Faqe 14 - Ekonomi & Sociale
7Qershor 2004
Shëndetësia: Rreth 340 mijë konsumojnë akool rregullisht
Studimi: Një ndër dhjetë shqiptarë është “pijanec”
Blerina Kaca
Rreth 340 mijë shqiptarë pinë alkool. Kjo do të thotë se afërsisht një ndër dhjetë shqiptarë konsumon rregullisht pije alkoolike.
Është kjo shifra e bërë publike nga Ministria e Shëndetësisë pas një studimi gjashtë mujorë. Në mënyrë të veçantë studimi është përqendruar në kryeqytet dhe në të janë përfshirë vetëm meshkujt. Kështu janë testuar për alkoolpirje pjesa më e madhe e shoferëve të autobuzëve, taksive etj. Po ashtu janë përfshirë në këtë studim punonjës të ministrive, institucioneve të ndryshme private dhe shtetërore. Vetëm për gjashtë muajt e parë të viti 2004 , harta e alkoolpirësve shënon përqindje tronditëse. Nuk kanë mundur t´i shpëtojnë alkoolit pjesa më e madhe e taksixhive, të gjithë ata që kanë probleme në familje dhe një numër i konsiderueshëm personash, të cilët e lidhin alkoolpirjen me stresin. Kështu, sipas studimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Insitutit të Shëndetit Publik, 58 përqind e njerëzve pinë alkool tej masës së lejuar. 22 përqind janë të varur tërësisht prej saj dhe nuk mund të kryejnë asnjë veprim pa pirë alkool. Rreth 16 përqind e shoferave nuk mund të drejtojnë automjetin pa pirë më parë. Dhe rreth 18 përqind e tyre kanë deklaruar se pinë alkool në mënyrë rastësore dhe të ndikuar nga mjedisi që i rrethon. Por ajo që është më shqetësuese në këtë studim gjashtëmujorë janë pasojat që reflekton alkoolpirja në shoqëri. Rreth 98 përqind e të intervistuarve kanë deklaruar se dhunojnë familjarët kur janë në gjendje të dehur. Ata nuk mund të përmbahen, duke krijuar kështu probleme në familje, të cilat lidhen drejtpërdrejt me dhunën mbi fëmijët ose bashkëshorten. Gjithashtu, 68 përqind e alkoolpirësve pranojë se pinë alkool nga problemet familjare dhe kushtet e vështira ekonomike. Për këtë ¨pjesë të të anketuarve zgjidhja e problemeve është alkooli. Në të njëjtën kohë ata pranojnë se janë bërë pre e pijes dhe nuk mund t´i ndahen asaj. Por, në të gjithë listën e alkoolpirësve vetëm 22 përqind e tyre varen prej saj. Sipas specialistëve të shëndetit publik kjo do të thotë se këta persona nuk janë në gjendje të komunikojnë dhe të veprojnë pa pirë më parë alkool. Studimi gjashtëmujor , i cili përfshin vetëm pjesën e parë të viti 2004, do të bëhet edhe në muajt në vazhdim.
Gati projektligji për alkoolpirësit
Ministria e Shëndetësisë dhe Insituti i Shëndetit Publik janë duke hartuar projektligjin përfundimtar për alkoolin. Në të do të përfshihen rregulla për ndalimin e pijeve alkoolike në vende publike, për tregtimin e tij në orare të caktuara etj.
Të dhënat
340 mijë njerëz pijnë alkool
22 përqind varen totalisht prej saj
58 përqind pinë alkool tej masës së lejuar
16 përqind e shoferëve nuk mund të ngasin makinë pa pirë alkool
18 përqind e njerëzve pinë alkool të ndikuar nga shoqëria
98 përqind e alkoolpirësve janë të dhunshëm
68 përqind e njerëzve pinë për të harruar problemet familjare
Panorama
Krijoni Kontakt