Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609

    Si e shpërthyem në '90 portën e ambasadës italiane

    Si e shpërthyem në '90 portën e ambasadës italiane


    Autori i Lajmit: Denisa Kona
    Plot 14 vite më parë, më 23 qershor 1990, një grup djemsh nga Tirana sulmuan dhe shembën me makinë, portën kryesore të ambasadës italiane. Luan Laze, një nga protagonistët e aventurës, na tregon historinë e asaj dite. Kanë kaluar 14 vjet dhe rrjedha e fatit ka qenë e ndryshme për protagonistët e asaj ngjarjeje. Ndoshta me gjykimin e sotëm, dikush mund ta shohë si diçka të lehtë dhe të parëndësishme. Por në qershor të 1990-tës, pakkush mund të mendonte apo guxonte të merrte një aventurë të tillë rrezikndjellëse, pakkush mund ta imagjinonte se si mund të realizohej një akt i tillë. Mbase një pjesë e madhe e shoqërisë së indoktrinuar do të mendonte se, akte të tilla ishin pjellë e rrugaçërisë dhe “armiqve” të klasës dhe partisë. Shumkush në atë kohë, nuk mund ta imagjinonte veten në një shoqëri tjetër, jashtë skemave dhe vobektësisë së trashëguar në dekada. Sot, duken si të harruar protagonistët e atij akti që çanë akullin dhe krijuan një prej precedentëve që shpejtuan gjenerimin e atyre situatave përmbysëse në Shqipëri, por në kujtesën e gazetarit dhe shkrimtarit Laze, ato mbeten detaje historike përtej jetës vetiake.

    -Zoti Luan, përpara se të dalim te ngjarja, a mund të na flisni për rrethanat që ju shtynë te vendimi për të sulmuar ambasadën italiane?
    Për vite me radhë, unë me shokun tim të fëmijërisë, Maksim Rama, kishim ëndërruar për një arratisje jashtë vendit. Bisedonim, thurrnim plane, i anulonim dhe përsëri i bënim ato. Ëndrrat tona ishin që unë të bëhesha shkrimtar, ndërsa ai, aktor. Duke qenë të dy, djem me shpirt të lirë e çapkënë, e kishim shumë të vështirë të duronim atë lloj diktature. Këto mendime, Maksin e dërguan në qelitë e burgut, ndërsa mua më kishin vënë nën kujdestari, ose siç thonin operativët, kisha mbetur kontigjent… Në këto kushte, mendova të arratisem vetëm, ndonëse e dija se do ta kisha të vështirë. Më 1983, kur isha me shërbim nga gazeta në Gjirokastër së bashku me gruan, bëmë një përpjekje nga Kakavija, por ishte e pamundur. Mbaj mend se kur u kthyem në Tiranë, ajo qante nga gëzimi që nuk ikëm, ndërsa unë duhej të qaja përse nuk ikëm. Ëndrra për t’u arratisur ka qenë në ato vite, hobi më i madh i jetës time.
    -Ndërkohë që shoku juaj Maksi, vuante dënimin, a kishit lidhje apo korrespondencë me të?
    Po, kishim lidhje të drejtpërdrejta në takimet e burgut. Unë i shkoja herë pas here me të vëllanë, Bujarin, natyrisht duke u hequr si djali i tezes së tij, sepse jashtë familjes nuk lejoheshin takime. Në Spaç dhe në Zejmen, ku ai kaloi pjesën më të madhe të vuajtjes, pa praninë e policit ne vazhdonim të thurrnim plane për arratisje pas daljes së tij nga burgu. Unë shkoja e takoja në burg duke menduar se ia kisha hedhur Sigurimit duke u prezantuar me emër tjetër si djali i tezes së tij. Por kisha gabuar. Ata e dinin që unë e kisha shok të ngushtë, dhe një ditë prej ditësh, në fund të majit 1989 më thirrën në Komitet të Partisë dhe më paralajmëruan si për takimet e burgut, dhe për satirat me aludime që botoja në shtyp. Por kjo është histori tjetër.
    -Vazhdonit ju edhe pas kësaj, të bënit plane të tilla?
    Padyshim, por për çudi, padurimit dhe dëshpërimit tim për vonesën e arratisjes, ishte Maksi që i jepte kurajo. Njeriut që i mungonte liria, shpresonte më shumë se unë tek ajo. Kudo që e çonin, merrte me vete fotot që kishte bërë me ne, shokët e tij. Më thosh gjithnjë: “Ti je vetëm me foto këtu brenda në burg, ndërsa unë me të dyja, edhe fizikisht.” Njërin prej shokëve, që u bë edhe inisiatori për hyrjen në ambasadën italiane, ai e njohu në burg. Quhej Burhan Kalaja, nga Tirana. Ai, para dënimit, kishte punuar teknik ndërtimi në minierën e Valiasit. Më 1980 -tën, ai arrestohet dhe dënohet me 15 vjet heqje lirie për tentativë arratisje. Në nëntor të `89-tës, duke përfituar nga amnistitë, ata lirohen të dy në një ditë.
    -Kur ata dolën nga burgu, pse nuk u arratisët nga kufiri siç kishit menduar, po nëpërmjet ambasadës italiane?
    Kur ata dolën nga burgu kishin ndryshuar mendim. Maksi dhe Burhani, donin që veprimi ynë të mos ishte thjesht individual, pra të kalonim kufirin dhe të shpëtonim. Ata donin që regjimit komunist t’i shkaktonin një frakturë, një të çarë, për t’u bërë kështu edhe frymëzim për të tjerë. Pasi kaluan disa muaj në liri, në kompleksin sportiv “Dinamo”, te pishinat, ku Maksi si ish- i burgosur kishte punuar vetë, u njoh me një gazetar italian. Meqë fliste mirë italisht, i kërkoi ndihmë duke i propozuar edhe planin e futjes në ambasadë. Tjetri e mirëpriti këtë ide, pranoi dhe e siguroi se jeta jonë nuk do të ishte në rrezik dhe askush nuk do të na dorëzonte tek autoritetet.
    -Çfarë dite ishte kur vendosët të bënit aksionin, dhe a ndjenit frikë apo dhimbje për njerëzit që po linit pas?
    Në fakt, të parët që nuk po duronin dot zvarritjen tonë për arratisje, ishin dy shokë të tjerë nga Tirana, Bujar Aliko dhe Edmond Vokshi. Mondi kishte qenë i dënuar për tentativë arratisjeje, ndërsa Bujari punonte si shofer autobusi në linjën Tiranë- Uzina e Tankeve. Një muaj para se të ndërmerrnim ne aksionin, ata me autobusin “fizarmonikë” u afruan te muri i ambasadës greke, dhe, nga kapaku i sipërm u hodhën brenda në oborr. Këta ishin dy guximtarët e parë që kaluan muret e ambasadave. Pas disa ditësh, u bëmë gati ne të tjerët. Maksi më kishte thënë se, së shpejti do të bënim diçka të madhe, por se çfarë, ende jo. Nuk më kishte thënë për të ruajtur qetësinë e familjes time, (vetëm unë isha i martuar nga shokët), dhe emrin tim si gazetar dhe shkrimtar.Ishte e shtunë, datë 23 qershor 1990, ora 14.30, kur shokët e mi Maksi dhe Burhani, erdhën dhe më morën në shtëpi. Sigurisht, ndarja ishte e dhimbshme sepse jo vetëm do të largohesha, por edhe do të hidhesha në krahët e një aventure që ndoshta do të më kushtonte jetën. Nuk e harroj kurrë atë çast. Kur nisa të vishem, gruas iu mbushën sytë me lot. E dija se kjo, duke lënë pas shtëpinë, babain, gruan dhe dy fëmijët, ishte egoizëm. Por atmosfera disi liberale që ishte krijuar ato dy vite, më mbushte me besim se shumë shpejt do të takoheshim përtej detit. Aq më tepër që nga brenda ambasadës greke, dy shokët, Bujari dhe Mondi, na dërgonin mesazhe se ne nuk duhej të prisnim më.
    -Mund të na e përshkruani momentin kur u ndatë me familjen?
    Burhani i kërkoi gruas time raki, jo për vete po për mua, që të më largonte emocionet. Për çudi, megjithëse piva dy dopio ato nuk më pakësoheshin, përkundrazi më shtoheshin. U vesha, putha djalin në gjumë dhe vajzën që pyeste e habitur: “Ku po shkon babi!?” U ndava me babain, gruan, e cila më ndiqte duke zbritur shkallët e pallatit me lot në sy, si në ato skenat e filmave të Felinit. Kisha dhimbje, shumë dhimbje, po frikë jo, se po të kisha nuk do të shkoja. Në gjoks mora me vete disa dorëshkrime të tregimeve satirike, me shpresë që t’i botoja jashtë Shqipërisë. Mora edhe disa gazeta “Drita” ku kisha botuar paradokse, nga të cilat, njerëzit e Sigurimit, kur më kishin thirrur, më kishin cituar këtë thënie: “Sikur ta dinte demi, forcën e brirëve të tij, nuk do të kishte kasap që ta therrte”. “Kush është demi, dhe cili është kasapi?”, më pyesnin me djallëzi.
    -Si ishte organizuar aksioni? Kush do të ishte shoferi i makinës, në ç’ orë do të futeshit nç ambasadë dhe si?
    Në xhade na priste një skodë e markës “Liaz”. Shoferi i saj, Fatos Kaceli, që punonte në parkun e minierave, kishte krushqi me Maksin. Ishte djalë trim, i urtë, punëtor dhe i besës. Njerëzve të shtëpisëj, atë ditë u kishte thënë se do të shkonte me shërbim në Pukë. Sapo u nisëm, Fatosi më pëshpëriti me rimë: “Na shkoftë rruga e mbarë, o gazetar!” Diku, pranë ish- shkollës së kuzhinës, aty ku sot është Ministria e Shëndetësisë, makina ndaloi dhe në të hipën dhe ***ër djem të tjerë, të cilët nuk i njihja. Ishin shokë të shoferit që ai i kishte lajmëruar të prisnin aty. Njërit ia mësova edhe mbiemrin, quhej Gëzim Tota, ndërsa të tjerëve vetëm emrat; Miri, Luli dhe Ilia. Fakti që u bëmë kaq shumë, më trembi, por pak më vonë kur u njoha më shumë me ta, nisa të çlirohem dhe të më largohej ankthi. Ishin djem trima dhe tepër të vendosur. Pas 15 minutash, makina jonë u fut prapa ullishtës së uzinës “Traktori”. Ndonëse verë, makina na ngeci në një gropë tërë baltë. Kërkuam ndihmë te një shofer me makinë tip “Ziz”, i cili na e dha atë pa e ditur se kë po ndihmonte. “Ky shoferi,- u thoja shokëve,- nëqoftëse do të futemi në ambasadë, do të arrestohet i pari, sepse na ka nxjerrë nga balta”. Më pas, diku ndaluam, hoqëm xhamin e parë të makinës, që copat e tij të mos i binin shoferit në fytyrë, dhe ....
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  2. #2
    i/e larguar Maska e Tirana
    Anëtarësuar
    29-06-2004
    Postime
    211
    Rrëfejnë protagonistët: "Sulmi" ndaj ambasadave filloi që më 20 qershor. Ndihma që dhanë stafet e selive diplomatike për të realizuar atë që do të quhej krisja e parë e diktaturës

    "Si i thyem më 2 korrik dyert e ambasadave të huaja"


    --------------------------------------------------------------------------------



    Dy korriku është kthyer tanimë në një datë për të përkujtuar djemtë dhe vajzat, gratë dhe fëmijët që kërkuan tempujt e shpresës duke hyrë në ambasadat e huaja, sepse pikërisht në këtë datë është realizuar një përleshje e ashpër ndërmjet njerëzve të thjeshtë dhe strukturave policore të diktaturës.



    Por, në fakt, hyrja nëpër ambasada kish filluar dymbëdhjetë ditë më parë, më datë 20 qershor, kur autobusi fizarmonikë me targë TR 00301, i drejtuar nga shoferi Bujar Alikaj, ndaloi rastësisht pranë mureve të ambasadës greke. Më pas, më 23 qershor, skoda LIAZ e drejtuar nga Fatos Kaceli shpërtheu portën e ambasadës italiane, ndërsa të nesërmen, rreth orës 18.00, skoda e drejtuar nga Kastriot Mano çau mes për mes murit të ambasadës gjermane duke e shembur atë. Pas datës 20 qershor deri në 6 korrik ka pasur kapërcime muresh thuajse në të gjitha ambasadat e huaja, ku veçohet kapërcimi i ambasadës turke, me anë të makinës së plehrave që në një farë mase konsiderohej një spektakël. Përveç ambasadës kineze dhe kubaneze, të cilat nuk i pranuan bujtësit, duhet thënë se të gjitha ambasadat e tjera reflektuan një bujari dhe mikpritje, e cila nuk duhet të harrohet nga politika e sotme shqiptare. Hyrja nëpër ambasada vazhdoi gjithashtu edhe pas datës 2 korrik, por kjo hyrje është bërë lehtësisht nën vëzhgimin e policisë, e cila për disa ditë rresht kishte marrë urdhër të mos reagonte më.

    10 - 20 qershor, plane të dështuara
    Pas Popajve legjendarë të ambasadës italiane, tentativa e parë për kapërcimin e mureve u bë në ambasadën greke dhe gjermane. I pari që tentoi të kapërcente muret e ambasadës greke ishte një banor nga Narta e Vlorës, të cilin policët arritën ta kapnin pikërisht ndërsa përgatitej të gjente tangjenten fatale të lartësisë së murit, dhe duke e tërhequr me forcë, pasi e shtrinë përtokë, e goditën rrufeshëm me grushte dhe shkelma derisa i ra të fikët. Akoma edhe sot nuk është bërë ende publik emri i njeriut nga Narta për të cilin muri që kishte ëndërruar si limit shpëtimi u kthye papritur në një qeli burgu ose në një mur pushkatimi. Gjithashtu, një tentativë grupi për të hyrë në ambasadën gjermane kishte dështuar. Duhet shënuar se ato ditë thuhej që në "ambasadën franceze ka mundur të hyjë një njeri", por kjo gjë qarkulloi në formën e legjendës, pa u konfirmuar ndonjëherë saktësisht. Gjatë këtij dhjetëditori u synuan edhe disa ambasada të tjera në rrugët më të përshtatshme, por pa rezultat.

    Goditja e parë, 20 qershor
    Autobusi fizarmonikë me targë TR 00301, i drejtuar nga 30-vjeçari Bujar Alikaj, më datë 20 qershor të vitit 1990 në orën 07.40, pasi kishte çuar në punë gratë punëtore të xhenios, u drejtua për tek ambasada greke, duke ndaluar në murin anësor të saj. Brenda, përveç Bujarit, ishte edhe Edmond Vokshi, i cili pas një tentative për kapërcim kufiri në Tropojë, së bashku me gruan shtatzënë dhe djalin e vogël, ishte dënuar me dhjetë vjet burg. Ndërsa gruaja me punë korrektonjëse. Pasi hapën kapakun e sipërm të autobusit, ata kapërcyen murin rrethues, duke u bërë kështu dy banorët e parë të kozmosit të ndaluar deri atëherë. Më 28 qershor në ambasadë hyri edhe gruaja e Mondit së bashku me fëmijët. Por, si u përgatit aksioni i hyrjes. "Një ditë më parë unë isha takuar me Leonidhën (shefi i sigurimit të ambasadës) në hotel 'Dajti', ku e kisha parashikuar për herë të dytë pikësynimin tim përfundimtar. Pasi më parë e kisha takuar te pishinat, - thotë Bujari. - Në këtë takim të dytë Leonidha më tha se 'për t'ju dorëzuar, nuk ju dorëzojmë kurrë, por data e nisjes suaj do të varet nga rrethanat e zhvillimeve të mëvonshme'. Kështu, të nesërmen, me të mbërritur në ambasadë, dy të rinjtë morën kontakte me personelin dhe gjithçka u rakordua brenda pak minutave. "Ndërkaq, nga territori i ambasadës gjermane kapërcyen dy të rinj të tjerë, Ardi dhe Bimi, të cilët pasi kaluan murin rrethues të gjermanes, u hodhën përsëri për tek grekja, - thotë ai. - Ambasadori gjerman mbërriti menjëherë në ambasadën greke duke na thënë se kush dëshironte të qëndronte tek ai, mund të vinte menjëherë, por ne na premtuan në ambasadën greke për kushte të mira, banesë dhe punë sapo të vinim. Kështu që qëndruam të gjithë atje". Ndërkaq, në kryeqytet kjo ngjarje bëri një bujë të jashtëzakonshme si te njerëzit e thjeshtë, ashtu edhe në instancat qeveritare. Mbahet mend se në Teatrin Kombëtar, ndërsa po vihej afishja që paraqiste shfaqjen e një komedie të re, njëra nga aktoret më të njohura të vendit, Eva Alikaj, u tha me zë të lartë organizatorëve: "Hiqeni fare afishen e komedisë, sepse tani të gjithë shqiptarët janë duke vuajtur fatin e tyre të zi dhe ata nuk mund të detyrohen të qeshin përpara kësaj gjendjeje".

    23 qershor, sulm mbi ambasadën italiane
    "Në orën 22.00 një tjetër ngjarje e bujshme ndodhi në ambasadën italiane, kur skoda LIAZ e drejtuar nga Fatos Kaceli shpërtheu portën e hekurit duke u futur në mjediset e brendshme të saj. Në këtë makinë ndodheshin, përveç shoferit Burhan Kalaja, edhe Gëzim Tota, Ilia Miri, Luli e disa të tjerë. Në fakt LIAZ-i kishte tentuar një herë shumë orë më parë, por kishte ndërruar destinacion për shkak se përpara portës qëndronin ulur disa policë, të cilët mund të rrezikonin jetën duke përfunduar në rrotat e makinës. Pas ngjarjes në ambasadën greke, kjo ishte një iniciativë që tronditi rëndë sistemin e kohës. Unë kisha biseduar më parë me përfaqësues të ambasadës dhe me një gazetar, të cilët më kishin siguruar se nuk do të na dorëzonin," ka thënë për këtë ngjarje njëri nga protagonistët e saj, gazetari Luan Laze. Ndërsa Burhan Kalaja, në letrën që i dërgonte dy ditë më parë Bujar Alikajt në ambasadën greke nëpërmjet Leonidhës, shkruan se këto ditë do të hyjnë patjetër në ambasadën italiane, sepse ky sistem duhet shembur.

    Thasë rëre dhe qingja në tokën gjermane
    Pa u lënë frymë strukturave të shtetit të organizoheshin, më 2 korrik muri i ambasadës gjermane u shemb nga një skodë në të cilën ndodheshin rreth 20 veta, burra, gra dhe fëmijë. Përpara turirit të makinës ishin vendosur thasë rëre, ndërsa sipër saj, në formën e ushqimeve paraprake, kishin marrë edhe disa dele. Megjithëse gjithçka ishte planifikuar me hollësi, ndodhi që muri rrethues nuk ishte mur me tulla teke, por dopio. Kështu që pas goditjes së tij, shumë nga të pranishmit u gjakosën në fytyrë dhe në trup. Ashtu të gjakosur ata kapërcyen murin e shembur, duke shënuar kështu kuotë të re për shembjen e diktaturës. Duhet thënë se brenda në ambasadë ndodhej një grup të rinjsh, pasi Ivi së bashku me shokët e tij kishin kapërcyer murin më parë.

    Arratisje me makinën e plehrave
    Në ambasadën turke arratisja u krye në mënyrë spektakolare, nëpërmjet makinës së plehrave. Duke pastruar plehrat e qytetit, njerëz të veshur si punëtorë të komunales zbarkuan në ambasadën turke duke shënuar një të papritur të re. Më pas, së bashku me të ardhurit e tjerë që kishin hyrë më parë, Koli, Mondi, Ganiu, Fredi, Ardi etj. ata morën vizat tranzit për në Greqi dhe natën e fundit fjetën në hotel "Arbëria", ku duke pritur mëngjesin nuk vunë gjumë në sy.

    2 korrik, luftë para ambasadave
    Hyrja më 2 korrik u realizua në orët e mbrëmjes nëpërmjet një përleshjeje të vërtetë midis njerëzve që donin të iknin dhe forcave policore, që kishin marrë detyrë të ndalonin me armë hyrjen në ambasada. Në këtë përleshje pati edhe shumë të plagosur, por qarkullojnë fjalë edhe për një numër enigmatik të vdekurish. Nga ana tjetër, njerëzit e policisë arrestonin pjesëmarrës të ndryshëm dhe i fusnin në makina, të cilat nxitonin nëpër rrugë, por edhe sot e kësaj dite asnjëri nuk e di destinacionin e tyre. "Unë shikoja që nga kangjellat e ambasadës greke këtë luftë të vërtetë dhe mund të them se njerëzit plagoseshin prej zjarrit policor ose goditeshin fizikisht me grushte dhe shkelma, pastaj ngarkoheshin nëpër makinat ushtarake tip IFA, por nuk e di ku përfundonin," thotë një përfaqësues i trupit diplomatik. Në dëshmi duhet shtuar se dy kameramanë të policisë së fshehtë filmonin të gjitha fytyrat e pjesëmarrësve në këtë përleshje.

    2 ditë më pas
    Ishte dhënë një urdhër tjetër, me anë të të cilit të gjithë ata që donin të hynin ishin krejtësisht të lirë për ta bërë këtë gjë. Madje, nën sytë e policisë njerëzit ngjiteshin dhe zbrisnin prej kangjellave, duke u kthyer në shtëpi për të ngrënë drekë ose për t'u lënë ndonjë porosi pjesëtarëve të tjerë të familjes. Kishte edhe raste kur njerëzit që kalonin andej rastësisht, pa ndonjë dëshirë për t'u futur në ambasada, ngacmoheshin prej policit përkatës: "Në qoftë se do të hysh, kapërce nga pjesa anësore e murit".

    Pasojat e familjarëve
    Babai i Bujarit, Ymer Alikaj, kishte qarë vetëm një herë në rininë e tij, atëherë kur fashistët gjermanë kishin bastisur zonën dhe kishin vënë para murit të pushkatimit disa pjesëtarë të familjes. Për herë të dytë Ymeri qau fshehurazi më 21 qershor, jo aq për heqjen e teserës së partisë, sesa për faktin që idealet komuniste që kishte mbrojtur kishin shkatërruar perspektivën e jetës së fëmijëve të tyre në atë masë saqë në semaforin e viteve '90 nuk dukej asnjë dritë jeshile. Përveç kësaj, ingranazhet e diktaturës qysh më datën 22 qershor përjashtuan nga puna si mësuese fshati në Vlorë motrën e Bujarit. Gjithashtu, me familjet e Fatosit, Kastriotit, Burhanit, Edmondit, Fredit, Ilirit etj. ndodhi e njëjta gjë: përjashtim nga puna dhe akuzë e rëndë për njollosje biografie. Mbledhjet që dukeshin sikur ishin harruar disi, rifilluan përsëri në këtë periudhë me një intensitet të paparë. Nga kupola komuniste ishte dhënë një urdhër i prerë për masat ndaj familjeve të të ikurve: përjashtim nga partia dhe largim nga puna në rastet kur bëhej fjalë për funksione ose punë intelektuale, por me sa duket ishte tepër vonë që diktatura të kamuflonte kafshimin e saj të helmuar. Kjo sepse familjarët, pasi dilnin nga mbledhjet e organizatave ku ishin përjashtuar për shkak të veprimit të fëmijëve, papritur takoheshin në rrugë me njerëz të thjeshtë, të rinj ose të vjetër, që i pyesnin "Si është djali?" dhe u jepnin zemër: "Mos u mërzit, im bir ka vendosur të futet nesër në ambasadë".

    Trajtimi...
    Në ambasada kishte një dyndje të jashtëzakonshme. Kuptohet që vështirësia ishte më e madhe për furnizimin me ushqime, por ato ambasada ku kishte një numër më të kufizuar, kushtet konsideroheshin më komode. Kështu, në ambasadën gjermane dhe italiane kishte më shumë probleme në ndarjen e ushqimeve, por duhet thënë se përkushtimi i personelit të mbetur (një pjesë e madhe e punonjësve të ambasadave ishin larguar) ishte në shkallën maksimale. Ndërsa në ambasadat turke, franceze, greke, çeke etj. ishte më e lehtë për të përballuar tranzicionin e pritjes dhe ndonjëherë ndodhte që refugjatët e ambasadës greke ndihmonin të afërmit në ambasadën fqinje me cigare, ushqime etj., por kjo ndodhi vetëm për njëfarë kohe, sepse pastaj nuk na lejonin më - thotë Edmondi. Dita gjithsesi ishte më lehtë për t'u kaluar, kurse nata më e vështirë. Ndodhte që natën policia e fshehtë shqiptare ngjitej në kangjellat e ambasadës duke u folur individualisht njerëzve që qëndronin aty. "Arbenit i ka vdekur nëna", "Iliri ka motrën të sëmurë" , ose "Dilni, sepse ata kanë vendosur t'ju bëjnë sapun, njëlloj si dikur në kampet e përqendrimit" etj. etj. Përveç kësaj, ndonjëherë vinin njerëzit e shtëpisë të nxitur nga shteti, të cilët u bënin thirrje të afërmve për të dalë. Në të gjitha rastet ne ishim të vendosur të qëndronim, por kishte ndonjë që edhe dilte për arsye të ndryshme, - thotë Edmondi.

    Finalja Gjermani-Argjentinë
    Ndeshja finale Gjermani-Argjentinë për herë të parë në kryeqytetin sportdashës të Shqipërisë u përcoll me një interes të paktë nëpër familje. Zërat e njerëzve ishin mekur plotësisht nga zhvillimet e fundit dhe shumë pak e kishin mendjen te futbolli. Kur u shënua goli i gjermanëve, tek-tuk u dëgjua ndonjë britmë entuziazmi, sepse kryeqyteti jetonte orët e tij më të vështira. Por pikërisht që nga ambasada gjermane papritur oshëtinin zërat e të ngujuarve që thërrisnin "Gjermani, Gjermani". Dhe në çastin e golit ky entuziazëm arriti kulmin. Atëherë njerëzit që banonin në qendër dolën në rrugë dhe më shumë sesa ndeshjen e futbollin dëgjonin oshëtimat e të ngujuarve, me shpresën e kotë se mund të dallonin zërat e të afërmve. Atë ditë i gjithë kryeqyteti shqiptar ishte me skuadrën e Gjermanisë, po në atë masë sa ç'mund të ishte me Italinë, Greqinë, Francën, Çekinë, Turqinë etj., po qe se do të luanin në finale.

    Lamtumirë, do të kthehemi!
    Në mëngjes, që pa gdhirë dita, autobusët u ngarkuan me refugjatë duke u nisur drejt Durrësit. Njerëzit e tjerë, familjarë ose të afërm, kishin bllokuar trotuaret e rrugës Kombinat-Plepa, duke pritur përfundimin e enigmës, por papritur u dha një urdhër që autobusët të kalonin nga rruga tjetër drejt Durrësit, duke parakaluar Laprakën. Me gjithë këtë devijim, edhe ato pjesë të rrugës ishin mbushur plot e përplot me familjarë të të ikurve. Në Maminas autobusët janë ndalur përreth çerek ore. Gjatë kësaj ikjeje refugjatët hiqnin bluzat, orët, unazat etj. të cilat i hidhnin rrugës me ndonjë mbishkrim të thjeshtë, si "Nënës sime si kujtim", duke shkruar gjithashtu ndonjë adresë. Ndonjëherë thonë se në Tiranë, ku ashtu si kudo ekzistojnë vjedhjet dhe plaçkitjet, po të humbi diçka nuk e gjen kurrë më. Por atë ditë ndodhi krejt ndryshe. Atë ditë kur kombi kishte humbur një pjesë të ndërgjegjes së tij, sendet e tjera apo florinjtë nuk kishin vlerë. Atë ditë nuk humbi asgjë, sepse të gjitha sendet mbërritën brenda ditës në destinacionet e adresuara. Njerëz që trokisnin nëpër dyer për të sjellë sendet e gjetura, pëshpërisnin me lot në sy fjalët: "Kërkoja një shenjë të tim biri, por gjeta një letër të djalit tënd dhe duke e shtrënguar në gjoks, qava njëlloj si për fëmijët e mi". Ndërkaq, në portin e Durrësit njerëzit e policisë shihnin me urrejtje të rinjtë që largoheshin. "Ikni, por të paktën mos flisni kundër pushtetit," tha njëri prej njerëzve të policisë. "Deri tani kemi dëgjuar se si keni folur ju, ndërsa tani ka ardhur koha të flasim ne për të thënë të vërtetën," është përgjigjur atje Ilir Demalia.

    Pas 10 vjetësh
    "Ne ikëm nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë, por edhe për të vërtetuar se një popull nuk mund të pranojë bashkëjetesën e përjetshme me të keqen. Por na duhet të pohojmë se atje ku shkuam, nuk gjetëm parajsën. Vetëm se kemi mësuar të punojmë me kulturë e ndershmëri për të ndërtuar jetën tonë". Ky është përfundimi në të cilin kanë arritur dhjetë vjet pas shkatërrimit të diktaturës komuniste disa nga protagonistët e luftës kundër saj. Në këtë dhjetëvjeçar të përkujtimit të datës 2 korrik ndoshta do të ishte prekëse dhe njëkohësisht madhështore të kujtoheshin sakrificat e atyre që rrezikuan jetën për të rrëzuar muret e Berlinit që diktatura i kishte betonuar që prej 40 vjetësh. Por me dhimbje mund të themi se nuk është kështu. Ende sot mijëra e mijëra njerëz po nxitojnë të largohen nga Shqipëria njëlloj siç largohen njerëzit nga një tokë që po rreshket. Ende sot e kësaj dite dallgët e detit nxjerrin në breg kufomat e mbytura të qytetarëve të pafat, që bëjnë pjesë në "divizionin e të paidentifikuarve". Vetë protagonistët e dy korrikut tregojnë se atje ku shkuan, nuk gjetën kushtet e premtuara. Për këtë gjë Bujari thotë se "nuk na trajtuan ashtu siç na premtuan, kështu që vendosa të kthehesha në Shqipëri, ku si për ironi të fatit pashë në aeroport po ato fytyra sigurimsash që na kishin terrorizuar në portin e Durrësit ditën që u larguam. Unë mendoj se rruga e vetme e shpëtimit është të bashkojmë kontributet tona për të ndërtuar një jetë të lumtur në tokën e të parëve". Megjithatë, 2 korriku i vitit 1990 gjithsesi ka ç'të na mësojë. Apeli i tij u bie këmbanave në mënyrë që ta kuptojmë një herë e mirë se neve, kudo që të shkojmë, na ndjek pas fati i ushtarëve të dezertuar, ose thënë troç, fati i emigrantit. Për këtë arsye, një herë e mirë duhet të kuptojmë mesazhin e pasqyrës ku shihemi, e cila kërkon të qytetërohemi dhe të ndërgjegjësohemi për të begatuar Shqipërinë. Vetëm kështu mund të arrijmë atë që prej shekujsh duhej ta gjenim në mesin tonë, por gabimisht e kemi kërkuar atje ku nuk duhet. Lumturinë dhe mirësinë, e cila fillon në pragun e shtëpive dhe dashurive tona të munguara. Tani që kemi shembur fantazmën e komunizmit, duhet të projektojmë me dinjitet statujën e demokracisë.
    Arkivi i Gazeta Shqiptare

  3. #3
    rezistenca nuk vdes Maska e ju flet Tirana
    Anëtarësuar
    03-10-2003
    Vendndodhja
    ne kafenene e preferuar
    Postime
    99
    Ai majtas ke foto duket shume fytyre e njohur
    Bushspeak: War is Peace

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    "SI THYEM PORTEN E AMBASADES ITALIANE"

    E Diele, 19 Qershor 2005



    "SI THYEM PORTEN E AMBASADES ITALIANE"

    Satiriku dhe gazetari Luan Laze, rrefen se c'ndodhi ato dite qershori te vitit "90-te


    -Zoti Luan, perpara se te dalim tek ngjarja, a mund te na flisni per rrethanat qe ju shtyne te vendimi per te sulmuar ambasaden italiane?

    -Per vite me radhe, une me shokun tim te femijerise Maksim Rama, kishim enderruar per nje arratisje jashte vendit. Bisedonim, thurnim plane, i anullonim dhe perseri i benim ato. Endrrat tona ishin qe une te behesha shkrimtar, ndersa ai aktor. Duke qene te dy djem me shpirt te lire e capkene, e kishim shume te veshtire te duronim ate lloj diktature. Keto mendime, Maksin e derguan ne qelite e burgut, ndersa mua me kishin vene nen kujdestari, ose sic thonin operativet, kisha mbetur kontigjent Madje kujdestaret e lagjes, faktin qe une qendroja beqar, e komentonin si nje arsye se mua me punonte mendja jashte kufirit. Ne fakt kishin te drejte. Ne keto kushte mendova te arratisem vetem, ndonese e dija se do ta kisha te veshtire. Me pas ne 1983, tashme i martuar, kur isha me sherbim ne Gjirokaster nga gazeta "Puna", kryeredaktor i se ciles ishte zoti Namik Dokle, sebashku me gruan beme nje perpjekje nga Kakavija, por ishte e pamundur. Mbaj mend se kur u kthyem ne Tirane, ajo qante nga gezimi qe nuk ikem, ndersa une duhej te qaja perse nuk ikem. Endrra per t'u arratisur ka qene ne ato vite hobi me i madh i jetes time. Edhe endrrat e gjumit i shikoja sikur arratisesha.

    -Nderkohe qe shoku juaj Maksi, vuante denimin, a kishit lidhje apo korrespondence me te?

    -Po, kishim lidhje te drejtperdrejta ne takimet e burgut. Une i shkoja here pas here me te vellane, Bujarin, natyrisht duke u hequr si djali i tezes se tij, sepse jashte familjes nuk lejoheshin takime. Ne Spac dhe ne Zejmen ku ai kaloi pjesen me te madhe te vuajtjes, pa pranine e policit ne vazhdonim te thurnim plane per arratisje pas daljes se tij nga burgu. Une shkoja e takoja ne burg duke menduar se ia kisha hedhur Sigurimit dhe prezantohesha me emer tjeter si djali i tezes se tij. Por kisha gabuar. Ata e dinin qe une e kisha shok te ngushte, dhe nje dite prej ditesh, ne fund te majit 1989-te me therriten ne Komitet te Partise dhe me paralajmeruan si per takimet e burgut, ashtu dhe per satirat me aludime qe botoja ne shtyp. Perderisa nuk po realizoja endrren per t'u arratisur, gjuha dhe lapsi u mprehen me shume kundra regjimit. Une nuk beja dot humor, vetem satira dhe sajoja barcoleta. Por kjo eshte histori tjeter.

    -Pra, vazhonit te benit plane per t'u arratisur?

    -Padyshim, por per cudi, padurimit dhe deshperimit tim per vonesen e arratisjes, ishte Maksi qe i jepte kurajo. Njeriut qe i mungonte liria, shpresonte me shume se une tek ajo. Kudo qe e conin, merrte me vete fotot qe kishte bere me ne, shoket e tij. Me thosh gjithnje: "Ti je vetem me foto ketu brenda ne burg, ndersa une me te dyja, edhe fizikisht." Njerin prej shokeve, qe u be edhe iniciatori per hyrjen ne ambasaden italiane, ai e njohu ne burg. Quhej Burhan Kalaja, nga Tirana. Ai, para denimit, kishte punuar teknik ndertimi ne minieren e Valiasit. Me 1980 -ten, arrestohet dhe denohet me 15 vjet heqje lirie per tentative arratisje. Ne nentor te `89-tes, duke perfituar nga amnistite, ata lirohen te dy ne nje dite.

    -Kur ata dolen nga burgu, pse nuk u arratiset nga kufiri sic kishit menduar, po nepermjet ambasades italiane?

    -Kur ata dolen nga burgu kishin ndryshuar mendim. Maksi dhe Burhani donin qe veprimi yne te mos ishte thjesht individual, pra te kalonim kufirin dhe te shpetonim. Ata donin qe regjimit komunist t'i shkaktonin nje frakture, nje te care, per t'u bere keshtu edhe frymezim per te tjere. Pasi kaluan disa muaj ne liri, ne kompleksin sportiv "Dinamo", tek pishinat, ku Maksi si ish i burgosur kishte punuar vete, u njoh me nje gazetar italian. Meqe fliste mire italisht, i kerkoi ndihme duke i propozuar edhe planin e futjes ne ambasade. Tjetri e mirepriti kete ide, pranoi dhe e siguroi se jeta jone nuk do te ishte ne rrezik dhe askush nuk do te na dorezonte tek autoritetet. Nga ai kerkuam vetem garanci, sepse vendosmerine dhe bindjen e kishim vete.

    -A kishte patur tentativa te tjera para jush?

    -Ne fakt, te paret qe nuk po duronin dot zvarritjen tone per arratisje, ishin dy shoke te tjere nga Tirana, Bujar Aliko dhe Edmond Vokshi. Mondi kishte qene i denuar per tentative arratisje, ndersa Bujari punonte si shofer autobuzi ne linjen Tirane -Uzina e Tankeve. Nje muaj para se te ndermerrnim ne aksionin, ata me nje autobuz "fizarmonike" u afruan tek muri i ambasades greke, dhe nga kapaku i siperm u hodhen brenda ne oborr. Keta ishin dy guximtaret e pare qe kaluan muret e ambasadave. Por nuk u be aq buje, sepse regjimi e kaloi ne heshtje per te mos u dhene zemer te tjereve. Por, ne mos te gjithe, ne shoket e tyre e dinim dhe morem kurajo nga akti i tyre.

    -A kishit frike apo dhimbje per njerezit qe po linit pas?

    -Pas disa ditesh, u beme gati ne te tjeret. Maksi me kishte thene se se shpejti do te benim dicka te madhe, por se cfare, ende jo. Nuk me kishte thene per te ruajtur qetesine e familjes time, "vetem une isha i martuar nga shoket), dhe emrin tim si gazetar dhe shkrimtar.

    Ishte e shtune, date 23 qershor 1990-te, ora 1430, kur shoket e mi Maksi dhe Burhani, erdhen dhe me moren ne shtepi. Sigurisht, ndarja ishte e dhimbshme, sepse jo vetem do te largohesha, por edhe do te hidhesha ne krahet e nje aventure qe ndoshta do te me kushtonte jeten. Nuk e harroj kurre ate cast. Kur nisa te vishem, gruas iu mbushen syte me lot. E dija se kjo, duke lene pas shtepine, babain, gruan dhe dy femijet, ishte egoizem. Por atmosfera liberale qe ishte krijuar ato dy vite, me mbushte me besim se shume shpejt do te takoheshim pertej detit. Aq me teper qe nga brenda ambasades greke, dy shoket Bujari dhe Mondi, na dergonin mesazhe se ne nuk duhej te prisnim me.

    hMund te na e pershkruani momentin kur u ndate me familjen?

    -Burhani i kerkoi gruas time raki, jo per vete po per mua, qe te me largonte emocionet. Per cudi, megjithese piva dy dopio ato nuk me pakesoheshin, perkundrazi me shtoheshin. U vesha, putha djalin ne gjume dhe vajzen qe pyeste e habitur: "Ku po shkon babi!?" U ndava me babain, gruan, e cila me ndiqte duke zbritur shkallet e pallatit me lot ne sy, si ne ato skenat e filmave te Felinit. Kisha dhimbje, shume dhimbje, po frike jo, se po te kisha nuk do te shkoja. Me vete mora disa doreshkrime te tregimeve satirike, me shprese qe t'i botoja jashte Shqiperise. Mora edhe disa gazeta "Drita" ku kisha botuar paradokse, qe njerezit e Sigurimit, kur me therriten, me cituan njerin prej tyre: "Sikur ta dinte demi forcen e brireve te tij, nuk do te kishte kasap qe ta therte".

    "Kush eshte demi, dhe cili eshte kasapi?", me pyesnin me djallezi. I vetmi qe me uroi dhe vecoi kete satire midis te tjerave, ishte miku im Teodor Keko. "Kujdes, Leone", me tha, "se keta i kthejne edhe briret e demit nga ty". I ndjeri Teodor, pas viteve `90, sa here takoheshim me thoshte: "Ata te diktatures atehere e theren demim tend, ndersa keta te demokracise i moren mishin dhe lekuren. Ndersa me kockat po i qellojne njeri-tjetrit tani".



    -Si ishte organizuar aksioni? Kush do te ishte shoferi i makines, ne cfare ore do te futeshit ne ambasade, dhe si?

    -Ne xhade na priste nje skode e markes "Liaz". Shoferi i saj, Fatos Kaceli, punonte ne parkun e minierave dhe kishte krushqi me Maksin. Ishte djale trim, i urte, punetor dhe i beses. Njerezve te shtepise, ate dite u kishte thene se do te shkonte me sherbim ne Puke. Sapo u nisem, Fatosi me peshperiti me rime: "Na shkofte rruga e mbare, o gazetar!"

    Diku, prane ish shkolles se guzhines, aty ku sot eshte Ministria e Shendetesise, makina ndaloi e ne te hipen dhe kater djem te tjere, te cilet une nuk i njihja. Ishin shoke te shoferit qe ai i kishte lajmeruar te prisnin aty. Njeri quhej Gezim Tota, ndersa te tjeret, Fatmir Hyka, Lulzim Hasa dhe Ilir Veizi. Fakti qe u beme kaq shume me trembi, por pak me vone kur u njoha me shume me ta, nisa te clirohem dhe te me largohej ankthi. Ishin djem trima dhe teper te vendosur. Pas 15 minutash, makina jone u fut prapa ullishtes se uzines "Traktori". Ndonese vere, makina na ngeci ne nje grope tere balte. Kerkuam ndihme tek nje shofer me makine tip "Ziz", i cili na e dha ate pa e ditur se ke po ndihmonte. "Ky shoferi", u thoja shokeve, "neqoftese do te futemi ne ambasade do te arrestohet i pari, sepse na ka nxjerre nga balta". Armiku i klases aty e kishte vendin, dhe ai qe e mxjerr, eshte vete armik.

    Me pas, diku ndaluam, hoqem xhamin e pare te makines, qe copat e tij te mos i binin shoferit ne fytyre, dhe kapakun e motorrit. E mbaj mend mire se te gjithe njekohesisht beme urinen, sepse nuk i dihej... Trimat e bejne urinen perpara aksionit, ndersa frikacaket ne breke dhe ne vendngjarje. Pastaj i dhame besen njeri-tjetrit.

    -Cfare permbante axhenda juaj e arratisjes, shpirti i se ciles ishte Burhani?

    -Plani yne ishte qe me "Liaz"-in, te thyenim porten e ambasades italiane dhe te futeshim brenda. Shpirti dhe morali i ketij aksioni ishte Burhan Kalaja. Ne oren 1600 u nisem drejt ambasades. Shoferi dhe nje tjete ishin ne kabine, ndersa ne te gjashte ne karroceri, mbanim per cdo rast ne dore nga nje leve hekuri. Kur makina iu afrua me shpejtesi portes, Maksi i foli rrufeshem Fatosit qe te vazhdonte rrugen drejt, sepse gjithcka ishte me rrezik. Dhe kishte te drejte. Tre police para portes nen hijen e pemeve, po bisedonin krejtesisht te shkujdesur, madje njeri prej tyre ishte ulur dhe para vetes kishte nje biciklete. Nje pamje tipike kjo e policise tone, apo me mire e prejardhjes se saj fshatare. Neqoftese makina do te ishte futur ne ambasade, jeta e tyre do te kishte marre fund, sepse do te shtypeshin. Po kete nuk mund ta benim. Lirine tone nuk mund ta gjenim kurre duke i marre jeten tjetrit, qofte ky edhe polic.

    Tani, sa here e kujtoj ate moment, me vjen mire qe shoku im, Maksi, ndonese kishte vuajtur ne burgjet e diktatures padrejtesisht, perseri nuk mendonte per hakmarrje, per te vrare kundershtaret e tij. Ai kerkonte vetem liri, liri, dhe asgje tjeter. Per vete, per te tjeret, dhe sidomos per mua qe me donte aq shume dhe kishte bindjen se me satirat do behesha i njohur ne perendim. "Per Shqiperine e partise, ne fakt nga satirat, je i burgosshem, ndersa atje do njihesh dhe paguhesh", me thoshte.

    -Pas ketij deshtimi, c"ndodhi midis jush dhe kur vendoset te futeni serish?

    -Makina u kthye andej nga kishim ardhur dhe ndaluam prane Qytetit Studenti, aty ku me pas do te plasnin revoltat antikomuniste. Aksioni i pare deshtoi. Maksin e pushtuan emocione te forta dhe kishte parandjenja se do te na kapnin. Me thoshte: "Kam parandjenja te keqija". Burhani ishte shume i vendosur per ta bere ate aksion. Po ashtu edhe djemte e tjere. Beme pak debate dhe me ne fund vendosem qe une e Maksi te terhiqeshim, ndersa ata te vazhdonin planin ne oren 2200. Mua me caktuan qe te ndiqja aksionin dhe te njoftoja familjet e tyre. Keshtu u be. U ndame me ta dhe ne oren 2200 une isha perseri atje, prane ambasades italiane duke luajtur rolin e nje te dashuruari. Pas pak minutash, "Liaz"-i me gjashte shoket tane u duk ne kthese e me shpejtesi shpertheu porten duke u futur brenda. Porta e madhe e hekurit kerciti fort pas kangjelave. Policet mbeten te shtangur.

    Gjashte ore me pare une isha bashkpunetor i ketij aksioni, ndersa tani, spektator i tij. Sapo makina u fut ne oborrin e ambasades, u ndezen te gjitha dritat e saj, dhe pak me vone ajo u rrethua nga forcat speciale. Zv. ministri i brendshem erdhi aty dhe dha urdher te arrestoheshin policet e sherbimit. Te dy policet i futen brenda ne nje makine "Aro" dhe i nisen ne polici. Ata duhet te denoheshin, sepse gjashte djem kishin arrtitur te fitonin lirine brenda per brenda burgut qe quhej Shqiperi. Une lajmerova familjet e disa shokeve dhe u ktheva ne shtepi.

    -Kjo ngjarje e cila tronditi opinionin, si u komentua?

    -Te nesermen lajmi u perhap me shpejtesi te rrufeshme. Ne ora 900 te mengjesit, bashke me vellain e shoferit, Fatosit, kaluam prane ambasades per te pare se cfare behej. Makina ishte ne fund te oborrit dhe askush nuk levizte aty. Nje nate me pare, kur pashe se si u rrethua ambasada u gezova qe nuk isha futur aty, sepse mendova se ata mund t'i dorezonte shteti italian. Ndersa te nesermen ne mengjes, i kisha zili se ata ishin ne nje bote tjeter, ndonese pak metra larg meje dhe brenda atdheut. Mendime kontradiktore dhe te cuditshme me vinin. Legjenda ne Tirane dhe ne te githe Shqiperine, thoshte se atje ishin futur 20 persona, madje te armatosur. Kete gje, disa ma thane edhe mua.

    -Diku keni shkruar se me pas kete makine e internuan. Eshte e vertete apo dhe kjo ben pjese tek satirat tuaja?

    -Jo, nuk eshte satire por e vertete, ndonese edhe satirat e mia te tilla jane. Pas dy muajsh, kur autoritetet moren ne dorezim makinen nga ambasada, nuk ia kthyen parkut, por e degdisen ne Gjirokaster. Per diktaturat, frymezimi apo miti, nuk jane vetem njerezit heronj, por edhe ato pa shpirt si makina.

    -Gjate atyre diteve kishe frike se mos te zbulonin qe kishe qene edhe ti pjesmarres i atij aksioni, dhe c'u be me shoket brenda ne ambasade. Kishe lidhje me ta?

    -Frike kisha, sepse radio "Zeri i Amerikes" kur njoftoi per lajmin e shperthimit te ambasades tha se, midis tyre flitet se ishte edhe nje gazetar. Duke qene se Sigurimi e dinte se une shkoja ne burgjet politike per te takuar miqte, dhe fakti qe banoja ne lagjen e atyre djemve qe organizuan kete aksion, si dhe satirat qe botoja kryesisht ne gazeten "Drita", me bene te trembesha disi. Por ngjarjet rrodhen aq shpejt dhe fuqishem, sa une nuk mund te isha me objekt i survejimit apo hakmarrjes se tyre. Ndersa me shoket brenda ambasades italiane kishim lidhje, sepse kete e bente te mundur shoferi qe dergonte aty furnizimin me ushqime. Mesova qe nje ish punonjese e ambasades, Gabriela, i ka pritur me mjaft dashuri qe ne fillim duke u thene: "Mos kini frike, qetesohuni, asnje nuk do t'u dorezoje!" Qe ate nate personeli i ambasades u fut ne bisedime me Ministrine e Jashtme Shqiptare. Ambasadori italian u kthye urgjentisht nga Italia, sepse ato dite zhvillohej kampionati boteror dhe ai ishte atje. Shteti shqiptar kerkonte qe ata te nxirreshin jashte, sepse ishin kriminele ordinere. Por Burhan Kalaja kishte me vete nje dokument qe e vertetonte se ishte i denuar politik i rregjimit. Diktatura genjente aq shemtuar, sa tha se makina e tyre kishte demtuar rende duke plagosur policet e sherbimit. Madje, ata u derguan ne spital dhe u fashuan gjoja si te demtuar nga makina qe shpertheu porten e ambasades. Njerit prej policeve, iu kerkua nga Sigurimi i Shtetit qe t'i thyenin dhe kemben per t'u bere e besueshme genjeshtra. Por ai nuk pranoi. Mesa duket, detyren dhe shtetin nuk i donte me shume se shendeti i tij.

    -Po ju te dy cfare bete, dhe c'fat kane patur protagonistet e kesaj ngjarje. A keni lidhje tani me ta?

    -Une dhe Maksim Rama, hyme ne ambasaden gjermane, por pas disa oresh une dola perseri, sepse kushtet aty ishin shume te keqija per femijet e mi te vegjel. Aty gjendeshin 3200 emigrante, te cileve nuk dihej si do t'u shkonte fati. Midis tyre ishte dhe motra ime me te shoqin. Me vone, pas disa vitesh, kam dale disa here jashte vendit, por jo per te qendruar atje. Kjo do te thote se vendin e kam dashur dhe dua, madje shume, por une atehere urreja rregjimin shtypes dhe diktatorial. Tani jam ketu si nje kronikan i asaj ngjarje per t'u dhene ju kete interviste.

    -Po me Burhanin dhe te tjeret, cfare u be?

    -Burhan Kalaja jetoi disa vjet ne Itali, tani eshte rikthyer ne Tirane dhe gezon me familjen dhe dy femijet e tij. Po ashtu, shoferi Fatos Kaceli jeton ne Itali. Eshte i martuar dhe punon shume. Ndersa me Gezim Toten jemi takuar pas 13 vjetesh kur ai erdhi ne Tirane dhe me kerkoi. Jeton ne Itali me familjen dhe punon ndersmerisht. Me tre te tjeret nuk kam patur lidhje. Kam mesuar se jetojne mire ne Itali dhe vende te tjera. Dikush me tha se me rastin e ketij pervjetori ata kane vendosur te kthehen dhe te takohemi sebashku per t'i kujtuar ato momente per te cilat po flasim. Te shohim a do ta mbajne fjalen. Por, edhe per te vene nje tufe me lule mbi varrin e Maksim Rames. Sepse, me fatkeqi nga te gjithe ne, ishte ai. Shoku im i ngushte, vdiq nga zemra ne Gjermani para njembedhjete vjetesh. M'u kerkua nga nena e tij Alime, qe ai e donte aq shume, t'i beja ne vargje epitafin mbi pllaken e varrit, pikerisht atij, qe kur ndodhej ne burg me kerkonte tekste kengesh dashurie dhe barcoleta per rregjimin. Para disa vitesh, edhe nena e tij i shkoi pas te birit sic i kish vajtur me vite te tera pas neper burgje. Vdiq nga trishtimi.

    -Tani pas kaq vitesh, kur kujton kete ngjarje, a ju duket vetja aventurier dhe pse nuk jeni larguar nga Shqiperia?

    -Perderisa ngjarja ka brenda aventuren, sigurisht qe duhet te jem i tille. Por ama vetem ne kete ngjarje, sepse ne jete, jo, nuk jam ashtu. Ndersa, sa per ate perse nuk jam larguar, do t'u kujtoj nje thenie te nje njeriu te mencur qe thote se: "Atje ku liria e fjales ekziston, kuptimi i saj e humbet rendesine". Keshtu, mendoj se liria per mua kishte vlere vetem atehere kur ma ndalonin, dhe jo tani qe demokracine e kam ne vendin tim. Sepse per te tjera gjera nuk jam tahmaqar. Ne vendin tim, vertet nuk jam i pasur, por jam i lire dhe them ate qe dua dhe mendoj. Satirat ne libra dhe emisione, ma japin kete mundesi. Endrren per t'u arratisur nuk e kam patur per placka dhe ushqime. Te isha i lire, vetem i lire, kete doja.

    -Ju, a u penduat qe e late ne mes tentativen e arratisjes?

    -Po, por pas disa kohesh kufijte u hapen per te gjithe dhe zilia per ata qe u arratisen ne ate menyre filloi te me davaritej. Por jo respekti. Kjo edhe per faktin se ne mendjen time kryeguximi ka qene kalimi i kufirit shteteror, i klonit me gjemba dhe nen gryken e plumbave te kufitareve. Megjithate, fakti qe isha pjestar i atij aksioni aq interresant dhe te guximshem, gjithnje me ka bere te ndjehem krenar. Fakti qe me kete veprim u dhame zemer te tjereve dhe shpejtuam ngjarjet qe u zhvilluan me pas ne Shqiperi, me ben edhe me shume krenar. Ata djem duhen kujtuar gjithnje me respekt dhe mirenjohje.

    Pas asaj dite, sic dihet, pasuan dhjetra tentativa te tjera per te hyre ne ambasada te ndryshme, derisa erdhi 2 korriku ku u shperthyen te gjitha nga zemerimi dhe etja per liri e njerezve.Me date 23 qershor 1990-te, gjashte shoket e mi ne ambasaden italiane, dhe dhe dy te tjeret ne ambasaden greke, ishin te vetmit personazhe qe kishin kerkuar strehim politik ne ambasadat perendimore. Pas nente ditesh, te gjitha ato do te mbanin brenda vetes mijera kundershtare te rregjimit dhe njerez qe donin lirine. Kjo do te thote se makina "Liaz" e Fatos Kacelit ishte dhe do te mbetet goditja e pare e rende qe mori rregjimi komunist ne ate kohe.

    -Dhe pyetja e fundit. Duket se edhe sot te ka mbetur shume merak qe nuk je arratisur nga kufiri. Eshte e vertete?

    -Po, shume e vertete. Madje, larg qofte, sikur te ndodhe qe Shqiperia te mbylle perseri kufijte si dikur me tela me gjemba, gjeja e pare qe do te beja, ishte arratisja nga kufiri. Ndoshta eshte karakteri im qe pelqen te arratiset naj cdo padrejtesie dhe shtypjeje. E them kete, sepse edhe tani marr arratine ndaj ambienteve apo personave qe nuk me pelqejne. Nuk jane vetem ushqimet ndaj te cilave duhet te mbajme perize, por edhe njerezit.

    Marre Koha Jone.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 37
    Postimi i Fundit: 07-08-2022, 22:17
  2. A qëndron shteti pas korrupsjonit dhe mafjes ne Shqiperi?
    Nga ALBA në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 06-10-2006, 05:24
  3. Studentët, protesta para ambasadës italiane
    Nga ClaY_MorE në forumin Mentori akademik
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 02-09-2006, 07:09
  4. Kronikë e një përdhosjeje
    Nga Xhuxhumaku në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 16-01-2006, 18:06
  5. Arratisja e madhe
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 14-11-2005, 06:49

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •