Faqe 3 - Aktualitet
17Maj 2004 Gazeta "Korrieri"
zhdukja e vajzës
intervista
ELBASAN/ Flet Zaideko Sejati: E çova për ta shëruar, por ma rrëmbyen. Tani nuk i di as varrin
“Si ma zhdukën vajzën murgeshat”
Rrëfimi i nënës që pas 11 vjetësh mori çertifikatën e vdekjes
LUIZA MEMA
ELBASAN
“Vajzën time ose mund ta kenë shitur ose i kanë bërë transplant të organeve”. Kjo akuzë vjen nga një nënë nga qyteti i Cërrikut, e cila nuk e ka parë të bijën, Danielën, që nga viti 1992.
Zaideko Sejati e kishte lënë vajzën 3-vjeçare në një qendër murgeshash italianesh për disa muaj, por nuk ka mundur ta shohë më të gjallë. Murgeshat i kanë thënë se e bija kishte vdekur, por çertifikatën e vdekjes Zaideko ka mundur që ta marrë vetëm në korrik të vitit 2003, pas plot 11 vitesh. Ajo jeton vetëm me 6 fëmijët e saj, pasi burri i parë i është vrarë aksidentalisht, ndërsa me burrin e dytë, Xhemal Kuminia, është divorcuar disa vite me parë. Në shtëpi jeton me Rezartën, 21 vjeçe, Blerinën, 19 vjeçe, Gazmirin 17 vjeç, Aurorën 14 vjeçe, Behijen 10 vjeçe dhe Marselin 9 vjeç. “Nga sëmundja e rëndë e Danielës shpenzuam shumë para dhe u futëm në borxhe. Për t´i larë ato shitëm shtëpinë që kishim në pallat dhe blemë një barakë sa për të futur kokën”, tregojnë vajzat e rritura të 42-vjeçares. Para disa muajsh gruaja është futur si pastruese me një rrogë minimale, me paratë e të cilës ushqehen 7 veta. Sejati duke folur për gazetën thotë se zhdukja e vajzës së saj Daniela, në mënyrë misterioze ka qenë e parapërgatitur dhe tepër e organizuar. Nëna e fëmijës së zhdukur është e traumatizuar nga ajo që i ka ndodhur dhe e ka të vështirë të flasë nga dhimbja dhe lotët. Megjithatë ajo pranon të rrëfejë të gjithë historinë e së bijës, që nga lindja e deri ditën kur e kanë deklaruar të vdekur.
Kur e lindët vajzën?
Vajza ime, Daniela, lindi në 14 gusht të vitit 1989. E kisha fëmijën e tretë, por ajo ka lindur para kohe dhe jo shumë e shëndetshme. Ishte afro 1.100 gramë. Për këtë shkak, fëmija është mbajtur për disa muaj në maternitetin e Elbasanit. Kur fëmija është stabilizuar e mora në shtëpi. Por pa kaluar shumë kohë, Daniela sëmuret rëndë dhe përsëri përfundon për disa muaj në spital. Varfëria ekstreme po na rrezikonte jetën të gjithëve dhe më shumë të vajzës së sëmurë.
Si e dërguat vajzën te shoqata bamirëse?
Një i afërm i ynë na sugjeroi që ta dërgonim te një jetimore në Elbasan, ku shërbenin murgeshat italiane. Me ndihmën e mjekut Henrik Kaçuli, nga Cërriku shkuam së bashku me burrin dhe një mik te jetimorja ku na pritën dhe murgeshat. Aty e dërguam Danielën, në fillim të vitit 1990. Në dokumente, firmosëm që vajzën do ta linim aty vetëm për një farë kohe, sepse nuk mundeshim që të përballonim shpenzimet e mjekimit. Jetimorja e murgeshave ndodhej jo shumë larg komisariatit të policisë të Elbasanit, aty ku sot ndodhet kopshti privat “Arianiti”. Më pas aty sistemuam dhe vajzën tjetër, Aurorën, një vit më e vogël në moshë.
Vendosët t´i linit përgjithmonë aty apo për pak kohë?
Ashtu si në rastin e Danielës dhe me Aurorën firmosëm një dokument që vajzat do të qëndrojnë vetëm për pak kohë aty. Madje për Danielën e sëmurë na premtuan se po nuk u shërua në Shqipëri do ta çonin jashtë. Për fat të mirë, Daniela u bë mirë dhe po rritej për bukuri. Kur e takonim në javën e fundit të çdo muaji nuk na besohej që po ndryshonte aq shumë. Gëzoheshim që ishim mirë. Më thërriste mami, nga larg sapo futesha në oborrin e jetimores. Njëherë në vitin 1992 pashë një ëndërr të keqe sikur njëra vajzë ishte shumë e sëmurë. Menjëherë vajta në jetimore për t’i parë, por murgeshat nuk më lejuan t’i takoja vajzat. Daniela filloi të qajë kur më pa nga larg. Më dëbuan nga jetimorja. Ky veprim më dogji rëndë në shpirt dhe mendova se diçka e keqe po kurdisej pas krahëve të vajzave. U ktheva pas disa ditësh dhe me forcë u futa në jetimore ku e gjeta Aurorën shumë keq dhe me temperaturë 40 gradë. E mora dhe e dërgova vajzën në Përmet te nëna ime, duke e shpëtuar nga kthetrat e murgeshave që m´u dukën si shtriga atë ditë.
Po Danielën e latë në jetimore?
Për shumë muaj bëra të gjitha tentativat që të merrja edhe Danielën, por nuk ia arrita dot. Murgeshat me mashtrime nga më banalet më shmangeshin. Luftova në maksimum, por pa e fituar dot betejën me to. Arrita që të deportoja në ambientet e jetimores por më mbërtheu policia, të cilën e kishte lajmëruar personeli i saj. Nuk po merrja vesh se çfarë po bëhej me time bijë. Dëgjoja për lloj-lloj poshtërimesh që bëheshin në jetimore dhe kjo më shtonte frikën për Danielën. Kohë pas kohe këmbëngulja që të mësoja për fatin e vajzës, por personeli nuk na jepte mundësinë të takohesha me drejtuesit e jetimores apo murgeshat. Kaluam javë e muaj duke u sorollatur derisa krejt papritur na thanë se Daniela nuk jetonte më. Kjo më tronditi jashtëzakonisht dhe në fakt nuk e besova të jetë kështu dhe as që mund të më bindë kush ndonjëherë. Ka një mijë e një arsye që Daniela të mos ketë vdekur. Nëse ajo do të kishte ndërruar jetë, jetimorja do të më njoftonte dhe do ta varrosja së bashku me to si nënë. Por duke u fshehur një krim i pazbardhur ato filluan të më ndajnë për së gjalli me Danielën shumë kohë përpara se të realizonin atë që kishin planifikuar.
Çfarë ju thanë murgeshat për fatin e Danielës?
Murgeshat më thanë se ato e kanë varrosur Danielën në varrezat e qytetit, por pa më treguar kurrë varrin e saj. Dyshimet e mia për fatin e saj i shton edhe lëshimi shumë vite më pas nga koha kur pretendohet vdekja e Danielës e një çertifikatë me mangësi të shumta. Në çertifikatën e vdekjes së lëshuar më 24 korrik 2003 thuhet se vdekja ka ndodhur në 26 shtator 1992. Në këtë çertifikatë Danielës i është vënë një tjetër mbiemër, çka e bën edhe më të komplikuar misterin e zhdukjes së vajzës sime.
Datat
Viti 1989
Lindi në Cërrik vajza e Zaideko Sejatit, Daniela, e cila ishte fëmija e tretë e familjes. Ajo lind me probleme
Viti 1990
Zaideko bashkë me të shoqin, Xhemal Kuminian, dërgojnë në qendrën e murgeshave italiane vajzën e tyre 6 muajshe, e cila ishte e sëmurë
Viti 1992
Zaideko kërkon të tërheqë të dyja vajzat nga jetimorja, por arrin të marrë vetëm vajzën e vogël
Viti 1993
Sipas motrave dhe vëllezërve të Danielës, dy punonjës të SHIK-ut kanë shkuar në shtëpinë e tyre, duke i kërcënuar
Viti 2003
Zyra e gjendjes civile në Elbasan i dorëzon familjes çertifikatën e vdekjes së vajzës së saj, Daniela Kuminia, (aty ishte me emër tjetër) që sipas saj kishte ndodhur në 26 shtator të vitit 1992
kërcënimi
Përplasja me SHIK-un në ‘93
Në fund të vitit 1993, kur 42-vjeçarja Zaideko Sejati kërkonte të mësonte të vërtetën e zhdukjes së vajzës së saj Daniela Sejati nga jetimorja, në shtëpinë e saj jashtë shfaqur dy SHIK-as. Pasi i kanë paraqitur edhe dokumentin e identifikimit, ata i kanë kërcënuar pjesëtarët e familjes Sejati me vdekje. Rezarta dhe Blerina Halili dy vajzat e 42 vjeçares me burrin e parë tregojnë, se si dy oficerët e SHIK-ut, u kanë trokitur në derë dhe u kanë bërë presion për ta mbyllur çështjen e Danielës. Na treguan armët para se të largoheshin shpjegojnë familjarët. Kjo është një tjetër argument që shton dyshimet se ajo nuk ka vdekur.
Krijoni Kontakt