Ligji: Jo më cigare në vende publike
Edhe një projektligj për duhanin, nuk do të shitet për moshat nën 18 vjeç. Stop cigareve të hapura
Ina Koxha
Silvana Dervishi
Nuk do të mund të pihet dhe reklamohet më duhani në vende publike, si institucione shëndetësore, vende ku shërbehet për të ngrënë, shkolla, emisione televizive, mjete transporti etj. Pronarët duhet të ndajnë lokalet dhe restorantet në dy ambjente: një të duhanpirësve dhe të jo-duhanpirësve. Nuk do të ketë më cigare të hapura, as reklama në vende publike, mass-media etj. Tashmë në ndihmë të shëndetit publik, shteti shqiptar ka vendosur masa të rrepta përsa i përket mënyrës së futjes, prodhimit dhe tregëtimit të duhanit në vend, nëpërmjet një projektiligji të veçantë. Një person juridik që do të veprojë në kundërshtim me ligjin do të gjobitet nga 100 mijë deri në 300 mijë lekë. Sipas këtij ligji është e ndaluar shitja e produkteve të duhanit, për personat nën 18 vjeç dhe për këtë arsye në çdo dyqan, duhet të ketë një shenjë paralajmeruese, në një distancë prej 10 metrash. Nga 1 korriku i këtij viti, do të ndalohet edhe shitja pjesë-pjesë e cigareve, të ndara nga paketa origjinale e prodhimit të tyre. Për të kontrolluar përdorimin e produkteve të duhanit, me qëllim marrjen e masave, do të ngrihet edhe Komisioni Intersektorial për kontrollin e duhanit, nën drejtimin e Ministrit të Shëndetësisë. Nëdrkohë që mbikqyrja e zbatimit të këtij vendimi do të bëhet nga inspektorët e higjenës, ata të shëndëtësisë, shkollës, tregtisë dhe turizmit.
Jo më reklama për duhanin
Reklamat e duhanit i shohim ngado. Kjo sidomos në vende publike, tabela pranë stacioneve të autobuzëve, ku edhe numri i njerëzve është më i përqendruar, në lokale, në taracat e pallateve ku përmasat e tabelave janë shumë të dukshme nga një distancë relativisht e largët etj. Por projektligji ka parashikuar edhe këtë gjë, as një reklamim qoftë edhe indirekt. Kështu, do të ndalohet në mënyrë kategorike reklamimi i produkteve të duhanit nga masmedia, nuk do të lejohet as një lloj reklame në vende publike, mjete transporti, libra, revista, kalendare, artikuj veshmbathje, etiketa, postera etj
Konsiderohen reklama të gjitha llojet. Të tilla reklama mund të bëhen vetëm në rastin e një ngjarjeje sportive me rëndësi ndërkombëtare. Ndërkohë, shtypi nuk do të mund të botojë asnjë fotografi apo vizatim me njerez duke pirë duhan me qëllim reklame.
Ku do të ndalohet duhanpirja
Nëse gjithnjë është toleruar me pirjen e duhanit, madje edhe në autobuzë e spitale, tashmë projekligji e ka përcaktuar qartë, jo më duhan në vende publike. Nuk do të ketë më praktika të tipit “fshehurazi”. Kështu, duhanpirja ndalohet në të gjitha institucionet shëndetësore dhe private, në çdo institucion arsimor ku zhvillohen kurse edukimi dhe trajnimi. Po kështu do të jetë e ndaluar të ndezësh cigare vendet publike, me përjashtim të atyre ambjenteve që janë destinuar për këtë qëllim, të cilat sipas nenit 14 të këtij ligji, nuk duhet të zënë më shumë se 30% të siperfaqes totale të vendeve publike. Vendi i duhan-pirjes, duhet të përcaktohet brenda 6 muajve pas marrjes se vendimit nga personi juridik ose fizik, i cili është pronari ose përfituesi i vendit publik. Paisjet për këtë ambjent përfshijnë aparatet e ventilimit, tavllat dhe paisjet për shuarjen e zjarrit. Vendet për duhanpirjen dhe jo-duhanpirjen në vendet ku shërbehet ushqim, duhet të përcaktohen nga këto firma. Nuk do të lejohen tavllat në vendet që janë kthyer në jo-duhanpirëse
Masat parandaluese të duhanpirjes
Që nga data 1 korrik e këtij viti, nuk do të lejohet prodhimi dhe tregtimi i cigares që përmban më shumë se 10 mg katran, mbi 1 mg nikotinë dhe mbi 10 mg monoksid karboni. Testet e katranit dhe nikotinës janë bërë duke u bazuar në standartet e ISO-s. Sipas projektligjit, do të ndalohet përdorimi i termave “me përmbajtje të ulët katrani, e lehtë, ultra e lehtë, e butë”, apo terma të tjera analoge dhe mbi të gjitha etiketat e vendosura në çdo markë pakete cigaresh duhet të shkruhen në gjuhën Shqipe.
Mesazhi që duhet të shënohet në çdo paketë në Shqip
Duhani dëmton seriozisht shëndetin.
Duhanpirja shkakton kancer.
Duhanpirja gjatë shtatzanisë rrezikon shëndetin e fëmijës tuaj.
Duhanpirja shkakton goditje dhe infrakt të zemrës.
Duhanpirja të shkurton jetën.
.
Do të gjobitet nga 100-300 mijë lekë, një person juridik që kapet
Duke prodhuar ose tregtuar cigare në kundërshtim me ligjin
Duke prodhuar ose tregtuar cigare, me kuti ose paketa ku nuk janë shtypur qartë të dhënat dhe paralajmërimet e kërkuara nga ligji
Duke iu shitur produkte të duhanit personave nën 18-vjeç
Duke shitur cigare të ndara nga paketimi i tyre
Duke u bërë reklamë produkteve të duhanit në kundërshtim me ligjin
Duke lejuar pirjen e produkteve të duhanit në transmetime direkte në televizion ose duke botuar në gazeta foto apo vizatime të personave që pijnë duhan për qëllime reklamimi
Do të konsiderohet vepër penale kur sasia e nikotinës katranit dhe monoksidit të karbonit është mbi 15 % mbi normat e lejuara dhe do të dënohet me gjobë 2-3 milion lekë
Gjobitet me 5 mijë lekë një drejtues institucioni, kur një qytetar kapet duke pirë duhan
Në një institucion shëndetësor
Në dhoma ku shëndeti i punëtorëve lidhet me profesionin e tyre
Në një institucion që merret me aktivitete edukative dhe sportive
Në një vend ku ndalohet duhanpirja
Në një vend publik
Ne një dyqan ëmbëlsirash ose me ushqim delikat
Në dhoma ku sherbehen ushqime të tjera në të cilat ndalohet duhanpirja
OBSH: Çdo 6,5 minuta në botë vdes nga një duhanxhi
Çdo 6,5 minuta në botë vdes një njeri nga pasojat e pirjes së duhanit. Këto janë të dhënat e fundit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. OBSH-ja paralajmëron për pasojat e pirjes së duhanit në veçanti në vendet e varfëra dhe ato në zhvillim. Me pirjen e duhanit njerëzit e varfër e keqsojnë edhe më shumë gjendjen e tyre ekonomike dhe sociale. Këtë vit dita kundër pirsjes së duhanit shënohet me moton: "Duhani dhe varfëria - një rreth i djallit". Sëmundjet dhe vdekja si pasojë e pirjes së duhanit, siç dëshmojnë raportet vjetore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i godasin gjithnjë e më shumë vendet e pazhvilluara. Shikuar nga numrat del se 84 përqind e të gjithë njerëzve që pinë duhan jejtojnë në vendet në zhvillim. Rrethi i djallit me pirjen e duhanit do të thotë edhe se ky mëkat shpenzon edhe më shumë buxhetin edhe ashtu të ultë familjar. Për këtë ekzistojnë edhe dëshmi të shumta. Douglas Bettcher, shef i iniciativës për luftimin e pirjes së duhanit, paraqet edhe disa shembuj konkret. "Rreth 10,5 milionë njerëz në Banglladesh do të siguronin një ushqim më të mirë me paratë të cilat shpenzojnë për duhan. Nga buxhetet familjare të duhanxhinjëve jepen dhjetë herë më shumë para për cigare se sa për shkollim. Në Bombay të Indisë për shembull, njerëzit pa kulm mbi kokë shpenzojnë më shumë për duhan se sa për ushqime dhe nevoja të tjera. Ndërsa rreth 40 përqind e të ardhurave të studentëve ose puntorëve në Nigeri jepet për cigare." Por kjo nuk është e vetmja: Organizata Botërore e Shëndetësisë llogaritë se nga pasojat e pirjes së duanit gjithnjë e më shumë rëndohet edhe sistemi shëndetsor. Sipas të dhënave të Bankës Botërore gjshtë deri 15 përqind e të gjitha shpenzimeve të sistemit shëndetsor në vendet e zhvilluara industriale jepen për shërimin e sëmundjeve nga duhani. Për vendet e varfëra nuk ekzistojnë të dhëna të sakta, por është e ditur se në Egjypt ose në Kinë për shembull, të dhënat për këto qëllime janë jashtëzakonisht të larta. Prandaj, Organizata botërore e shëndetësisë energjikisht kundërshton argumentet e Industrisë së prodhimit të duhanit, e cila pohon se me prodhimin e tij sigurohen mirëqenja dhe vende pune. Kjo organizatë ka shpresa të mëdha tek konventat kundër duahnit. "Konventa imponohet si një zgjidhje globale. Miratimi i saj vitin e kaluar ishte një arritje shumë e madhe. Ajo paraqet një sukses dhe procesi shkon edhe më tutje. Deri tani kemi 118 nënshkrime të saj, ndër të cilat edhe BE, ndërkohë që priten edhe 16 ratifikime të tjera", thotë ai. Secili shtet i cili i bashkangjitet kësaj konvente pranon se pirja e duhanit është një problem global me pasoja shumë serioze për shëndetësinë. Ai obligohet që të marrë edhe masa të posaçme për luftimin e kësaj dukurie. Para futjes në fuqi të kësaj konvente, ajo duhet të miratohet në të paktën 40 vende të ndryshme të botës. Ndërkohë që duhet të miratohen edhe ligjet konkrete kundër pirjes së duhanit.
Ballkan
31/05/2004
Krijoni Kontakt