Emigrantëve shqiptarë u shkelen të drejtat
Organizata Ndërkombëtare e Punës, konferencë në Gjenevë për të drejtat e emigrantëve
Sa guxojnë shqiptarët, emigrantë në vendet fqinjë, të shpalosin identitetin e tyre pa problem dhe sa të barabartë ndjehen ata dhe fëmijët e tyre në vendet ku jetojnë sot? Kjo është një pyetje retorike për këdo që ka sadopak njohuri nga historia e hidhur e emigracionit postkomunist shqiptar.
Që prej korrikut të vitit ’90, kur u shpërthyen dyert e ambasadave e deri më 9 janarin e 2004-ës, kur grupi i fundit i klandestinëve ra në fund të detit, shqiptarët vazhdojnë të skedohen si të padëshiruar në kontinentin e vjetër, të civilizuar. Edhe për ministrin shqiptar të Punës dhe Çështjeve Sociale, Engjëll Bejtaj, gjendja e emigracionit shqiptar pranohet që është ekstreme. Ai thotë se shqiptarëve u shkelen të drejtat civile, ekonomike dhe politike, si dhe u mohohet mundësia për t’u integruar në vendet pritëse. Në një konferencë të përgjitshshme të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, që po mbahet në Gjenevë, Bejtaj konfirmoi edhe një herë pozicionin jashtëzakonisht të vështirë të bashkëkombasve të tij emigrantë. Ministri Bejtaj gjendet në Gjenevë, në krye të një delegacioni ku marrin pjesë edhe përfaqësuses të dy sindikatave kryesore, Gëzim Kalaja i BSPSH dhe Kastriot Muço i KSSH, si edhe përfaqësues të punëdhënësve shqiptarë nga forumet e BOBSH-it dhe KOP-it. Përqendrimi i vëmendjes së konferencës për këtë vit ishte në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave në punë të migrantëve si dhe integrimin e tyre ekonomik dhe shoqëror.
Shqiptarët,
një treta emigrantë
Aktualisht Shqiperia, me një popullsi prej rreth 3 milion banorësh, ka rreth 20 % të popullsisë së saj në emigracion, ose afërsisht rreth 750 mijë emigrantë, nga të cilët rreth 400 mijë punojnë në Greqi, rreth 250 mijë punojnë në Itali dhe pjesa tjetër në vende të tjera të BE, SHBA dhe Kanada. “Dukuria globale e migrimit për vetë natyrën e saj krijon efekte problematike në të gjitha sferat e jetës, sociale, ekonomike dhe politike. Në vendet pritëse efektet negative janë shfaqur edhe në shkeljen e të drejtave civile, ekonomike dhe politike të emigrantëve shqiptarë si dhe në mungesën e mundësisë për t`u integruar” tha dje në konferencë ministri shqiptar i Punës dhe Çështjeve Sociale. Qeveria shqiptare, tha Bejtaj, vlerëson se emigrimi i rregullt sjell ndikim pozitiv për individin dhe shoqërinë, jo vetëm në vendet e origjinës, por edhe në vendet pritëse.Trajtimi i problemit migrator është sa kompleks aq edhe përfshirës, pasi kërkon veprime integruese dhe mbeshtetje të gjerë nga të gjithë aktorët dhe faktorët e shoqërisë. Si i tillë ai nuk mund të kuptohet pa zhvillimin ekonomik dhe reduktimin e varfërisë. Konsensusi i të gjithë këtyre faktorëve qëndron në themel të përpjekjeve të qeverisë shqiptare për rritjen ekonomike, punësimin, mbrojtjen sociale dhe mirëqenien, sipas tij.
ILO të bëjë presion në vendet fqinj me ne
Duke vleresuar angazhimin serioz të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, dhe efektet pozitive që ka reflektuar, Bejtaj vlerësoi me mjaft interes vazhdimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të inisiativave të ILO-s si një kontribut të rëndësishëm në rritjen e dimensionit rajonal dhe global te saj, të cilat do t’i shërbenin mirëkuptimit ndërmjet shteteve, vendosjes së frymeës së bashkëpunimit për respektimin e të drejtave dhe lirive universale të njeriut, në kuadrin e proceseve integruese. Tendenca në kapërcimin e barrierave tradicionale në lëvizjen e lirë të njerëzve, krahas lëvizjes së mallrave dhe kapitaleve, nxit kontributin në vazhdimesi të ILO-s, që krahas standartizimit të legjislacionit, të mbështesë zhvillimin e politikave me dimension social dhe ekonomik si dhe bashkëpunimin teknik në fushën e migrimit për punësim. “Si vend antar i ILO-s, kësaj organizate me reputacion ndërkombëtar, në emër të qeverisë shqiptare shpreh dëshirën e emigrantëve shqiptare që krahas marrëdhënive shumë të mira që ekzistojnë në nivel politik midis Shqipërisë dhe Italisë e Greqisë, vendet ku punojnë shumica e emigrantëve shqiptarë, të rritet kontributi dhe presioni i organizatave dhe organizmave ndërkombëtarë për respektimin e të drejtave të emigrantëve shqiptarë konform standarteve të pranuara dhe të përparuara”, tha dje Bejtaj.
Autori i Lajmit: Olimbi Velaj
Krijoni Kontakt