E Merkure, 08 Shtator 2004
Pak dite pas vrasjes ne Greqi te 20-vjecarit shqiptar Gramoz Palushi, policia helene nis "Fshesen" ndaj emigranteve tane. Komandanti i Policise Kufitare te Kapshtices konfirmon riatdhesimin dje, te 205 shtetasve shqiptare. Shtohet numri me 45 te tjere, gjate pasdites. Kthime forcerisht edhe ne Kakavije, ku dje, deri ne mbremje, hyne 12 vete. Rrefimet e te ardhurve: "Na mbajten per 48 ore ne qeli, derisa u mbushen autoburgjet"

Irena VRETO

KAPSHTICE - Kater autobuze te mbushur me 205 emigrante shqiptare mberriten ne oret e para te dites se djeshme ne vendkalimin kufitar te Kapshtices. Pjesa me e madhe e tyre, kane pohuar se nuk kishin dokumente te rregullta qendrimi. Lajmin e konfirmoi dje per "Korrieri"-n, Komandanti i Policise Kufitare te Kapshtices Vangjel Nemce. Sipas tij, deri ne oret e paradites se djeshme, numri i te kthyerve jashte deshires ishte ne shume 205 vete. Por gjate oreve te pasdites se djeshme, numri u shtua duke arritur ne 250 vete per shkak te nje fluksi tjeter me te vogel te mberritur me autoburgjet helene. Kete e pohuan burime te tjera, te vendkalimit kufitar ne Kapshtice. Komandanti Nemce, deklaroi dje se e vlereson te qete, situaten aktuale pasi nuk ka patur incidente ne piken kufitare qe ai drejton.

Nderkohe edhe ne piken e kalimit kufitar te Kakavijes ne Gjirokaster, ka patur kthime emigrantesh. Ne oret e para te dites se djeshme u riatdhesuan pese persona. Sipas policise kufitare te Kakavijes, qe te peste ishin pa leje qendrimi ne vendin fqinje. Nderkaq, ne oret e pasdites se djeshme u riatdhesuan edhe shtate persona te tjere, qe te gjithe edhe keta, pa leje qendrimi ne vendin ku jetonin dhe punonin perkohesisht.

Emigrantet e kthyer forcerisht, besojne se riatdhesimi pikerisht keto dite pas incidenteve te pergjakshme ne te gjithe Greqine ku mbeti i vrare nje shqiptar dhe u plagosen mese 300 te tjere eshte rrjedhoje e ketyre zhvillimeve. Sipas emigranteve qe u paraqiten ne policine kufitare shqiptare ne Kapshtice, ata ishin kthyer forcerisht nga policia helene. Sipas tyre, pjesa me e madhe, jane kapur ne vendet e punes ose duke shkuar nga puna per ne familjet e tyre.

Disa prej tyre tregojne se kane me teper se dy dite te grumbulluar ne pritje te autoburgjeve ndersa kane rene pre e megallomanise se vazhdueshme te policise greke. Altin Prenda, eshte nje djale rreth 35 vjec i cili jeton ne qytetin e vogel te Rreshenit. Ai pohon se ne zonen e tij mundesia per te kryer nje jete normale eshte shume e vogel. Ndaj ai kishte vendosur te shkonte per te punuar ne Greqi, sidomos ne kuadrin e Lojerave Olimpike qe perfunduan pak dite me pare dhe qe ofruan per dy vitet e fundit, mundesi te medha punesimi per shqiptaret emigrante.

Altini pohon se ditet e fundit situata ne lokalitetet helene ishte bere e veshtire, pas ngjarjeve ku mbeti i vrare nje shqiptar dhe u plagosen rreth 300 te tjere. Tre dite me pare, ai eshte marre jashte deshire se tij nga forcat policore greke dhe eshte futur ne nje qeli paraburgimi te Nauses ku dhe eshte detyruar te kaloje rreth 48 ore deri ne mbushjen e autoburgjeve qe cojne emigrante shqiptare drejt vendkalimeve kufitare. "Me kane mbajtur dy dite vetem me nje cope buke ne policine e Nauses, thote per "Korrieri"-n, Altin Prenda nga Rresheni.

Altini vazhdon: "Jam trajtuar prej tyre ne menyre te tille duke u detyruar te qendroj ne qeli paraburgimi edhe pse nuk kisha kryer asnje krim". Edhe ne oret e vona te dites se djeshme, ka vazhduar te rritet numri i kthimeve i cili, sipas autoriteteve kufitare shqiptare te Kapshtices ka kaluar shifren e 250 veteve te kthyer jashte deshires se tyre. Midis te kthyerve ka dhe shtetas shqiptare te cilet deklarojne se jane me dokumenta te rregullta dhe se jane kthyer pa asnje motiv forcerisht ne Shqiperi. Autoritetet kufitare helene nuk i kane dhene shpjegime homologeve te tyre shqiptare ne Kapshtice ne lidhje me kete "revansh" te ri. Irena Vreto


Korrieri