Nëse të ndodh një aksident, gjakun duhet ta blesh me para, pasi spitalet e kanë shumë të vështirë ta sigurojnë. Në Shqipëri prej kohësh mjekët kanë lëshuar alarmin për mungesë të gjakut nëpër spitale dhe sidomos për fëmijët talasemikë.
Kjo, pasi dhurimet vullnetare janë shumë të pakta nga ana e qytetarëve.


Drejtoresha e Qendrës së Transfuzionit të Gjakut Irena Qendro, thotë se mblidhet 10 herë më pak gjak nga ç’duhet për të plotësuar nevojat e pacientëve. Që të plotësohen nevojat për gjak duhet të bëhen 40 dhurime për një mijë banorë, ndërkohë që aktualisht bëhen katër dhurime për një mijë banorë.
Drejtoresha Qendro thotë se pjesa më e madhe e gjakut sigurohet nga persona të paguar, të cilët përbëjnë 65 për qind të sasisë së gjakut të siguruar.
"65 % e gjakut sigurohet nga njerëz të paguar, 30 % janë dhurime familjare dhe vetëm 5 % janë dhurime vullnetare."


Disa herë në Shqipëri janë organizuar fushata dhurimi të gjakut, por dhurimet kanë qenë sërisht shumë të pakta. Një nga mjeket e qendrës së gjakut thotë se është shumë e vështirë të bindësh qytetarët që të dhurojnë gjak
"Po përpiqemi në maksimum deri sa t'i nxjerrim, që nuk është gjë e vështirë të dhurosh një qese gjak".


Vështirësia më e madhe për bankat e gjakut është sigurimi i gjakut me rrezus negativ, ndaj pacientët që kanë nevojë për këtë grup gjaku detyrohen të paguajnë 100 dollarë për 300 gram gjak. Dhe në gjithë këtë mungesë të gjakut, ata që vuajnë më shumë janë fëmijët talasemikë, të cilët gjakun e kanë burimin e tyre të jetës. Një prind me dy fëmijë talasemikë tregon se shpesh i është dashur të ikë nga spitali pa u trajtuar të dy fëmijët e tij me gjak.
"Në familjen time kam dy fëmijë me anemi gjaku dhe kemi ikur mbi 2-3 herë pa gjak."


Në Shqipëri janë rreth 500 fëmijë talasemikë që duhet të marrin çdo muaj gjak për të jetuar. Ende me gjithë fushatat sensibilizuese gjaku sigurohet nga persona, të cilët paguhen për gjakun që japin. E keqja e dhuruesve me pagesë sipas mjekëve është se ata transmetojnë sëmundje pasi në testet paraprake ata nuk tregohen të sinqertë për gjendjen e tyre shëndetësore apo sjelljet, vetëm e vetëm që të përfitojnë 30 dollarë për 300 gram gjak. Deri më tani janë 12 mijë dhurues me pagesë, kryesisht të papunë dhe pa të ardhura të tjera financiare, por që jetojnë vetëm me paratë që fitojnë nga shitja e gjakut.


Gjatë këtij viti në bankën e gjakut të qytetit të Durrësit ndodhi që personi që kishte shitur gjakun pesë herë brenda vittit ishte i infektuar me virusin HIV . Virusi ishte në periudhën e inkubacionit dhe nuk u zbulua paraprakisht, nga analizat. Kjo sasi gjaku iu injektua dy personave me kancer, që tashmë kanë vdekur. Kjo është arsyeja që mjekët janë kundra dhurimit të gjakut me pagesë dhe apelojnë për dhurime vullnetare, ku dhuruesit nuk kanë interes financiar për të fshehur sëmundjet.


Me Respekt