Sipas gazetës "Uashington Post"

Truri i sulmeve të 11 shtatorit ka luftuar në Bosnjë e Hercegovinë

Mohamedi tani është në burg, vendi i të cilit është sekret, pasi që në mars të vitit 2003 amerikanët e arrestuan në Pakistan

Uashington, 28.07.2004 (Makfaks) - Halid Shejh Mohamed "truri" i sulmeve të 11 shtatorit në SHBA ka luftuar bashkë me muxhahedinët në Bosnjë e Hercegovinë, shkruan "Uashington Posti" në artikullin ku thuhet se kanë qenë të planfikuara sulme edhe më të ashpra.

"Në vitin 1992 ai arriti në BeH nga Afganistani, ku ka marrë pjesë në luftën kundër rusëve. Në BeH ka luftuar bashkë me muxhahedinët nga ana e muslimanëve boshnjakë. Pas luftës në BeH është shpërngulur bashkë me familjen në Katar, ku ka punuar si inxhinier në Ministrinë dikasteriale shtetërore", shkruan "Uashington post".

Plani i parë që i është prezantuar Osama bin Ladenit nga Muhamedi në vitin 1998 ose 1999 ka paraparë së paku 10 rrëmbime të aeroplanëve në të dyja brigjet e SHBA-ve, ndërsa 9 prej tyre duhej të shpërthejnë.

Në aeroplanin e dhjetë duhej të jetë vetëm Mohamedi. Ai ka planifikuar që t`i vrasë të gjithë në aeroplanin dhe më pas t`i ftojë mediumet dhe para tyre ta dënojë qeverinë e SHBA-ve për shkak të përkrahjes së Izraelit dhe disa shteteve arabe.

Mohamedi tani është në burg, vendi i të cilit është sekret, pasi që në mars të vitit 2003 amerikanët e arrestuan në Pakistan.

Disa pjesë të raportit të shpallur javën e kaluar mbështeten edhe në prononcimet e Mohamedit lidhur me atë se si saktësisht janë kryer sulmet.