Biznes me libra universitar - fajin e ka shteti apo profesorët?!
-Studentët e fakulteteve të ndryshme thonë: “Ka profesorë që na detyrojnë në mënyrë direkte që t’i blejmë librat e tyre ose të tjerë që këtë e bëjnë në mënyrë indirekte. Librat e tyre janë me çmime tepër të larta”. -Dekani i fakultetit pedagogjik, Murat Murati thotë: “Numri i profesorëve nuk është i madh, por ka disa që bëjnë veprimtari individuale, duke i botuar vetë librat dhe çmimet i vënë vetë. Kjo situatë duhet rregulluar edhe nga ana e shtetit, edhe nga ana e kolegëve.”
Vitet e fundit shitja e librave të profesorëve me hir apo pa hir studentëve të fakulteteve të ndryshme në universitetet e vendit është bërë normale. Studentë të fakulteteve të ndryshme ankohen se disa profesorë i detyrojnë që t'i blejnë patjetër librat e tyre.
Në Fakultetin Pedagogjik “Shën Klimenti i Ohrit”, studentët thonë se disa profesorë i detyrojnë që t’i blejnë librat e tyre, madje një student thotë se profesori e kishte rrëzuar nga provimi vetëm se nuk ia kishte blerë librin. “Kisha mësuar nga ai libër, por nuk e kisha blerë atë nga profesori, ia kisha marrë kolegeve të mi dhe profesori më rrëzoi nga provimi. Sezonin tjetër e bleva librin, profesori për këtë mbante shënime, dhe mora 8-të në provim. Herën e dytë, as që e përsërita materialin”, thotë studenti i cili dëshiron të mbetet anonim.
Studentët regjistrohen në librin e blerësve
Një rast të ngjashëm me këtë tregojnë dhe studentët e fakultetit të fiskulturës në Universitetin e Tetovës. Profesori i atletikës mban shënime për studentët që e blejnë librin. Një student i këtij fakulteti thotë: ”Jo se na detyron në mënyrë direkte, por lë të kuptohet se libri i tij duhet blerë”.
Gjithashtu dhe në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës, ka profesorë që i detyrojnë studentët që t'ua blejnë librat e tyre. Këta profesorë sillen në mënyrë brutale me studentët që nuk i blejnë librat.
Ndërsa një student tjetër në UT, gazetës sonë i tha: “Nuk kemi pyetur për çmimet e librave, e rëndësishme është që kemi gjetur libra për të mësuar”.
Në UEJL, studentët nuk ankohen për ndonjë rast detyrimi të profesorëve të tyre për të blerë librat e tyre. “Ne shërbehemi me materiale të fotokopjuara ose me libra të profesorëve tanë, të cilët i blejmë prej tyre. Gjer më tani nuk na ka detyruar ndonjë profesorë në mënyrë direkte ose indirekte”, thonë disa studentë të UEJL-së.
Në Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi”, studentët thonë se tashmë kjo është bërë diçka normale. Ka profesorë që i shesin më shtrenjtë librat dhe të tjerë me çmime të arsyeshme. “Ne i dimë profesorët që mbajnë shënime, prandaj për t’u ikur “ekceseve”, i blejmë menjëherë librat, pa u menduar fare për çmimin e tyre.”, na tha një apsolvent i këtij Fakulteti.
Në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në Shkup, studentët nuk ankohen për raste të tilla. Nuk ka detyrime nga ana e profesorëve, por dhe librat që i blejmë, qofshin ato, të praktikës, për ushtrime ose libra me materiale për provim, janë me çmime të arsyeshme. Edhe nëse e fotokopjonë atë material, ai nuk kushton më lirë sesa libri.
Çmimet e këtyre librave që profesorët i detyrojnë studentët që t'i blejnë, varësisht prej profesorit dhe lëndës, lëvizin nga pesëmbëdhjetë deri në njëzetë euro. Nuk e di në janë shumë apo pak këto para, por e di që për të siguruar kaq para, një njëri me rrogë mesatare, duhet të punojë tri ditë.
Ndoshta për studentët e UEJL-së këto para janë shumë pak, nëse krahasohen më një mijë e pesëqind eurot që i paguajnë për një vit, ose ndoshta prindërit e tyre kanë rroga më të larta!?
Ç’thonë profesorët për rastin në fjalë?
Dekani i fakultetit pedagogjik Murat Murati, në lidhje me shitjen e librave studentëve nga ana e profesorëve tha: “Ka ndonjë profesor që i detyron studentët për të blerë libat e tij dhe ka të tjerë që nuk i detyrojnë. Në fakultetin tonë ka rregullore për aktivitetet botuese të profesorëve. Në librat që i boton fakulteti ka dhe honorare për profesorët. Çmimin e librave e caktojmë ne në fakultet dhe ky është ekonomik”.
Dekani Murati e pranon që në fakultetin e tij bëhen abuzime me studentët. “Numri i profesorëve nuk është i madh, por ka disa që dalin nga kjo skemë dhe bëjnë veprimtari individuale, duke i botuar vetë librat dhe çmimet i vënë vetë”. Ai në fund shtoi se kjo situatë duhet rregulluar edhe nga ana e shtetit, edhe nga ana e kolegëve.
Ndërsa, me Rektorin e Universitetit të Tetovës, Nexhbedin Beadinin dhe me profesorë të tjerë të UT-së nuk arritëm dot të kontaktonim, sepse celularët e tyre ishin të fikur.
A. DISHA
Krijoni Kontakt