Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    Myslim Islami per Ali Kelmendin dëshmojnë për Enver Hoxhën

    gaz panorama
    ------

    dokumenti

    Profesori Myslim Islami shpjegon arsyet e mosbotimit të veprës së tij mbi jetën e përfaqësuesit të Kominternit në fund të viteve ´80


    Enveri kishte gënjyer për takimin me Ali Kelmendin

    Komiteti Qendror e pengoi historianin që të shfletonte dokumentet e Arkivit


    prof. Myslim Islami

    E ndiej për detyrë qytetari t’i jap lexuesit një parashtrim apo shpjegim mbi arsyet të cilat më kanë shtyrë t’i shtoj këtë pasthënie monografisë kushtuar jetës dhe veprës së Ali Kelmendit. Siç ju kam informuar që në hyrje, këtë monografi e kam hartuar gjatë viteve ’80 të shekullin XX.

    Në mars të vitit 1987, librin e përfundova dhe ia dorëzova redaksisë së Ndërmarrjes së Botimeve “8 Nëntori”. Mbas disa muajve, mësova se recensionet ishin formuluar me vlerësim nga tre specialistë me emër, e megjithatë, nuk e kuptoja psenë e mosdhënies së materialit për redaktim dhe përse procesi i përgatitjes për botim nuk kishte filluar ende. Unë kisha dorëzuar, së bashku me tekstin e monografisë, fotot, dokumentet, si edhe kopertinën. Në ato ditë, dikush shumë miqësisht më pëshpëriti duke më thëne se materiali ishte tërhequr në Komitetin Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë. Por ndoshta, ky dashamirës nuk e dinte apo nuk pati kurajo, unë s’e di, të më tregojë se në cilin sektor kishte mbetur apo cili titullar e kishte në dorë. Zotnia, edhe sot, në vitet e demokracisë kërkon të mbetet anonim.

    Nuk ma botonin monografinë e Ali Kelmendit
    Çështja, siç dukej, ishte konspirative dhe pa pëlqimin e tyre, redaksia nuk mund ta planifikonte për botim. Pas shumë muajve apo pas një viti, u thirra në redaksi me porosi të drejtorit të ndërmarrjes së botimit dhe më kërkuan shumë shpjegime, për sa e sa pikëpyetje e dyshime. Përgjigjet i kërkonin me shkrim, se do të dërgoheshin lart. Kishin sugjeruar që të hiqeshin paragrafe, faqe të tëra e kërkonin veçanërish, që platforma, vendlindja e Kelmendit, Kosova e historia e saj, të shkurtohej. Një nga kërkesat që më befasoi dhe që më nervozoi pas atij angazhimi shumëvjeçar, pas përfundimit të monografisë, ishte që të paraqitej sikur ishte punuar me bashkautor, kandidatin e Byrosë Politike, shokun Pilo Peristeri. Në vërejtjet e tyre, “shokët” e KQ-së të PPSH-së këmbëngulnin që figura e Enver Hoxhës të zinte një vend të posaçëm dhe shkrimet e tij për Ali Kelmendin të ishin në qendër të referimeve.

    Nga i gjithë dokumentacioni i kohës, nuk më rezultonte që Enver Hoxha të ishte takuar ndonjëherë me Ali Kelmendin. Si të veproja? Nuk ishte e lehtë! Vendosa ta mbaja materialin gjatë, nëpër duar... Vitet e kthesës demokratike e gjetën librin në shtypshkronjë, pasi ua kishin dhënë për recension edhe dy profesorëve të tjerë. Redaktor u caktua Sami Çabej, të cilin e zgjodha vetë, si mik që e kisha, por, edhe për faktin se më kishte redaktuar monografinë kushtuar Vasil Shantos. Shtypshkronja “8 Nëntori” filloi radhitjen, kurse aparatin ilustrues e kishin dërguar në tipografinë e madhe, se kishte reparte më të specializuara për fotot, faksimilet dhe kopertinën. Në ato ditë përleshjesh, që u rrëzua diktatura dhe që vala e ndryshimeve, e përmbysjeve, e rishikimeve krijuan edhe situata të pakontrolluara dhe ngjarje të papëlqyera për shumë institucione e ndërmarrje, më shtynë që të bëja të pamundurën për ta tërhequr librin nga shtypshkronja. Në tipografi gjithë materiali ilustrues ishte zhdukur dhe asnjë nga Drejtoria dhe reparti, nuk ishte në gjendje të më jepte shpjegime. Kuptohet, dëshpërimi në këto raste është i madh, sepse ishin vlera; kisha bërë një punë shumë të lodhshme e me shumë shpenzime, duke shkelur e hulumtuar në të gjitha qytetet e qendrat që kishte jetuar e vepruar Ali Kelmendi, duke marrë takim me sa e sa bashkëluftëtarë të Kelmendit, miq e të njohur e në shumë raste, me familjet e tyre, sepse një pjesë nuk jetonte apo vazhdonin dënimet nëpër burgjet dhe kampet e përqëndrimit. Vetëm jashtë shtetit nuk më lejuan për kërkime në arkiva apo në takime me antifashistë e revolucionarë, sepse, sipas titullarëve të Ministrise së Arsimit e të Kulturës, “Për Ali Kelmendin të gjitha i ka thënë shoku Enver. Nuk e shohim të arsyeshme të ndërmerrni kërkime jashtë shtetit”.

    Për fat, disa nga këto dokumente i kisha fotografuar dhe po i sjell në libër, duke falenderuar gjithë bashkëluftëtarët e Kelmendit që treguan ndjenjë, bile, disa u kthyen në hulumtues, vetëm e vetëm që kjo monografi të dilte sa më e plotë.

    S’ka histori të keqe, por të vërtetë dhe jo të vërtetë
    Ky gjykim e parim ka qenë parësor në krejt punën time kërkimore. Realizimi kërkonte mundim të madh, aftësi komunikimi me bashkëbiseduesit, përgatitje të veçantë për çdo takim, pyetje dhe mbi të gjitha, kërkohej ndershmëri e kurajo dvile. Gjatë grumbullimit të materialit dhe hartimit të monografisë, jam përpjekur që t’i afrohem sa më pranë të vërtetës në trajtimin e situatës, ngjarjeve dhe vetë jetës e veprës së Ali Kelmendit. Monografi nuk do të thotë fotografim. E rëndësishmja qëndron tek interpretimi i dokumenteve. Deri më sot nuk është shpikur ndonjë aparaturë që të verifikojë sesa i vërtetë eshtë në ato që kujton, bashkëbiseduesi. Kujtimet dhe tregimet e tyre dhe, në një farë mase, qoftë edhe në përqindje të pakët, subjektivizëm ka edhe në dokumentacion, sepse edhe ato, njerëzit i kanë konceptuar. Ky shkak, dhe më tepër një e vërtetë tjetër, që do ta sqaroj më poshtë, më shtynë që të përgatis ketë Pasthënie, sepse më ndihmoi triumfi i demokracisë dhe zhvleftësimi i sistemit tolalitar dhe i dogmatizmit enverian. Nuk mund të mos e pohojmë se të gjithë lexuesit e kanë mundësinë të shohin arkivat apo brezat e rinj, që nuk e kanë jetuar diktaturën 50-vjeçare, të kuptojnë falsifikimet e përvetësimet që i janë bërë Historisë të Shqipërisë. Konceptimin e qartë do ta jepte për lexuesin botimi i dokumenteve, që gjithsecili të kishte gjykim të pavarur për ngjarje dhe individë.

    Jeta e Ali Kelmendit
    Ali Kelmendi, si të gjithë të rinjtë viteve ’20-30 të shekullin XX, u hodh në valë të ngjarjeve që po kalonte Shqipëria dhe trevat e kombit jashtë kufirit shtetëror. Ai u detyrua që të ndërpriste studimet në Austri, në Vjenë, për psikologji, sepse Austrisë, duke qënë në krahun e koalicionit që humbi Luftën e Parë Botërore, i duhej të përballonte periudha të rënda politike dhe ekonomike. Në këto rrethana, Ali Kelmendi kthehet në Pejë, pranë familjes. Familjen dhe Kosovën e gjeti në një gjendje shumë të rëndë. Ushtria serbe po ndërmerrte masakra dhe operacione të papara. Në këto kushte, Ali Kelmendi u hodh në male dhe filloi luftën me armë kundër shovinistëve serbë. Ai shpejt u detyrua të kalojë kufirin e të vendoset në krah të burrave më me zë të kombit, që për formimin e Ali Kelmendit, siç është shprehur vetë, ka qenë një universitet më i rëndsishëm. Nga Bajram Curri, Plaku i Maleve, që ishte si një copë shkëmbi i shkëputur nga Alpet e që kishte në vetvete veti e virtyte, Kelmendi thithi mençurinë e prijësit. Nga burrat plot dije e kulturë si Bedri Pejani, Hasan Prishtina, Ibrahim Gjakova e të tjerë, preku atdhetarizmin shqiptar. Ali Kelmendi, i parritur mirë, u cilësua nga të tjerët burrë. Ai, nga ato që dëgjonte dhe që prekte, krijoi vetëdijen e së vërtetës të mosekzistencës të kufijve ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës e që s’do të kishte forcë që të ndalte bashkimin e trojeve shqiptare. Shpejt u rreshtua në krahun e Avni Rustemit, Halim Xhelos, Sejfulla Malëshovës, Haki Stërmillit e të dhjetëra të rinjve të tjerë demokratë të organizatës “Bashkimi”, anëtar i së cilës u bë edhe Ali Kelmendi. Rrjedha e ngjarjeve, pak më vonë e njohu dhe e lidhi me burra të tjerë të shquar të demokracisë dhe të kulturës shqiptare, si me Fan S. Nolin, Luigj Gurakuqin e të tjerë. Synimi im në këtë jetë e vepër të Kelmendit, është të jap çdo gjurmë në kohën e vet, peshën dhe vlerën që kishte për Shqipërinë plejada e të rinjve, si Ali Kelmendi, që iu kundërvunë shovinizmit të jashtëm dhe fashizmit që po i nxirrnin “brirët” e që po thurnin si merimanga rrjetën apo shtrirjen e tyre në Shqipëri. Ata iu kundërvunë edhe monarkisë, e cila po vinte në peshore interesat e kombit sa me Beogradin e Athinën e sa, nga fundi, me Romën, që po hidhte rrënjë me kapital e spiunazh e që po e kapte për gryke e kësisoj po e kthente Shqipërinë në një koloni të pashpallur.

    Komiteti Qendror urdhëroi të mos më viheshin në dispozicion materialet
    Një arsye tjetër që më shtyu të shkruaj këtë Pasthënie, është edhe një fakt që mësova në maj të vitit 1993, plot pas dhjetë vjetëve nga fillimi i punës për monografinë që më zemëroi dhe më dëshpëroi pa masë. Një “copë letër” që e lexova vetë e që sot ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit (AQSH), ku kanë kaluar tashmë dokumentet e ish-Arkivit të Partisë së Punës së Shqipërisë (AQP), me të cilët ish-drejtuesit e Komitetit Qendror të PPSH-së i kishin dhënë porosi të prerë ish-përgjegjësit të AQP-së që të mos më viheshin në dispozicion të gjitha dokumentet që dispononin për Ali Kelmendin apo që lidheshin me jetën e veprën e këtij personaliteti. Besoj është e tepërt, të zbërthej mendimin e tyre se çfarë i shqetësonte. Çfarë i shtynte e çfarë i trembte? Kuptohet, që unë si studiues, pa e ditur në atë kohë porosinë e prerë, nuk mund të harroj dhe s’kam pse të mos e pohoj: sa lodhesha, sa dëshpërohesha, sa nervozohesha kur më përcillnin me duar bosh; kur më servirnin materiale pa rëndësi, kur më mbulonin fraza e faqe të tëra, kur më përgjonin apo më qëndronin mbi kokë dhe aq më tepër, kur m’i mbanin skedat për verifikim dhe kur mbi to, me bojë kine mbulonin paragrafë, emra, ngjarje dbe faqe të tëra. Ai sbënim tinzar, ajo porosi, që s’ka asgjë të përbashkët me kërkesat shkencore, e të cilat e vrisnin studiuesin, pasi në këtë mënyrë nuk mund të bëhej shkencë, i largonte merakun e madh, ndershmërinë, sepse pavarësisht nga pikëpamja, e vërteta duhet të mbetet e vërtetë, sepse ndryshe, paramendimi e shtyn studiuesin t’i trajtojë dukuritë, ngjarjet, personalitetet, jo siç rezultojnë, por siç e kërkojnë bindjet e tij, ose siç duan t’ja diktojnë padrejtësisht, të tjerët me synime mizore. Unë s’mund të harroj e, habitesha kur dëgjoja të përsëritur përgjigjen e arkivistëve: “...Mirë, mirë e ke ti që ngulmon, por janë dokumente sekrete... Janë dokumente të “Fondit Rezervë”, janë “konspirative”. Tani, që po botohen dokumentet origjinale, dalin në shesh sa e sa të ashtuquajtura materiale “se-krete”, që nuk i kanë dhënë dhe e shtyjnë studiuesin në përfundime e gjykime jo të sakta.

    Lexuesi, me të drejtë mund të presë përgjigje për pyetjen që mund t’i lindë. Përse kjo Monografi, e cila u vlerësua me çmim në konkursin kombëtar, është penguar për botim? Përgjigjen e kësaj pyetjeje do ta parashtroj më poshtë, por më parë dëshiroj t’u bëj të ditur lexuesve dhe në veçanti, të rinjve. Po tani, ç’më shtyn të ngul këmbë që të botohet kjo mono-grafi? Së pari, kam bindje të padiskutueshme se Ali Klemendi ka pasur një shpirt të madh atdhetari dhe ka bërë sakrifica të paimagjinuara për liri, pavarësi, tërësi tokësore, demokraci dhe për zgjidhje sociale e zhvillim. Së dyti, rreziku i fashizmit vazhdon edhe sot, në kohët moderne, bile edhe në shtete e kombe të fuqishme ekonomikisht. Së treti, për të kuptuar shtrembërimet, falsifikimet dhe keqinterpretimet që janë bërë nga Enver Hoxha në veprat e tij dhe në Historinë e PPSH-së e, si rrjedhim, nga tërë historiografia shqiptare, figurës dhe veprës së Ali Kelmendit, plejadës e ngjarjeve të kohës së tij.

    Koha është treguesi më i mirë. Figura si ajo e Ali Kelmendit, nuk vdesin.


    --------

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    vazhdimi..
    ---

    dokumenti II

    Dokumentet arkivore tregojnë për manipulimin e historisë së PKSH-së


    “Enveri dhe gënjeshtrat e Institutit të Nexhmijes”


    prof. Myslim Islami

    vijon nga numri i kaluar

    Nuk është vendi këtu të rreshtojmë çfarë kanë pohuar e shkruar në kujtime shumë ithtarë enveristë, që me sajesat e tyre kishin mbushur dhoma të tëra, që i thonin arkivë e që zinte gjysmë kati në selinë e Komitetit Qendror.

    Tipa si Sevo Tarifa e Sulo Gradeci ishin ekzemplarë. I pari, në çdo muaj tetori, muaji i ditëlindjes së Enverit, lexonte leksione nëpër shkolla e ndërmarrje të mbushura me fjalët: “Komandanti legjendar”, “Arkitekti”, “Klasiku”, “Marksist-Leninisti i Madh” dhe shprehjet që kërkonin duartrokitje “Malet para tij ishin të ulët”, “Dielli para tij ndriçonte më pak”.

    Nexhmija, e cila nginte kultin e Enverit
    Shumëfishoheshin foto, bëheshin albume, artikuj çdo ditë në “Zërin e Popullit” se ndryshe, tronditej Nexhmija. Valuta derdhej lumë për veprat në seri, që t’ia kalonte edhe Vladimir Iliç Leninit. Të gjitha botimet viheshin përpara gazetarëve, skenaristëve, regjisorëve, kompozitorëve, piktorëve, skulptorëve e deri tek ata që qëndisnin, që gdhendnin, që thurnin me fije argjendi apo që shkruanin me gurë në shpatet e maleve emrin e tij. Edhe në burgje e në kampet e përqëndrimit, shkruheshin citatet e emri i tij dhe të burgosurit politikë e kundërshtarë, detyroheshin të lexonin e të konspektonin veprat e Enverit.

    Nexhmije Hoxha kishte disa funksione të njohura, por dhe të panjohura. Pa pëlqimin e saj, nuk hidhej hap. Një rrjet i tërë sigurimas i sillnin opinione dhe kryenin misione të posaçme, me porosi të drejtpërdrejtë të saj. Si drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, iu besuan çelësat ashtu si magazinierit, çelësat e ideologjisë, të historisë dhe të çdo gjëje që shkruante klasiku. Nexhmija kishte detyrë specifike; ishte peshorja e kuadrove të lartë e të vetë Byrosë Politike. Për çdo mbledhje të nivelit të lartë partie, plenumi apo kongresi, ajo dhe vetëm ajo, caktonte presidiumin deri në radhitjen e tyre, domethënë, kush në të majtë e kush në të djathtë të shokut Enver. Ndiqte shtypin, televizionin dhe çdo veprimtari me synimin si e sa herë përmendej, citohej apo dilte në ekran shoku Enver. Ai duhej të ishte në komandë. Po të rastiste që të kalonin dy ose tri ditë e nuk figuronte apo nuk përmendej emri i tij, thërriste urgjentisht kryeredaktorët, drejtorët e institucioneve përkatëse, krijonte alarm. Shpejt improvizonte, qoftë edhe një vizitë në Galerinë e Arteve, ku Enverin ta rrethonin e ta ndiqnin me gojë hapur “ajka” e artit, e letërsisë, e kulturës dhe e shkencës, vetem e vetëm që në popull të mbahej gjallë psikoza se ai dhe vetëm ai, drejtonte dhe vendoste, se vetëm ai dhe vetëm ai, ndriçonte dhe ngrohte.

    Si iu vinte nofka njerëzve të shquar
    Dihet gjithashtu, se Enver Hoxha në periudha e vite të ndryshme, kur ia donte situata, ka përfolur, përqeshur apo iu ka ngjitur nofka shumë njerëzve të shquar dhe në forma nga më të çuditshmet. Pa skrupull ka shpifur për Nolin, Konicën, Fishtën, Mit´hat Frashërin, Sejfulla Malëshovën, Hasan Reçin, Zef Malën, Dhimitër Falon, Andrea Plasarin, Kostandin Boshnjakun, Omer Nishanin, Vasil Shanton, Anastas Lulon, Ymer Dishnicën, Sadik Premten, Tuk Jakovën, Hysni Lepenicën, Skënder Muçon, Koço Tashkon, Bedri Spahiun, Tahir Kadarenë, Stefo Grabockën e deri te Qemal Stafa e Nako Spiru. E lista e të sharëve shtohej deri sa vdiq. Mjafton të shihen plenumet e kongreset, bile edhe pas vdekjes, që të kuptohet shifra e krimeve dhe lista e plotë e emrave. Kjo flet katërcipërisht për shpirtin e tij të një birboje, denigruesi, ciniku e megalomani.

    Ndëshkimet monstruoze të Hoxhës
    Nga viti 1941 e deri në vitin 1970, Enveri ka përjashtuar 30.000 anëtarë partie. Nga 21 anëtarë e kandidatë të Komitetit Qendror të Partisë Komunistë Shqiptare, që udhëhoqën luftën, 19 u përjashtuan, u burgosën ose u pushkatuan. Nga 7 anëtarët e parë të Komitetit Qendror Provizor të vitit 1941, u pushkatuan, u burgosën ose u vranë, 6 prej tyre. Nga 80 kuadrot drejtuese të formacioneve kryesore të Ushtrisë Antifashiste Nacional-Çlirimtare, mbi 60 janë pushkatuar, burgosur ose përjashtuar. Mjafton të njihesh me materialet e Plenumit të Dytë të Beratit, Plenumit të Pestë e të Tetë dhe në pëllëmbë të dorës të jepet kuadri e bëmat e zeza të Enver Hoxhës. Portretin e tij, nga shkolla në Gjirokastër, në Liceun e Korçës dhe deri në Francë, ia ka sjellë në formë bindëse shoku i tij Foto Bala, një intelektual me emër. Pse iu pre bursa në Francë nga ministri i Arsimit, Marash Ivanaj, për arsyen e vetme të mosmarrjes së provimeve, e vdiq në burg këtë patriot e mendimtar të madh. Të njohësh ç’ka shkruar Musine Kokolari, i vëllai Isa Kokolari apo intelektualët Nexhat Peshkopia, Fejzi Dika, Nonda Bulka, Mentor Çoku, Babameto, të vjen turp e çudi se si ky erdhi në krye të luftës dhe të shtetit. Çfarë ka shkruar Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica, Skënder Luarasi, Omer Nishani, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Nako Spiru, Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Liri Belishova, Justina Dishnica, Drita Kosturi, Sotir Vullkani, Stefo Grabocka, Kiço Ngjela, Kasëm Trebeshina dhe po të vazhdohet, lista është pa fund dhe këta që përmendëm janë disa nga dëshmitarët më të afërt të jetës e veprës se tij të zezë.

    Dokumentet flasin kundër
    Dokumentacioni hedh poshtë pretendimet e Enver Hoxhës që ai na paska qenë mësues i mendimit komunist në Shqipëri dhe themelues i Partisë Komuniste Shqiptare. Nuk e quaj të tepërt që të hedh disa mendime rreth të vërtetës së themelimit të PKSH-së. Në thirrjen e takimit në Tiranë për themelimin e PKSH-së kanë punuar dhe kontribuar shumë grupe dhe shumë demokratë antifashistë e revolucionarë dhe jo siç është thjeshtëzuar me paramendim në Historinë e PPSH-së e në veprat e Enver Hoxhës. Sektarizëm kishte që në themelimin e PKSH-së, kur në radhët e saj u pranuan vetëm 184 anëtarë, kur dihet që levizja komuniste në Shqipëri i ka pasur fillimet e saj prej viteve ’20. Dhjetë-dymbëdhjetë grupe komuniste ishin krijuar dhe vepronin në këto 20 vjet, duke u bashkangjitur atyre një numër jo i vogël elementësh të shkëputur. Ka dokumente të shumta dhe pohime të ish-anëtarëve të vjetër të grupeve, që fryma sektare, grindjet dhe mosbesimet midis grupeve dhe krerëve, janë futur prej qarqeve të caktuara shovene të Athinës e Beogradit, duke përdorur agjentët e tyre dhe disa prej anëtarëve të grupeve të përpunuara, po prej tyre. Shtytje kësaj lëvizjeje revolucionare i dha vetë gjendja e rëndë ekonomike në Shqipëri. Periudha e viteve ’20-’30 në shekullin XX, ka qenë e mbushur me ngjarje të rënda si lindja e fashizmit, që solli veçse pushtimin e vendit dhe si rrjedhim, ngriti ndjenjën e përgjegjësisë ndaj kombit në shumë atdhetarë, intelektualë, të rinj, studentë të shkollave të mesme dhe të larta jashtë atdheut.

    Nuk duhet, gjithashtu, të mohohet rastësia në histori. Delegat për mbledhjen themeluese të PKSH-së, dolën për shembull, nga Grupi i Korçës, Pilo Peristeri e Sotir Lubonja, por mund të dilte Nesti Gambeta, Stefo Grabocka, Teli Samsuri, Taqi Skëndi e të tjerë. Rastësia apo synimi koniunktural, e shpuri Enver Hoxhën në mbledhjen themeluese, pa qenë i zgjedhur. E futi në përbërjen e përfaqësuesve të Grupit të Korçës, kryetari Koço Tashko, duke u nisur, siç ka pohuar vetë, nga ideja se jo vetëm zanatçinjtë dhe ortodoksit, e përfaqësonin këtë grup. Ose e vërteta e këtij veprimi, mund të gjendet në faktin se Grupi i Korçës kish qenë kritikuar për dasi fetare dhe lokalizëm, por gjithashtu, mbase nga fakti se në periudhën midis viteve ’39-’41, anëtarë intelektualë të grupit qenë tërhequr, sepse ndjenin stalinizmin; patën rezerva e mosmiratime për disa akte kriminale dhe gjyqe të sajuara.

    Në këtë të çarë apo nga natyra komanduese e Koço Tashkos, u fut Enver Hoxha që diti ta shfrytëzojë këtë rast. E ndihmoi shpirti i tij prej arrivisti dhe komplotisti. Fakte të shumta nga jeta dhe veprimtaria e tij, vërtetojnë pabesinë dhe prirjen për të krijuar klane, për të vënë shokët kundër njëri-tjetrit, me synimin e vetëm që të mënjanonte apo eliminonte më të aftët, drejtuesit dhe luftëtarët më me kapacitet.

    Lidhjet e Enver Hoxhës me jugosllavët
    Logjika dhe disa të dhëna të çojnë në përfundimin se Enveri në takime dhe biseda me Miladin Popoviçin shtyhej prej Bari Omarit, i cili në fillim i përkrahu dhe e mësonte Enver Hoxhën me qëllim që për këto forca dhe veprimet e tyre, të kishte dijeni. Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, nëpërmjet Enver Hoxhës dhe lidhjeve të tij me Bari Omarin, jo vetëm shpëtonin kokën, por jetonin si zotërinj në mes të Tiranës. Qëndrimin në Tiranë, pa u shkëputur nga Miladini, Enveri e shfrytëzoi për opinione denigruese për shokët. Nuk është objekt i drejtpërdrejtë i këtij botimi, figura e Enver Hoxhës, por ai nuk ka qenë në udhëheqjen e Grupit të Korçës dhe as në atë të degës së këtij grupi në Tiranë. Nuk mbajti raport në mbledhjen themeluese dhe as nuk drejtoi ndonjë seancë. Nuk u zgjodh sekretar i përgjithshëm. Ç’emër mund t’u vihet pohimeve të tij, që i publikonte si themelues, si flamurtar, veçse emrit të intrigantit dhe megalomanit të paskrupullt. Dihen përpjekjet që janë bërë për t´u lidhur me Kominternin, me Partinë Komuniste Italiane dhe me Partitë Komunistë Greke dhe Jugosllave, por nuk arritën dot të krijonin lidhje nga konspiracioni, sepse udhëheqjet e këtyre partive kishin kaluar në ilegalitet të thellë për shkak të terrorit fashist. Dihet gjithashtu, vajtja në Kosovë e Koço Tashkos me shokë të tjerë dhe takimet që mori me disa nga organizatorët komunistë, si dhe informacioni që mori për Miladin Popoviçin. Dihej iniciativa e Mustafa Gjinishit, i cili me makinën e Ismail agë Petrelës, nxori nga kampi i përqëndrimit në Peqin, Miladin Popoviçin.





    Mënjanimi i paramenduar i pjesëmarrësve në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste

    Eliminimet e personaliteteve të luftës
    Si u largua Enveri nga Bashkimi Sovjetik dhe idetë komuniste

    Nga mbledhja themeluese u mënjanuan Hasan Reçi e Selim Shpuza, që përbënin ish-treshen drejtuese të Lëvizjes Punëtore Revolucionare në Shqipëri, me Ali Kelmendin në krye apo Mustafa Gjinishin, nga më aktivët e më të guximshmit; me Demir Godellin, që mbante lidhje me revolucionarët jashtë, apo krerët e tjerë të grupeve brenda e jashtë vendit si Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica, Qamil Çela, Tajar Zavalani, Koço Tashko, Mustafa Kaçaçi, Mihal Lako, Bedri Spahiu, Mafuz Laze, Hulsi Spahiu, Xhevdet Doda, Rexhep Çami, Sadik Stavaleci e të tjerë.

    Në themelimin e PKSH-së, 25 përfaqësues
    Megjithëkëtë, kanë marrë pjesë mbi 25 përfaqësues dhe jo 15, siç është thënë deri më sot. Enver Hoxha dhe Miladin Popoviçi e kanë shfrytëzuar emrin dhe autoritetin e Kelmendit për synimet e tyre të qëllimshme. Miladini, gardën e vjetër, bashkëpunëtorët më të afërt të Ali Kelmendit, i mënjanoi, i zhvleftësoi dhe, nga ana tjetër, zgjodhi për pseudonim emrin “Ali”, nën idenë gjoja të respektit për Kelmendin dhe për t’u hequr me këtë emër sa me afër shqiptarëve. Raportin, për të cilin kishin punuar disa nga krerët, e mbajti Koço Tashko. Në mbledhje nuk u zgjodh sekretar i përgjithshëm. Grindja shpërtheu që në ditën e parë për çështjen e Kosovës.

    Përplasja për Kosovën
    Dihet se në mbledhjen themeluese ftuan Miladin Popoviçin e Dushan Mugoshën për të shfrytëzuar eksperiencën e tyre, por edhe nga fakti se midis krerëve të grupeve, kishte moskuptime, kontradita e deri në grindje e manifestime armiqësore. Po edhe në Partinë Komuniste Jugosllave, kishte përplasje edhe ndaj Kosovës. Kishte dy qëndrime: i pari i Josif Broz Titos, në këtë grup hynte dhe Miladin Popoviçi, ishte për gjallërimin e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe për krijimin e lidhjeve me lëvizjen në Shqipëri. Krahu u dytë, ai më sektar, përbëhej nga elementë me prirje shoviniste serbomadhe, që ishin në udhëheqjen e PKJ-së e ku hynte edhe Dushani. Këta nuk donin kurrsesi gjallërimin e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare në Kosovë e, aq më tepër, të lidhej kjo me lëvizjen në Shqipëri. Ata donin që Kosova të mbetej vetëm një trevë e Serbisë, të mbetej pa merita lufte, përkundrazi, në pozita reaksionare dhe konservatore, që kështu të mos gëzonte të drejtën e vetëvendosjes dhe të pretendimeve kombëtare.

    Nuk kërkon, besoj shumë komente shpjegimi, pse Enver Hoxha nuk lejoi të publikohej kjo përplasje ne historiografinë shqiptare, se Koço Tashko, Qemal Stafa, Anastas Lulo, Sadik Premte, Tuk Jakova, Sadik Bekteshi e të tjerë, ishin kundër pikëpamjes serbe dhe këmbëngulën që Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare të përhapej në Kosovë. Enver Hoxha u mbështet në grupin prosllav, në atë të Dushanit, Koçi Xoxes, Kristo Themelkos, me të cilët u bashkua në fund edhe Miladin Popoviçi. Në fund, mbledhja themeluese, e detyruar nga situata e krijuar pas pushtimit të Shqipërisë, nga domosdoshmëria për krijimin e një shtabi për të udhëhequr qëndresën e popullit e për organizimin e kryengritjes së armatosur, ndikoi për lënien mënjanë të pikëpamjeve apo rezervave që kishin për grupet dhe individët.

    Si u eliminuan anëtarët e KQ-sw Provizor, të PKSH-së
    Në fund, u zgjodh një Komitet Qendror Provizor me 7 antarë: Qemal Stafwn, Koçi Xoxen, Tuk Jakovwn, Gjin Markun, Ramadan Çitakun, Kristo Themelkon dhe Enver Hoxhwn. Gjithashtu, është më se e vërtetë se Enver Hoxha, që të gjithë i eliminoi. Në ato ditë, Qemal Stafës iu ngarkua drejtimi i Rinisë Komuniste Antifashiste dhe me një ide, që më vonë të merrte edhe drejtimin politik të Partisë Komuniste Shqiptare. Koçi Xoxes e Tuk Jakovës u dha posti i sekretarit organizativ. Dihet, që këtë të fundit, nuk e deshën Miladini me Dushanin dhe gjoja me detyrë luftarake, e izoluan gjashtë muaj në Mokër, çka mund të cilësohet internimi i parë. Ramadan Çitaku, përgjegjes për teknikën e partisë, Gjin Marku, përgjegjës për çështjen e pushtetit, Kristo Themelko, përgjegjës për anwn ushtarake dhe Enver Hoxha, përgjegjës për anën financiare (kuotat). U lanë përjashta nga udhëheqja militantë si Hasan Reçi, Selim Shpuza, Koço Tashko, Demir Godelli, Qamil Çela, Zef Mala, Anastas Lulo, Vasil Shanto, Sadik Premte, Bedri Spahiu, Nako Spiru e të tjerë. Dr. Ymer Dishnica, në shkurt 1942 u kthye nga Parisi në Shqipëri dhe doli në krye të Qarkorit të Partisë për Korçën, kurse nga prilli l942, së bashku me Nako Spirun, Liri Gegën, Bedri Spahiun, u kouptuan në KQ-nw (provizor) të PKSH-sw dhe deri në mars 1943, dr. Dishnica ka drejtuar anën politike dhe punën me nacionalistët në KQ të PKSH-sw. U hapën këto paranteza, vetëm e vetëm që lexuesi të kuptojë se Kelmendi nuk ka të bëjë fare me atë vazhdë të mëvonshme, që po merrte ngjyra feudale, që po krijoheshin kurthe sektare e luftë klasash, rrjedhimi i të cilave mbolli përçarjen, mbolli krimin, mbolli vdekjen.

    Lufta antifashiste
    Në drejtim të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, nuk duhet thënë se mbreti Ahmet Zogu e pranoi pushtimin, por mund të thuhet me plot gojën, pse e la atdheun. Shtypi evropian, në vençanti ai francez, shkuante me shkronja të mëdha për qëndresën heroike tw shqiptarëve në Durrës, ku disa herw fashistët italianë u thyen. Përveç heroizmit të Mujo Ulqinakut, në atë ditë të zezw prilli të 1939-s, dhane jetën për mbrojtjen e vendit me dhjetëra e dhjetëra djem, që nga Saranda në Shkodër. Mijëra u hodhën në demonstrata, qindra të tjerë rrëmbyen armët dhe dolën maleve dhe qindra të tjerë u arratisën në Greqi, Jugosllavi, Turqi etj. Personalitet si Mithat Frashëri, që kishte një bagazh njohurish e një atdhetarizëm të spikatur, u vunë në krah të SHBA-së e Anglisë dhe dolën kundër bolshevizmit sovjetik. Dihet, që më vonë këto tri fuqi krijuan Koalicionin Antifashist dhe çmonin e u jepnin viston atyre forcave që merrnin pjesë në Luftën Antifashiste. Fatkeqësia është se krerët e lëvizjes antifashiste e politike të Shqipërisë, nuk ditën të nxirrnin mësime nga vetë krijimi i koalicionit. Mustafa Kruja kërkonte që Shqipëria të ishte nën protektoratin e Italisë, se rrezikun e synimeve serbe e greke e klasifikonin shkatërrues për kombin.

    Italia fashiste e pushtoi Shqipërinë, krijoi administratën dhe e njohu shtetin shqiptar. Ajo mori vetëm Ministrinë e Punëve të Jashtme. Propagandonte se shteti shqiptar, i mbështetur nga Italia, do të merrte trevat e veta kombëtare, të mbajtura padrejtësisht nga Jugosllavia dhe Greqia. Këto forma ishin sapun mbi gunë, hi syve, se edhe trevat e tjera shqiptare, i shikonte dhe kishte planifikuar në strategjinë e vet, që nën këtë pretekst të hynte thellë në Ballkan.

    Mit’hat Frashëri dhe krahu i tij, e donin një shtet të tillë, por mendonin e mbanin rezerva, se po ta humbiste luftën Italia, fati i Shqipërisë do të rrezikohej. Këtu dhe vetëm këtu, e ka bazën ajo mëdyshje, ajo plogështi, ajo shprehje “prit të presim”, “s’ka ardhur koha”. Kjo ishte fryma e Mit´hat Frashërit. Balli Kombëtar, pasi u themelua në fund të vitit 1942, organizoi të njëjtat struktura si të njësiteve, çetave e formacioneve të tjera antifashiste nacional-çlirimtare dhe shpalli e mori pjesë në luftën çlirimtare. Më vonë u tërhoq; nuk luftoi nën idenë se Fronti Nacional-Çlirimtar ishte maskë e PKSH-sw. Edhe Legaliteti kishte ndikim, por mbeti një çetë, ajo e Abaz Kupit që nuk i shtoi radhët, nuk u shtri, por u kufizua në disa zona me idenë që priste çastin e përshtatshëm për veprim.

    PKSH-ja u publikua si Lëvizje Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe u ndoq nga të rinjtë e të rejat, nga antifashistë demokratë dhe atdhetarë të mbarë vendit. Nuk u zgjata pa qëllim në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, se Ali Kelmendi është nga të parët që ka ngritur zërin kundër fashizmit dhe kjo është e pasqyruar në raportet dhe korrespondencat e tij me një notë realiste dhe me një thellësi analize, me paralajmërim dhe rrezikun pwr Shqipërinë e atyre viteve. Ai demaskoi lidhjet e Ahmet Zogut dhe kabinetit të tij me qarqet fashiste të Romës. Kelmendi ka meritë, më shumë se kushdo, për shkuarjen e vullnetarëve shqiptarë në Luftën e Spanjës. Për veten e tij, i shkruante Kominternit: “Vendin e kam në llogoret e Spanjës”. Ai është themeluesi i gazetës “Sazani” në Lion të Francës, organizatori i shoqatës antifashiste me studentët dhe me emigrantët ekonomikë e politikë në Paris. Është i pari demokrat revolucionar shqiptar që bëri për vete idenë e krijimit të Frontit Popullor Antifashist të shpallur nga Kominterni dhe që i dërgoi këto direktiva nëpërmjet dr. Ymer Dishnicës në Shqipëri. Nga gjithë raportet e tij, shkrimet dhe korrespondencat rezulton, që Kelmendi ishte për një Shqipëri demokratike. Prapë duhet të hap një parantezë për lexuesin e aq më tepër për ata, që nuk janë të fushës së historisë dhe që nuk u jepet mundësia të njihen drejtpërdrejt me dokumentet arkivore dhe e quaj abuzim që disa tradhtarë të kombtit apo renegatë të mendimit demokratiko-revolucionar, si Mustafa Kruja, Niko Xoxe etj., në qoftë se i ka dënuar PKSH trajtohen nga disa të ashtuquajtur studjues, sikur ata kanë vlerë të madhe për Lëvizjen Antifashiste apo për atë revoludonare dhe nga ndonjë fletushkë cilësohen atdhetarë të mëdhenj. Këto dukuri negative i çorientojnë njerëzit, shtrembërojnë të vërtetën historike dhe nuk është në gjendje njeriu i ndershëm atdhetar të mendojë e të besojë. Po kjo nuk do të thotë, që figurat të shikohen vetëm bardhë e zi. Gjykohen në kohë dhe kur jeta e tyre ka çaste e veprime pozitive kombëtare apo demokratike. S’ka pse të mos vihen në dukje dhe të mos përmenden personalitete, si psh. Mustafa Kruja, që ka marrë pjesë dhe ka firmosur në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912. Ai ka qenë një studjues me përmasa në fushën e gjuhës shqipe, hartues i qindra shkrimeve në revistat e kohës, demokrat dhe prefekt i Shkodrës në qeverinë e F.S.Nolit më 1924. Pra, figurat historike trajtohen në larushinë e tyre, me ngritjet e uljet, me anët pozitive e negative. Dhe një qëndrim që ka qenë pozitiv, mundet për një etapë të inëvonshme të jetë i dëmshëm për shoqërinë apo edhe për vetë kombin. Ashtu siç nuk i mohohet Zai Fundos kultura e gjerë, gjuhët e huaja dhe forca polemike e penës se tij. Është më se e vërtetë, qe Zai Fundo u trondit me gjendjen ekonomike e politike ne BS-së. Ai nuk i honepsi me të drej të gjyqet e krimet e J. V.Stalinit. Ai u largua nga BS dhe filloi të largohej dhe nga komunizmi, por natyra e tij nuk mund të mbyllej në vetvete, apo të zinte një qoshe, të mënjanohej nga zhvillimet politike. Me cilat ambasada nuk lidhej e në cilat forca e grupime nuk gjendej... Siç nuk mund të nëvlersohet shpirti praktik, forca diktuese dhe ambicia e Niko Xoxit.

    -----
    gaz panorama

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    dokumenti III

    Dokumentet zbardhin Plenumin e Beratit, aq të diskutuar në historinë e PKSH-së


    Nako Spiru i tregon vendin Enverit

    “Sot, edhe në një listë gjellësh, do të gjesh emrin e Enverit”


    prof. Myslim Islami

    vijon nga numri i kaluar

    Në procesverbalin e Plenumit II të Beratit, në diskutimin e tij, Nako Spiru i analizon problemet hapur, pa asnjë mëdyshje.

    “Nuk është puna se nuk dinim të zgjidhnim KQ-në e Partisë. Kjo ka qenë e dorës së dytë. Puna është se gjithçka mbetej në duart e Miladinit dhe të njerëzve që ai donte t’i mbante afër tij”. Më poshtë pohon: “Partia jonë nuk arriti që të kishte një vijë të qartë politike”.

    Sintezën e Konferencës së Pezës, Nako Spiru e ka përcaktuar qartë e prerë në këtë Plenum: “Çështja e nacionalizmit nuk shihet si një gjë urgjente, sepse nuk kishte perspektivë për këtë. Për dobësitë tona, Peza mbeti një gjë formale”. Të vjen çudi, nganjëherë, dhe më poshtë vazhdon: “Këshilli Nacional-Çlirimtar i qytetit u përgjigjet me trakt: ‘Asgjë s’do ta ndalë popullin në rrugën e tij drejt Luftës Çlirimtare’”

    Në mars të vitit 1944, në një pamflet, midis të tjerave, informon anëtarët e KQ-së të PKSH-së: “Në Tiranë vazhdon terrori…. Këtu armiku po mundohet me na shkëput popullin. Lufta në qytet, për të mos e lënë armikun me shkëputë popullin e rininë, nuk vjen shumë mbrapa për rëndësi nga lufta me partizanët. Prandaj duhet të ndjehet edhe këtu grushti ynë. Ditët armiku i ka të shkurtra. Nuk duhet të kapitullojmë ndër qytete….”. Nako Spiru e ka vlerësuar drejt bashkimin e të gjitha forcave politike në Shqipëri. Ai ka qenë për pluralizmin në Frontin Antifashist Nacional-Çlirimtar.

    Në mars të vitit 1944, ai, bashkë me dr. Ymer Dishnicën, i propozuan KQ-së së Partisë dhe Enver Hoxhës që me elementët demokratë në Frontin Nacional-Çlirimtar dhe me krahun e Ballit Kombëtar, që donte të luftonte pushtuesin, të formohej një parti republikane. Enver Hoxha u ktheu një letër me kritika shumë të ashpra: “Gjithë pushteti të jetë në duart, vetëm të Partisë Komuniste dhe në Frontin Nacional-Çlirimtar të pranohen vetëm individë”.

    Diskutimet e Nakos në Plenumin e Beratit
    Në diskutimin e tij, Nako Spiru, në Plenumin II në Berat për luftën e qëndresën në qytet, nënvizoi: “U krijua një situatë gjatë Operacionit të Dimrit, që populli të lëkundej mjaft. Ndërkaq, nga letrat që merrja nga Aliu (pseudonim i Miladin Popovicit) Liria dhe Koçi, kur isha në Tiranë, tregohej sikur s’kishte ngjarë kurrgjë, sikur qytetet ishin në duart tona. Ndërkaq, armiku përgatitej të na jepte grushta dhe na i dha të forta.

    Veç Tiranës dhe Korçës, organizatat e Partisë në qytete u likuiduan…. Punët tona po merrnin një karakter gjithnjë e më sektar. Në Helmës, Panarit, Përmet, edhe më vonë është zhvilluar sektarizmi. Në qoftë se Mukja ka qenë rezultat i vijës sonë të gabuar me Ballin, këto qëndrime me Muharrem Bajraktarin dhe vrasjet në Tiranë, janë rezultat i qeëndrimeve tona sektare. Për të gjitha këto gabime të mëdha, shokët akoma nuk janë zbrazur dhe nuk i kanë nxjerrë rrënjët”. Në Vithkuq të Korçës ndodhej një pjesë e udhëheqjes dhe këtu erdhi lajmi i ndërprerjes së Konferencës së Mukjes, si edhe qëndrimi i delegacionit të Partisë Komuniste Shqiptare. Në Vithkuq u diskutua për herë të parë çështja e Mukjes. Enver Hoxha, Miladin Popoviçi etj, ishin që ndaj dr. Ymer Dishnicës dhe Mustafa Gjinishit të mbahej qëndrim i ashpër, të përjashtoheshin, të cilësoheshin tradhtarë e te ekzekutoheshin. Këtij mendimi iu kundërvu Nako Spiru, i cili i mbrojti dhe i shpëtoi nga vdekja.

    Gogo Nushi thotë se ka marrë disa letra nga KQ-ja Provizor, për vrasjen e Sotir Kondit, Anastas Plasarit e Zef Malës etj. Po ai, të thotë se letrat i ka marrë nga Enveri.

    Siç rezulton nga shumë dokumente, por edhe nga analiza që bën Nako Spiru në Plenumin II të Beratit, del qartë se ky guxim civil i tij, ky pasion idealisti për qëndrimin e logjikshëm që mbajti në analizën e parë që iu bë Mukjes, u bënë shkak që të deleguarit e PK-së jugosllave të krijonin rezerva, të krijonin mosbesim, të dyshonin në vendimet dhe formimin e Nako Spirut. Ky i fundit s’e përfilli as veten, kur në Berat tha për Enver Hoxhën që është i dëmshëm për udhëheqjen e vendit. Në Plenumin II, me ndërhyrjen e diskutimet e veta, Nako Spiru parashtroi hapur çfarë ishte Enver Hoxha, atje, ballë për ballë e sy për sy: “Shoku Tuk (Tuk Jakova) preku çështjen e popullarizimit të Enverit. Ne duhet të popullarizojmë më parë lëvizjen. Duhet të kishim një vijë të drejtë, që parullat të pasqyronin Frontin. Popullarizimi bëhet që njerëzit të lidhen me luftën. Kur t’i nuk mundohesh të zgjerosh Frontin, po mundohesh të futësh në kokë të njerëzve një emër, të popullarizosh një shok; kjo është artificiale. Deri dje as që kishte ndonjë emër. Sot, edhe në një listë gjellësh, do të gjesh emrin e Enverit”.

    Kritikat e Sejfulla Malëshovës për Enverin
    Dihet, që në Plenumin II të Beratit, Sejfulla Malëshova e karektarizoi Enver Hoxhën “shembëlltyra e të gjitha gabimeve gjatë luftës, tipin që krijoi klika”.

    Drejtuesit e krahut me kulturë, me njohuri, mendonin të përgatitej një brez i ri me dije bashkëkohore dhe donin t’i spostonin tipat e mefshtë, pa përgatitjen e duhur, por as të mos zhdukeshin fizikisht dhe as mos t’u mohohej lufta e sakrificat e tyre.

    Përkundrazi, Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe u bënë kopjues të metodave të Stalinit për spastrime me çdo mjet në Shqipëri. Enver Hoxha nuk ka qenë përfaqësues i interesave të Shqipërisë, por i interesave të huaja, siç qe PK-ja jugosllave. Ai, asnjë kusht të veçantë të Shqipërisë nuk mori parasysh. Enver Hoxha, me urdhër të Titos, zhduku gjithë intelektualët shqiptarë, të cilët mbroheshin nga Sejfulla Malëshova, sipas të cilit, në një vend të prapambetur kulturor, mendimi i intelektualëve duhej mbrojtur e respektuar që të mos vriteshin ata.

    Autokritika e Enver Hoxhës në Plenumin e Beratit
    Tashmë dihet që Enver Hoxhën e vuri Miladin Popoviçi. Enver Hoxha e mbrojti politikën jugosllave në Shqipëri. Në fjalën e vet autokritike e shpjeguese, Enver Hoxha në Plenumin II të Beratit, midis shumë e shumë gabimeve e paaftësive të tij, pranoi dhe pohoi: “Kur unë mora pjesë në Lëvizje me GK-të e Korçës, puna zhvillohej në mënyrë konspirative. U afrova me këta shokë dhe u gjenda afër Koço Tashkos. Të tjerët kujtonin se unë isha kryetari i punës, një nga krerët, por unë isha vetëm një simpatizant; unë nuk isha anëtar. Kur u formua Partia dhe u gjenda në KQ, këtu hyra me propozimin e Koços…. Përsa i përket përgjegjësisë në KQ-në Provizor, kjo ishte elastike, asnjëri s’kishte një përgjegjësi të caktuar. Vetëm emrin e kishte KQ. Unë tani po e marr vesh nga “Baca” (pseudonimi i Ramadan Çitakut) se atje Tuku ka qenë sekretar politik”.

    Duhet pohuar që qenia e Nako Spirut në radhët e Byrosë Politike të KQ-së së Partisë, president i Rinisë, kryetar i Komisionit të Planit, përgjegjës i Agjitacion-Propagandës në KQ-në e Partisë, nuk lejonte që udhëheqja e PKSH-së të kthehej në tiraninë e Enver Hoxhës e të Koçi Xoxes e klanit të tyre. Sektarizmi e terrori nuk lejonte të zhvillohej vendi se e mbante në gjendje bizantino-osmane.

    Udhëheqës të luftës si Sejfulla Malëshova, Nako Spiru, Ymer Dishnica, Omer Nishani, Koço Tashko, Konstandin Boshnjaku, Shefqet Beja e me dhjetëra intelektualë e atdhetarë, janë shprehur të shqetësuar për fatet e Shqipërisë të pasçlirimit.





    Ja çfarë shkruan për Enver Hoxhën

    Ditari sekret i Nako Spirut në vitin 1944

    Nako Spiru e njihte mirë gjendjen në Shqipëri. Ajo duhej të ecte drejt reformave demokratike. Po kjo nuk arrihej, pa lidhje me Perëndimin: kjo ishte e domosdoshme. Perëndimi ishte demokratik, jo nazist. Nazizmi e humbi betejën. Nako dëshironte të mirën e shqiptarëve të Kosovës që PK-ja jugosllave po i persekutonte. Nako Spiru nuk donte degjenerimin e Shqipërisë, por rigjenerimin e saj. Ai nuk ishte kundër reformës agrare; nuk ishte feudal, por ishte kundër kooperimit. Rruga sovjetike e kolkozeve ishte e dëmshme për Shqipërinë. Nako, me horizontin e dijet e tij, e dinte ashtu si edhe Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica e të tjerë se nazizmi e fashizmi do të mposhteshin. Humbja e boshtit Romë-Berlin-Tokio u arrit nëpërmjet koalicionit me në krye SHBA-në, BS-në dhe Anglinë.

    Nako Spiru ishte mendimtar revolucionar-njerëzor, jo i spastrimeve e i terrorit, siç u bë vijë në jetën e veprën e Enver Hoxhës, saqë u publikua me fjalën: “Enver Hoxha mprehi shpatën/ edhe një hërë për situatën”. Nako ishte për pushtet, por kjo të realizohej mbas çlirimit, nëpërmjet një rruge të re. Fatkeqësia ishte se e rrethonin njerëz të errët, pa përgatitje teorike-politike. Njihnin vetëm citatet e Stalinit. Në atë situatë terrori, Nako Spiru dhe krahu idealist intelektual i udhëheqjes së luftës, kishte si thelb të filozofisë që do të udhëhiqej nga një parti dhe në krye të drejtimit e të pushtetit, të dilnin njerëz të zotë e të ditur.

    Dogmatikët ishin kundër këtij krahu të kulturuar, të emancipuar dhe liberal me parullën: “Të jemi konseguentë me Marksizëm-Leninizmin”, siç nënvizonte gjenerali Koçi Xoxe, “bërthama proletare me zemër bolshevizmi”’. Ky ishte mendimi sektar i mbushur me slogane e citate të thata, që sot është e qartë për këdo se sa e dëmtuan dhe, kjo frymë, metodë dhe praktikë fashiste, duhej hedhur në kosh të plehrave, për të mos vazhduar dhe praktikuar rrugën e këtyre tipave të indoktrinuar apo të mefshtë për të parë më larg se hunda e tyre.

    Sulmi i Hoxhës ndaj Nako Spirut
    Enver Hoxha në të gjitha çastet vendimtare, në kthesat për gjërat më kardinale, ka manifestuar qëndrim koniunktural, me metoda tinëzare, me prapaskena, me klane shpifjeje nga më monstruozet, duke goditur sa djathtas e majtas. Ai ishte mjeshtër i intrigës. Shiste këdo nga shokët; vetëm veten jo. Merita e tij në thonjëza, ishte se dinte të përvetësonte vlerat e të tjerëve, siç bëri me Koço Tashkon, Qemal Stafën, Omer Nishanin, Kostandin Boshnjakun, Sejfulla Malëshovën, Nako Spirun, dr. Ymer Dishnicën e sa e sa patriotë nacionalistë apo ushtarakë me Akademi që spikatën si drejtues të talentuar në luftën antifashiste dhe të gjithë, mund të thuhet pa përjashtim, i mënjanoi apo i ekzekutoi.

    Të gjithë ata, që i cilësonte kundërshtarë, i ka sulmuar me të njëjtin stil. I akuzonte si agjentë të imperializmit, si agjentë jugosllavë, si agjentë të Perëndimit dhe deri në agjentë e poliagjentë të disa zbulimeve e të disa shteteve.

    Nako Spirun e sulmoi prapa krahëve. E izoloi dhe organizoi zhdukjen e tij fizike. Numri i njerëzve që u ka hequr kokën, që i ka burgosur, internuar apo përbaltur, të gjithë lexuesit e këtij shkrimi i dinë dhe, brenda disa sekondave, do t’i kalojnë nëpër mend. Numri i madh i atyre që i zhduku, e zbriti dhe e vulosi Enver Hoxhën në një rang me satrapët e kriminelët e njerëzimit si Hitleri, Stalini etj. Në çdo konferencë, plenum, kongres, hanxhari i Enver Hoxhës vetëm dhe vetëm priste. Një popull të tërë e terrorizoi, e armiqësoi, e përçau dhe mbi të gjitha, i vrau virtytet, me të cilat shqiptari dhe çdo njeri, krenohej.

    Ditari
    Në ato situata terrori, Nako Spiru mbante ditar në gjuhën italiane. Ka shumë mundësi që Vladimir Dedjev ka botuar pjesë të këtij ditari. Në nëntor të vitit 1944, në ditarin e tij, Nako e ka karakterizuar kështu portretin e Enver Hoxhës: “Ndjek Tashkon me sy mbyllur. Me ardhjen e Miladinit e të Dushanit, me formimin e Partisë, u bë anëtar i KQ-së të Përkohshme të Partisë dhe ndjek me sy mbyllur Miladinin, i cili pak nga pak, përqëndroi përgjegjësitë në duart e tij. Në Konferencën e Partisë u zgjodh sekretar i përgjithshëm i KQ-së së Partisë. U shqua zakonisht si njeri që shkëlqen në luftë kundër fraksionistëve. Kjo është pjesë gratis. Më tepër ka gërthitur në këtë fushatë, sesa ka punuar. S’ka bërë asgjë nga vetja, zbatues pa perspektivë i Miladinit…; inteligjencë (zgjuarsia)- mediokër. Në shkollë, jashtë shtetit dhe si profesor, gjithashtu, mediokër. Gjatë kësaj kohe (para krijimit të Partisë), jetë shumë të rregullt. Në Paris, sektar; tani do që t’i bëjnë lajka. Krijoi klikë rreth vetes. Do që të jetë i pari në çdo gjë dhe t’i marrë të gjithë me shqelma. Të tjerët do t’i shohë fare të vegjël. Bën çmos të krijojë kompleks inferioriteti…. Asnjë cilësi prej udhëheqësi; frenon çdo iniciativë. Rrjedh nga një familje pronarësh të vegjël; kohët e fundit në kushte jo shumë të mira ekonomike. Në popull nuk është i njohur dhe, atje ku është i njohur, nuk gëzon reputacion. Partia po e popullarizon me të gjitha forcat. Vetëm kështu ka filluar të bëhet i njohur. Por, populli nuk është i bindur në aftësitë e tij”.

    Përplasja me jugosllavët
    Një faqe e ndritur për jetën e veprën e Nako Spirut, është lufta e tij për të mbrojtur interesat dhe pavarësinë e Shqipërisë deri sa dha edhe jetën. Presionet e kërcënimet i përballoi pa u lëkundur, me heroizëm dhe me guxim civil të rrallë.

    Politika e Enver Hoxhës çonte në tiraninë staliniane të shoqëruar me terrorizmin kundër intelektualëve. Kjo politikë e Enverit u ndoq deri në fund edhe nga nxënësit e pasuesit e tij. Shqipëria u katandis në këtë shkallë dhimbjeje dhe turpi, fatkeqësisht vazhdon edhe sot. Në mënyrë titanike, dhëmbë për dhëmbë, e zhvilloi luftën Nako Spiru me qarqet shovene të Beogradit. Ju vu etiketa e antijugosllavit, antisllavit. Nako u vu nën survejim të plotë nga krerët e sigurimit të shtetit. Komandant Enver Hoxha e gjeneral Koçi Xoxe informoheshin për çdo lëvizje, mendim e qëndrim të tij. Ndërhyrja e PK-së jugosllave në Shqipëri, pas Plenumit V të shkurtit 1945, që eliminoi Sejfulla Malë-shovën, filloi të bëhej më brutale. PKSH-ja u kthye në një bisht të PK-së jugosllave, me pikësynimin e tyre që Shqipërinë ta kthenin në një republikë të shtatë të Federatës Jugosllave. Në korrik e nëntor të vitit 1946, u nënshkruan traktate të miqësisë, bashkëpunimit e ndihmës reciproke, konventa ekonomike, që nga koordinimi i planeve, unifikimi i çmimeve, parafikimi i monedhës, shoqëritë e përbashkëta e deri në hapjen e doganave. Nako Spiru nuk pranonte të firmoste marrëveshjen me Beogradin. Ai u dërgua në krye të një delegacioni nga KQ-së së Partisë dhe radiogramet e Enver Hoxhës e detyruan që t´i firmoste. I diktuan të ngrinte komisionin e koordinimit.

    Kurthe nga të gjitha drejtimet. Zonja Liri Belishova kujton: “E pritëm kur u kthye delegacioni nga Beogradi. Ishim 5-6 veta. Me të zbritur Nako nga avioni, na dha dorën dhe shtoi: “Më gjeti si Eqerem bej Libohovën, që e shiti Shqipërinë; firmosa edhe unë”. Më poshtë shtoi: “Dikush e kishte njoftuar Enver Hoxhën për këto fjalë dëshpërimi të Nakos, i cili më vonë ja përdori për ta sulmuar në mbledhjen e Byrosë Politike”.

    Në nëntor të vitit 1947, Josip Broz Tito akuzoi Nako Spirun si shkaktar të keqësimit të marrëdhënieve, si agjent të borgjezisë dhe të imperializmit. Enver Hoxha nuk e priti për shpjegime. Ambasada e BS-së bëri një sy qorr dhe një vesh shurdh. Në Byronë Politike nuk u thirrën si zakonisht dhe munguan Bedri Spahiu, Mehmet Shehu, Liri Belishova, Fadil Paçrami etj., dhe e cilësuan Nako Spirun tradhtar.

    Plenumi 8-të
    Plenumi VIII i KQ-së së Partisë, që është cilësuar njollë e zezë e historisë së Partisë, e avancoi skenarin e Beogradit. 15 ditë pas vdekjes së Nako Spirut, më 15 dhjetor të vitit 1947, në mbledhjen e Byrosë Politike, ku merrte pjesë i dërguari i Titos, Sava Zllatiç, protagonist kryesor, ka thënë, siç e dokumenton procesverbali që ruhet edhe sot në Arkivin Qendror të Shtetit e ku thuhet: Tani që e likuiduam këtë pengesë, d.m.th. Nako Spirun, duhet të fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejt bashkimin “de facto” të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fishat (parti, ekonomi, ushtri etj), se Shqipëria nuk mund të ekzistojë si shtet i pavarur dhe aq më pak, të ndërtojë socializmin pa u bashkuar me Jugosllavinë. Shpalljen do ta bëjmë në rrethana dhe koniunktura të favorshme ndërkombëtare.

    Kjo tradhti kombëtare filloi, por s’u realizua, sepse plasi konflikti Stalin-Tito dhe Enver Hoxha, për interesat e tij, mori anën e më të fortit. Ekzistenca e pavarësia e Shqipërisë mbahej në fije të perit. Në Çarshovë të Kolonjës dhe në Lin të Pogradecit, po ngriheshin kazermat për ardhjen e dy divizioneve ushtarake jugosllave dhe në Tiranë, në aerodrom, u vendosën trupa speciale jugosllave. Për eliminimin tragjik të Nako Spirut, përgjegjësinë e ka Tito dhe bashkëpunëtorët e tij, Koçi Xoxe e Enver Hoxha, si dhe ambasada sovjetike dhe vetë Stalini, që nuk ndërhynë për ta frenuar këtë krim. Nako Spiru u quajt armik. Një pjesë e atyre që mbetën në krye të PK-së shqiptare, u bënë tradhtarë të vetë kombit, se e shitën Shqipërinë. Mburreshin me fjalët Republikë e Shtatë. Në Kongresin I Enver Hoxha bëri sikur e rehabilitoi me fjalë të shkallës sipërore: “Ai u qëndroi (e kishte fjalën për Nako Spirun) presioneve të PK-së jugosllave” dhe më poshtë shtoi, sepse nuk mund të shkëputej dot as nga megolomania e sëmurë e as nga prapaskenat: “Se ai zbatoi porositë e mia”.





    -----------------









    Moderator..ne se mundesh titullin e Temes vene nga une nderroje e shkruaje..
    psh..

    Dr. Myslim Islami per historine e Levizjes Komuniste ne Shqiperi..

    tung..

Tema të Ngjashme

  1. Islami Sot Dhe Nesër
    Nga llokumi në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 22-09-2012, 10:50
  2. Sheikh Muhamed Nasuridin Albani
    Nga forum126 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 20
    Postimi i Fundit: 19-08-2009, 11:01
  3. Shenja ne Rruge!?
    Nga ORIONI në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 17-06-2009, 08:47
  4. Skandali i ambasadorit shqiptar në SHBA, Fatos Tarifa
    Nga Pride në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 53
    Postimi i Fundit: 30-11-2007, 18:18
  5. Islami NdËrmjet Lindjes E PerËndimit
    Nga ORIONI në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 01-05-2005, 04:51

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •