Troja shqiptare
E Marte, 05 Tetor 2004 (Korrieri)
Nga Blendi Fevziu
Per nje vend te varfer artistikisht dhe me fare pak evenimente kulturore per t'u shenuar si Shqiperia, prania ne kinema e nje filmi te bujshem si "Troja" nuk ka se si te mos shkaktoje nje lloj entusiazmi. Nje entusiazem te perligjur, qe shfaqet ne rradhet e gjata te biletarise, ose ne detyrimin per te prenotuar qe nje dite me pare nje vend ne sallen e Millenium 2 ne Tirane, ku ai po shfaqet. Por fatkeqesisht, pothuajse te gjithe ata qe jane vendosur perpara ekranit gjigand ne ish kinoteatrin e Pallatit te Pionierit, kane mbetur te befasuar nga cilesia e perkthimit te filmit ne shqip dhe nga fjalet qe jane perdorur aty.
Te duket se perkthyesi ka qene i kujdesshem vetem per nje gje, qe te zgjedhe nje shqipe, leksiku i te ciles, te jete sa me prane gjuhes antike te shqiptareve. Nje lloj gjuhe, fjalori i te ciles, veshtire se perdoret me edhe ne zonat me te izoluara te Kosoves, por qe me sa duket vijon te jetoje ne komunitet e arberesheve te Italise, te Arvanitasve te Greqise dhe disa komunitete me te vogla shqiptare ne Serbi apo Kroaci. Eshte befasuese te degjosh se si Akili i drejtohet nje vajze te re me fjalet: "Cuce", te cilen veshtire se e perdor me ndonje shqiptar, ndersa Karonti, varketari antik quhet: "Skelaxhi".
Aq transfomues ishte perkthimi, sa dukej se Akili kishte lindur dhe qe rritur ne malesite e Gjakoves, ndersa Hektori, kishte po ate fjali te nje dukagjinasi te larguar nga vendlindja e tij prej 50 vjetesh. Nje perkthim qe nuk ka asnje lidhje me shqipen dhe qe ngjan me shume nje variant ne shqip i konstruktit te nje fjalie ne serbo- kroatisht dhe madje, edhe kjo shume e varfer. Pak fjali kishin kuptimin e tyre fillestar te anglishtes, ose sepse perkthyesi nuk ka njohur kete gjuhe, ose, sic mund te jete me e mundshme, ai nuk e njeh, ose e njeh fare pak gjuhen shqipe. Padyshim, shqipen e sotme dhe ate letrare as qe behet fjale.
Ne nje rast te tille, ne nje eveniment publik si ky, Ministria e Kultures duhet te kishte nderhyre urgjent per te riparuar problemin dhe per t'i dhene atij nje zgjidhje. Nje kompani e madhe si WB nuk mund t'i ofroje shqiptareve nje film te perkthyer ne Beograd dhe se paku, vete serbet duhet te dijne se shqipja e zhargonit te Beogradit, ka pak ngjasim me gjuhen letrare shqiptare.
Fatkeqesisht ky nuk eshte nje rast i vecuar dhe as nje aksident nga ata qe mund te ndodhin kudo. Gjuha shqipe po masakrohet cdo dite dhe ne menyre sistematike. Po masakrohet jo aty ku mund te pritej, na kafene, ne restorante, ne treg apo ne jeten e perditshme informale. Po masakrohet ne TV, ne gazeta, ne revista, ne perkthimet e librave te huaj e madje edhe ne tekstet mediokre shkollore. Askush nuk eshte kujdesur deri me sot per kete problem dhe disa komente kane qene thujase te pamjaftueshme. Por tani dicka duhet te nderroje patjeter dhe te gjithe bashke duhet te kuptojne, duke nisur qe nga ky film, se nga pasurite e pakta qe ka ky vend, eshte gjuha dhe se te gjithe bashke duhet te bejme me shume per ta ruajtur.
Krijoni Kontakt