------

Studimi i fundit që shpjegon psikologjinë e pushimeve. Të shkosh me pushime është si të rilindësh, sipas psikologëve. Rituali i nisjes me pushime zbërthen nënvetëdijen tonë, lidhjen me daljen nga ujërat (rikthimi në ujërat e detit ose nënës) dhe frymëmarrjen e parë të lumturisë (kur mbërrin në këtë jetë ose në vendin e pushimeve)

Nënvetëdija e pushimeve


Belina Budini

Tungjatjeta liri! Pushimet janë rasti për t’u rikthyer tek vetja. E thotë autori i studimit më të fundit në lidhje me pushimet: “Gjithçka është psikologji në lidhje me pushimet?”, Didier Lauru. Sipas studiuesit francez, ne përfitojmë nga pushimet për të hequr lëkurën dhe për të rizbuluar në secilin prej veprimeve tona fëmijën që fle brenda nesh. Provë kjo e inkoshiencës sonë që është përherë aty dhe nuk merr kurrë pushime. Gjithë vitin me kostum e kollare ose veshje formale, të tjetërsuar nga aktivitetet e ndryshme deri në pikën sa arrin të harrosh veten... Fatmirësisht kemi pushimet si mënyrë për t’u pajtuar me veten tonë të struktur thellë brenda nesh. Dhe kjo është arsyeja për të cilën e njohim më mirë veten gjatë kohës së lirë sesa gjatë pjesës aktive të vitit! Para detit, mes dy arrash kokosi e tre palmash, imagjinata shthuret dhe ne bëjmë lidhjen me atë “pjesën fëminore” që fshehim me kujdes gjatë gjithë vitit. Përtacia ose ëmbëlsia e të mosbërit asgjë, shëtitjet me gamilje ose varkë, shijimi i panoramës së natyrës, të gjithë këto mbase ju duken veprime të kota, budallallëqe pushimesh... Por ato thonë shumë për Unin dhe për dëshirën tonë regresive të kthimit në fëmijëri. Ja disa fragmente psikanalitike mbi klishetë e pushimeve, shkruar nga Didier Lauru në broshurën “Gjithçka është psikologji kur je me pushime?”

Rituali i nisjes...

Në ankth, i acaruar në kulm. Përgatitja e valixheve, kontrolli i biletave, pasaportave, verifikimi njëqind herë nëse e ke mbyllur mirë derën, ujitja e luleve, kontrolli i gazit të sobës, mbyllja e rubinetave të ujit... A nuk janë këto rituale që lidhen me frikën nga e panjohura? Si kur ishim të vegjël dhe kur ishim të sigurtë se pas perdeve nuk tundej qilimi i porsalarë por përbindëshi... I njëjti komportim shfaqet edhe përpara ikjes me pushime kur verifikojmë thuajse në gjendje kompulsive detajet më të vogla. Kuptohet edhe përse valixhet janë deri në fyt me xhingla të ndryshme (ca shapka të vjetra, kostume të dikurshme plazhi që as nuk ke për t’i veshur...), objekte këto që bëjnë lidhjen mes botës së vogël fëminore dhe botës së gjerë. Hipokondriakët dhe fobikët, ata i mbushin në mënyrë nevrastenike çantat me mjete të ndihmës së shpejtë që nga paracetamolët deri tek antibiotikët, locionet e ndryshme etj... Si për të marrë masat paraprakisht kundër ankthit të muajit të tetë, kur mamaja na linte për herë të parë në çerdhe ose tek tetoja duke rekomanduar përdorimin e çantës së ndihmës së shpejtë. “Gjithçka varet nga mënyra se si nëna është ndarë në këtë moment nga vogëlushi i vet – pushuesi i ardhshëm. Sa më mirë të ketë shkuar kjo, pa ankth, aq më i qetë do të jetë pushuesi. Ndërsa po të shikosh në plazh ato nëna që nuk shqiten dot nga vogëlushët e tyre, për ata fëmijë ndoshta do të jetë më vështirë të largohen nga shtëpia”, - analizon Didier Lauru në studimin e vet.

Pushime dhe rilindje
Sapo arrin, merr frymë lirisht... Çfarë lumturie! Sipas psikologëve, pushimet, qysh ditën e parë, na zhysin në rilindje. Ashtu si fëmija i porsalindur. Një foshnjë e porsalindur kalon nga gjendja ujore në atë ajrore, ndërsa kur je me pushime praktikohet itinerari i kundërt: nga ajri tek elementi i lëngët. Rikthim tek deti (nëna). Një rilindje e vërtetë. “Gjithçka na kthen tek fëmijëria. Përkëdhelja e rrezeve të diellit mbi lëkurë që na kujton mamanë, zhytja në ujë dhe të gjitha kënaqësitë bazë të të porsalindurve”. Dhe përse dreqin rrëmojmë ne me aq lakmi në tregun e vogël provincial të zonës që mban aromë erëzash, kanelle dhe parfumërash? “Jo aq për të blerë fruta e perime sesa për t’u zhytur në botën e parfumeve të njohura. Kërkimi ynë synon rikthimin tek aroma e nënës që është pika jonë e parë e referimit qysh nga “dalja jonë nga ujërat” në momentin kur lëshojmë klithmën e parë”, - përmbledh psikologu në studimin e vet interesant.

Shefi i vendit të pushimeve është babai!
Kulmi i fëmijërisë? Klubi Youpi, një regresland i vërtetë dhe të gjithë këto klube nuk janë gjë tjetër veçse rikthim në vegjëli. Regresioni i këtyre grupeve është i organizuar në mënyrë sistematike dhe precize. Kur je pjesëtar i klubeve të tilla pritesh me thirrje dhe duartrokitje si një fëmijë që hyn në shkollë, të shoqërojnë në dhomën tënde ku të presin çarçafë me erë të mirë, ku të këndojnë këngën e mirëseardhjes. Dhe një grua e ngjashme me mamanë ju këndon në buzë të pishinës ca fjalë pa kuptim, por që duken si ninulla. Ndërsa animuesit quhen “Organizues xhentilë”, por jo më kot ndodh kështu. “Kjo nënkupton se ato na japin dashuri të pakushtëzuar si gjyshërit tanë (prindër xhentilë). Ndërsa shefi i fshatit turistik vesh herë lëkurën e babait, herë atë të nënës. Ka edhe orare, kufizime pra ndalime që duhet respektuar dhe kjo dëshmon autoritetin prindëror. (Për shembull formalisht është e ndaluar të marrësh ushqime në dhomë. Po çfarë rëndësie ka nëse për të fituar këtë dashuri pindërore ke firmosur një çek të majmë para se të nisesh për t’u bërë pjesë e këtij klubi pushimesh. Ky është një detaj që kur je me pushime përpiqesh ta harrosh. As fëmijët nuk e çajnë kokën për paratë. Rezultati është i njëjtë: ke përshtypjen se njëlloj sikur ishe fëmijë je i ftuar në tavolinën e prindërve, pa t’u dashur të shkosh asnjëherë tek arka për të paguar... Një rast më shumë për t’u kthyer pas në fëmijëri sipas psikologut.



10/07/2004

-----nga shekulli---