Vendim i papritur i Shtëpisë së Bardhë
Ndihma, SHBA kualifikon Shqipërinë
Shtëpia e Bardhë: Presidenti mirëpret Shqipërinë, të marrë pjesë në Programin e Llogarisë së Sfidave të Mijëvjeçarit
Shekulli
TIRANE - Shpërblehet investimi pro amerikan i Shqipërisë. Vetëm disa orë pas raportit kritik të Liponen në Këshillin e Ambasadorëve në Vjenë, ku diplomati finlandez tha se vendi ndodhet në një udhëkryq kritik, Shtëpia e Bardhë me anë të njoftimi në faqen e saj zyrtare, lajmëroi se Shqipëria së bashku me gjashtë vende të tjera ka të drejtën që të aplikojë për të marrë ndihmë financiare nga Llogaria e Sfidës së Mijëvjeçarit, një program i qeverisë amerikane për vendet e varfra që mbështetin politikën e SHBA-së dhe bëjnë përpjekje për zbatimin e ligjit, lirisë ekonomike dhe investimin në njerëz. Dy herë rresht vendi ynë, që nga nisja e këtij programi nuk kishte mundur të kualifikohej në listën e vendeve që mund të aplikonin për të përfituar nga kjo ndihmë e SHBA-së. Për vitin 2003 Bordi i Llogarisë së Mijëvjeçarit deklaroi se pengesa për moskualifikimin e Shqipërisë, kryesisht ishte korrupsioni. Ndërsa këtë verë vendi ynë nuk arriti të renditej në listën e atyre shteteve që do të ndihmoheshin nga SHBA për 2004, duke qenë vetëm disa shkallë më poshtë vendit të fundit përfitues. Vendimi i djeshëm i bordit por edhe i presidentit Bush bën që ne të shihemi si të përshtatshëm për Programin e Pragut dhe të kemi mundësi që të aplikojmë për grantet e caktuara si ndihma në kuadër të Llogarisë së Sfidës së Mijëvjeçarit.
Vendimi
Me një njoftim të shkurtër në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, zëdhënësi i saj lajmëroi dje se “ Sot Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit emëroi shtatë vende si të përshtatshme për Programin e Pragut të 2004, duke i bërë të afta që të aplikojnë për grantet e përcaktuara si ndihma për vendet e kualifikuara për Llogarinë e Sfidës së Mijëvjeçarit”. Sipas tij, presidenti mirëpret Shqipërinë, Timorin Lindor, Kenian, Sao Toma, Tanzaninë, Ugandën dhe Jemeini të marrin pjesë në Programin e Llogarisë së Sfidave të Mijëvjeçarit. “Ato kanë demonstruar përpjekje domethënëse në përmirësimin e politikave në sektorë si zbatimi i ligjit, investimi për njerëzit, dhe promovimi i lirisë ekonomike. Presidenti mezi po pret që t’i shohë ata të zhvillojnë një marrëdhënie produktive me organizatën e Sfidave të Mijëvjeçarit e cila udhëheq në drejtim të arritjes së standardeve të Llogarisë së Sfidave të Mijëvjeçarit, dhe më e rëndësishmja në përshpejtimin e progresit në reduktimin e varfërisë dhe rritjen ekonomike”,-mbyllet njoftimi i zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë.
Programi Llogaria e Sfidës së Mijëvjeçarit është një program vjetor i qeverisë së SHBA-së, ku disa vende të zgjedhura nga Bordi i Llogarisë përfitojnë ndihma financiare. Sipas bordit një kusht kryesor që duhet të plotësojë një vend përfitues është lufta ndaj korrupsionit. Korporata e ka përcaktuar në mënyrë domethënëse rëndësinë e luftës së korrupsionit. “Bëje ose vdis”, është fjalia për këtë pikë në faqen e Llogarisë së Sfidave të Mijëvjeçarit. Kryetar i bordit të këtij programi është sekretari i Shtetit Kolin Pauell, por deklarata e dalë dje nga Shtëpia e Bardhë tregon se edhe presidenti Bush ka pasur jo pak ndikim në këtë vendim. Për një vit Llogaria e Sfidave të Mijëvjeçarit parashikon që të shpërndajë rreth 50 milionë dollarë për të gjitha shtetet e kualifikuara, numri i të cilëve është 70.
Lista e vendeve
Shqipëria
Timori Lindor
Kenia
Sao Toma
Tanzania
Uganda
Jemeini
Krijoni Kontakt