Bashkëjetesa e zviceranëve dhe shqiptarëve, ndikimet e ndërsjellta të shqipes e gjermanishtes, kanë qenë objekt studimi për profesorin e Shkollës së Lartë Pedagogjike në Cyrih. Në bazë të anketimeve, të gjithë nxënësit zvicerranë dinin të paktën 4 fjalë shqip

Zvicër, shqiptarët u mësojnë shqip vendasve


Alma Mile

Tashmë ai i ka dy grada në Zvicër, atë të profesorit dhe të doktorit, megjithatë, dëshiron që të ketë edhe një të tillë në Shqipëri. Përgjatë një periudhe 5-vjeçare ka grumbulluar materiale, ka bërë anketime e ka shpërndarë formularë dhe tani ndodhet në Tiranë, për të mbrojtur doktoraturën, me studimin e tij “Shqyrtime gjuhësore rreth kontaktit mes shqipes dhe gjermanishtes në Zvicër”. Bazil Shader, është profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Zyrih të Zvicrës. Ai tregon se gjithmonë i ka bërë përshtypje numri i madh i shqiptarëve në Zvicër, jeta dhe gjuha e tyre dhe së fundi arriti që nëpërmjet një pune hulumtuese të realizojë një studim mbi ta. Madje kjo ka qenë edhe një ndër arsyet që e shtynë të mësonte gjuhën shqipe. Edhe pse në themel të studimit të tij është aspekti gjuhësor, krahasimi mes shqipes dhe gjermanishtes dhe ndikimet e ndërsjellta, në punën e tij, Shader nuk ka lënë pa përmendur edhe disa aspekte sociale të jetës së shqiptarëve që jetojnë në Zvicër. Një ndër pistat që Shader ka hulumtuar është ndikimi i shqipes mbi gjermanishten dhe ka vënë re se, fatkeqësisht shqipja ka arritur të “pasurojë” fjalorin e fjalëve fyese të gjermanishtes. Në bazë të anketimeve që ai ka bërë mes nxënësve shqiptarë, shumica e shqiptarëve të vendosur atje, mendojnë se Zvicra është “një parajsë tokësore”. Por ata do të dëshironin të jetonin më mirë në Kosovë, apo në vendet e tyre të origjinës. Ata e ndiejnë veten inferiorë dhe deri-diku të paragjykuar për prejardhjen e tyre, ndërkohë që zviceranët, nuk kanë shumë të përbashkëta me shqiptarët, janë të ftohtë, u mungon buzëqeshja dhe nuk e ndjejnë nevojën për komunikim. Të gjitha këto, të shoqëruara edhe me shembuj konkretë (emrat, moshën dhe thënie të të anketuarve), janë përmbledhur në kapitullin “Bashkëjetesa shqiptaro-zvicerane”. Ndërkohë, që të tjerë kapituj të studimit janë: Shqipja dhe gjermanishtja: shënime për një krahasim gjuhësor; Shqipja dhe gjermanishtja si gjuhë në kontakt; Ndikimet e shqipes mbi gjermanishten; Kush i “përzien” gjuhët? Shqyrtime sociolingustike rreth praktikës gjuhësore, etj. Për të realizuar këtë studim, ai ka bashkëpunuar edhe me prof. dr. Gjovalin Shkurtajn. “Unë si një joshqipfolës kisha nevojë për një specialist në këtë fushë dhe bashkëpunimi me prof. Shkurtajn ka qenë tepër i vlefshëm për mua”,- thotë Bazil Shader.

Intervista
Shader: Edhe zviceranët shajnë në shqip
Si ju lindi ideja për të ndërmarrë një studim të tillë?
Shqiptarët janë grupi më i madh i mërgimtarëve në Zvicër, të ardhur nga vendet e ish-Jugosllavisë, Kosova e Maqedonia dhe që nuk kanë një lob të vetin si spanjollët, apo italianët. Ky grupim është shumë i rëndësishëm për bashkëjetesën në të ardhmen, mes shqiptarëve dhe zviceranëve. Kjo më ka interesuar shumë dhe po të dish shqip në Zvicër është një avantazh i madh, sepse atje ka shumë shqiptarë dhe të bie rasti që çdo ditë të takosh një të tillë, që ka kryer studime në Universitetin e Prishtinës, por që i duhet të punojë edhe në ndërtim në Zvicër.

Keni përgatitur një studim prej 454 faqesh. Çfarë burimesh keni shfrytëzuar?
Kryesisht jam mbështetur në materialet që kam grumbulluar në Zvicër. Për të arritur në disa përfundime krahasuese më është dashur të realizoj një pyetësor prej 17 faqesh të shpërndarë në 1100 nxënës, si edhe 200 që kanë jetuar në Zvicër e janë kthyer në Kosovë. Gjithashtu kam kryer anketime me 6 mijë nxënës zviceranë. Pra është një bazë materiale shumë e gjerë, madje nuk kam arritur të përfundoj së lexuari gjithë anketimet dhe të dhënat e mbledhura, pasi numri i tyre ka qenë shumë i madh.
Mes të tjerash, në studimin tuaj, ju keni trajtuar edhe ndikimin e shqipes mbi gjermanishten. Ku e shihni këtë ndikim?
Kjo është një pikë shumë interesante. Dy gjuhë në kontakt ndikojnë patjetër mbi njëra-tjetrën. Menjëherë dallohet që gjermanishtja ka ndikim mbi shqipen, por mua më ka interesuar të zbuloj edhe ndikimet e shqipes mbi gjermanishten. Për këtë kam pyetur 4 mijë nxënës të ciklit të lartë, për numrin e fjalëve shqip që dinë ata dhe ka dalë që të ndikuar nga komuniteti shqiptar, kanë mësuar të paktën katër fjalë shqip, por ka edhe nga ata nxënës joshqipfolës, që dinë deri në 30 fjalë. Por fatkeqësisht, shumica e këtyre fjalëve janë fyese. Ky fakt i ka shqetësuar institucionet shkollore zvicerane.
Përveç ndikimeve, gjeni të tjera të përbashkëta mes shqipes dhe gjermanishtes?
Të dyja janë gjuhë indoevropiane dhe kanë dukuri të përbashkëta, por kjo nuk i bashkon shumë. Kuptohet që ka fjalë ndërkombëtare, si kompjuter, por shqipja, si një gjuhë autoktone, që rrjedh nga ilirishtja e lashtë, nuk mund të krahasohet me gjermanishten.
Cili ka qenë kontakti juaj i parë me Shqipërinë?
Hera e parë që unë kam qenë këtu nuk kishte të bënte me doktoraturën dhe hulumtimet e mia shkencore, por për hapjen e një shkolle të vogël në rrethin e Lezhës, në vitin 1996.

Shqipja juaj është e mirë…
Shqipen e kam mësuar në mënyrë autodidakte. Në Zyrih, ekzistojnë disa kurse për gjuhën shqipe, por kam preferuar ta mësoj vetë, pasi ato janë për një publik disi më të “thjeshtë” të cilët janë të interesuar për të mësuar vetëm disa fjalë në shqip.
Një nga arsyet që më shtynë të mësoj shqip është numri i madh i shqiptarëve në Zvicër. Ndërkohë një tjetër shtysë ishte dëshira për të mësuar një gjuhë të re, gjë që më shërben në profesionin tim si profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Zyrihut, ku gjithçka lidhet me gjuhën.



24/09/2004