbishkrimi dimë se Kisha, ku është vendosur Epitafi dhe e ka poseduar këtë kryevepër i kushtohej Shën Marisë, “Hyjlindëses së patundur”, siç thuhet në mbishkrim. Padyshim, që kjo Kishë e Shën Marisë ka qenë shumë e rëndësishme. Por ne nuk e dimë ubikacionin e kësaj Kishe. Në ç’pikë gjeografike kryqëzuese për Shqipërinë e Jugut ka qenë kjo Kishë? Nga ana tjetër, dimë me siguri se Kisha titullare e peshkopatës në shek.XIV ka qenë pikërisht në Berat. Dokumentet heshtin për Glavinicën si qendër kishtare në shek.XIV. Mundet që titulli që lidh Glavinicën me Beratin të ruajë si një situatë më të vjetër reliktuare, pikërisht emrin e Glavinicës.
    4.Ekuacioni barazues, që lidh emrin e Glavinicës me Balshin nuk është i saktë. Është e vërtetë që Balshi ka patur një kishë e katedrale shumë të rëndësishme në shek.VI pas Krishtit, në epokën e artë të Justinianit. Në këtë kishë katedrale janë gjetur disa pilastra monumentale me relieve të gdhendura të Antikitetit të Vonë, madje edhe mbishkrime poetike kishtare, që lidhen me emrin e një Viktorini, qeveritar i njohur në kohën e Justinianit të Madh. Përkthimi gjoja i toponimit Balsh në Glavinicë nuk i përgjigjet realitetit. Fjala Balsh nuk lidhet me emrin Ballë, madje as me emrin e qytetit antik Bylis, si është thënë deri më sot. Fjala Glavinicë, do të thotë në sllavisht Kokë, me mbaresën zvogëluese icë. Në të vërtetë nuk mund të kemi një ekuacion përkthimi nga shqipja në sllavisht. Toponimi Balsh lidhet logjikisht dhe shprehimisht me emrin e Balshajve, ashtu si toponimi Myzeqe lidhet me emrin e Muzakajve, ashtu si toponimi Manskuri lidhet me emrin e Skurajve, apo toponimi krahinor Dukagjin me familjen princërore të Dukagjinasve. As ekuacioni gjuhësor Bylis-Balsh nuk qëndron, as morfologjikisht, as fonetikisht. Po ku vallë duhet lokalizuar dhe saktësuar vendi i Glavinicës?
    I ndjeri Theofan Popa, në një studim të tij të hershëm thotë, se Ballshi i sotëm është Glavinica mesjetare. Por në ç’kohë qenka bërë ky ndërrim i emrit? Madje Ballshi është më i vjetër në ndërtimet kishtare dhe nuk është zhdukur gjatë mesjetës, ka ekzistuar paralelisht më Glavinicën. Nuk dimë qartësisht, nëse ka ndrruar në një formë të dytë toponimi i Ballshit. Kjo gjë e përjashton identifikimin e tij me Glavinicën.
    5. Në dokumentet bizantine përmendet emri i Glavinicës. Në biografinë e Klementit të Ohrit (që vdiq më 916) përmendet Glavinica me një emër tjetër grek. Kefalenia, që lidhet me greqishten kefalo, që do të thotë kokë. Klementi qe peshkop i Tiveriupolit, pastaj administroi zonën kishtare nga Selaniku deri në Jeriko dhe në Janinë. Pikërisht afër Jerikosë, që është Orikumi, ruhet dhe sot toponimi Glavinicë, vend që ka gërmadha kishash të pastudjuara. Glavinica, me emrin Kefalenia, përcaktohet në zonën nga brigjet e Vlorës deri në Ohër. Dijetari i shquar bizantolog Koço Bozhori në një shënim të tijin, për burimet bizantine, të lidhura me Shqipërinë, paraqet të gjitha tezat e mundshme të identifikimit të Glavinicës, krahas tezës se Glavinica është në Balshin e sotëm, ka edhe teza, që e vendosin Glavinicën në rrjedhën e sipërme të lumit Devoll, në jug-perëndim të Ohrit.
    Ana Komnena e shek.XI e përmend Glavinicën në një kontekst gjeografik, që e identifikon me fshatin Levan te Fierit. Bizantologu bullgar S.Ivanov e vendos në Gjirin e Vlorës, mendim, që e mbështet edhe studjuesi Snegarov. Një tjetër studjues V.Zlatarski e vendos Glavinicën ndërmjet fshatrave Gorea dhe Bubullima, pranë lumit Seman. Studjuesi Migater, por edhe Struevil e vendosin Glavinicën në Veri të Ohrit. Në gjendjen e sotme të burimologjisë së shkruar, të gjitha këto hipoteza shkencore nuk janë mbushamendëse dhe të pranueshme. Mospërputhja e mendimeve shpreh qartë faktin, se kërkimet hulumtuese duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
    6. Nga pikëpamja stilistikore e ikonografisë për herë të parë kemi shprehur mendimin se ky Epitaf i takon risisë artistike të stilit paleolog. Por këtu bie në sy diçka krejt e veçantë. Përgjithësisht është një normë ikonografike që në Epitafët e ngjashëm bizantinë tek koka e Krishtit të zbritur nga kryqi të jenë figurat e tri Marive, vetëkuptohet afërsia më e madhe hyjnore dhe intime e Shën Marisë Nënë me të Birin, Krishtin. Kjo formulë ikonografike ka një element të theksuar femëror, gjë që lidhet me kultin e Mariaizmit, karakteristikë e Kishës Lindore, që përbën një ndryshim konceptual ikonografik shpesh me Kishën Perëndimore.
    Në Epitafin tonë figura e Shën Marisë është vënë në një medaljon të vogël anash dhe simetrikisht në një medalion tjetër të vogël, është vënë Maria Madalena. Figurat kryesore mbi kokë e Krishtit janë mashkullore, Moisiu në moshë të re, Profeti Isaia dhe Josifi i Arimatesë. Mungon në këtë kuadër figura e Gjonit Ungjillor, që është gjithnjë i pranishëm pranë tre Marive në Epitafet me formula ikonografike bizantine. Një ndryshim tjetër shumë i rëndësishëm ikonografik është që fytyra e Krishtit është e një djali të ri, me shumë pak mjekër dhe me mustaqe të holla, jo sipas arketipit të rëndomtë të ikonografisë së fytyrës së Krishtit në Bizant. Fytyra e Krishtit në këtë Epitaf mua më kujton ikonografinë e Krishtit në miniaturat e kodikëve francezë koraliane. Është harruar fakti se dy kodikë me origjinë nga Vlora, shek.XII, që ruhen në Arkivin e Shtetit kanë miniatura, që lidhen me artin e Europës Perendimore, siç i ka klasifikuar i paharruari Theofan Popa. Mos ndoshta ky është një argument, që i shtyn kërkimet tona pikërisht në kishat e zonës së Vlorës në shekujt XII – XIV?
    Gjergj Arianiti ka mundësi të ketë qenë formuluesi i mbishkrimit dhe në hierarkinë kishtare të titullarit Kalist, pra një dijetar i Kishës. Kjo e përforcon më shumë tezën tonë që emërtimi i Epitafit duhet quajtur Epitafi i Balshajve, sepse ata janë zotëruesit politikë të zonës, apo të Kishës, ku është vendosur për herë të parë Epitafi. Emërtimi i Epitafit si i Glavinicës është bërë nga Theofan Popa, bazuar gjoja në një legjendë popullore në fshatin Breshtan në fillim të shek.XX. Por legjenda popullore nuk ka saktësi shkencore. Është mëkat dhe jo e saktë, që ky Epitaf i mrekullueshëm të vazhdojë të emërtohet në mënyrë rutinore, pa asnjë bazë si Epitaf i Glavinicës.
    Së fundi Epitafi ka një varg poetik, që i drejtohet në vetën e dytë Krishtit, një varg, që mban edhe një pasthirrmë: ah! “Ti që zotëron jetën ah! Si je trup i vdekur pa frymë!” Në fillim dhe në mbarim të këtij vargu është vendosur nga një kryq, por jo thjesht si dallim ortografik. A është ky varg i kopjuar nga poezia kishtare biblike, apo është origjinal? Këtë gjë nuk e dimë! Ka shumë probleme të tjera, që lidhen me këtë Epitaf. Analizat laboratorike dhe kimike e ndriçojnë këtë objekt nga brenda, ne nuk dimë origjinën e mëndafsheve të Epitafit, por dimë që teknologjia e qëndisjes me ar është e nivelit të lartë, siç është një stil i shkëlqyer realizimi me ndjeshmëri i strukturës ikonografike.

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    20-11-2004
    Vendndodhja
    Gjermani - Leipzig
    Postime
    148
    A nuk duhet ti perkasi forumit te Historise kjo teme ?
    =========================================

    Moikomi eshte burre i zgjuar, por ka tendence te ngutet shume, sidomos keto kohet e fundit ne disa replika qe nuk kane bazament shume te forte, dhe karakter argumentativ teper dogmatik.

    Citim Postuar më parë nga Albo
    Përsëri mbi Epitafin, Fatura për restaurimin 50 mijë euro

    Emërtimi “Epitafi i Glavinicës” nuk është i saktë

    4.Ekuacioni barazues, që lidh emrin e Glavinicës me Balshin nuk është i saktë. Është e vërtetë që Balshi ka patur një kishë e katedrale shumë të rëndësishme në shek.VI pas Krishtit, në epokën e artë të Justinianit. Në këtë kishë katedrale janë gjetur disa pilastra monumentale me relieve të gdhendura të Antikitetit të Vonë, madje edhe mbishkrime poetike kishtare, që lidhen me emrin e një Viktorini, qeveritar i njohur në kohën e Justinianit të Madh. Përkthimi gjoja i toponimit Balsh në Glavinicë nuk i përgjigjet realitetit. Fjala Balsh nuk lidhet me emrin Ballë, madje as me emrin e qytetit antik Bylis, si është thënë deri më sot. Fjala Glavinicë, do të thotë në sllavisht Kokë, me mbaresën zvogëluese icë. Në të vërtetë nuk mund të kemi një ekuacion përkthimi nga shqipja në sllavisht. Toponimi Balsh lidhet logjikisht dhe shprehimisht me emrin e Balshajve, ashtu si toponimi Myzeqe lidhet me emrin e Muzakajve, ashtu si toponimi Manskuri lidhet me emrin e Skurajve, apo toponimi krahinor Dukagjin me familjen princërore të Dukagjinasve. As ekuacioni gjuhësor Bylis-Balsh nuk qëndron, as morfologjikisht, as fonetikisht. Po ku vallë duhet lokalizuar dhe saktësuar vendi i Glavinicës?
    I ndjeri Theofan Popa, në një studim të tij të hershëm thotë, se Ballshi i sotëm është Glavinica mesjetare. Por në ç’kohë qenka bërë ky ndërrim i emrit? Madje Ballshi është më i vjetër në ndërtimet kishtare dhe nuk është zhdukur gjatë mesjetës, ka ekzistuar paralelisht më Glavinicën. Nuk dimë qartësisht, nëse ka ndrruar në një formë të dytë toponimi i Ballshit. Kjo gjë e përjashton identifikimin e tij me Glavinicën.
    Me shqeteson shume kjo lloj shprehje dogmatike nga Dr. Moikom Zeqo i cili pa asnje lloj baze perjashton emertimin Ballsh-Bylis edhe pse Bylisi qe Ballshi i vjeter. Nese fjala Bilis lidhet me fjalen lis(nje peme e shenjte per Pellazget dhe Iliret) apo dicka tjeter psh Ballsh, qe nese perjashton identifikimin me Gllavenicen mbi baze te moslokalizimit te emrit, mund te hidhet fare mire teza qe emri Ballsh te jete shume me i vjeter se vete emri Bylis. Megjithate Moikom Zeqos per nje aresye apo nje tjeter po i leverdis te thote se Ballsh vjen nga Balshajt. Mbase dikush di me teper e mund te na sqaroj ne kete qorrsokak emertimesh.

    Pse mos ta kene permendur Bizantinet valle kete qender, dhe ne mos gabohem as Shen Triadha, e vetmja Triadhe me e vjeter se cdo Triada tjeter ne Greqi, qe nuk permendet.
    5. Në dokumentet bizantine përmendet emri i Glavinicës. Në biografinë e Klementit të Ohrit (që vdiq më 916) përmendet Glavinica me një emër tjetër grek. Kefalenia, që lidhet me greqishten kefalo, që do të thotë kokë. Klementi qe peshkop i Tiveriupolit, pastaj administroi zonën kishtare nga Selaniku deri në Jeriko dhe në Janinë. Pikërisht afër Jerikosë, që është Orikumi, ruhet dhe sot toponimi Glavinicë, vend që ka gërmadha kishash të pastudjuara. Glavinica, me emrin Kefalenia, përcaktohet në zonën nga brigjet e Vlorës deri në Ohër. Dijetari i shquar bizantolog Koço Bozhori në një shënim të tijin, për burimet bizantine, të lidhura me Shqipërinë, paraqet të gjitha tezat e mundshme të identifikimit të Glavinicës, krahas tezës se Glavinica është në Balshin e sotëm, ka edhe teza, që e vendosin Glavinicën në rrjedhën e sipërme të lumit Devoll, në jug-perëndim të Ohrit.
    Ana Komnena e shek.XI e përmend Glavinicën në një kontekst gjeografik, që e identifikon me fshatin Levan te Fierit. Bizantologu bullgar S.Ivanov e vendos në Gjirin e Vlorës, mendim, që e mbështet edhe studjuesi Snegarov. Një tjetër studjues V.Zlatarski e vendos Glavinicën ndërmjet fshatrave Gorea dhe Bubullima, pranë lumit Seman. Studjuesi Migater, por edhe Struevil e vendosin Glavinicën në Veri të Ohrit. Në gjendjen e sotme të burimologjisë së shkruar, të gjitha këto hipoteza shkencore nuk janë mbushamendëse dhe të pranueshme. Mospërputhja e mendimeve shpreh qartë faktin, se kërkimet hulumtuese duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
    Ketu bie ne kontradikte me cfare thote me siper dhe ne nje menyre shume te cuditeshme. As vete Moikomi nuk e ka idene e qarte se per cfare flitet, dhe aresyeja eshte qe merret me emertimet mesjetare qe t'ja gjej emrin e vertete zones, ne vend qe te hulumtoj ne antikitet. Mirepo ai e eliminon ate teze "morfologjikisht" dhe "fonotekisht" per aresye qe mua me duken te paqarta.

    Megjithate vlen te perfezohet hulumtimi i tij dhe kerkimi per ndryshimin e emertimit te ketij epitafi.
    "Ju lutem mos ushqeni asnje iluzion. Mua më vrane dhe keshtu kane vepruar edhe me dy kryetaret tjere te Shoqates së Shqiptareve "Marko Boçari", te cilet vdiqen, edhe keta, nga "leuçemia". Keto fjale ua kam thene edhe miqve te tjere te mij"...
    Fjalet e fundit te Aristidh Kola-s

  5. #5
    .... ...
    Anëtarësuar
    30-01-2005
    Postime
    4,049

    Në shpëtim të Epitafit të Gllavenicës

    (Marre nga Shekulli)

    I vlerësuar si një thesar i rrallë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe më gjerë, Epitafi i Gllavenicës ka tërhequr vëmendjen e institucioneve ndërkombëtare. Që prej 2-3 vjetësh ICCROM (International Centre for thë Study of the Preservation and Restoration of Cultural Property) ka shfaqur interesin ta përfshijë këtë vepër në projektet e veta restauruese. Për të shpëtuar këtë pasuri ofrohen deri në 50 mijë euro. Restauratori Frederik Stamati, një prej njohësve më të mirë të Epitafit, thotë se kjo vëmendje vjen falë ndërhyrjeve të kimistit Jan Ëouters shef i departamentiti analitik pranë Institutit Mbretëror të Pasurisë Kombëtare në Bruksel, i cili dy vjet më parë erdhi në Tiranë për të parë veprën nga afër, u interesua nëpër institucione ndërkombëtare dhe së fundi gjeti mbështetje tek ICCROM. Sipas Stamatit, ky institucion i rëndësishëm merr përsipër restaurimin e veprës, si dhe realizimin e një studimi të plotë mbi gjithë përbërësit e tij, për të nxjerrë ndër të tjera edhe rezultate historike.

    Gjithashtu, veç të tjerash ata marrin përsipër edhe krijimin e kushteve të favorshme të ekspozimit, ashtu si ka ndodhur me "Mantelin e pagëzimit të mbretërve" në Hungari, i cili ekspozohet jo vetëm në kushte tërësisht optimale, por edhe masa të rrepta sigurie. Në një letër që Ëouters i dërgon Stamatit thuhet se një vit më parë ICCROM i ka dërguar Muzeut Historik Kombëtar, ku ndodhet epitafi, një kërkesë ku shfaqet interesi i tyre, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

    Ndërkohë që drejtuesit e Muzeut thonë se nuk u ka rënë në dorë një kërkesë e tillë. Duket se saktësia e postave e ka bërë punën e vet. Por pavarësisht djegies së fondit një vit më parë ICCROM mendon ta përfshijë sërish epitafin në projektet e veta.

    Sipas Frederik Stamatit, shefit të Laboratorit të Arkeometrisë dhe Konservimit pranë Akademisë së Shkencave, epitafi ka një nevojë urgjente për restaurim. Sipas tij, vepra shfaq disa probleme. Së pari, copa e mëndafshtë ku është realizuar qëndisma është ngrënë nga prekjet e besimtarëve. Qëndismat dhe disa gërma kanë pësuar dëmtime. Gjithashtu sipas tij, epitafi ka nevojë për një larje të avancuar.

    Stamati thotë se vepra i është nënshtruar një pastrimi të thatë me tampon në vitin 1974 dhe është larë vetëm një herë në vitin 1981, me rastin e ekspozimit në Paris. "Janë disa pikëpyetjet që ngrihen rreth epitafit. Së pari, duhen bërë analiza të hollësishme për të parë nivelin e dekompozimit tëmaterialit, nga do mund të gjejmë edhe mënyrat si do ndalohet ky proces, si do realizohet forcimi i fillit metalik dhe materialit tekstil, si do qepen shqepjet, trajtimi i arnave dhe çështja e ekspozimit", - thotë Frederik Stamati. Sipas tij, për shkaktë viteve, por edhe kushteve jo fort të favorshme të ekspozimit, ngjyrat e epitafit kanë pësuar dekolorim. Njohësi i veprës thotë se pamja e saj sot është tërësisht ndryshe nga ajo që ka pasur dikur. Kjo vihet re në pjesën e pasme të epitafit. "Disa ngjyra janë zhdukur, si në rastin e së verdhës, ndërsa e kuqja është dobësuar", - thotë Stamati. Ndërkohë që ngjyrat përbëjnë të veçantën e këtij epitafi të rrallë. Gjatë vizitës së tij të para dy viteve në Tiranë Wouters tha se Epitafi i Gllavenicës, përbën një nga objektet më të rrallë, mbi të cilat ai ka punuar.

    Sipas analizave të kryera në laboratorin ku ai punon në Institutin Mbretëror të Pasurisë Kombëtare në Bruksel, ndër ngjyrat e fijeve me të cilat është qëndisur epitafi, është hasur një e kuqe, e përdorur shumë rrallë në tekstile. Sipas tij, ajo është një ngjyrë shumë e shtrenjtë, e hasur vetëm në tekstile të çmuara. Kjo ngjyrë krijohej në Mesjetë nga një insekt i quajtur kermes, që rritej në Shqipëri dhe zona të tjera të Mesdheut. Krahas studimit dhe konservimit, i cili mendohet të bëhet në disa laboratorë të njohur në Evropë, si në Romë, apo Zvicër, epitafi do t'i nënshtrohet edhe disa studimeve të tjera, që plotësojnë ato të kryera nga prof. Theofan Popa. " Është e nevojshme të bëhet një studim i hollësishëm mbi materialet përbërëse, si fillit metalik, ngjyruesve e materialit tekstil. Kërkohet qëtë studiohen nga ana historike motivet e tekstileve për tu orientur në kohë dhe në punishtet e tekstilit. Të studiohen 10 arnat dhe në bazë të tyre të zbulojmë se çfarë është importuar në atë kohë në Shqipëri, apo Arbërinë e atëhershme", - thotë Stamati, i cili do të jetë një prej anëtarëve të grupit të punës, që do kryejë operacionin mbi epitafin.

    Një mrekulli teknologjie

    Epitafi i Gllavenicës i përket vitit 1373 dhe është një ndër tre vepra të këtij lloji në botë. Në qendër të tij konturohet trupi i Krishtit të vdekur, shtrirë mbi një çarçaf, rrethuar nga shenjtorë, serafinë e ëngjëj, përbënte një mister për studiuesit, të cilët kanë qenë të interesuar të zbulojnë diçka më shumë rreth historisë së krijimit të tij, por edhe të realizimit. Epitafi i Gllavenicës është një nga objektet më të rëndësishme që trashëgon Shqipëria nga Mesjeta, një brilant historie e teknologjie. Ai është konceptuar si një pikturë, duke përdorur të gjithë elementët e saj, ka një larmi ngjyrash, dritë – hije, madje dhe një pikë imagjinare drite, e cila ndriçon gjithë epitafin dhe i japin atij një vezullim gati qiellor.

    Mbi të është shkruar: "U plotësua (u qëndis) ky areas (epitaf) i gjithënderuar dhe i hyjshëm i së mbishenjtës Hyjëlindëse të patundur, me shpenzimin dhe mundimin e episkopit të gjithëhirshëm Kalisit të Glavenicës dhe Beratit në muajin mars 22, viti 6881 (1373). Ti që zotëron jetën, ah! Si (je) trup i vdekur pa frymë. Në kohën e zotërimit të zotërijve të shumëlartë të Serbisë, Rumanisë dhe gjithë Albanit dhe vëllezërve Gjergjit dhe Ballshës. Dora e Gjergj Arianitit dhe arëqëndisësit".

    Mendohet se Epitafi i Glavenicës është qëndisur nga dora e murgut Savia, me porosi të Gjergj Arianitit, që historikisht i bie të jetë gjyshi i vjehrrit të Skënderbeut. Thuhet se epitafi është gjendur në bodrumin e një shtëpie të rrënuar në Ballsh, e cila në atë kohë ishte dioqezë, ku ishte futur për tu ruajtur si një objekt shumë i vlefshëm dhe se ishte dëmtuar nga minjtë, gjë që ne e vumë re gjatë restaurimit, në njërën nga mbulesat anësore të epitafit. Në këtë "ikonë të qëndisur" me fije tekstile dallohen katër ngjyra bazë: e kuqe, blu, jeshile dhe e verdhë, të shoqëruara me nuanacat përkatëse. Ai, së bashku me disa objekte të tjera të MHK-së, si ikona e objekte që i takonin pavijonit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, u grabitën në vitin 1995 dhe u rigjet, ose më saktë u rikthye një vit më vonë, në vitin 1996. (Gjetja e epitafit u bë e mundur falë një grindjeje banale mes autorit të grabitjes dhe të dashurës së tij, e cila në shenjë zemërimi, i flak nga dritarja sendet e vjedhura, ku ndodhej edhe Epitafi i Gllavenicës).

Tema të Ngjashme

  1. 6 mars 2006, fillojnë 40 ditët e Kreshmës së Madhe
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 11-04-2006, 15:56
  2. Gjergj Arianiti
    Nga dodoni në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 08-10-2004, 06:10

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •