Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 8
  1. #1

    T’kanë ngelur edhe pesë minuta!

    T’kanë ngelur edhe pesë minuta!

    Papritmas u dëgjuan disa trokitje të fuqishme në derë. Ndal televizorin, shoqja ime ngrihet për të parë se kush është. Hap derën dhe i shfaqën dy policë. Syri i zë mjekrat e gjata dhe të zeza. Dy policë serb shtatlartë me vjeshje të errta, duke parë me sy të mëdhenj dhe të kuq dhe të armatosur deri në dhëmbë.
    Disa thika në bel, ndërsa në krah të majtë u duken emblemat me shkronja serbe. Shkoj të shoh dhe pamja e tyre e frikëshme më kthen në statujë të shtangur. Qetësia thyhet nga disa fjalë në serbisht:
    “I keni pesë minuta të dilni jashtë banesës tuaj. Nëse nuk e lëshoni banesën nuk do të jeni më mes të gjallëve.”
    Panika filloi ta pushtojë mendjen time: ku të shkoj, cfarë të zgjedh të marr me vete në këta minuta, pamundësia e qëndrimit në banesë, mendimi per t’ju bashkangjit mikes sime, e cila vendosi të shkojë në Mal të Zi nuk më qetësoi, të ikë në ndonjë pjesë tjetër të qytetit ? Familja ime ishte në Drenicë dhe një mendim i shpejtë se do humb kontaktin me familje edhe më shumë më rëndoi.
    Do nisem për në Maqedoni. Zgjedhjen e nisjes për në Maqedoni ende as sot nuk e kuptoj.
    Ndoshta ishte thirrje e Zotit ?
    Mora shpejt një cantë të vogël dore dhe dola në rrugë. Përveq ca parave në cantë kisha me vete edhe koleksionin e pullave postale. Isha e vetmuar, pa veturë, përpjekja ime të gjeja dikë me veturë nuk solli asgjë, të gjitha veturat ishin përplot. Por, mrekullitë ndodhin. Takimi me kushërin tim,i cili ka jetuar shumë afër shtëpisë sime në Drenicë është dëshmi.Më tha: "Ne jemi tre të rritur dhe tre fëmijë! Por, hy shpejt në veturë dhe nisemi.
    Rrugët ishin përplot me njerëz, syte tonë regjistrojnë rrahjen brutale të një djali në një kënd ndërtese, gjaku i vrullshëm përfshiu tërë trupin e tij që u shenjua në mendjet tona.Policia ndalonte cdo veturë që dukej e re dhe udhëtarët nxirreshin me forcë e veturat rrëmbeheshin nga policia.
    Duke u ngjitur përpjetëzës së Veternikut sytë tonë kapnin pamjet makabre në të dy anët e rrugës, vargun e pafund të kalimtarve të rraskapitur, të grave të moshuara me thasë dhe rroba në shpindë ,
    femijë në vaj, të hendikepuarit duke shtyrë karrocat.
    Mendimi se një Holocaust i ri në Evropë po ndodh tash ishte më se i qartë.
    Gjithë ato vetura ishin drejtuar në drejtim të kufirit të Maqedonisë. Ndalja e cdo veture nuk kishte të bëjë me kontrollimin e dokumeneteve të identifikimit, por me asgjësime të dokumentave dhe humbjen e identitetit.Vazhdimi i rrugës ishte i mundur pas dhënies së një shume të parave dhe kështu terrorit nuk i shihej fundi. Si duket kjo plackitje i shpëtoi jetët tona.
    Syve tonë të lodhur e të mjegulluar nuk i shpëtojnë as pamjet e fshatrave të djegura e kafshëve te hutuara e të vetmuara. Këto pamje makabre më përkujtuan filmat e Hickokut, vetëm se nuk po aktroja, por po i shmangesha vdekjes. Nuk më besohet se jam në ditën më kritike të jetës time.
    Si arriti fati im të jetë kaq jashtë kontrollit tim?
    Nuk arrij të mendoj më për të ardhmen. Nuk di as se ku do zgjohem nesër. Dëshiroj vetëm të jetoj.
    U rrita në një qytezë të vogël të Kosovës! Çdokush njihte çdokënd. Si unë ashtu edhe shumica e qytetarëve të qytezës ishim shqiptarë etnik me përjashtim të disa familjeve serbe. Ne gjithnjë kemi jetuar në paqë me ta. Shtati i vogël dhe ardhja nga një vend i vogël nuk më ndaluan ëndërrat e
    mëdha që kisha të bëheshin realitet.
    Në vitin 1995 përfundova fakultetin e Defektologjisë në Beograd, por nuk ishte mjaft, ëndërroja të vazhdoja magjistraturën në Amerikë.Për ëndrren time fillova të "luftoj" nga viti 1997 kur fillova të udhëtojpër në Prishtinë me qëllim që t`i rrekem gjuhës angleze.
    Dalja e Millosheviqit në skenë ndodhi pikërisht, kur unë ende isha në Beograd. Luftën Millosheviqi e filloi në Slloveni që gradualisht filloi të shtrihet në Kroaci e pastaj në Bosnjë e Hercegovinë.
    Spastrimi i qetë i Kosovës kishte filluar dekada më herët dhe u intensifikua më 1991 me ndalimin e rregullt të përcjelljes së mësimit në gjuhën Shqipe, mbylljen e mediave në gjuhën Shqipe dhe largimin me dhunë të puntorëve shqiptarë dhe vendosjen e serbëve në vendet e tyre.
    Nën presion shumica e gjeneratës sime braktisën Kosovën dhe u vendosën në shtetet perëndimore me shpresë se atje do të gjejnë një ardhmëri më të qetë.
    Spastrimi më i madh etnik pas Luftës së Dytë Botërore në Europë dhe masakra e Recakut në Kosovë bëri që Nato-ja më në fund me 24 mars të vitit 1999, në orën 20.00 të fillojë bombardimet e bazave të Serbisë dhe të Malit të Zi.
    Atëbote në Prishtinë unë isha duke punuar në organizatën OXFAM-ë të Britanisë së Madhe. Isha larg familjes sime. Atë mëngjes unë kisha një ëndërr të mrekullueshme. Isha duke fluturuar për në Shtetet e bashkuara të Amerikës. Ishte një ndjenjë shumë e këndshme. Por, kur hapa sytë mu desht të ballafaqohem me ankthin. Unë jetoja në luftë. Isha vetëm në Prishtinë. Situata e të gjithë neve që jetonim në Kosovë vështirësohej çdo ditë shumë e më shumë.
    Brengosesha shumë për familjen time, e cila akoma ishte në Drenicë. Lajmet nga atje ishin trishtuese. Unë jetoja me një mike timen dhe dy fëmijët e saj. Ne banesë ishin edhe tre persona tjerë të rritur. Shikova nga dritarja, Pothuaj se në këtëerrësirë vetëm dielli buzëqeshte. Ai me rrezet e tij mundohej sadopak t`i nxente zemrat tona. Doja të dilja jashtë dhe të lozja me fëmijët e mikes sime.
    Por nuk ishim të sigurtë çka do sjellë çdo minut. Pra ne duhej të rrinin në mes të mureve të banesës. U paraqit nevoja të dalim për qumësht. Fëmijët nuk kishin. Mikja ime dhe unë dolëm. U vendosëm në një rend të gjatë për pritje të qumështit. Nuk guxonim asnjë fjalë të flisnim. Nëse flisnim do zbulohej se jemi shqiptare që do thotë se do mbeteshim pa qumësht, sepse qumështi ishte i paraparë vetëm për serbët.
    Të gjitha dyqanet ishin në duar të serbëve. Duke pritur në rradhë, sytë tonëdëgjonin më shumë se veshët. Heshtja fliste. Shumë njerëz largoheshin nga qyteti .Orët e gjata të pritjes u shpërblyen me një litër qumësht edhe me një bukë.Ishim të lumtur që morëm edhe ato. U kthyem sigurtë në banesë. I ushqyem fëmijët. Mirëpo ne të rriturit morëm nga një kafshatë që vetëm stomakun tonë ta mashtrojmë.
    E ndezëm televizorin. Po në atë moment erdhi policia në derën tonë. Trokitën. Jeta ime nuk varej ma nga unë. Atë e kontrollonte dikush tjetër. Ëndrra ime e mengjesit u zhduk dhe u shndërrua vetem në një shpresë të vogël për të jetuar. Në orën 16 iu afruam kufirit me Maqedoninë në vendkalimin Jazhinci. Ende në ethe te pasigurisë, shikova fshatin e afërm. Shumë shtëpi të djegura. Dëgjoja thirrjen e lopëve që kërkonin që dikush të vinte dhe t`i milte. Mirëpo, si duket askush nuk ishte aty afër.Në një livadh, një pelë dhe një quk i vogël kullosnin bari së bashku duke mos kuptuar çfarë po ndodhte përreth tyre. Në bjeshkë shihej pak dëborë.Ajo jepte një pamje të freskët dhe të pastërt.
    Papritmas një krismë e madhe e tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, c’të shohim, nga pela që ishte duke kullotur në qetësi mbetën vetem copa të gjymtyrëve tëdjegura! Pela kishte shkelë në minë tokësore. Quki iku sa më shpejt që mundi.Kuptuam se përreth nesh janë të vendosura minat.
    U frikësuam të ecim prandaj vendosëm të mbesim në vetura pa marrë parasysh sa ngadalë do të ecën rendi i veturave. Nuk ka toalet. As shlodhje për trupin tonë apo të fëmijeve. Filloi të bëhet ftohtë. Syte e mi u drejtuan kah qielli edhe fillova te pyes Zotin: "Ku e kam familjen? Si është baba im i vjetër? Si është nëna ime? A ka nëna barrërat e veta për tension? Si është zemra im Rinasi? Si janë dy engjëlleshat e mia Rina edhe Deniza?" Kisha shumë pyetje, por pa përgjigje.
    Stomakut tim të zbrazur i mungonte ushqimi, mbylla sytë me shpresë se do të pushoj së paku për një moment, por klithma e njerëzve qe rriheshin nga policia nuk më linte. Policia u tërbua pasi mbi qiellin e kaltër të Kosovës fluturuan aeroplanat e Natos me qëllim që të lëndojnë bishën e tërbuar.
    Rrahja vazhdonte duke u bërë pyetje: "Ju e kërkuat për NATO-n, ja tani e keni...Thirreni NATO-n të ju ndihmojë tani...Ku e keni Klintonin tani? Pse ai nuk vjen t’ju ndihmojë tani?"
    Pas 13 orë pritjeje në ankth u kalua më në fund kufiri i pritur aq shumë me Maqedonin.Mirënjohja për komunitetin Shqiptar në Maqedoni do të mbetet përjetë në zemrën time.
    Ushqimi i sjellur nga këta vëllezër Shqiptar të Maqedonisë, mikpritja dhe ngrohtësiae tyre bënë qe buka të më dukej më e shijshme se kurdoherë.Kushëriri im vendosi të vazhdojë rrugën në thellësi të Maqedonisë dhe atë në fshatin Qallapek. Unë kisha nevojë të jem më afër kufirit në mënyrë qe të
    kem më shumë informata për familjen time. Kushëriri vendosi të qëndrojë në atë fshat, ndërsa unë me ndihmën e fshatarëve të Qallapekut u nisa drejt Tetovës.
    Çdo shqiptar në atë kohë ishte mobilizuar në ndihmë të vëllezërve dhe motrave të Kosovës. Me ndihmën e prindit të një zëvendës kryeministri në qeverinë e Maqedonisë arrita tek stacioni i autobusave në Tetovë. U drejtova kah Stankoveci. Me ndihmën e organizatave humanitare u vendosa në kamp në Stankovec ku më gjetën një shtrat edhe një batanije në një tendë. Më duhej të flija me një familje që kurrë në jetë nuk e kisha takuar. Por isha e sigurtë.
    Ky ishte fundi i ditës më të gjatë në jetën time. Por jo edhefundi i aventurave të mija. Jeta në kamp ishte shumë e vështirë. Mirëpo, pas një jave prap fillova të punoj për OXFAM-in, ashtu siç kisha punur para luftës. Pas 6 javësh kërkimi e gjeta familjen time në Bllacë. Mrekulli! Të gjithë ishin gjallë.
    Mirëpo, ne të gjithë humbëm vlera materiale në Kosovë. Me ndihmën e organizatës dërkombëtare për migrim familja ime vendosi te fillojë një jetë të re në Amerikë. Të 14 anëtarët e familje sime erdhëm në Nashville duke mos e ditur as ku ështëNashville. Me ndjenjën e bukur që piloti e dinte, mendova!
    Këtu ne punojmë për të harruar të kaluarën tonë dhe kujtimet e tmerrshme nga lufta. Këtu ne gjetëm çka kërkuam. Të drejtat e dhuruara nga Zoti për të jetuar të lirë, për të punuar dhe shkolluar, këtu gjeta këto të drejta aq të mohuara nga ai regjim. Falë zotit askush më nuk do të na rrahë apo vrasë
    vetëm pse jemi Shqiptarë!
    Edhe pse 31 Marsi i vitit 1999 është shënjuar në kokën time si dita më e tmershmë e jetës time, prapseprapë shikuar pas këtyre viteve ankthi i vërtetë u shndërrua në realizimin e ëndrrës sime të cilën e pash atë mëngjez të bukur e që u ndërpre aq shpejt.Ishte vetëm një instink, apo Zoti të cilët më thirrrën në atë rrugë për Maqedoni gjatë atyre pesë minutave që duhej të vendosja? Ndoshta kurrë nuk do ta di, por zgjedhja e asaj rruge bëri që ëndrra ime që të bëj magjistraturën në Amerikë të bëhet realitet.


    _________________________________
    Falenderim te veqant per lektorim:
    Drin Nosit
    Margaritarit tim
    Buqes

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Mjelm .. te lumte penda e dora per keto qe ke shkrue..

    Mendoj se sejcili duhet te shkruaje per cka ka pa me syt e tije per ngjarjet tragjike ne Kosove e le ti mbeten keto kujtime historise tone te veshtire..

    Mjelm.. tash pusho e mos i lodh ma trut me shkolla.. se ja qite fundin librave.. aii boll ma..

    tana te mirat per ju e familjen tuaj 14 antarshe..

    ..

  3. #3
    vandal Maska e guntheric
    Anëtarësuar
    10-02-2003
    Vendndodhja
    pak majtas henes
    Postime
    92
    Para ca kohësh përcolla një shoqe nga kosova. U kthye në Kosovë nga ku shpreson të shkojë në Amerikë për të vazhduar studimet. Shpresoj ti japin vizën!
    Banonte në pjesën serbe të Mitrovicës, kurse tani, sigurisht, janë shpërngulur nga ajo anë e kanë kaluar në anën shqiptare. Gjatë gjithë kohës që kemi bërë shoqëri, rreth dy vjet, asnjëherë nuk e kam pyetur hollësisht për atë që ndodhi, për terrorrin që kaluan. Nuk duroj dot histori kaq rrëqethese sa ato të asaj kohe në kosovë. Vandali kish frikë të dëgjonte histori të tjera, më të frikshme sesa ato që kisha dëgjuar nga miq në shqipëri që pritën kosovarët gjatë luftës. Dhurata që i bëra kur iku ishte libri i Kadarese Ditar për Kosovën, Ra ky mort e u pamë.

    Pikërisht ra ky mort e u pamë! Duhet të ndodhë diçka e tillë që ne shqiptarët të shihemi. E keqja është se nuk mbaj mend një here në historinë e kombit tonë të jemi parë e të jemi bashkuar. Thonë se Skënderbeu na bashkoi por vandali nuk beson se kjo është e vërtetë. Ndoshta ai na bashkoi më tepër se të tjerët, ama dhe ai vetë nuk ia arriti tamam qëllimit. Jemi si këmbët e dhisë. Bashkohemi derisa tragjedia të kalojë, ose më mire derisa të harrohet, Dhe kështu kemi qenë gjithmonë. Ndaj dhe tragjedi si ajo e Kosovës ndodhin. Bile besoj se nuk kanë mbaruar tragjeditë tona. Statistikisht është e pamundur të mos na ndodhë gjë. Sigurisht mund të kundështoni këto që po shkruaj. Është shumë e lehtë pasi nuk bazohem në fakte. Thjesht kështu mendoj. Tani do më pyesni ç”iu tek vandalit të shkruajë kësi gjërash. Në mendime më futi titulli që Mjellma i dha kësaj pjese. Keni dhe pese minuta jetë! I ngjan shumë librit të kadaresë që lartpërmenda. Është ditar ku shkruhen, krahas ndodhive, dhe ndjenjat që ato sjellin. Fatkeqësisht ndjenjat mbizotëruese janë ato të frikës, tmerrit, pasigurisë etj etj. pra vec ndjenja të cilat askush nga ne nuk ka dëshirë ti ndjejë dhe megjithatë, si shqiptarë që jemi, është e pamundur të mos I kemi ndjerë apo të mos presim të na zotërojnë në të ardhmen.
    Në mendjen time lindi menjëherë sapo pashë këtë titull pyetja se sa kohë kemi ne shqiptaarët deri sa të na ndodhë dicka. Derisa ndjenjat e mësipërme te mbizotërojnë. Nejse.

    Mjellmë, nuk kam çthem më tepër për këtë pjesë. Efektin e kreu. Vandali u zhyt në mendime për të ardhmen. Nëse e kishe shkruar disa kohë më pare besoj se do kishe marrë më tepër përgjigje. E kemi zakon që ndodhitë e dhimbshme, tragjeditë, mundohemi ti harrojmë. Dhe ky nuk është fenomen shqiptar por mbarë botëror. Ama zakon që kemi vetëm ne është se pasi kemi harruar tragjedinë që na ndodhi të gjithëve krijojmë tragjedi të tjera. Pas një të keqeje që na vjen nga jasht e na bashkon vjen një tjetër nga Brenda që jo vetëm na përçan por edhe na bën që bashkimi të jetë i vështirë.
    white noise

  4. #4
    Maska e Liridona
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Mancester.Uk
    Postime
    165

    Te ja kepusesh"vandalce"

    "Banonte në pjesën serbe të Mitrovicës"
    Eshte pjesa e Mitrovices se OKUPUAR nga serbet o vandal-vandali !Mitrovica eshte nje dhe e tera shqiptareeeeee!!!
    Kjo nuk eshte pakujdesi por gabim yti.Po pasha daden keshtu eshte kur merresh me pune qe ste takjone.
    Liridona

  5. #5
    musliman krenar Maska e Shiu
    Anëtarësuar
    20-02-2003
    Postime
    1,040
    Mjellma, ben mire qe nuk i le gjerat te harrohen.
    Ndonjehere me duket sikur te gjithe kemi filluar te harrojme shume me shpejte se c'duhet... dhe kjo me tmerron!

    T.

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e Dreri
    Anëtarësuar
    02-06-2002
    Vendndodhja
    Florida
    Postime
    661
    Keta sy nuk qajne me..!!
    Keshtu tha spikeri kur ne sfondin e ekranin u paraqit nje femije i vogel kosovar.
    Keta sy nuk qajne me..!!
    Qielli i syve te voglushit ishte skuqur, gjak.
    Keta sy nuk qajne me, ai kishte qare te gjithe lotet e jetes se tij.
    Kishte mbetur vetem gjaku ti ridhte nga syte , pike pike si lot.
    E kujtoj kete skene, nderkohe qe spikeri gjerman i kanalit ZDF qante.
    Nuk e di c'behet me voglushin sot.Uroj qe qiellit te syve te tij ti jete kthyer ngjyra natyrale
    muzg i heshtur

  7. #7
    El-Letërsia Maska e macia_blu
    Anëtarësuar
    04-05-2002
    Vendndodhja
    michigan usa
    Postime
    2,492
    Te kane mbetur edhe pese minuta!

    U botua ne revisten Kuvendi nr 8, ne rubriken "perjetime"
    Mjellma, urime!

  8. #8

    Me keni ba nder!

    Ju falem nderit juve qe patet kohe te rrugetoni me mua.
    Dihet nga psikologjia se rekthimi i nje traume eshte menyra me e mire e sherimit te saj.Edhe une ashtu duke e pregadit nje hartim per klasen time te anglishtes vendosa te rikthej ate dite te asaj jetes sime.Sinqerisht mbasi e kam shkru perjetimin e asaj dite jam ndi me leht.

    Brar une mendoj se i profesioni me i mire per shqiptaret e Kosoves eshte profesioni qe ta mrehin lapsin me mire sepse koha e pushkes tani kaloj!
    Une i dua librat edhe disi ne to gjej prehje edhe mua si duket do me dergojn edhe ne vorre me libra!

    Vandal sa do kisha deshir qe te gjithe vandalet te jen te kendeshem ashtu siq jeni ju.
    Pajtohem ne shume rreshta qe keni shkruar ju.Si gjithemon mesoj diq te bukur nga ju.
    Shpresoj se mikes se juaj ju ka dhan viza edhe ajo tani eshte ne Amerikë.

    Shiu,
    Ndoshta e ke me drejt qe ne po i harrojm gjerat, si duket gjenet i kan fajet...

    Dreni,
    Sa do kisha deshir qe mos te shof lot ma ne syte e shqiptarve por si duket ajo eshte vetem nje enderr e jona.
    Sot ne TV ishte nje vajze e re me lot ne sy qante per te dashurit e saj qe tani edhe pas pese viteve ende se dike a jan te gjalle apo te vdekur!

    Macia_blu,
    I falem nderit "Kuvendit" qe botoj shkrimin tim.
    Revista "Kuvendi" po luan nje rol shume me rendesi ne informimin e opinjonit shqiptare ne Amerike.Nje revist e till i mungon edhe diasporave tjera ne Europ!

    Ju pershndes
    Mjellma

Tema të Ngjashme

  1. Raporti mbi monitorimin e medias,kusha jane TV afer PD dhe TV afer PS?
    Nga Shpirt Njeriu në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 04-06-2009, 16:10
  2. Tifozët e Super Kampiones Tirana
    Nga BlueBaron në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 157
    Postimi i Fundit: 26-02-2006, 22:05
  3. Pesë Minuta
    Nga eris në forumin Letërsia shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 21-12-2005, 05:04
  4. AC Milani, shembulli i punës sportive
    Nga Davius në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 20-05-2005, 15:59
  5. 20 minuta pushim
    Nga Ermali-AL..... në forumin Filozofi-psikologji-sociologji
    Përgjigje: 19
    Postimi i Fundit: 16-09-2004, 11:12

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •