Sinan Patoku, 16-vjeç, ka vdekur në spital nga plumbi që mori në kokë, nga qitja e pavullnetshme e të vëllait

Luan me pistoletën e të atit, vret aksidentalisht vëllanë


Lindita Çela

TIRANË- Ka nisur si një lojë me pistoletë ndërmjet vëllezërve, por ka përfunduar tragjikisht, me vdekjen e njërit prej tyre. Elio dhe Sinani, dy fëmijët punonjësit të Shërbimit Informativ Kombëtar, Petrit Patoku, pasditen e djeshme kanë nisur një lojë “luftash”, duke përdorur armën që babai i tyre kishte harruar në shtëpinë e tyre, që ndodhet në lagjen “Ali Demi” të Tiranës. Duke menduar se arma nuk kishte fishekë, djemtë nuk kanë hezituar ta përdorin atë. Ka zgjatur vetëm pak minuta loja ndërmjet vëllezërve, pasi arma në duart e Elios ka qëlluar mbi njërin prej tyre, 16-vjeçarin Sinan Patoku. Ruzhdiu, një nga fqinjët e viktimës tregon se gjithçka ka ndodhur aksidentalisht, pasi plumbi ndodhej në gojën e pistoletës. Elio, para se të shoqërohej në polici ka treguar se arma ka qënë pa karrikator, por vëllezërit kanë harruar të shohin se në folenë e pistoletës kishte mbetur një plumb, që shkaktoi qitjen e pavullnetshme. Plumbi ka përshkuar Sinanin tejpërtej, duke shkaktuar pak kohë më vonë vdekjen e tij në mjediset e spitalit ushtarak të Tiranës.
Rrëfimi
Rreth orës 16.00 të pasdites së djeshme, dy orë pas plagosjes në kokë, në spitalin ushtarak mbyll sytë përgjithnjë 16- vjeçari Sinan Patoku. Fqinji i tij, Ruzhdiu tregon se kanë qënë fqinjët e tjerë që e kanë dërguar trupin thuajse pa jetë të adoleshentit në spital, pasi prindërit e tij nuk gjendeshin në shtëpi. “Petriti dhe Mimoza ishin në punë kur ndodhi ngjarja. Fëmijët ishin vetëm në shtëpi. I kemi dërguar me mjetet tona në spital, por ja që nuk mundëm t’i shpëtonim jetën. Ishte goxha djalë”- thotë me dhimbje ai. Gjatë kohës që Ruzhdiu tregon ngjarjen e tmerrshme, gratë e pallatit mundohen që në kuzhinën e apartamentit të katit të pestë të lajnë njollat e gjakut. Dyert janë të hapura e shtëpia përgatitet për mort. Rreth orës 19.00, trupi pa jetë i Sinanit ndodhej ende në spital. Ndërsa prindërit e adoleshentit të vrarë aksidentalisht nga i vëllai, Petrit dhe Mimoza Patoku mbërrijnë në shtëpi. Gruaja rreth të 40-tave është thuajse pa ndjenja, ndërsa Petriti i veshuar me rroba ushtarake mundohet disi të tregohet i fortë.
Vrasja aksidentale
Fqinji i familjes Patoku tregon se dje ishte dita e parë e punës për Petritin. Ai prej dy javësh ishte me leje dhe dje ka rifilluar punë. Sipas burimeve policore mësohet se ai ka nxjerrë armën nga vendi ku e mbante, për ta marrë me vete, por e harron mbi divan.Pas largimit të prindërve, Elio dhe Sinani e marrin armën dhe fillojnë të luajnë me të. Plumbi në folenë e pistoletës ka shkaktuar plagosjen në kokë, e më pas vdekjen e Sinan Patokut. Pas kësaj tragjedie, prindërit e tij nuk mund të ngushëllohen nga asnjë fjalë. Kur janë kthyer nga puna, ata kanë parë thuajse pa jetë trupin e djalit të tyre, në renimacionin e spitalit ushtarak, e më pas sytë e tij të mbyllur për gjithmonë. Ruzhdiu tregon se janë munduar t’i japin ndihmën e shpejtë adoleshentit, por pa mundur t’i shpëtojnë jetën. Sipas tij, djali ka humbur shumë gjak në shtëpi edhe gjatë rrugës, pasi zbritja e trupit nga kati i pestë ka qënë e vështirë. “Isha unë me dy fëmijët që e morën në krahë, për ta dërguar në spital. Vërtet ishte 16 vjeç, por ishte goxha djalë. Po ta kishim dërguar më shpejt në spital, edhe mund të shpëtonte”,-thotë Ruzhdiu, i cili ka hapur derën e shtëpisë për gjëmën që i ka rënë fqinjit të tij, Petrit Patokut.