Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Gezuar Kosoven e Pavarur Maska e dodoni
    Anëtarësuar
    07-11-2002
    Postime
    3,393

    Ekspozita Ngjyrat e Shqipërisë

    Ngjyrat e Shqipërisë”, ekspozita që solli në Tiranë 23 artistë shqiptarë që prej vitesh jetojnë në të katër anët e botës

    Ngjyrat e kujtesës, as kuq, as zi


    Elsa Demo

    Valixhja e një udhëtari s’mund të nxërë më shumë se ndërresat e përditshme e ndonjë libër udhëtimi. Derisa dhe ato një ditë nuk do t’i hyjnë më në punë. Plaçka dhe dijet si çdo gjë një ditë vjetërohen, zëvendësohen. E patjetërsueshme mbetet kujtesa. E vetmja barrë që s’ka nevojë për bagazh trageti, avioni, mjete udhëtimi për larg, ku i çuan këta 23 artistë shqiptarë që pas 14 vjetësh i mblodhi ekspozita “Ngjyrat e Shqipërisë”. Ekspozita e atyre që vijnë nga Greqia, Italia, Gjermania, Franca, Amerika, nuk ka ngjyrat e kombëtares, kuq e zi. Vështirë të gjesh mes tyre kanonet e një “arti shqiptar”, vështirë të gjesh edhe shqetësimet e orës biologjike, e zhvendosjes nga izolimi në fluturim. Artistët që prej një jave ekspozojnë në Galerinë Kombëtare të Arteve vijnë së pari me veten, më pas me mjedisin ku luhaten valët mes atdheut dhe bregut të huaj.
    Fatmirësisht apo fatkeqësisht gjithçka nis me “Portën e parajsës” të Xhovalin Delisë, që si portë parajse nuk pyet për ngjyrat e kombëtares. Artisti që prej vitesh jeton në Firence, idenë e vetëpërjashtimit, aluzionin e përzënies nga “kopshti” dhe konfrontimit me limitet, e instaloi me ndriçim blu në hyrjen e Galerisë Kombëtare. Delia aludon se njeriu prej natyre është endacak dhe gjithmonë do të ndeshet me një derë të mbyllur, më së shumti, kur aty shkruhet “parajsë”.
    Vdekja është limiti që jo vetëm e prek, por e vë në lojë, Adrian Paci. Për këtë atij i duhet vajtojca, gruaja që në vendlindjen e tij Shkodër, e ka për profesion të qajë të vdekurin. Videoarti “Vajtojca” sjell gjurmët e origjinës së vendit të tij, që i kërkon megjithëse prej vitesh jeton e krijon në Milano. Vajtojca i “numëron” dhimbjen e gruas kur ai të ketë ikur nga kjo jetë, lotët e të bijës dhe vuajtjen në mërgim. Për çudi vaji i saj të bën t’i kthehesh edhe një herë, edhe një herë tjetër, xhirimit që Paci ka realizuar në Shkodër. Të dëgjosh se si njëlloj, gjithkund njerëzit kanë për t’u pikëlluar për të afërmit, se si vdekja vërtet një herë vjen për secilin, por të gjithë bashkë e përjetojnë si një emocion të përditshëm. Realizimi brilant i Pacit, takohet tek thëniet e të vjetërve, se frika nga vdekja nuk ekziston përderisa “ne” nuk takohemi, “ne ikim kur ajo vjen”. Kur vajtimi ka mbaruar ai ngrihet ashtu i veshur me kostum të zi si për mort dhe i jep dorën vajtojcës. Nuk është për t’u çuditur që ideja e vdekjes, sipas Pacit, flinte më bukur në ritin funerar të vendlindjes së tij. Dhe ai, pikërisht atë zgjodhi.
    Pranë “Vajtojcës”, Toni Milaqi është artisti që jeton në Greqi e s’mund të thotë se është i kënaqur nga çka sot jetojmë. Globalizmi dhe demokracia janë në pikturën e tij si dy gozhdë, njëra vënë e tjera rënë nga patkoi i jetës së njeriut i kthyer në mall. Zgjimi për mëngjes, do të thotë rutinë e botës në luftë për pushtet, para, famë.
    “Dy kokët” e Omer Kaleshit duket sikur nuk pyesin për këto valë të nxehta të përditshmërisë, të varura në litarin e jetës; disi e ndien këtë në triptikun pikturik të muzikës, në formatin kubist të Ibrahim Kodrës, ku njeriu paraqitet robotik.
    Agim Sula, piktori që për herë të parë e shohim të ekspozojë në Shqipëri, pas emigrimit në Itali. Për këtë kthim ka zgjedhur kapërcimin e memories tek fëmijëria. “Fëmijëria” e tablosë së tij është gati-gati fotografike, e pandryshueshme.
    Astrit Vatnika bën një raport të shpejtë fotografik nga Gjermania, për përplasjen në Mitrovicë. “A nuk kemi diçka të përbashkët?” Fotografitë e tij vënë përballë njëri-tjetrit dy të rinj, një shqiptar dhe një serb, që me shallet e skuadrave kombëtare në qafë, duken si tifozë gjaknxehtë e jo si nacionalistë të thekur.
    Ndërsa piktura e Ilir Zefit i ardhur nga Roma, një diptik kafshues me ngjyra zjarri, është ajo për të cilën një kritik do thoshte se nuk ka nevojë t’i deklarojë qëllimet, sepse për një artist si Zefi “nuk ka pika të tjera referimi përveç situatës që di të krijojë ditë për ditë, pa plane, pa kurrëfarë sigurie, i vetmuar.”
    Bukë dhe zemër në tryezën mes dhomës si gjithmonë të kuqe, të Ornela Vorpsit. Videoarti i artistes që jeton në Paris, na sjell këtë herë, remineshenca sa të largëta dhe afërta me zakonin e shqiptarit. Kur kjo video do të projektohej para pak kohësh në një ekspozitë ballkanike në Itali, kritiku Harald Szeemann, skenën e vajzës që e ulur në tryezë grin me thikë mishi një zemër, do ta komentonte brenda kodit arkaik të shqiptarit: bukë, kripë, zemër apo shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut.
    Nuk mungojnë në ekspozitë qytetarët e botës, Flutura dhe Besnik Haxhillari, të quajturit “Guliverë” në udhëtim për të prekur vende, takuar njerëz dhe rrahur mjedise artistike; Anila Rubiku nga Italia sjell valizhen me qëndismat e saj. Eshtë lirika e vajzës që nuk pati kurrë kohë të rrijë për pak me nënën e saj, sepse mendonte se duhej të ishte një grua në karrierë që s’kishte për ta kthyer kokën pas. Filli i mëndafshtë i kujtimeve e kthen sërish tek kodet e pandryshueshme të jetës, ku bëjnë pjesë gjyshja, nëna, motra e saj dhe ajo vetë. Eshtë më tej Bujar Marika i ardhur nga Zvicra; Arjan Rizvani me “Tankun” që endet në lagje të qetë të Italisë, si fobia moderne e luftës, është Helidon Gjergji nga San Francisko me përthyerjet e pushtetit të televizionit dhe informacionit; Viktor Ferraj nga Savona me ikonografinë e qeramikës si një kërkim të njeriut nëpër kohë; Bashkim Ahmeti me legjendën e mallit të kërkimit të së pamundurës; Artan Shabani nga Italia që thotë se të gjitha bateritë i ka lënë për “Homo Balkanicus”, ekspozitë që së shpejti do të hapë, në Venecia, e me radhë
    Valbona Musliu, Pëllumb Puci, Bujar Luca me lëvizjet e figurave të tij si në një kërcim ritual. Për të mbërritur tek nëna e ardhshme Venera Kastrati, në kërkim të një emri për foshnjën e fshehur në barkun e saj të fryrë e lakuriq. E si për ta mbyllur këtë kërkim në memorje videoprojeksioni i Armando Lulajt, shfaq ca njerëz tek i vënë flakën yllit pesëcepësh. Duken si herostatë. Janë vallë. Njerëz që duan t’i ikin memorjes duke e djegur atë.
    Arti i 23 krijuesve që janë shpërndarë nëpër botë, kanë vetëm remineshenca të “ngjyrave të Shqipërisë”, pra nuk janë as kuq, as zi. Pjesa më e madhe e tyre janë në fillim ose në mes të rrugës së artit. Do të thotë kjo se janë duke iu larguar Shqipërisë? Nëse jo, çfarë do t’i mbahen pas saj? Pas 14 vjetësh thanë se fijet e tyre të padukshme i kanë bërë shqiptarë në botën e madhe.




    02/06/2004
    Leje mos m'trano, pashe zotin!!!!

    Rrofte Shqiperia Etnike

  2. #2
    Gezuar Kosoven e Pavarur Maska e dodoni
    Anëtarësuar
    07-11-2002
    Postime
    3,393
    Ngjyrat e Shqipërisë në botë” janë hedhur në një katalog.

    “Ngjyrat e Shqipërisë” në katalog


    A.Mile

    Rreth një muaj më parë, në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve do hapej ekspozita e 23 artistëve shqiptarë që jetojnë nëpër botë, si Itali, Amerikë, Greqi, Gjermani, etj. Me ndihmën e disa organizmave ndërkombëtarë, si Zyra e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Organizata Ndërkombëtare për Migrimin, si dhe shoqata e biznesmenëve, artistë të tillë si Adrian Paci, Ornela Vorpsi, Ilir Zefi, Artan Shabani, Flutura&Besnik Haxhillari, Bujar Luca, Valbona Musliu, etj, kanë pasur mundësinë të ekspozojnë një copëz nga arti që ata krijojnë në vendet ku tashmë jetojnë. Për të mbetur përherë pjesë e qenësishme e artit shqiptar, të gjitha punimet e ekspozitës “Ngjyrat e Shqipërisë në botë” janë botuar në një katalog. Përfaqësuesja e UNHCR-së, Marion Hoffmann, u shpreh se “këta artistë po lënë gjurmë në skenën artistike të vendeve që i kanë pritur dhe tani u jepet mundësia të tregojnë veprën e tyre në atdhe. Ata na kujtojnë se 20 milionë refugjatë dhe persona të zhvendosur në gjithë botën, do të donin të ktheheshin në vendet e tyre nëse do të mundnin”. Kjo ekspozitë është e para e këtij lloji, që hapet në Galerinë Kombëtare të Arteve.



    26/06/2004
    Leje mos m'trano, pashe zotin!!!!

    Rrofte Shqiperia Etnike

  3. #3
    me nder qofsh
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Vendndodhja
    ne fluturim e siper
    Postime
    810
    fatkeqsisht un nuk munda te kthehem ne shqiperi per kte expozite sic jane kthyer artistet pjesmarres, por si gjithmone e kam ndjekur nga larg aktivitetin dhe skenen e artit shqiptar. nga ckam lexuar per kete expozite do kisha dashur shume ta shikoja me syte e mij por do mjaftohem me katalogun po me ra ne dore. nga gjithe pjesmarrsit do vecoja Adrian Pacin dhe Ornela Vorpsin qe me ka mbet merak qe nuk i kam pare. te dy jane klas fare dhe me vjen mire qe jan kthyer ne shqiperi me punime teper perkatese te shoqerise sic eshte vdekja dhe mikpritja shqiptare.
    Memory is a kind
    of accomplishment
    a sort of renewal
    even
    an initiation

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Postime
    395

    ngjyra dhe zjarre

    Zjarret gjithmone kane peruruar krijimet e artisteve shqiptare te pas komunizmit.Mbase nga nevoja per tu ngrohur apo,thjesht nje snobizem?Nuk arrij ta kuptoj.Artisti profesor ne Akademine e Arteve te Bukura ne Tirane,Gazmend Leka, ne punet e tij,kerkon shume tragjedi dhe shprese nepermjet zjarrit.Nga ai,krijohet nje misticizem total.Nje ngjyre e zeze.Nje mikroskop per te gjitha embrionet e ndryshkura te artit shqiptar.
    Po ne te vertete; a mund te kete arti shqiptar nje ngjyre?A mund ta quajme nje ngjyre politiken shqiptare dhe ate europiane per t'i dhene nje grusht me reklama dhe leke te huaja artisteve qe kerkojne bileta avioni sa me favorizuese per xhepat e tyre?Nuk mendoj!
    Politika eshte nje nga veglat me te poshtra qe ka ekzistuar ndermjet njerezve te zote.I ka mjeruar dhe farferuar ato.Jo se artistet jane njerez te zote,por te pakten jane pak te zgjedhur per ngjyrat qe arrijne te perceptojne.Politika ka qene gjithnje perlyer me artin shqiptar.Ne sistemin socialist dhe ne kete te tashmin kapitalist,i udhehequr me shume "vemendje" nga socialiste te moderuar.
    Por,te shikosh Fatos Nanon qe peruron nje ekspozite te "rendesishme",ndodh dhe ngaterresa per ne,njerezit e shpetuar nga kaosi vrases i komunizmit,te risjellim nder mend perurimet e ekspozitave ne kohet kur askush nuk mendonte per nje art te vertete,te mirfillte,ne ndihme te nje arti qe krijon,kerkon dhe arrin te "peruroje" gjuhe te tjera.
    Jo! Ajo ekspozite,me gjithe respektin e artisteve te "jashtem",nuk besoj se ka sjellur ndonje ngjyre; por vetem tragjedi te nje kombi qe akoma kerkon te vrasi dhe te shohi mishin e kuq ne nje tavoline,te djegi simbole te ngulitura tashme thelle ne memorien tone,te parakaloje akoma me tanke (per fat kete rradhe artisti kishte zgjedhur nje tank loder...),e shume e shume tragjedi te tjera.
    Shpresa,e ardhmja ku mund te jete?Tek keto veprime blasfeme?Tek kuratoret qe mbajne gosti per mirseardhjen e Kryeministrit ne Galerine e Kombit (per fat te keq e vetmja ne shqiperi...(?)...)me nje patrulle policie te qelbur nga krimet?
    Toleranca qe i jepet atij vendi nga artistet qe sjellin art te "vertete" ndoshta me jep pak shpresa po, perseris edhe nje here,qe kjo ekspozite nuk mund te tingelloje akoma si nje ngjyre e vertete per Shqiperine.Me Shqiperine kane abuzuar dhe vazhdojne akoma te abuzojne te gjithe,mbase edhe une qe shkruaj.
    Politikanet nuk e done Shqiperine.
    Me respekte A.P.

Tema të Ngjashme

  1. Çfarë mendoni për Ahmet Zogun?
    Nga honzik në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 242
    Postimi i Fundit: 03-03-2014, 08:03
  2. Hyseni: Kadare kundër bashkimit të Shqipërisë etnike
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 69
    Postimi i Fundit: 18-06-2009, 12:44
  3. Paketa e propozuar nga Ahtisari për statusin final të Kosovës
    Nga Nice_Boy në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 451
    Postimi i Fundit: 21-10-2007, 12:59
  4. Janullatos: Nuk ka përparim me djegien e kishave dhe xhamive
    Nga Jesushaus në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 157
    Postimi i Fundit: 08-04-2004, 07:40

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •