Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 7
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    21-11-2002
    Postime
    167

    ËndËrr Amerikane

    Kam rënë në telashe me nënën time. Nuk më dëgjon, nuk më shikon, s’kap gjë me dorë. Hap gojën vetëm për të ngrënë e mbyll sytë atëhere kur i flihet gjumë. Dhomën ia zhvendosa në katin e poshtëm. Si ndëshkim, për të vënë mend. Kishte një dhomë të madhe, të bollshme, por nuk mund të toleroja që ajo të më bënte një gjë të tillë. E kujt ia priste mendja që një grua që s’mban mend vitet e saj, të kundërshtonte në këtë mënyrë?
    Jam djalë i vetëm dhe i rritur mes sakrificave. Nuk mund t’ia harroj nënës sime që bashkë me mua, ushqente një foshnjë tjetër me gji, në lagjen e sipërme. Këtë ma ka thënë kur kisha mbushur gjashtë vjetët, në inat e sipër, por më ka mbetur e pashlyer në kujtesë. Më tha që kishte pyetur edhe babain në atë rast. Nuk i besova, ia thashë në sy që donte më shumë një tjetër sesa mua dhe ajo më ndoqi nga pas me një bisht fshese që e valëviste mbi kokën time kërcënueshëm.
    Por nuk ka rëndësi kjo. Unë tani jam i martuar, dy fëmijët e mi i rrinë larg gjyshes së tyre, kanë frikë. Ajo i sheh me ca sy të dalë vendit, i këndon lutje në arabisht dhe i tremb me histori fantazmash. Gruan time s’e duron dot. Nuk i ka thënë asnjëherë:”nuse”, që të dyja shkojnë si macja me miun e në fillim kisha frikë mos helmonin njëra tjetrën në gjellë. Tani unë kam rënë në një telash të madh. Është një gëzim i prishur, mund të them, pasi kjo që po më ndodh mua, është e rrallë dhe fatlume. Më doli llotaria për të emigruar në Amerikë. Akoma emocionohem kur e mendoj këtë gjë. Por telashi është në vend tjetër, ju e dini: nëna ime. Asaj nuk iu drodh qerpiku, kur i thashë që do të ik.
    -Më merr me vete,-tha e u mbërthye në kolltuk duke e kyçur gojën. Në duar mbante tespijet e babait të ndjerë.Kur ika ndjeva që i erdhi disa herë rrotull dhomës e seç pëshpëriste me zë të ulët.
    Unë kisha qenë serioz kur i tregova që s’mund të merrja me vete një njeri aq të moshuar, që nuk e lejonte dokumentacioni. Por edhe sikur, do ishte e pamundur të bëja diçka të tillë, pasi nuk ma lejonte dashuria për prindërit që të vdisja nënën time në një vend të largët e ta groposja mijëra kilometra larg babait.
    -Unë nuk vdes,-kështu më tha, duke më siguruar, duke më shtrënguar plot shpresë dorën sikur të më kishte mbushur mendjen.
    Nuk i thashë gjë, u ktheva i tronditur në dhomën time, ia tregova gruas të gjitha e ajo u lebetit duke më thënë:
    -E çmendura! Do të na marrë në qafë të gjithëve!
    Unë e qetësova, si e pashë që nuk pushonte i dhashë një pëllëmbë të fortë që e bëri qengj dhe e shtriu në këmbët e krevatit pa ndjenja. I shkova prapë plakës, i thashë kështu e kështu, ke për të marrë në qafë nusen.
    -Ajo s’të ka dhënë gji, unë jam mamaja jote.
    -Ti i ke dhënë të pijë edhe një tjetri në të njëjtën kohë,-ia plasa e sytë m’u rrotulluan nëpër dhomë në kërkim të një fshese. Aq dëshirë kisha që të hakmerresha duke e ndjekur me një bisht fshese në dorë, por ajo shikonte fshesën me korrent dhe qeshte. Më pa me mirëbesim, e dinte që kisha për t’u thyer herët a vonë.
    Dola duke përplasur derën, për pak shkela një nga këlyshët,më falni fëmijët e mi, e shkova të pi. U deha duke qerasur të gjithë. Kur po kthehesha, hyra brenda dyqanit të lagjes, porosita sallam nga ai më i miri, që e hante nëna ime, e te dera e oborrit ia dhashë të gjithë qenit. Brenda në shtëpi të gjithë më prisnin të merakosur. E kishin parë që i kisha sytë për shtrembër, e s’guxonin të hapnin gojë.

    -I bëre darkë mamasë?-i fola gruas.Ajo u zhduk në çast dhe për pesë minuta i shërbeu vjehrrës si asnjëherë në ato vite. U ndjeva i kënaqur, i përcolla fëmijët për të fjetur dhe ia shkela syrin gruas të vinte lart, në dhomë. Nisa të bëj dashuri , por mendja më shkonte tek nëna ime. Si të bëja për atë dreq llotarie.!?
    -Grua, e mbyllim me kaq,-i thashë e u ngrita pa ndonjë kënaqësi të veçantë. Zbrita shkallët për të shkuar në dhomën e asaj, kur e pashë në këmbë. Kishte kaluar mesnata, prandaj sa s’më ra të fikët kur e dallova që vërtitej si lugati lart e poshtë.
    -Ç’bën këtu?-i thirra, e mamasë për pak i pushoi zemra nga frika. Më erdhi keq, shkova mbusha një gotë ujë, ia dhashë ta pinte me ngadalë dhe e mora për krahu ta ulja në kolltuk.
    -Të shpëtova jetën,-i thashë plot kuptim.-më detyrohesh ti mua, tani!
    -Unë plakë e shkreta, një copë bukë e një gotë qumësht dua. S’kam për të harxhuar. Do të të mbaj fëmijët.
    Më çmendi. Kujton se ia kam me të keq. E di sikur ligjet e qeverisë kapërcejnë murin e shtëpisë sonë kur të duan e si t’iu vijë për mbarë. E kapa për krahu, e shkunda mirë e mirë e i thashë t’i fuste në tru të gjitha.
    -Mirë tha,- por në azil unë s’hyj sikur të plas.
    -Pse, ç’të keqe ka azili?
    -Kam shtëpinë time. Jam si zonjë në këtë shtëpi! Këtu jetova, këtu do vdes!
    -Domethënë vdekjen e kujton kur të vjen për mbarë? E m’i thua mua të gjitha këto? Shtëpinë do ta shes. Si kujton ti që do kapërcej oqeanin!
    -Gjeji ku të duash paratë. Unë nuk lëviz që këtu.
    -Në azil ke edhe njerëz të tjerë. Do ta shohësh, është njëlloj sikur të rilindësh. Ke gra e burra të moshës tënde, as që mërzitesh. Ec, ngrihu aty, më ke zënë vendin sikur të jesh e sëmurë në gradën e fundit. Ti je akoma çupkë.
    -Do edhe të më prezantosh me pleq? Yt atë po lëviz brenda varrit tani që i thua këto fjalë. Nga na dole i këtillë,-e ajo ia plasi vajit.
    Unë nuk durova. Sa s’më shpëtoi fjala “e çmendur”, por u përmbajta si djalë i vetëm që isha. Atë fjalor e lija ta përdorte ndonjëherë kur s’isha, vetëm nusja ime, e më bëhej zemra mal kur e merrja vesh. E bëja gruan për dy lek e shkoja i tërhiqja veshin mamasë. Me një fjalë grurë nga të dyja anët. Vetëm që tani më ka zënë rrota bishtin. Mamaja është majë kalit e s’do që s’do të zbresë. Unë i shkreti nuk di më ç’të bëj.
    -Në rregull, po të lemë në shtëpi. Ti e di, unë paratë do t’i gjej. Je vetë zot, vetë shkop pastaj.
    -Posi! Është turp e për faqe të zezë. S’e bën dot, do thotë bota pastaj që e la mamanë në derë e ia mbathi të bëjë qejf në Amerikë. Eh, i di unë këto, mua do ma hedhësh, mua?!
    Bëri sikur të qeshë, por mua m’u errën sytë e tensioni i vogël e kapërceu të lartin si pupël. Ia hoqa gotën nga dora, e piva ujin që kish mbetur, kur më kapën sytë dhëmbët e saj brenda në të.Ia futa një ulërime e nxorra zorrët e barkut, me gjithë ç’kisha pirë atë darkë. Sherr e shamatë, pastaj, u zgjuan të gjithë, fëmijët më hoqën pas vetes plot frikë, gruaja më ngjiti zvarrë nëpër shkallë, kurse ajo, mamaja ime, thoshte që s’ishte ndonjë hata e madhe. Dhëmbë nëne ishin.


    Sot është mëngjes. Turbull më vijnë të gjitha në mendje. E thërrita djalin e madh, i dhashë një porosi në vesh dhe e dërgova të bindur.
    Pas dhjetë minutash u kthye duke qarë me të madhe. Kishte dashur të trembte nënën time, i ishte hedhur përsipër bashkë me macen që mbante në gjoks e çirrej nga dhimbja, por plaka e gatshme i kishte dhënë një shuplakë rrufe. Ai tani po më tregonte anën e majtë, ku dukeshin gishtërinjtë akoma të freskët.
    I thashë të largohej, s’funksionoi plani. Mbrëmë, kur e kisha parë të hidhej përpjetë ashtu, mendova se një kërcim tjetër për lart do ta rrëzonte pa frymë përtokë. Por ajo është si shkëmbi, nuk pyet për këto gjëra.
    Dola rrugës e u përshëndeta me njerëz të tjerë. Më duket sikur të gjithë e dinë hallin tim e më qeshin pas shpine. Nuk është e lehtë, i kam duart e lidhura e sikur plaka mos të pranojë azilin, kam për ta pasur pisk. Deri atëhere, më mbetet të shpresoj tek zoti.
    Mora rrugën për në varreza, pastrova varrin e babait e iu ankova. Ia thashë të gjitha. Qava e u lebetita, në fund i thashë të çonte njëherë mendjen nga gruaja e tij. Mbase e kishte marrë malli, kishte erdhur koha ta merrte me vete në botën tjetër. S’e di a më dëgjoi. E bëra këtë gjë, por prapë nuk isha i qetë. Gjithë jetën ata ishin grindur nga e para tek e fundit. S’ma merrte mendja që babai të ishte aq budallë e të bënte të njëjtin gabim dy herë.
    Rrugës së kthimit, pashë djalin e vogël, që s’kishte lënë vend pa më kërkuar. Sapo më pa, ulëriu me zë të lartë:
    -Babi, ba, ajo do të rrojë dyqind vjet, dyqind,-e hapte krahët sepse e kishte të pamundur të numëronte dyqind gishtat. Unë shkallova për fare. Njerëzit në rrugë qeshnin me çamarrokun tim. Nisa të qesh edhe unë, e përkëdhela dhe i thashë të ktheheshim bashkë në shtëpi, por ai më tha që kishte frikë. Gjyshja e tij do jetonte euha, dyqind vjet dhe e kishte marrë inat.
    -Ty kush ta tha këtë?-e pyeta kur po i afroheshim shtëpisë.
    -Më dërgoi mami, ta pyesja. Shkova dhe i thashë me një frymë: Gjyshe, kur do vdesësh ti?- E ajo më foli për dyqind vjet, më tha që do merrte përpara mamin dhe ata që i ngjanin asaj, pastaj foli edhe një llaf turp që s’ma mban ta them.
    Unë e nxita djalin e vogël ta përsëriste fjalën turp. Ai e tha si një vajzë e ndrojtur e unë qesha me të madhe. Qesha prapë, kur mori zemër dhe e përsëriti dy herë. Nuk e lashë për të tretën, vetëm i dhashë një shkelm bythkave dhe e urdhërova mos e dëgjoja më të përdorte ato fjalë.
    Rrugës takova një mikun tim. Shok i ngushtë, më ofroi të pi e me gjithë atë lumë helmi që kisha brenda, vendosa të shpëlahem pak. Ia tregova të gjitha fije e për pe, miku dëgjonte, tundte kokën, më jepte të drejtë.-Është hall i madh- më tha.
    -Si t’ia bëj?- e pyeta, pastaj fola gjerë e gjatë për mosmirënjohjen e prindërve tanë, që s’dinin të ndanin shapin nga sheqeri, por vetëm trulloseshin nga ora në orë e dilnin rrugëve si humbameno.
    -E ke provuar me efektin surprizë?-më këshilloi shoku.
    -E ç’efekt qënka ky?
    -Ti i del përpara, i mërzitur…
    -Ta tremb? Dy herë, edhe djali sot. S’bëhet gjë,-ngushëllova veten duke e pirë gotën me fund.
    -Jo, po të them, se kjo moshë duhet kapur nga ana e duhur e gjërave. Ti vetë, mbledh gjithë familjen dhe i thua:’’ Nënë e dashur, do të vish me ne në Amerikë! Puffff. Një me një në vend e ke. Ka për të rënë përdhe pa ndjenja e do t’i lerë shëndenë kësaj bote njëherë e përgjithmonë.
    Miku më shkeli syrin gjithë kompetencë.
    -Vërtet të ndodhë kjo?!-thashë i mahnitur, bëra porosinë tjetër për të pirë, pastaj i rrashë kokës me pëllëmbë:
    -Po ia thashë në sytë e të gjithëve…gruaja ime, ajo do ikë e para!
    -Në rregull, merre mënjanë e thuaja më vete…Por e kupton, papritur e papandehur, më dëgjon?
    Unë i putha duart mikut tim, për të keqen e trurit që më kishte. E përse janë miqtë e vërtetë, apo jo? . E mendova edhe njëherë planin ndërsa po largohesha, pastaj nisi të më vijë keq.
    Do ndahesha nga njeriu që i kishte dhënë të pinin dy njerëzve. Mua dhe një tjetri. Por ajo mbetej e imja.
    -Nënë të dytë nuk ka,-po thoja, ndërsa hyra brenda, i tronditur sikur kisha për të bërë një krim.
    I gjeta të gjithë në dhomën e asaj. Kishte ndodhur një fatkeqësi. Mamaja nuk ndihej mirë, e mbi kokën e saj ishin djemtë e mi, gruaja, që e shihnin pa bërë asgjë. Dhashë alarmin e nisa të shkul sy e faqe. E mira nëna ime, s’fliste dot. Unë s’u përmbajta dhe thashë pa e kuptuar as vetë fjalët magjike që m’i kish këshilluar miku im.
    -Nënë,-i thashë, do të të marrim me vete, në Amerikë.
    Thashë se mbaroi. Lëvizi derisa nxorri shkumë nga goja, i hapi dhe i mbylli sytë dhjetë herë. Ne s’dinim të qanim ose të lëviznim. Kjo zgjati me orë të tëra, ngjyra e saj ishte më e keqe se çehrja e babait tim kur vdiq. Kishte patur të drejtë miku, mendova, dhe e ndjeva veten fajtor. Kisha bërë një krim të rrallë. Ajo mund të vdiste edhe vetë. Kishte për ta bërë këtë. Babai kishte dëgjuar lutjen time dhe më kishte dalë krah. Kurse unë, hajvani, i kisha dhënë mandatin e fundit.
    Nuk e duroja më ta shihja në atë gjendje. Thashë të ik, e u ngjita lart. I urdhërova të tjerët ta linin të qetë e ata m’u bindën. Diku rreth pasdites, hapat e plakës si e ngjallur nga varri, erdhën e trokitën në derë.
    -Më dhe jetë të dytë, biro. Kur ta bëj gati valixhen?-e hapi krahët të më përqafonte…


    1 shtator 2004
    Ndryshuar për herë të fundit nga eris : 02-09-2004 më 15:59
    ERIS RUSI

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    eris..

    Do behesh shkrimtar i njohur keshtu si e ke nisur..

    Te lumte..

    Suksese..!

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    21-11-2002
    Postime
    167
    Ne vesh te perendise fjala jote Brari, ne vesh te perendise!
    ERIS RUSI

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Tani presim nga ty ndonji Novele..

    Merre shtruar.. nuk e ke detyre shpije..

    Kur te te vije frymezimi ec para..

    eris.. meqe je shkrimtar tani.. te takon dhe te te bejme ndonji intervist..

    -a mendon..se nje poezi e shkurter ndryshon nga nje tregim sikurse.. ndryshon puna qe duhet per te hedhur ca tulla e drrasa nga kati trete i pallatit qe ndertohet drejt e posht ne toke me punen qe duhet per ti ngritur tullat e drrasat nga toka e ti cosh ne kat te trete?

    -kur i shkruan tregimet..ne ckohe te dites a nates?

    -cilet jane njerzit qe ti simpatizon ne Shoqeri?

    -a te jep ndonje femer frymezim ne krijimtarine tende?

    - c'thone miqt e tu per tregimet qe ke shkruar..?

    Po ti bej keto pyetje qe te te njohim me mire si tip..

    cdo te mire e suksese..

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e che_guevara86
    Anëtarësuar
    21-02-2006
    Vendndodhja
    verdalle anej ktej
    Postime
    641
    Ti eris nese e ke histori te vertete duhet te jesh te 40 - 50 vjec dhe ke nje menyre tregimi shume profesionale .Bravo
    Nuk futesh ne detaje dhe arrin ti rrefesh shume bukura gjerat .
    Kjo eshte histori e vertete??
    Bëji nder qenit, që ai të kafshojë këmbën

  6. #6
    Përshëndetje :-).


    Shkrim shumë i bukur.

    Pothuajse të gjitha familjet shqiptare janë në të njëjtën dilemë ndërmjet detyrimit familjar tejgjeneratësh dhe individualitetit personal. Ca nga tradita e trashëguar dhe ca nga kushtet qeveritare, ne mbajmë mbi supe familje të dyfishtë.

    Familja që ke krijuar vetë dhe familja që të ka sjellë në jetë janë në konflikt "territorial" ekonomik dhe afektiv. Por, deri ku mund të shkojë ky konflikt? Deri ku kemi detyrime "trashëgimie"? Cilat janë caqet e sakrificës midis familjes çiftore dhe familjes tradicionale? Cilat janë caqet e detyrimeve ndaj seicilës? Cilat janë të drejtat dhe detyrimet e dy familjeve ndaj njëra tjetrës? Kur dhe kush familje lëshon "pushtetin" që të ekzistojë tjetra? Çfarë kushtesh krijon politika familjare qeveritare për brezin e tretë, në mënyrë që të ruhet familja çiftore? Sa i pranon brezi i tretë mundësite aktuale të shoqërimit të tyre? Deri ku është është durimi i familjes çiftore? A duhet dhe brezi i tretë duhet të vetëvihet në pikëpyetje mbi mënyrën e organizimit të jetësës? Midis "Edipit" dhe "individualitet" si dhe kur pritet kordoni? Cili është "çmimi" i gjithë këtij konflikti?

    Jo e lehtë zgjidhja, por gjithsesi, deri ku mund të sakrifikohet?!

    Kurajo të gjithëve që gjëndemi në një situatë të tillë.

    Elna.

    p.s. Mendimi im është që titulli më i përshtatshëm do ishte "Problematikë shqiptare."
    Ndryshuar për herë të fundit nga Elna Durrësi : 10-05-2009 më 10:21

  7. #7
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    16-04-2008
    Postime
    529
    sa bukur eris! dicka e dhimbshme, me pak humor, shkruar bukur. me perpiu te teren sepse mund ta perfytyroja leht nje situat te tille (per arsye qe ka permendur Elna me siper).

    bravo!

Tema të Ngjashme

  1. Ëndërrat dhe interpretimi i tyre
    Nga Drini_i_Zi në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 26
    Postimi i Fundit: 13-09-2017, 03:53
  2. A është kërcënim Amerika për paqen botërore?
    Nga ORIONI në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 212
    Postimi i Fundit: 09-05-2011, 09:49
  3. Agim Vuniqi: Faktet e Millosheviçit i injorova para syve te tij
    Nga AVuniqi në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 17-01-2007, 10:58
  4. Presidenti Bush fiton zgjedhjet ne SHBA
    Nga Albo në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 89
    Postimi i Fundit: 25-11-2004, 11:26
  5. Politika e SHBA-se karshi Shqiperise
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 26-10-2002, 22:14

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •