"Welcome to Albania" nga Agim Neza
Shekulli online
"Welcome to Albania" Guida për Shqipërinë në gjuhën angleze, përgatitur nga Agim Neza, është publikuar këto ditë në Tiranë. "Welcome to Albania" ("Mirësevini në Tiranë") është një libër xhepi, interesant, bashkëkohor, praktik, i shkruar me një stil tërheqës, i thjeshtë për t'u përdorur nga të huajt që vizitojnë Shqipërinë. 120 faqe ilustrohen nga foto me ngjyra të fotografit irlandez, Joe Mc Mahon dhe të fotografëve të Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Disa harta të qarta, nëpërmjet të cilave mësohet rreth vendodhjes së pikave turistike, kulturore apo arkeologjike, në të gjithë vendin gjenden në këtë guidë të Nezës. "Ndryshe nga Guida 'Albania' e botuar kohë më parë, që ka gjithçka të detajuar rreth Shqipërisë, guida 'Welcome to Albania' përmbledh informacion bashkëkohor", tha autori Neza. Por si mund të vish në Shqipëri? Si mund të udhëtohet në Shqipëri? Guida iu përgjigjet pyetjeve të të huajve që vendosin të vizitojnë vendin tonë. Të dhëna për pozitën gjeografike, popullsinë, përmbledhje e shkurtër për historinë, klimën, parqet kombëtare, bregdetin, pyjet, gjuhën, fenë, organizimin e shtetit, ekonominë, pikat më tërheqëse turistike, distanca midis qyteteve janë informacioni i plotë që gjendet në këtë guidë. Gjithashtu nuk mungojnë informacione për akomodimin, restorantet më të mira, llojet tradicionale të ushqimit shqiptar, jeta e natës, jeta kulturore, pse dhe kur mund të vijnë të huajt në Shqipëri, si mund të merret një vizë, cilët shtetas të huaj kanë të drejtë të hyjnë në Shqipëri pa vizë, numrat e domosdoshëm të telefonave, duke përfshire prefikset e rretheve, shërbimin shëndetësor, shërbimin urban, taksive, trenave, trageteve, etj. Kapituj të tjerë interesantë përmbajnë të dhëna për qytetet
historike të Shqipërisë, qendrat më tërheqese arkeologjike siç janë Butrinti dhe Apollonia, bregdeti shqiptar, Durrësi, Vlora, Saranda, Alpet e Shqipërisë, etj.
Krijoni Kontakt