Gjergj Buxhuku - 02/06/2004

Enigma e papunësisë shqiptare




Një nga enigmat më të mëdha statistikore të të gjithë epokës qeverisëse postdiktatoriale të Shqipërisë është çështja e shifrës së vërtetë të papunësisë. Në raporte nga më të ndryshmet qeveritare, të organizatave të ndryshme joqeveritare dhe institucioneve të specializuara ndërkombëtare ndryshimi në shifrat e servirura të lë pa mend. Nuk po përmendim këtu shifrat e përfolura të partive politike, që natyrisht priren më të thelluar ose pakësuar papunësinë në letra respektivisht janë në opozitë ose në pushtet. Shkaku është se nuk kemi të bëjmë me shmangie normale statistikore as edhe brenda tolerancave maksimale, që në kushtet e një vendi me institucione të dobëta shtetërore dhe anarki të thellë tërësore mund të pranohen shumë më të mëdha sesa të vendeve të tjera. Fjala është për ndryshime me mbi 200% ndaj njera-tjetrës! Mjafton të përmendim se në raportin e fundit të Bashkimit Europian për situatën ekonomike në Shqipëri, si mënyra më e mirë për të shpëtuar nga paaftësia e gjetjes të së vërtetës u shprehën të 2 ekstremet e shifrave, respektivisht 16% shifra e pretenduar qeveritare dhe plot 38% shifra e dhënë në bazë të sondazheve të një institucioni të pavarur dhe prestigjoz ndërkombëtar. Natyrisht shifra e fundit është pranuar dhe përdorur edhe nga opozita politike. Beteja e shifrave tregon se në të vërtetë politika aktuale shqiptare është përcaktuese jo vetëm për vendimmarrjet strategjike, por edhe për shifrat e thjeshta matematikore. Në fakt, enigma e papunësisë shqiptare është pjesë e luftës politike sepse në fund të fundit është një nga shtyllat kryesore të vlerësimit të ekonomisë reale të një vendi. Si rrjedhim shërben për të vlerësuar edhe suksesin ose jo të qeverisjes së vendit nga forca politike në pushtet. Sa për institucionet profesionale përkatëse, të cilave mund t’u referoheshim siç bëhet kudo në botën e zhvilluar dhe demokratike ku pretendojmë se jemi, ose të paktën dëshirojmë të shkojmë, në Shqipëri ato mbeten të tilla vetëm në letër. Të gjithë e kanë të qartë se është qesharak edhe mundimi më i vogël për të pretenduar pavarësinë e tyre politike. Por cila është e vërteta e enigmës shqiptare të papunësisë? Ose e thënë më saktë enigma e punësimit të shqiptarëve.
50 mijë shqiptarë çdo vit i shtohen disa qindra mijë të papunëve profesionistë. Nga njëra anë pamundësisë së ekonomisë së përçudnuar shqiptare për t’u dhënë mundësinë qenieve njerëzore, që kanë qenë të dënuar të lindin në cepin perëndimor të Ballkanit i shtohen edhe varfëria, mungesa e ujit, e dritave, rrugëve, shkollave, e shërbimeve publike më thelbësore. Nga ana tjetër e detit, ashtu sikurse edhe 13 vjet më parë shikohen vendet ku shqiptarët kanë shpresën se mund të gjejnë çka u mungon në vendin e lindjes.
Kjo është tragjedia e njerëzve të këtij vendi, që ne e shohim çdo ditë nga pak te të gjithë, por që është shtuar aq shumë sa është kthyer në normalitet dhe nuk na bën më përshtypje. Është vetë ndërtimi i një ekonomie të kurdisur në një mënyrë të pastër antikombëtare që paratë e shqiptarëve dhe për shqiptarët i dërgon në xhepat e monopoleve të huaja. Janë me qindra e qindra milionë dollarë të përvitshëm që do të kishin bërë të mundur të hapeshin me dhjetëra mijë vende pune çdo vit, të ndërtoheshin rrugë, të kishim ujë dhe drita në shtëpitë tona, që futen në xhepat e monopoleve të celularëve të huaj, duke na detyruar të marrim nga sytë këmbët rrugët e vdekjes. Janë me qindra milionë dollarë që largohen nga xhepat e shqiptarëve për t’u futur në kasafortat e huaja duke blerë çimenton, naftën etj.etj., me çmime të stërlarta.
Autorët politikë që kanë firmosur nga zyrat e ngrohta në emër të popullit për largimin e parave shqiptare jashtë vendit, janë në thelb shkaktarët e tragjedive të udhëtimeve të vdekjes dhe pastaj skafistët dhe bandat mafioze, që edhe ato nuk mund të veprojnë dhe as ekzistojnë siç tregojnë ngjarjet e fundit pa lidhjet me strukturat shtetërore. Të duket sikur mundësia e vetme për të ruajtur stabilitetin social dhe politik në vend në kushtet e një ekonomie të paaftë për të siguruar punësim dhe mirëqenie, si dhe varfërisë absolute të thellë është vetëm nxitja e direkte dhe indirekte shtetërore e emigrimit. Në fakt, kemi pothuaj 13 vjet që eksportojmë në të vërtetë vetëm fuqi punëtore dhe asgjë tjëtër. Të mos harrojme se janë afër 1 milion shqiptarë në emigracion, çka do të thotë se situata do të ishte në mënyrë të paimagjinueshme tragjike në rast të kundërt. Dhe pavarësisht se 1/3 e popullsisë është jashtë nesh ende nuk po mundim të gjejmë pikën e ekuilibrit. Nëse nuk do të mund të eksportojmë në botë dhjetëra mijë shqiptarë çdo vit, rrezikojmë nga një shpërthim social të përvitshëm me të gjitha format e dhunës. Arsyetimi i mësipërm tregon se fatkeqësisht enigma shqiptare e papunësisë është lehtësisht e zgjidhur dhe krejtësisht e ndryshme nga shifra e pretenduar qeveritare. Atë e njohin të gjithë shqiptarët jo në letra, por në kurrizin e tyre. Institucionet shtetërore nuk mund të pretendojnë të kërkojnë të hyjnë në Europën e Bashkuar duke mos njohur dhe pranuar të vërtetën e papunësisë reale në vend. Pranimi i së vërtetës është hapi i parë i rëndësishëm i pranimit të përgjegjësisë politike, që të çon drejtpërdrejt në gjetjen e mënyrave për të mjekuar plagën e vendit dhe qytetarëve që të kanë votuar. Por natyrisht çdo gjë e mësipërme ka vlerë kur vendimmarrësit janë të përgjegjshëm për fatet e vendit të tyre. Deri më sot ne pak raste kemi parë të dëshmohet sa më sipër. Në vend të përgjegjësisë kemi parë të prodhohen me shumicë vetëm enigma!