"Kryebashkiaku, prej kohësh, ka centralizuar pushtetin duke mos i lënë minibashkive asnjë kompetencë. Qytetarët nuk gjejnë përkrahje ligjore nga administrata jonë", tha kryetari i njësisë bashkiake nr 11. Haki Mustafa

Nëpërmjet draftit, 11 kryetarët e minibashkive kërkojnë rikthimin e kompetencave që sipas tyre ua ka uzurpuar Rama

11 minibashkitë, draft Parlamentit kundër Edi Ramës

"Sipas ligjit, minibashkitë duhet të administrojnë tregjet, kopshtet, shkollat, parqet dhe deri tani asnjë nga minibashkitë e Tiranës nuk e ka këtë të drejtë. Kemi kërkuar disa herë takime me Edi Ramën, por ai ka refuzuar", thotë Mustafa.



Alida Beqiri

11 minibashkitë e kryeqytetit janë duke përpiluar një draft ku kërkojnë kompetencat që sipas tyre ua ka uzurpuar kyetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama. Kështu ka deklaruar dje kryetari i njësisë bashkiake nr.11 Haki Mustafa, i cili thotë se ky draft do t'i dërgohet këshillit të ministrave dhe më pas Parlamentit. "Kryebashkiaku Rama, prej kohësh, ka centralizuar pushtetin duke mos i lënë minibashkive asnjë kompetencë. "Është për të ardhur keq kur mendon se edhe një komunë me 5000 banorë, ka kompetenca sa një bashki, ndërsa njësia bashkiake nr. 11 me 60 mijë banorë nuk është në gjendje as minimalisht të ndihmojë banorin e saj, i cili ka dhënë votën për të zgjidhur të paktën problemet e çastit. Kjo është arsyeja që të gjitha minibashkitë, edhe ato me shumicë socialiste, do të firmosin draftin që do t'i dërgohet këshillit të ministrave dhe nëse do të jetë nevoja edhe Legjislativit. Qytetarët nuk gjejnë përkrahje ligjore nga administrata jonë, dhe duke u nisur nga kjo, duhet të kërkojmë shtimin e kompetencave në mënyrë që t'u jemi më pranë halleve të tyre", thotë Mustafa.

Por aktualisht, sipas tij, jo vetëm që nuk bëhet fjalë për shtimin e kompetencave, por nuk zbatohen ato që janë të përcaktuara me ligj.

"Sipas ligjit, minibashkitë duhet të administrojnë tregjet, kopshtet, shkollat, parqet dhe deri tani asnjë nga minibashkitë e Tiranës nuk e ka këtë të drejtë. Kemi kërkuar disa herë takime me Edi Ramën, por ai ka refuzuar", thotë Mustafa.

Kryetarët e minibashkive ankohen se dosjet që ata i dërgojnë bashkisë së Tiranës dhe Edi Ramës me lejet dhe sheshet e ndërtimit që i përkasin minibashkive, asnjëherë nuk kthehet mbrapsht për t'u miratuar në këshillin e minibashkisë, por gjithmonë gjithçka vendoset nga Rama.

Sipas informacioneve një gjë e tillë është e jashtëligjshme dhe tregon centralizimin e kompetencave në duart e kryebashkiakut Rama. Minibashkitë kërkojnë që minimalisht pjesëmarrja e tyre në këshillin teknik të bashkisë së Tiranës të jetë e garantuar, për rastet kur objektet i përkasin territorit të kësaj njësie.

"Jo vetëm nuk administrojmë sektorët që janë jetikë për mirëfunksionimin e njësisë bashkiake, por nuk vihemi në dijeni as për kontratat që lidhen me firma të ndryshme. P.sh: firma e pastrimit Bushi nuk jep llogari për detyrimet që ka ndaj njësisë sonë", thotë Mustafa.

Deri tani, të ardhurat e minibashkisë nr. 11 përveç grantit që jepet rrogat, kanë arritur në 400 000 lekë, shumë minimale për një minibashki me 60 mijë banorë. Dhe këto të ardhura vijnë nga vërtetimet e ndryshme që jep minibashkia, kryesisht nga ato për banorë lagjeje.

Ndër të parat që ka denoncuar uzurpimin e kompetencave dhe centralizimin e pushtetit nga kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama, ishte minibashkia numër 2, një nga bastionet e PS-së. Nëpërmjet një raporti zyrtar të urbanistikës, kjo njësi denonconte rreth 70 ndërtime të paligjshme në këtë zonë. Sipas kryetarit të njësisë nr.2, ishte kërkuar që këto ndërtime të prisheshin, por duke u nisur nga preferencat personale, Rama nuk ka pranuar ta bëjë këtë.