"http://www.megaforum-3.de/cgi-bin/mf_beitrag03.cgi?f=11793&h=11793&b=476964&s=1&w=0"
Ardhmëria e trojeve shqiptare [* xheki, 06.01.02 - 16:57]

********* Shqiptarët në Malin e Zi ************
Mr. Qemajl Morina

Shqiptarët në Malin e Zi janë pjesë e pandarë e popullit shqiptar, ndërsa trojet shqiptare janë vazhdmësi e trojee etnike shqiptare, të cilat kundër vullnetit të shqiptarëve nga Fuqitë e Mëdha evropiane të asaj kohe iu dhanë vendeve fqinje pra edhe Malit të Zi. Shqiptarët bënë çdo gjë që ishte e mundur për t’u dalë zot trojeve të tyre, mirëpo, diplomacia evropiane e asaj kohe ishte e pamëshirshme ndaj tyre. Kështu viti 1878 me të drejtë mund të konsiderohet si vitit më i kobshëm në historinë e kombit shqiptar. Në qershor të atij viti në Berlin ishin tubuar burrat e shteteve më të mëdha të asaj kohe dhe në tavolinën e gjelbër po caktonin kufinjtë e ri të Evropës. Në qendër të vëmendjes ishin territoret, që për më shumë se pesë shekuj kishin qenë nën qeverisjen e Perandorisë Osmane ndër to edhe trojet shqiptare. Kështu në atë kongres Malit të Zi iu dhanë qytetet bregdetare shqiptare - Ulqini dhe Tivari, dhe qytetet Plavë, Guci, Hot e Grudë. Shqiptarët në fillim nuk mund të besonin se burrështetasit e Evropës mund të merrnin një vendim aq të padrejtë ndaj popullit shqiptar.

Të gjitha ato territore ishin historikisht shqiptare dhe ishin të banuara me popullatë të qind për qind shqiptare. Faji i vetëm i tyre ishte se ata, ndryshe nga popujt e tjerë të Evropës, në pjesën dërrmuese të tyre ishin me përkatësi fetare islame, skishin të njëjtën përkatësi fetare si armiku i tyre i përbetuar - Perandoria Osmane, e cila tash ishte bërë pre e interesave të tyre dhe shteteve të reja që po lindnin në Ballkan pas shkatërrimit të Perandorisë Osmane. Të kota ishin protestat e shqiptarëve drejtuar kancelarive të Evropës dhe diplomacisë së saj, sepse ato po bënin një mëkat dhe po i hynin në hak popullit më të lashtë të Evropës. Të kota ishin edhe kryengritjet dhe rezistenca e popullit shqiptar për të treguar vendosmërinë e tij në mbrojtjen e trojeve të tyre stërgjyshore. Evropa herë kërcënohej vetë se do ta përdorte forcën e vet apo ndonjëherë bënte trysni mbi Stambollin për ta shuar rezistencën e shqiptarëve. Megjithatë, shqitparët treguan edhe një herë se ata nuk u binden vendimeve të tilla arbitrare e të padrejta dhe i dhanë Evropës të kuptonte se nuk do të ketë qetësi dhe paqe në Ballkan pa realiziin e aspiratave të popullit shqiptar.

Konvertimi me dhunë i shqiptarëve në fenë ortodokse

Pas nënshtrimit të trojeve shqiptare nën pushtetin e Malit të Zi nga ana e princ Nikollës, filluan vrasjet, masakrat dhe dëbimet me dhunë të popullit shqiptar nga trojet etnike. Kështu sot në Shqipëri kemi një numër shumë të madh të shqiptarëve, të cilët mbajnë llagapet sipas toponimeve nga vendet prej nga janë dëbuar të Malit të Zi. Por, metoda më e rëndomtë ishte konvertimi me dhunë i popullatës shqiptare me përkatësi fetare islame apo katolike në fenë ortodokse. Kjo metodë e konvertimit ishte e përkrahur nga të gjithë mekanizmat shtetërorë, ndërsa bartëse e saj ishte Kisha ortodokse dhe priftërinjtë e saj. Për këtë ekzistojnë dokumente të shumta në të gjitha arkivat shtetërorë si dhe të Kishës ortodokse, qoftë në Podgoricë, Cetinje, Beograd si dhe në qytete të tjera. Një pjesë e tyre është publikuar, ndërsa pjesa tjetër ende ka mbetur e ruajtur në sirtaret e arkivave në fjalë. Se dashuria e konvertimit dhe asimilimit të shqiptarëve ka qenë me përmasa të gjera, për këtë flasin edhe mbiemrat e shumë malazezve, të cilat nëse ua heqim prapashtesat sllave, janë thjeshtë shqiptare.

Shpërngulja e shqiptarëve

Një numër i vogël i popullit shqiptar, i cili me të gjitha vështirësitë dhe peripecitë kishte mundur të mbijetonte, nuk kishte parë ndonjë perspektivë ne Mal të Zi. Shkollimi bëhej në gjuhën serbe, edhe atje ku shqiptarët ishin shumicë dërrmuese. Vendbanimet ku jetonin shqiptarët, ishin pjesët më të pazhvilluara në Malin e Zi. Kështu një pjesë e madhe e tyre nuk shihnin ndonjë perspektivë të vazhdonin të jetonin aty. Një numër i madh që ishin shkolluar në gjuhën amtare në Kosovë, mbetën për të jetuar përgjithmonë këtu, duke krijuar marrëdhënie pune dhe lidhje martesore. Ndërsa një numër i madh, për të pasur një prosperitet më të mirë ekonomik, u shpërngulën matanë Oqeanit Atlantik, prandaj lirisht mund të thuhet sot se shqiptarët e Malit të Zi përbëjnë bërthamat e para të shqiptarëve të shpërngulur në SHBA dhe, në krahasim me numrin e tyre, mund të thuhet se ata përbëjnë komunitetin më të madhe dhe më të gjerë në SHBA.

Perspektiva e shqitparëve në Malin e Zi sot

Pas ndryshimeve të mëdha që u bënë në fillim të viteve nëntëdhjetë në demokratizimin e shoqërisë në përgjithësi, zëri i shqiptarëve në Malin e Zi filloi të dëgjohet më shumë. Ata formuan partitë e tyre politike dhe intelegjencia shqiptare filloi të kërkojë më shumë të drejta për popullatën shqiptare. Filluan të formohen klube kulturore dhe të dalin revista kulturore të një niveli të lartë. Ishin orgnaizuar edhe disa konferenca shkencore dhe simpoziume rreth disa figurave të njohura të asaj treve. Së fundi ishte simpoziumi “Ulqini nëpër shekuj”. Ndërsa në verën e kaluar u organizua Panairi i parë i librit shqip në Ulqin. Kështu pra këto janë disa shenja të mira se shqiptarët në Malin e Zi në të gjitha aspektet po ecin përpara.

Në aspektin politik zëri i tyre dita më ditë po dëgjohet më shumë. Në përplasjen e dy rrymave politike, vota e shqiptarëve dhe e muslimanëve në Malin e Zi dhe mu për këtë arsye ata u kërcënuan haptazi nga rryma radikale “së bashku me Jugosllavinë”.

Shpresojmë se edhe në të ardhmen liderët e partive politike do të dinë t’i shfrytëzojnë rrethanat e reja të krijuara në këtë pjesë të Evropës, sidomos konfliktin ndërmjet partive malaziase për afirmimin e çështjes së shqiptarëve në Malin e Zi si në aspektin kombëtar, ashtu edhe në atë fetarë në të mirë të çështjes së përjgithshme shqiptare në Ballkan. Për ndërtimin e lidhjeve të reja në hapësirën gjithëshqiptare, të cilat do të jenë një parapërgatitje e afërt e bashkimit kombëtar.