Close
Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12
Duke shfaqur rezultatin 21 deri 24 prej 24
  1. #21
    i/e regjistruar Maska e Hotlani
    Anëtarësuar
    22-11-2012
    Postime
    273

    Për: Liri Belishova dëshmon për historinë

    Gabimi është bërë që në kohë,kur Enveri është vendosur në pozitë inferiore ndaj Jugosllavisë.
    Kultura,sjellja edukata,arsimi e bëjnë njeriun të vlefshëm!!!!

  2. #22
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Liri Belishova dëshmon për historinë

    Liri Belishova: Nexhmija, e pamëshirshme me Fiqirete Shehun

    Emri:  liri_belishova_nexhmie_hoxha.jpg

Shikime: 598

Madhësia:  18.2 KB

    Në aktivitetet për 70-vjetorin e Çlirimit, disa herë portretet e Enver Hoxhës u lartësuan, së bashku me dëshmorët të Luftës Antifashiste për çlirimin e Shqipërisë. Ishudhëheqësi komunist që nga bota njihet si “diktatori”, në Tiranë dhe disa qytete në Shqipëri u brohorit dhe u quajt “heroi”. Po si ndihen ata që u janë vrarë familjarët në komunizëm, janë dënuar politikisht apo janë internuar në mizerje, teksa shohin portretin e Enver Hoxhës të ngrihet lart? Njëra prej tyre që mund të tregojë këtë ndjesi është Liri Belishova, 89-vjeçarja që qesh me pahir nga revolta që e ka kapur prej këtyre tubimeve “me Enver”. “Më duket diçka shumë absurde, e papranueshme, e hidhëruar them me vete: Si është e mundur?! Në një vend që pati kaq viktima, që vuajti kaq shumë…”, thotë 89-vjeçarja, e cila adoleshente në luftë humbi syrin, ndërsa pas lufte humbi titujt që mori, humbi vajzën Drita, por edhe dy bashkëshortë Nako Spiron e Maqo Çomon. Humbi 31 vite jetë në internim dhe plot miq të saj. E arsimuar edhe në Bashkimin Sovjetik, nga njëra prej eksponentëve kryesore të LANÇ-it, anëtare e Byrosë Politike dhe e Komitetit Qendror të PPSH-së, ajo u përjashtua në vitin 1960 si “armike e partisë”, duke e internuar fillimisht në Gjirokastër dhe më pas në Cërrik e Mallakastër, deri në vitin 1991. Për të gjitha këto, Liri Belishova flet ekskluzivisht për gazetën “Panorama”, në disa numra radhazi. Janë dashur disa javë për të marrë këtë dëshmi të gjatë të ish-partizanes së LANÇ-it, për shkak të gjendjes së saj të rëndë shëndetësore. Duke i uruar të bëhet më mirë, vijojmë rrëfimin…
    ELISABETA ILNICA

    Pse fitorja aq e madhe e LANÇ, degjeneroi më pas në diktaturë?

    Nëse bëhet pyetja përse fitorja e kësaj lufte me kaq sakrifica të mëdha që bëri populli, krahina të tëra të djegura, pushkatime të fshatarëve, të partizanëve të vrarë etj. dha si rezultat një fitore të hidhur, apo diktaturën siç thoni ju me të drejtë, përgjigjja është vetëm një: 8 nëntori, Partia Komuniste që e udhëhoqi këtë luftë, që e organizoi këtë luftë, që e bën edhe sot e kësaj dite të diskutohet kjo luftë dhe që ato djem dhe vajza të reja që morën malet të quhen kriminelë. Ndërsa ka ca që më dalin me fotografinë e Enver Hoxhës. Po atyre Enver Hoxha ua bëri gjëmën… Ku ka komandant batalioni, brigade, korparmate, divizioni, çetash që nuk u vranë, nuk u burgosën apo nuk u internuan nga Enver Hoxha. Ku?
    Meqë dolëm këtu te portreti, si ndiheni kur në aktivitetet e ndryshme për çlirimin e Tiranës apo të Shqipërisë ngrihet portreti i Enver Hoxhës?
    Të them të drejtën, mbase të duket e çuditshme, por e para gjë që bëj kur shoh portretin e Enver Hoxhës, është që qesh. Më duket diçka shumë absurde, e papranueshme, por ndiej edhe revoltë, hidhërim dhe them me vete: “Si është e mundur?! Në një vend që pati kaq viktima, që vuajti kaq shumë…”. Ta marrësh edhe nga logjika komuniste: Mirë, hajde de, derisa sa ishte Stalini i “pashkurorëzuar”, ky njeri duke qenë komunist veproi sipas stalinizmit. Megjithëse komunistë ishin edhe çekët, ishin edhe polakët, ishin edhe shumë vende të tjera, por nuk janë bërë këto krime kaq të tmerrshme. Por pastaj Stalini u dënua, krimet e Stalinit u bënë publike në të gjithë botën, se raporti sekret i Hrushovit i ra në dorë amerikanëve dhe ata e botuan. Enver Hoxha jo vetëm nuk e dënoi Stalinin si të tjerët, por rrëmbeu flamurin për të mbrojtur stalinizmin dhe e tejkaloi stalinizmin. Absurditeti i tij arriti kulmin, kur ai mendonte se po bëhej udhëheqësi i revolucionit proletar botëror, do të themelonte Internacionalen e katërt. Të parën e themeloi Marksi, të dytën Engelsi me Socialdemokracinë gjermane, të tretën Lenini, ndërsa të katërtën do ta themelonte Enver Hoxha. Marrira! Në vend që të merrej me popullin që jetonte në mizerje, ai e armiqësoi Shqipërinë me gjithë botën.

    Deri në 1960, para se të burgoseshit e të nisnin një nga një dramat e tragjeditë tuaja familjare, ju keni qenë anëtare e Byrosë Politike, sekretare e Komitetit. Pas çlirimit e deri në këtë vit (pra 1960) kanë ndodhur disa pushkatime nga PKSH-ja, p.sh. Bahri Omari, Koçi Xoxe, Bedri Spahiu etj. A ishin të drejta këto eliminime? A ndiheni edhe ju përgjegjëse për ekzekutimet nga paslufta e deri në 1960-n?

    Po të them këtë gjë. Edhe kur kam qenë e dënuar, edhe u kritikua Stalini dhe u dënuan krimet e tij, kam menduar se burgosjet, internimet, vrasjet pas çlirimit, pra ajo pjesa e parë kur janë dënuar bashkëpunëtorët e fashizmit, ka qenë e drejtë. Duke kaluar vitet, duke u ballafaquar me dokumente, e kam kuptuar sa gabim e kam pasur… P.sh. kam qenë në Holandë. Atje, gjatë bisedës doli që këta pas Luftës së Dytë Botërore kishin pushkatuar vetëm 3-4 veta, shumë pak të burgosur dhe asnjë i internuar, sepse Holanda është shumë e organizuar. I thashë atij që po më fliste: “Po mbase nuk keni pasur shumë bashkëpunëtorë, tradhtarë…?”. Ai qeshi dhe më tha: “Holandezët e quajnë vetën kushërinj të gjermanëve dhe Hitleri e partia naziste kishin zhvilluar aktivitet, propagandë në Holandë dhe kanë pasur përkrahës të shumtë atje”. Atëherë e pyeta: “Si është e mundur, pse kaq pak dënime?!”. M’u përgjigj: “Sepse me dënime nuk zgjidhen gjërat në një shtet, në një shoqëri. Ne kemi dënuar ata që kanë qenë me të vërtetë kriminelë, vrasës. Kemi burgosur ata që ishin të rënduar. Vrit një, burgos një, por pas atij është familja, farefisi, në radhë të parë kush do t’i ushqejë ata?”. Atëherë unë i kam vënë gishtin kokës: “Bobo, po ne ç’kemi bërë?! Ne kemi bërë hatanë…”. Kur kam vajtur në Ballsh duke u interesuar për pronat e babait tim, kam gjetur në regjistrin e hipotekës shumë vendime për shpronësime të një komisioni që paska qenë në Mallakastër dhe besoj ka qenë edhe në krahina të tjera. Aty thuhej: “I shpronësohet familjes së filan fistekut, se ka qenë simpatizant i Ballit Kombëtar”. Kishte edhe që ka qenë me Ballin, por mendoni ndëshkimi kishte shkuar deri edhe tek ata që supozoheshin si simpatizantë. Dhe u ishin sekuestruar 5 kokë dhi, dhjetë dhen, deri te rrogozat, kusitë, tepsitë, jorganët. Atëherë me gjithë mend jam tronditur që si t’ju them, përfytyrojeni vetë se deri ku ka vajtur thika… Ato procesverbale ishin shumica të “firmosura” me gisht dhe disa të tjerë me shkarravina, se dihet që në ato analfabetizmi ishte në kulm. Pa lëre pastaj kur është vjedhur floriri, që kushedi sa vjedhje janë bërë….

    Si ish-partizane e LANÇ-it, a mund të thuash se Shqipëria u çlirua me forcat e veta, pa ndihmën e asnjë formacioni ushtarak të forcave të Aleancës Antifashiste?

    Duhet bërë dallim mes Luftës Antifashiste të popullit shqiptar dhe Luftën Nacionalçlirimtare që u udhëhoq nga PKSH-ja. Lufta Antifashiste e popullit shqiptar nuk duhet zhvlerësuar. Populli shqiptar, i vogël në një vend të vogël, nuk mund të lozte një rol të madh, por e kreu detyrën e tij. Tani, a u çlirua me forcat e veta Shqipëria? Mendoj se kjo gjë nuk duhet theksuar kaq shumë. Se lufta e popullit shqiptar ishte pjesë e Luftës së Dytë Botërore. Po të mos fitonin këto forca kundër Gjermanisë naziste, Italisë fashiste, Japonisë militariste, a mund të mendohej çlirimi i Shqipërisë? Nëse nuk do të kishte ardhur ai urdhri i famshëm nga Komanda Gjermane për “Armatën E” (armata gjermane e Ballkanit) se duhet të tërhiqeni, do të fitonin me kaq sukses forcat partizane? Duhet të thuhen këto gjëra siç janë. Ndërsa anglezët nuk qe nevoja të vinin, por deshën vetë të vinin për të ndihmuar popullin shqiptar, sidomos në minimin e urave dhe sabotazhet. Ndërsa Enver Hoxha u vuri pushkën, e ka thënë edhe vetë. Po ashtu edhe amerikanët…

    Po ndihma e sovjetëve dhe jugosllavëve, në ç’nivele ka qenë?

    Në të vërtetë luftën në Shqipëri vetëm britanikët e kanë ndihmuar. E kufizuar ka qenë ndihma, por ama ishte e vetmja ndihmë. Nga anglezët pati disa që dhanë jetën duke luftuar në Shqipëri. Për shembull ka qenë një kolonel me gjeneralin Devis. Enver Hoxha tregoi paturpësi, sepse këtë gjeneral ai e la pa mbrojtje në malet e Martaneshit, ndërsa duhet ta kishte siguruar me rojë. Enver Hoxha humbi një rast të jashtëzakonshëm me gjeneralin Devis, duhet ta kishte ruajtur si ujët e pakët, se më pas ai do t’i siguronte ndihma të mëdha. Ndërsa sovjetikët dërguan një major, të shoqëruar me një radist, në gusht të vitit 1944, kur lufta kishte angazhuar tërë Shqipërinë. Vetëm kaq!

    Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu i cilësoi si “monstra” ata që glorifikojnë figurën e Enver Hoxhës. Nga ana tjetër, djali i Enverit iu kundërpërgjigj duke e quajtur “prepotenca e përfaqësuesit t? nj? superfuqie”… Si do ta komentonit këtë?

    Unë e kam lënë fëmijë atë dhe kisha shpresë që ai Sokoli do të dilte pak më ndryshe, se dukej më i kuptueshëm, më inteligjent. Ky Iliri më dukej ca i trashë nga truri, mbase e kam gabim… Nuk kam ç’të them tjetër, veçse më vjen shumë keq për ta.

    Dua të të pyes për Nexhmije Hoxhën, në çfarë rrethanash e keni njohur dhe si do ta portretizonit atë?

    Nexhmijen e kam njohur nga fillimi i luftës. Në shkollë nuk e kam njohur, se ishte katër klasë më e madhe nga unë. Ajo ishte në katin e dytë a të tretë, ndërsa unë në të parin. Pastaj ajo nuk ishte konviktore, ndërsa unë isha konviktore. Por në luftë kur e kam takuar, më ishte dukur një nxënëse e institutit tonë, që ishim aq shumë të lidhura me atë shkollë. Inteligjente, e rregullt, antifashiste e vendosur dhe mendoj se vërtet ashtu ka qenë. Pastaj u transformua krejt…

    Mendoni se Enveri e transformoi Nexhmijen apo Nexhmija Enverin?

    Nuk diskutohet, Enveri e transformoi Nexhmijen. E përpunoi atë. Mbaj mend vetëm diçka, që më tha Nako Spiro: “Kjo grua ka marrë fund. Për këtë grua tani është gjithçka karriera e të shoqit”. Unë këtë gjë e kisha thënë edhe mes shoqesh. Siç duket, ndonjëra prej tyre që e takonte Nexhmijen, ia ka thënë këtë gjë. Dhe në librin e saj të fundit “Lufta jonë çlirimtare”, Nexhmija shkruan nja gjysmë faqe për mua duke më kritikuar. Thotë: “Unë gjithmonë e kam mbrojtur dhe e kam ndihmuar Enverin. Edhe këtë libër e të tjerët që kam shkruar, i kam shkruar për të mbrojtur Enverin”. Ta kisha e t’i thosha: “Po të paktën, nuk të vjen turp? Cilin Enver ke mbrojtur e ndihmuar ti? Atë që është kriminel, atë që vrau shokët e tij? Atë që nuk la komandant pa vrarë e burgosur? Atë që i kërkoi Titos bashkimin e Shqipërinë? Atë që u ngrit për të mbrojtur Stalinin, atëherë kur tërë bota e dënonte për krimet e tij? Edhe nëse ke një mendje kaq të mbrapshtë dhe një shpirt kaq të keq, nuk të vjen keq për fëmijët, nipërit e tyre që aq shumë kanë vuajtur…”.

    A ka pasur ndonjëherë shoqe të ngushtë Nexhmije Hoxha?

    Me sa di unë, ato që duhet të konsideroheshin shoqe të saj, të gjitha u dënuan. Duke filluar nga Fiqirete Shehu që kanë qenë në të njëjtin grup komunist, atë të Shkodrës. Di që kanë qenë shumë shoqe që atëherë. U tregua e pamëshirshme me të. Naxhije Dumen e ka pasur shoqe, në një klasë, në një bankë, e dënuar. Drita Kosturi, e dënuar… Mua në vitet e shkollës nuk më ka patur shoqe, por pastaj nuk mund të thuash se nuk ishim, se unë punoja me rininë, pastaj u martova me Nakon, e shumë vite isha sekretare e Propagandës, ndërsa ajo ishte drejtore e Propagandës. Por Nexhmije Hoxha nuk ka pasur shoqe të ngushtë ndonjëherë, edhe pse këto që përmenda më sipër pretendoheshin si të tilla.

    Për Enverin thatë që ka vrarë të gjithë shokët e tij që i shihte si rivalë. Vlen kjo gjë edhe për Nexhmijen, i vrau/ dënoi ajo shoqet e saj?

    Nuk i ka vrarë Nexhmija në të vërtetë. I ka dënuar dhe i ka vrarë Enveri. Por çështja është kjo: Nexhmije Hoxha çfarë roli ka lozur përpara Enverit? Çfarë qëndrimi ka mbajtur, kur shoqet e saj dënoheshin e vriteshin? Nuk mund të shkarkohet nga përgjegjësia me një justifikim infantil. Thotë në librin e saj: “Pasditet, d.m.th. pasdrekat ishin tonat. Por nuk bisedoja për gjërat politike”. Pra rrinte me Enverin, bisedonte, shëtisnin… Po për çfarë bisedonin Nexhmija e Enveri? Për gjellët? Gjellët i bënin kuzhinierët… Për ekonominë shtëpiake që nuk u dilte dhe si t’ia bënin këtë 15-ditësh? (qesh)

    Vitet e fundit, Enver Hoxha nuk ishte në gjendje aq të mirë shëndetësore, ndërkohë që ndodhën eliminimet e mëdha: ushtarakët, inteligjenca e naftës, ajka e ekonomistëve, disa ministra etj. Thuhet se gjatë kësaj periudhe ka qeverisur Nexhmija “de facto”. E besoni këtë?

    Jo, nuk e besoj që Nexhmija të ketë qeverisur.

    Po që të ketë influencuar…

    Jo, nuk ka influencuar që Enver Hoxha të merrte këto vendime. Por një gjë them, Nexhmija nuk qenë fort në rregull me nerva dhe këta tipa kanë maninë e persekutimit. Dhe kjo mund të ketë pasur maninë e drojës, të paranojës. Por ajo që nuk u falet është: Flitet për vrasjet e shokëve dhe shoqeve të tyre, flitet për vuajtjet e fëmijëve të këtyre që u rritën me fëmijët e saj, njeriu sidoqoftë – edhe politikani është njeri, nuk është ujk…

    Panorama

  3. #23
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Liri Belishova dëshmon për historinë

    Belishova: Nexhmija ta mbyllë gojën, pse s’u përballa pas ‘90

    Liri Belishova u bë pjesë e LANÇ-it që në moshën 16- vjeçare dhe pas çlirimit mori poste të rëndësishme, ku arriti deri në anëtare e Byrosë Politike dhe anëtare e Komitetit Qendror të PPSH-së, të cilat i humbi në vitin 1960, atëherë kur u shpall “armike e Partisë” dhe përfundoi për 31 vite në internim. Pati një martesë jetëshkurtër me Nako Spiron, që gjithashtu ishte anëtar i Byrosë dhe KQ, ndërsa gjatë vitit 1946-1947 ai u bë ministër i Ekonomisë dhe kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit. Zyrtarisht Nako Spiro vrau veten në nëntor ’47, edhe pse Liri Belishova ka rezervat e saj për këtë version dhe ashtu si në rastin e Mehmet Shehut, ajo i quan “vrasje të Enver Hoxhës”. Në vitin 1955, Belishova u rimartua dhe dhëndri i ri ishte sërish një ministër, ai i Bujqësisë Maqo Çomo, që më parë kishte mbajtur edhe postin e ministrit të Kontrollit të Shtetit. Pesë vite më vonë, më 1960- n, familja u zhvesh nga funksionet e larta shtetërore dhe për ta nisi historia e persekutimit, për të cilën Liri Belishova rrëfen: “Fillimisht u dërgova për të punuar si drejtoreshë në shkollën 7-vjeçare ‘Hasan Vogli’, në Tiranë. Pastaj përjashtuan edhe burrin tim nga Komiteti Qendror dhe e hoqën si ministër të Bujqësisë, gjoja jo për arsye politike, por për “paaftësi”! Familjen tonë e kanë hequr nga Tirana më 9 nëntor të 1960-s, na dërguan në fermën ‘Muzo Asqeriu’, afër Gjirokastrës. Mua si kryemësuese dhe Maqon drejtor ferme. Atje na përjashtuan nga Partia, pas dy muajsh e ca edhe na internuan në Kuç të Vlorës. Nga Kuçi na çuan në Progonat. Maqon e morën dhe e çuan në Zvërnec, kurse unë ndenja atje 10 vjet. Më pas, më çuan në Cërrik, ku kam ndenjur 21 vjet”. Në vitin 1967, Maqo Çomo, i vlerësuar i rrezikshëm për regjimin, u arrestua dhe u dënua me 20 vjet burg. Ai nuk mundi dot të varrosë të bijën 23-vjeçare, që i ndërroi jetë në shkurt 1981 nga një sëmundje e gjatë, pa pasur mundësinë e kurimit. Pas daljes nga burgu, më 1987, Maqo u bashkua me familjen, në Cërrik, ku qëndroi i internuar edhe katër vjet, deri në vitin 1991. Në janar 1998 sytë e tij u mbyllën përjetësisht, në Tiranë… Për të gjithë këtë kalvar vuajtjesh, Liri Belishova bën me faj Enver Hoxhën, por edhe bashkëshorten e tij. Dhe ndërsa Enveri ka 3 dekada nën dhe, e veja e tij, Nexhmija, jeton prej shumë vitesh në periferi të Laprakës, por Liri Belishova nuk është përballur ndonjëherë me të. Për 89-vjeçaren kjo mospërballje nuk është për çështje guximi, por për të tjera arsye që zbulohen në intervistën ekskluzive të dhënë për gazetën “Panorama”. Kjo është pjesa e pestë ku Belishova rrëfen të shkuarën dhe jo pa mundim e emocione. Për të realizuar këtë bisedë të gjatë janë dashur disa javë, për shkak të gjendjes së saj të rënduar shëndetësore, ndërsa kujtesa duket se është pjesa më e pasëmurë e saj…

    ELISABETA ILNICA

    Vitet e fundit, Enver Hoxha nuk ishte në gjendje aq të mirë shëndetësore, ndërkohë që ndodhën eliminimet e mëdha; ushtarakët, inteligjenca e naftës, ajka e ekonomistëve, disa ministra etj. Thuhet se gjatë kësaj periudhe ka qeverisur Nexhmija “de facto”. E besoni këtë?

    Jo, nuk e besoj që Nexhmija të ketë qeverisur.

    Po që të ketë influencuar?

    Jo, nuk ka influencuar që Enver Hoxha të merrte këto vendime. Por një gjë them, Nexhmija nuk qenë fort në rregull me nerva dhe këta tipa kanë maninë e persekutimit. Dhe kjo mund të ketë pasur maninë e drojës, të paranojës. Por ajo që nuk u falet është: Flitet për vrasjet e shokëve dhe shoqeve të tyre, flitet për vuajtjet e fëmijëve të këtyre që u rritën me fëmijët e saj, njeriu sidoqoftë – edhe politikani është njeri, nuk është ujk…. Të them të drejtën, nuk e kam aprovuar fare atë që ajo shkruan libra me kujtime, që ajo mbron Enverin, justifikon Enverin. Do ishte shumë më e mençur sikur ta mbyllte gojën. Të rrinte në heshtje. Do të ishte edhe më mirë për atë dhe fëmijët, se çdo gjë që shkruan dhe thotë ajo provokon reagim, urrejtje.

    Të ka rastisur të përballesh me të pas ardhjes së demokracisë?

    Jo, jo. Mbaj mend vetëm njëherë.
    Nuk kishim shumë që kishim ardhur në Tiranë. Unë, Fadil Paçrami dhe Muhamer Spahiu po rrinim te dera e Ministrisë së Drejtësisë, që atëherë ishte tek ndërtesa e Komitetit Qendror, derën e kishte andej nga veriu. Binte shi dhe ishim strukur si varfanjakë. Ishim të dobët, se sa kishim dalë nga ato internimet. Kjo doli me veturë nga vila nr. 6 dhe kaloi para nesh. Pati një buzëqeshje, që mua m’u duk si ngërdheshje, sikur deshi të na thoshte: Aty të rrini mor qelbësira, në shi të rrini. Më ka mbetur në mendje ajo ftohja që përjetova atë ditë, që dridhesha nga të ftohtit, se kishim nja dy orë që po prisnim të na takonte ndonjë drejtor a dikush tjetër dhe të na jepnin ndonjë referencë. Kështu na kanë trajtuar, në mënyrë çnjerëzore kur kemi ardhur…

    Nga viti 1992 kur zyrtarisht erdhi demokracia e deri tani, kanë kaluar 23 vjet. Në këto dy dekada, Nexhmije Hoxha ka jetuar e jeton në Laprakë. A nuk ju ka shkuar ndonjëherë në mendje që t’i shkoni te shtëpia dhe të ballafaqoheni me të për të gjitha akuzat?

    Këtë mund ta bëja, por jo me një njeri si Nexhmija. Por me një njeri që nuk ka këto krime, nuk është kaq e penalizuar. Do më kujtohej vajza… Si mund të veja? Çfarë do të bëja duke i shkuar në shtëpi asaj? Që ta shaja? Ta pështyja? Nuk ka mbetur asgjë, nuk ka mbetur asgjë në zemrën time për Nexhmije Hoxhën, për sjelljet që ka bërë. I thonë 20 vjet e kusur….

    A nuk ishte e mundur shmangia e internimit tuaj nga fatkeqësitë e tjera familjare nga ana e miqve tuaj në Parti?

    Kam eksperiencë të hidhur. Kur u ktheva nga internimi në Tiranë, askush nuk erdhi të më takonte dhe të më rrëfehej: “Që kur thoshte Enver Hoxha kështu, unë dhe ky shok/shoqe mendonim ndryshe. Por nuk kishim se ç’të bënim”. Dhe këtë e besoj, nuk kishin se çfarë të bënin. Nuk kishin… Se kishte një rrjet spiunazhi të jashtëzakonshëm. Nuk thoshte kot Kadri Hazbiu: “Ne e dimë se sa lugë dhe sa pirunj ka çdo tiranas në shtëpi”.

    Jam kurioze, po Ramiz Alia si arriti të bëhet pasuesi i Enver Hoxhës? Ishte një zgjidhje e rrethanave të fundit, apo plan i menduar herët?

    Atë e ka bërë me plan Enver Hoxha, pra duke filluar të plakej, por pa u sëmurë. E mori dhe e bëri drejtor të Propagandës, që ta afronte pranë Komitetit Qendror të PPSH-së, pranë vetes së tij. Dhe e takonte. Enveri duhet të më takonte mua, por Ndoshta mendonte, dhe për këtë kishte të drejtë, se Mehmet Shehu ishte më i zoti se ai (qesh). Të them të drejtën, nga Mehmet Shehu nuk kam kuptuar asgjë që të ishte kundër Enverit. Vetëm një gjë, në fillim të jetës sonë në Byro, kur bënte Enveri ato konkluzionet “zgjat e zgjat, zgjat e zgjat” që nuk mbaronin për orë të tëra, Mehmeti nervozohej, se ishte njeri impulsiv, se nuk e ruante dot atë nervozizmin. Edhe unë nervozohesha, por nuk e shfaqja… Aq i thellë dhe kompetent ishte në informacione Enveri? takonte Ramiz Alinë më shumë.

    Pra, e ka menduar herët planin?

    Po, po, e ka menduar herët. E ka bërë këtë gjë, sepse ka menduar që të jetë sa më i formuar, por edhe sa më i kontrolluar. Do t’i besonte dinastinë. Do t’i besonte jo vetëm Shqipërinë, por edhe familjen e tij.

    Në gjithë aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së, Byrosë Politike etj., nuk kishte ndonjë tjetër më të zotë se Ramiz Alia?

    Enver Hoxha i ka besuar edhe Hysni Kapos, por Hysniu nuk ishte shumë i zoti. Shumë i zoti ka qenë Mehmet Shehun, por Enver Hoxha nuk e besonte Mehmet Shehun.

    Pse nuk e besonte Mehmet Shehun?

    Ndoshta mendonte, dhe për këtë kishte të drejtë, se Mehmet Shehu ishte më i zoti se ai (qesh). Të them të drejtën, nga Mehmet Shehu nuk kam kuptuar asgjë që të ishte kundër Enverit. Vetëm një gjë, në fillim të jetës sonë në Byro, kur bënte Enveri ato konkluzionet “zgjat e zgjat, zgjat e zgjat” që nuk mbaronin për orë të tëra, Mehmeti nervozohej, se ishte njeri impulsiv, se nuk e ruante dot atë nervozizmin. Edhe unë nervozohesha, por nuk e shfaqja…

    Aq i thellë dhe kompetent ishte në informacione Enveri?

    Enveri kishte një inflacion të tmerrshëm fjalësh dhe ishte jashtëzakonisht i përciptë, nuk ka pasur ndonjë problem në Byro që ai të ishte vërtet kompetent. Megjithëse kërkonte material, për çdo problem i përgatisnim nga një dosje të madhe. Budalla nuk ishte, që të themi të vërtetën. Lexonte, lexonte, por nuk është kulturë thjesht leximi. Lexo sot një gjë e nesër një gjë, kishte njohuri të përcipta dhe ekleptike dhe jo me sistem, të thelluara, me analizë…. Unë, kur e krahasoj me Nako Spiron, shikoj një diferencë të madhe. Nako, kur fillonte të lexonte diçka, verifikonte çdo gjë. Mbaj mend njëherë kur Nako po lexonte diçka për Stalinin. Ishim në një dhomë, ndërsa studioja e tij ishte ngjitur, me një derë në mes. Ngrihej që andej, “gërgëliste” në bibliotekë, rrëmonte aty e merrte ndonjë gjë, pastaj vinte e lexonte prapë. Këtë gjë ai e bënte për çdo libër që kishte referenca, i verifikonte të gjitha.

    Përtej atyre që janë thënë lidhur me burgosjen tuaj, cili ishte “faji i vërtetë” i Liri Belishovës, që nuk e gëlltiti dot Enver Hoxha apo dikush tjetër, saqë ju burgosi?

    Në lëvizjen ndërkombëtare komuniste shpërtheu polemika mes atyre që kritikonin Stalinin, dënonin stalinizmin dhe ishin për një kurs politik më të moderuar, me elemente demokratizimi, dhe sidomos për një politikë bashkëjetese paqësore me Perëndimin, duke vënë në qendër të vëmendjes evitimin e një lufte të tretë botërore, që do të ishte patjetër atomike, se ndërkaq ishin prezentë armatimet atomike. Enver Hoxha në fillim u lëkund, sepse nuk ia mbante t’i kundërvihej Bashkimit Sovjetik. Por ndoshta…

    Panorama

  4. #24
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Liri Belishova dëshmon për historinë

    Belishova: Enveri më dënoi, kishte frikë se i zija vendin

    Teksa lidershipi komunist projektonte në Tiranë strategjinë e divorcit me Partinë Komuniste të BS, që do të finalizohej në nëntorin e vitit 1960, një vizitë zyrtare e nivelit të lartë e udhëheqjes shqiptare në vendet ish-socialiste verën e këtij viti, do të bëhej prologu i zhvillimeve të bujshme, që do ta rreshtonin Shqipërinë përkrah vendeve që do të kundërshtonin politikën e Hrushovit dhe të partisë më të madhe të kampit socialist. Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Haxhi Lleshi, ish-presidenti i vendit dhe Liri Belishova, ish-sekretare e KQ të PPSH-së, gjatë rrugëtimit nga Moska, Pekini, Shangai, për të vazhduar më tej në Kore, Vietnam, Mongoli dhe në disa vende të tjera të demokracive popullore të Azisë, do të bëhej dëshmitar i kontradiktave që kishin lindur rishtas në gjirin e partive komuniste. Ky turne do t’i ndryshonte jetën Liri Belishovës nga një funksionare e lartë e PPSH-së si anëtare Byroje Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror, në një grua të internuar për 31 vite, me bashkëshort të burgosur politikisht për 20 vite dhe një vajzë të humbur në moshën 23- vjeçare… Po çfarë ndodhi në Kinë që e penalizoi Liri Belishovën, deri në tragjedi familjare? Rrëfimi vjen nga vetë 89- vjeçarja, e cila këto kohë është në gjendje të rëndë shëndetësore. Realizimi i intervistës ekskluzive me Belishovën ka nisur që në fund të nëntorit 2014 për të plotësuar botimin në janar, ku në disa numra radhazi Belishova u përfshi në debatet për 70-vjetorin e çlirimit, duke treguar të vërtetat e saj si dëshmitare e shumë ngjarjeve historike….


    Përtej atyre që janë thënë lidhur me internimin tuaj dhe burgosjen e bashkëshortit Maqo Çomo, cili ishte “faji i vërtetë” i Liri Belishovës, që nuk e gëlltiti dot Enver Hoxha apo dikush tjetër, saqë nisi persekutimi familjar ndaj jush?

    “Faji” është ky që do ta shpjegoj… Në lëvizjen ndërkombëtare komuniste shpërtheu polemika mes atyre që kritikonin Stalinin, dënonin stalinizmin dhe ishin për një kurs politik më të moderuar, me elemente demokratizimi, dhe sidomos për një politikë bashkëjetese paqësore me Perëndimin, duke vënë në qendër të vëmendjes evitimin e një lufte të tretë botërore, që do të ishte patjetër atomike, se ndërkaq ishin prezentë armatimet atomike. Enver Hoxha në fillim u lëkund, sepse nuk ia mbante t’i kundërvihej Bashkimit Sovjetik. Por ndoshta dhe çdo mendje njerëzore, po supozoj edhe Enver Hoxhës pse mos t’i pëlqente një kurs paqësor? Kjo është gjë që nuk besohet, se mendja e tij ishte shumë e mbrapshtë (qesh)… Enver Hoxha u tremb nga Konferenca e Tiranës. Në këtë Konferencë, me gjysmë goje, me gjuhën e Ezopit, u ngritën shumë kritika kundër tij. Atëherë ai e kuptoi që do t’i kërkohej llogari për çfarë ishte bërë në Shqipëri. Dhe duke qenë një njeri që për çdo gjë vinte kolltukun e tij diktatorial, Enveri me të gjitha forcat iu kundërvu kritikës së Stalinit, ky marksist-leninist i famshëm rrëmbeu flamurin e stalinizmit. Kjo taktikë e tij ka bërë të qeshin shumë gazetarë e personalitete botërore, sepse e dinin që nëse kishte Parti Komuniste shumë të varfër nga pikëpamja e përgatitjes teorike dhe e kuadrove si filozofë, teoricienë marksistë, kjo ishte Partia Komuniste Shqiptare në Europë. Pra, Enver Hoxha mori kursin stalinist, sepse vetëm me një kurs të atillë siguronte më mirë sundimin e tij dikatorial. Ndërsa një kurs liberalizimidemokratizimi i krijonte atij vështirësi dhe rreziqe.

    Po ju, ishit për këtë kursin e ri?

    Po, unë kam qenë për kursin e ri. Mendoj që në shpirt kanë qenë dhe anëtarët e tjerë, por tjetër që nuk guxuan që të dalin kundër Enverit.

    Mbështetja e këtij kursi ju “dogji”?

    Si qe dënimi im… Kinezët, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Leninit, që i bie në prill 1960, botuan një sërë artikujsh në organin e tyre qendror, me titullin e përbashkët: Rroftë Leninizmi! Këta artikuj neve na erdhën me vonesë, derisa u përkthyen etj. Duke lexuar këto artikuj, unë kuptova që kinezët jo vetëm nuk janë dakord me kursin e ri, por kanë ndërmend t’i kundërvihen haptas. Se atje nuk përmendej as Bashkimi Sovjetik e as Hrushovi, por thuhej “revizionizmi jugosllav”, ose thjesht “revizionizmi modern”. Një njeri që jetonte me këto gjëra, e kuptonte që po i bihej tenxheres për t’u dëgjuar dera. Këtë gjë e kuptoi dhe Thanas Nano, që atëkohë ishte drejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Nga ATSH-ja, neve na dërgoheshin të daktilografuara lajmet që merreshin aty, por të ndara në këtë mënyrë: Buletini blu, që ju shkonte edhe gazetave dhe radios, pra ishin lajme që mund të botoheshin apo dilnin në radio e TVSH. Buletini jeshil, u dërgohej anëtarëve të Byrosë Politike, ministrave dhe një rrethi të zgjedhur, këto nuk ishin të destinuara për botim. Ndërkaq, ndonjëherë kishte edhe disa zarfe të veçanta, që i dërgoheshin Enver Hoxhës, por shpesh edhe mua si sekretare e Propagandës, Mehmet Shehut. Këto ishin lajme që as anëtarët e Komitetit Qendror të PPSH-së të mos i dinin. Këto sidomos kur nisi kjo “lufta” për stalinizmin dhe kundër stalinizmit. Këta artikujt kinezë kanë ardhur me zarfin jeshil, pra nuk duhet të botoheshin. Kaluan nja dy ditë dhe më thirri Enver Hoxha në zyrën e tij. Më tha: “Liri, i ke lexuar artikujt e gazetës kineze?”. I thashë: “Po”. Më tha: “Pse nuk janë botuar në gazetë, në ‘Zërin e Popullit’?”. Iu përgjigja: “Nuk janë botuar shoku Enver, se ato bien në kundërshtim me ato që keni thënë ju në Kongresin e Tretë të Partisë, si mund t’i botonim? Me Rezolutën e mbledhjeve të Partive Komuniste në Moskë?”. I thashë kështu, se e dija unë që Enverit ajo i interesonte, prestigji i tij… Më tha “mirë”, e kështu dola unë nga zyra. Të nesërmen sërish më thërret në zyrë. Më thotë: “Bisedova me shokët dhe më thanë që t’i botojmë artikujt e kinezëve”. Kur thoshte “shokët” e kishte fjalën për Mehmet Shehun dhe Hysni Kapon. Nganjëherë thërrisnin dhe Beqirin, por Beqiri i shkretë nuk ishte në nivelin e këtyre. Fillova prapë unë njëherë më gjerë, duke i treguar çfarë ka shkruar Marksi, Engelsi, Lenini etj. I thashë: “Shoku Enver, këto artikujt bien në kundërshtim me ato që ka thënë Lenini”. Pastaj fillova t’ia argumentoja gjerë e gjatë. Prapë më tha “mirë” dhe u largova. Të tretën a të katërt, se nuk e mbaj mend sa herë më ka thirrur për të njëjtën gjë, të them të drejtën e pashë që nga fytyra që nuk kishte më diskutim. Më tha: “Kemi vendosur me shokët që të botoni një përmbledhje, një shkurtim të artikujve. Merr një nga shokët dhe shkurtojini ato dhe të botohen në ‘Zërin e Popullit’”. “Po ato nuk shkurtohen shoku Enver”, i thashë unë. “Jo, jo, do të shkurtohen dhe botohen, kështu kemi vendosur”. Ika unë dhe këtu kuptohen marrëdhëniet e anëtarëve të Byrosë Politike me Enver Hoxhën. Isha sekretare e Komitetit Qendror, anëtare e Byrosë Politike, për më tepër kisha mbaruar edhe një universitet në Bashkimin Sovjetik etj. dhe prapë nuk kisha ç’bëja. Njësoj edhe të tjerët. Mora Ramiz Alinë, që ishte drejtor i Propagandës dhe u ulëm. Ishte shumë e vështirë që t’i shkurtoje, sepse artikujt kishin një strukturë që po të hiqje diçka, binte krejt artikulli, binte kuptimi. Ose hiqje një paragraf, por e njëjta ide ishte në paragrafët që vinin. I thashë Ramizit: “O Ramiz, unë do vetë që t’i them Enverit që këto nuk shkurtohen”. Ramizi më tha: “Ulu aty dhe hajt t’i shkurtojmë. A të tha Enveri se kanë vendosur t’i botojnë, e kanë ata përgjegjësinë”. Unë prapë po këmbëngulja që të shkoja, ndërsa Ramizi prapë nuk më linte e më thoshte: “Ulu”. Dhe kjo tregon natyrën e Ramiz Alisë.

    Cilën natyrë të Ramiz Alisë?

    Nga njëra anë, ai i kuptonte gjërat. Nuk ishte as i egër, i poshtër. Se po të ishte ndonjë tjetër, do të thoshte: “Le të vejë t’i thotë Enverit e të hajë kokën, unë do t’ia zë vendin”. Ndërsa Ramizi vazhdimisht më thoshte: “Ulu, ulu e mos shko”. Nga ana tjetër, ishte ajo që unë ia thashë: “Ore, po ne pse e bëmë shkollën. Ne duhet t’u themi shokëve që këto artikuj nuk janë në rregull”. Por kjo gjë për Ramiz Alinë nuk kishte rëndësi, në rregull apo jo në rregull. Kishte rëndësi që për vete të ishte në rregull e të mos rrezikohej. Por nuk donte që të rrezikohesha as unë. Pra Ramizit i erdhi keq edhe për mua. Nga njëra anë kishte të drejtë, ndërhyrja ime ishte e kotë se Enveri do të bënte atë që kishte në mendje. Por unë akoma tentoja, se ngaqë pata sukses dy herët e para, kujtova se Enveri do të më dëgjojë. Shkova prapë dhe atëherë Enveri më tha, duke i rënë tavolinës: “Mirë Liri, nuk do t’i botojmë artikujt”. Por edhe tani e kam parasysh shikimin e tij. Aty u vendos fati im. Enveri ka menduar: “Kjo, jo vetëm që nuk është dakord me qëndrimin që do të mbaj unë, por është e vendosur ta mbrojë qëndrimin e saj. Mua nuk më duhen pengesa, diskutime se kush ka të drejtë e kush jo, unë dua që kur të them se do bëhet diçka, të duartrokitet në këmbë”. Kështu siç ka menduar Enveri, edhe u bë, të gjithë janë çuar në këmbë duke duartrokitur çdo gjë që thoshte Enveri e duke miratuar: Rroftë Partia, rroftë shoku Enver!…

    U botuan artikujt e kinezëve?

    Jo, unë dola nga zyra e Enverit dhe artikujt nuk u botuan në gazetë. Më pas, unë u nisa me delegacionin parlamentar në Kinë, që kryesohej nga Haxhi Lleshi. Gjatë kësaj kohe, Enveri u mor vesh me Ambasadën Kineze dhe këto artikuj u botuan në një libër me kapak të kuq e portretin e vogël të Mahos, në mes të tij. U shpërndanë në parti, në rini, në universitete dhe u bë manipulimi i parë ideologjik. Duke qenë unë në Kinë, ditën që do të largoheshim nga Pekini e do të shkonim në Shangai, kinezët kërkuan në mbrëmje që të bënim takim si parti. Unë, duke e ditur se çfarë do të parashtronim kinezët, e evitova takimin se kështu isha porositur edhe nga Enveri: “Po të të thonë kinezët për mosmarrëveshjet e kritikat me sovjetikët, u thuaj që këto i zgjidhin dy të mëdhenjtë”, domethënë udhëheqësit. Unë i thashë atij funksionarit kinez që nuk më kujtohet emri tani: “Nuk kam autorizim që të bëj bisedime partiake”.

    Pse nuk i thatë siç ju porositi Enveri: “T’i zgjidhin dy të mëdhenjtë”?

    Nuk mund t’i thosha fjalë për fjalë ashtu, sepse nuk isha e sigurt 100 për qind se çfarë do të shtronin për diskutim kinezët. Ai kinezi mund të ketë ardhur nja 6 herë, duke na kërkuar në takim. Më në fund, më tha që të shkonim për një çaj. Vajtëm ne. Ç’të shihnim? Tavolinat e mbledhjes ishin gati, me fletë e stilolaps. Ishte pothuajse gjithë Byroja Politike e Kinës.

    Me kë ishit ju?

    I gjithë delegacioni i kryesuar nga presidenti Haxhi Lleshi, isha unë, Lefter Goga nga Durrësi etj.

    Çfarë ndodhi më pas?

    Kinezët, që nga ora 8 e darkës që vajtëm ne dhe deri në ora 4 të mëngjesit, bënë kritika ndaj oportunizmit të Hrushovit dhe të Bashkimit Sovjetik. Mbledhja u hap nga Liu Shiao Ciu, ndërsa Mao Ce Duni ishte dërguar në një provincë dhe siç na tha ai i ambasadës sonë, pushtetin tashmë e kishte marrë Liu. Foli Liu, duke kritikuar Bashkimin Sovjetik, deri te romanet, filmat që nuk po e mbushin rininë me frymë ushtarake, por me frymë paqësore, me tërheqje, me shuarjen e frymës revolucionare. Konkluzioni ishte që “ne nuk shkojmë në mbledhjen e Bukureshtit” (që ishte caktuar me rastin e Kongresit të Partisë Komuniste Rumune, meqë do shkonin shumë delegacione të partive komuniste, të bëhej një mbledhje e përfaqësuesve të partive komuniste të kampit socialist). “Nuk shkojmë në Bukuresht, se atje do na akuzojnë do na kritikojnë…”, sipas kinezëve. Unë u shqetësova, sepse mendova: “Po të mos venë kinezët në Bukuresht, do përsëritet historia si me Jugosllavinë. Do fillojnë të shajnë Kinën dhe përçarja është e paevitueshme”. U shqetësova nga kjo gjë. Thashë: “Këto që na thatë, do t’ia raportojmë të gjitha shokut Enver. Por po shfaq dhe opinionin tim personal: E mira është që gjërat të zgjidhen me diskutim, se kështu më kishte thënë edhe Enveri, mes dy partive të mëdha. E mira është që të shkoni në mbledhjen e Bukureshtit, se gjithmonë bisedimet ndihmojnë në sqarimin e gjërave”. Liu tha: “Ne nuk shkojmë në Bukuresht, por duam mendimin e shokut Enver për këtë gjë dhe si mendon ai për artikujt tanë”. Pra nënteksti ishte, nëse Enveri ishte apo jo dakord me vijën kineze. Unë i thashë: “Kemi shumë vështirësi në komunikim, sepse nuk kemi lidhje direkte me Tiranën. Duhet që Ambasada jonë e Pekinit, të lidhet me Tiranën nëpërmjet Ambasadës shqiptare në Moskë”. U kthyem në shtëpi dhe i bëra shkurtimisht një radiogram Enverit, se çfarë kishte ndodhur, ndërsa raportin e detajuar ia dërgova me Jorgji Peqinin, se ajo do të nisej të nesërmen. Pra ne do iknim për në Shangai dhe ajo për në Shqipëri, sepse ishte me një delegacion rinie. Pa ikur nga Pekini, meqrnëse mbledhja e Bukureshtit do bëhej shpejt dhe kinezët thanë që “nuk do shkojmë”, derisa të vente radiogrami ynë në Tiranë dhe të kthehej përgjigjja, normal që do të vonohej, atëherë biseduam me Gogo Nushin, që ishte atje me delegacionin e Sindikatave e Bashkimeve Profesionale dhe me dy anëtarë byroje. Unë i thashë Gogo Nushit: “More Gogo, po këta po të mos venë në mbledhje, do të bëhet si me Jugosllavinë”. Gogo i shkretë ishte shumë i ndershëm, ishte i revoltuar me kinezët dhe thoshte: “Këta janë banditë dhe duan luftën e tretë botërore. Të presim ambasadorin sovjetik dhe t’i themi që kinezët nuk duan të vijnë në mbledhjen e Bukureshtit, duke menduar që do të kritikohen. Atëherë ose i bindni që të vijnë, ose shtyjeni mbledhjen që të keni kohë më shumë për t’u marrë vesh me ta. Se Kina nuk është thjesht Jugosllavia, por është një kontinent që ka një influencë të madhe në ‘botën e tretë’, siç quhej atëherë”. Ashtu bëmë. Telefonuam në Ambasadën Sovjetike. Nuk erdhi ambasadori, por këshilltari i tij. Për ambasadorin na thanë se është i sëmurë. Gjysmë ore, shkurt, unë tregova për takimin me Byronë Politike të Kinës, ndërsa Gogo për takimin me Sindikatat, se edhe atje ishte folur kundër Bashkimit Sovjetik. Propozimi ynë ishte ai që përmenda më sipër: “Ose kandisni kinezët, ose shtyjeni mbledhjen”. Të gjitha këto ia shkrova Enverit, pra asgjë e fshehtë, asnjë komplot. Ikëm nga Pekini e vajtëm në Shangai. Ndenjëm dy ditë në Shangai dhe kur do të iknim, madje sa do të niseshim, mbërriti Gogo Nushi dhe më dha radiogramin e Enverit, që kishte ardhur në ambasadën tonë dhe thoshte: “Thuaju kinezëve që të venë në Bukuresht. Thuaju kinezëve që jemi dakord me artikujt tuaj”. “Uaaaaa,- thashë unë, -more Gogo, shiko çfarë thotë Enveri!”. “Çfarë?”, tha Gogo, ndërsa pasi e pa, më sugjeroi: “E di çke ti? Mos u thuaj asgjë kinezëve, edhe unë i them Enverit që kur vajta unë në Shangai, Liria kishte ikur”. Mirëpo nuk e haja unë atë kokërr ulliri. Se në kritikën e parë që do t’i bënte Enveri – Gogos, Gogua duke bërë autokritikë të sinqertë, do të tregonte. Duke ikur në aeroport me makinë, rrugës i thashë Gogos: “E gjeta Gogo se çfarë të bëj”. “Çfarë?”, tha Gogo. “T’u them kinezëve se shoku Enver mendon që të veni në Bukuresht, se kjo është kryesorja. Për artikujt, të pyesim ambasadën se mos e kanë zbardhur gabim”, i thashë Gogos. Gogo më tha: “Shumë mirë”. Atëherë unë i thashë sekretarit të Shangait, që ishte anëtar i Byrosë Politike: “Shoku Enver mendon se duhet të shkoni në Bukuresht”. Ai ishte një tip i gjatë, më përqafoi mua dhe goxha burrë u përlot duke më thënë: “Shumë mirë, shoqja Belishova, shumë mirë. Ne jemi vëllezër, si 10 gishtat nga të cilat 9 na bashkojnë dhe 1 na ndan”. Ikëm ne nga Shangai dhe pas 4 orësh vajtëm në Kumnin, në Jug të Kinës, afër Vietnamin. Atje kinezët më ndanë nga delegacioni dhe më morën veçmas me makinë. Ndoqëm një rrugë të shkurtër dhe shkuam në një shtëpi pritjeje. Atje më thanë se Ambasada jonë shqiptare në Pekin po më kërkonte në telefon që nga mëngjesi. Morëm Ambasadën në telefon dhe sekretari a këshilltari (nuk e mbaj mend mirë), më pyeti: “Ua the kinezëve telegramin që të dha shoku Gogo?”. “Po”, iu përgjigja unë. Ai shfryu nga ana tjetër e telefonit: “Oboooooo”. “Çfarë ke?”, e pyeta unë. “Ka ardhur telegram tjetër dhe thotë që kinezëve t’u themi pikën e parë, pikën e dytë mos ua thuaj”. Domethënë pika e parë ishte ajo “shkoni në Bukuresht” dhe duhej thënë, pika e dytë “që jemi dakord me vijën tuaj si në artikuj” nuk duhet të thuhej. E qetësova atë të ambasadës: “Mos u tremb, se pikën e dytë nuk e kam thënë. Do t’ju pyesja ju më parë, se mos nuk e kishit zbardhur mirë, ndaj mos u shqetëso”. Tani, pas gjithë kësaj, nisi sulmi ndaj meje. Kritika e parë, pse u the sovjetikëve që kinezët nuk do të venë në Bukuresht? E dyta, ku e gjete ti të drejtën të mos zbatosh urdhrin e shokut Enver, mund të mos kishte ardhur radiogrami i dytë? Idiotësira që nuk u rezistojnë as logjikës së një fëmije së klasës së parë… Në vend që të më thoshin “bravo që nuk e transmetove”, më sulmonin se kam shkelur urdhrin e shokut Enver dhe disiplinën e Partisë.

    Çfarë ju tha ballë për ballë Enveri, kur u kthyet nga Kina?

    E takova, por Enveri nuk ma ngriti personalisht këtë çështjen e telegramit, nuk më tha asgjë të keqe kur e takova përballë, madje u ngrit nga tavolina dhe më përqafoi. Buzëqeshi dhe duke bërë humor më tha: “Obobo, sa paske ndryshuar”. Unë, duke e marrë si nëntekst, i thashë: “Nuk ndryshoj kaq kollaj unë, shoku Enver”. Qeshi sërish. Pak muaj më vonë e ngriti çështjen në Byro.

    Mendoni se vërtet ishte në rregull Enveri me këto zhvillime në Kinë, apo thjesht “i kapërdiu” për momentin që t’i rihapte më vonë, apo e ka nxitur dikush tjetër për këtë çështje?

    Enveri ishte tip që ndërronte. Por besoj se në këtë çështje mund të ketë influencuar edhe Mehmet Shehu. Se Mehmeti ishte më agresiv dhe i vendosur, Enveri ishte më i lëkundur.

    Përderisa ishte Haxhi Lleshi president delegacioni, ndërsa për ngjarjen ishte në dijeni edhe Gogo Nushi, pse duhej që përgjegjësia të binte vetëm mbi ju?

    Keni të drejtë. Unë u kritikova dhe u dënova në Byronë Politike. U bë mbledhja e Komitetit Qendror, veç unë u kritikova. Mbi 100 e ca pyetje që bënin anëtarët e Komitetit Qendror ndaj meje. Po pyetjet ishin diskutime, që ku të çon kjo vijë oportuniste-revizioniste e Liri Belishovës, kush ka qenë qëllimi i saj, ku synonte?

    Çfarë nënkuptonin me këtë?

    Unë isha sekretare e Komitetit Qendror dhe nënkuptonin sikur unë doja të bëhesha Enver Hoxha. Pra, që t’i jap përgjigje pyetjes suaj të fillimit, “faji im” ishte iluzioni i Enver Hoxhës, paranoja e tij, sikur unë doja që t’i zija vendin. Dhe këtë nuk e thoshin hapur, por me nënkuptime nëpërmjet diskutimeve, duke e pyetur vazhdimisht se ku e kisha qëllimin. Dhe ata do të kënaqeshin vetëm po t’u thosha unë se kisha qëllim të rrëzoja Enver Hoxhën dhe të bëhesha sekretarja e Përgjithshme, gjë që as e kisha çuar ndonjëherë nëpër mendje.

    Po për Haxhi Lleshin, çfarë thanë?

    Gjatë plenumit u ngrit Shefqet Peçi dhe tha: Mirë, kjo Liria ka gabuar. Pastaj pa nga unë dhe shtoi “me kunj” që ta kuptoja unë dhe të tjerët: Edhe Liria duhet të zërë mend, se gaboi, e do të vazhdojë të gabojë kjo, se është shumë e zgjuar (qesh). Shokë, Liria është shumë e zgjuar, të mbledhë mendjen se do gabojë prapë. Po atje në Kinë, veç Liria ishte? Po Haxhiu dhe Gogua, që janë më të mëdhenj se Liria, si për nga mosha, ashtu edhe në parti, po këta nuk kanë faj?”. Enver Hoxha shëtiste përmes tavolinave në formë U-je dhe në çast i tha Shefqetit: “Shumë mirë Shefqet, shumë mirë, ulu”. Dhe e uli direkt që Shefqeti të mos vazhdonte më. Enveri pastaj e drodhi muhabetin dhe tha: “Unë mendoj që shoku Haxhi dhe shoku Shefqet janë shokë të vjetër luftëtarë, por kanë një të metë të madhe, nuk i kanë dhënë rëndësi ngritjes kulturore dhe ideologjike”. Pra vetëm që nuk tha troç që “këta janë gomerë”. Pastaj vazhdoi: “Liria i merr gjërat me hundë. Propozoj që dy shokëve, Haxhiut dhe Gogos, t’u japim nga një vërejtje me shënim në biografi. Dakord shokë?”. Të gjithë në korr u përgjigjën: “Dakoooord”. Me kaq u mbyll puna e tyre. Se po të ishte vazhduar puna e tyre, do të dilte që Haxhi Lleshi i ra tavolinës kundra kinezëve që në takimin e parë. Gogo Nushi shante kinezët e thoshte që ishin kriminelë, pra do të dilnin të gjitha gjërat për ata.

    Si ndiheshit kur merrnit kritika nga shokët tuaj?

    Ja t’ju them diçka: Kur m’u sulën shokët ashtu në Byro, m’u kujtuan fjalët e Nako Spiros para vdekjes: M’u turrën si ujqërit. Atë mendoja. Një grua e re isha, vetëm 32 vjeçe….

    Ç’masë mori Byroja ndaj jush?

    Vendosën që të më përjashtojnë nga Byroja. Komiteti Qendror vendosi që të përjashtohem edhe nga Komiteti Qendror, kurse organizata bazë më përjashtoi edhe nga Partia. Kështu ishte orteku. Më pas u dërgova për të punuar si drejtoreshë në shkollën 7-vjeçare “Hasan Vogli” në Tiranë. Pastaj përjashtuan edhe burrin tim nga Komiteti Qendror dhe e hoqën si ministër të Bujqësisë, gjoja jo për arsye politike, por për “paaftësi”! Familjen tonë e kanë hequr nga Tirana më 9 nëntor të 1960, na dërguan në fermën “Muzo Asqeriu” afër Gjirokastrës. Mua si kryemësuese dhe atë drejtor fermë. Atje na përjashtuan nga Partia, pas dy muaj e ca na internuan në Kuç të Vlorës. Nga Kuçi na çuan në Progonat, atë e morën dhe e çuan në Zvërnec, kurse unë ndenja atje 10 vjet. Pas 10 vjetësh më prunë në Cërrik, ku kam ndenjur 21 vjet. Pra 31 vite në internim, që nuk di çfarë t’ju tregoj më parë…

    FUND

    Panorama

Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12

Tema të Ngjashme

  1. Studime shqiptaro-ilirike
    Nga dodoni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 50
    Postimi i Fundit: 18-04-2008, 17:05
  2. Lufta e Serbise me Historine
    Nga Eni në forumin Historia botërore
    Përgjigje: 24
    Postimi i Fundit: 03-12-2007, 17:01
  3. Gonxhe Bojaxhiu - Nënë Tereza
    Nga Brari në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 42
    Postimi i Fundit: 30-12-2006, 15:05
  4. Vito Kapo dëshmon për historinë
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 10-07-2004, 08:07

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •