Gracka e protokollit të Janinës nënshtroi Princ Vidin dhe aneksoi Çamërinë
Si u rrafshua Jugu i Shqipërisë në vitin 1914, nga "Batalionet e fshehta" greke

Autori i Lajmit: Ajdon Plutoni
Mbas vitit 1912, brenda kufijve shtetëror të Greqisë, mbetën popullsi e territore të konsiderueshme shqiptare. Një pjesë e mirë e tyre shtrihen në zona kompakte autoktone, siç është Çamëria (Thesprotia), Konica e Kosturi, territore që janë vazhdim i territoreve etnike shqiptare. Por prani të popullsisë shqiptare ka patur dhe në rajone të tjera të Greqisë, si për shembull në Janinë, Prevezë, Luros, Selanik, etj. Gjithsesi klika greke e atyre viteve, duke përdorur së pari forma diplomatike dhe së dyti duke ndërhyrë arbitrarisht në komisione ndërkombëtare të ngritura për probleme territoriale, kanë insistuar të gllabërojnë nga të drejtat tokësore të vendit tonë. Por këto ndërhyrje kanë degjeneruar së fundmi në intriga të shumta dhe deri në ndërhyrje jo vetëm diplomatike, por edhe në pushtime reale, derisa kanë masakruar popullsinë e Shqipërisë së jugut në vitin 1914. Histori e gjatë me dhjetëra peripeci për këtë ndërhyrje të pashembullt të shtetit grek ndaj nesh, nga vitet 1912 deri në vitet 1914, ku u bë i mundur dhe aneksimi i Çamërisë, e cila përbëhej tërësisht nga Shqiptarë, do të tregohet në shkrimin e mëposhtëm.






Çfarë tregojnë statistikat e periudhës së vitit 1912

Statistika të përafërta për numrin e fshatrave, emrat e tyre, raportet etnike, gjendjen fetare, ekonomike, etj., tregojnë se në vitin 1912, shqiptarët në të gjithë Sanxhakun e Prevezës, ku përfshihej dhe Çamëria, përfaqësonin 62.2% të popullsisë. Gjithashtu, shumica e popullsisë ishte e konvertuar në fenë Islame, ndërsa një pjesë më e vogël ruante fenë dhe besimin tradicional Ortodoks.

Çfarë deklarojnë grekët

Fjalori enciklopedik grek i kësaj kohe, në zërin Janina, faqe 384, thotë se në Epir banojnë 315.000 shqiptarë dhe vetëm 110.000 grekë. Në një dokument të qeverisë greke të vitit 1913, popullsia e përgjithshme e Epirit jepet në kufirin e 477.383 banorë, nga të cilët 154.413 ishin myslimanë. Ndërsa një e treta e shifrës totale janë shqiptarë ose vlleh të krishterë, pra reth 158.000. Sipas kësaj statistike del, që numri i grekëve në Epir të jetë në kufirin e 165.000 banorëve.

Statistikat sipas lidhjes së Prizërenit

Memorandumi i Lidhjes Shqiptare të Prizërenit jep këto shifra: popullsia e përgjithshme e Epirit, 650.000 banorë, pjesa që flet greqisht vetëm 74.000 banorë. Sami Frashëri jep këto njoftime, në vitin 1899, në veprën e tij enciklopedike “Kamus Ul alam”; Epiri 650.000 banorë, Sanxhaku i Janinës numëronte 166.691 banorë, popullsia e përzierë, shqiptare, greke e kucovllehe, por nuk jep raportet etnike.
Sido që të jetë shifra e saktë, mund të thuhet se raporti etnik mes popullsisë shqiptare dhe asaj greke në Epir, është tre me një në favor të etnisë shqiptare.


Sipas studimeve të Sami Frashërit

Sipas Sami Frashërit, popullsia e Margëlliçit (Çamëri) llogaritej në 25.000 banorë, Parga (Çamëri) 5000 banorë, Ajdonati ose Paramithia (Çamëri) 16.000 banorë. Ndërsa nuk jep të dhëna të sakta për popullsinë e Igumenicës (Gumenicës), Filatit dhe të Sulit. Pa këto, popullsia e Çamërisë rezulton të jetë mbi 46.000, kazaja e Prevezës kishte 13.000 banorë dhe 38 fshatra, shumica e të cilave ishin me shqiptarë. Ndërsa qyteti Prevezës 8000 banorë, popullsi e përzier. Shqiptarë ka pasur dhe në Luros, ku ka qenë popullsi e përzier.

Sipas Konicës

Konica si kaza llogariste 35.000 banorë, gjysma e tyre shqiptarë myslimanë, ndërsa pjesa tjetër të krishterë shqiptarë, grekë e vlleh. Për popullsitë shqiptare me banim në Follorinë dhe Kostur, Sami Frashëri nuk jep të dhëna.

Sipas delegatëve shqiptarë në Londër

Në vitin 1913, sipas delegatëve të Qeverisë së Vlorës në Konferencën e Londrës, kemi këto të dhëna mbi popullsinë shqiptare në Greqi: Sanxhaku i Çamërisë, 75.000 banorë, nga të cilët vetëm 18.000 janë të greqizuar. Sipas krahinave ku ata banojnë në Çamëri, kjo popullsi varion: nënkazaja e Reshadijes, 16.000 shqiptarë, Margëlliçi, 26.000, Filati, 20.000, Ajdonati ose Paramithia, 13.000 banorë. Janina, popullsi e përzier, por nuk jepen shifra, Preveza, popullsi e përzier, Lakaja e Lelovës (Luros) 7 fshatra shqiptarë, Suli, 5 fshatra shqiptarë, por nuk jepen shifra. Nga Mecova në Prevezë, popullsi e përzier.
Kosturi, 64.000 banorë, nga të cilët vetëm 20.000 janë shqiptarë të krishterë e myslimanë. Voshtina kishte mbi 2000 shqiptarë. Për Follorinën nuk jepen të dhëna. Megjithatë, duke i krahasuar burimet e mësipërme me burime të tjera të mëvonshme, rezulton se popullsia e krahinës së Çamërisë gjer në vitin 1921, llogaritet rreth 70.000 banorë, nga të cilët mbi 55.000 janë shqiptarë myslimanë, ndërsa pjesa e mbetur shqiptarë ortodoks dhe një pakicë greke. Meqenëse feja ngatërrohej me kombësinë, popullsia shqiptare e Çamërisë, sigurisht ka qenë më shumë sesa shifra e dhënë më sipër. Nga ekspozeja e mësipërme, shikohet se pjesa dërrmuese e popullsisë shqiptare që gjendej brenda territorit të shtetit grek, i përkiste fesë myslimane. Kjo popullsi i rezistoi për shumë kohë konvertimit të fesë së krishtere dhe vetëm në shekullin XVIII u detyrua me dhunë të përqafonte fenë myslimane. Faktori fetar veçohet si shumë i rëndësishëm, përsa i përket pasojave të mëdha negative që ai solli.


Gjendja e shqiptarëve në nënprefekturën e Filatit


Në këtë prefekturë gjendeshin këto fshatra me popullsi tërësisht shqiptare: Filat, Spatar, Gualbak, Vrisela, Biçal, Sollopi, Piadhul (Pijadhul), Dolan, Smertë, Lops, Koskë, Sqefar, Sklavi, Muzhakë, Gurrëz.

Nënprefektura Gumenicë


Janë këto fshatra: Gumenicë, Grikohor, Globoçar, Sharat, Nënshat, Arvenicë, Vola, Koriqian, Dramësi, Bedelen, Rreizanj, Shulash, Kuç, Murto, Shenmerizë, Varfani, Pllotare, Salicë, Nistë (Gropës), Skopionë, Vrohonë, Vreshtë, Reçat, Dhermicë, Koriqë, Vratilla, Peshtan, Kushavicë.

Margëlliçi

Ka këto fshatra shqiptare: Margëlliç (Vrastola), Vrastonë, Arpica, Luarat (Ligorat), Mazrek (Mazarek), Kurtez (Kurtësi), Pargë (1/2 krishterë, 1/2 myslimanë), Smokovinë.

Ajdonat ose Paramithia

Ka fshatrat: Ajdonat, Dragum, Karbunar, Gardhiq, Njihor (Nihuar), Mininë, Nikiolicaj, Skupicë, Kajcani, Grikë.

Prefektura e Kosturit

Fshatra të pastër shqiptarë janë: Vidnovë, Trestenik, Trestikë, Kapesticë, Silven, Shenindje, Oshan, Revan, Gerlan, Shak, Parapaçko, Zelingrad, Zagar, Tuholë, Miraslavicë, Fishëz. Fshatra të përzier:
Çetirok, Dobrolisht, Viçistë, Zaborden, Galishtë, Zelegoshtë. Gjithsej 24 fshatra, popullsia rreth 13.000 banorë.

Prefektura Follorinë

Radhit fshatrat: Remb, Popël, German, Rakiskë, Pleshovicë, Verlelomë, Kleshtinë. Gjithsej 7 fshatra, popullsia 4000 banorë.
Të dhënat e mësipërme nuk mund të merren me siguri maksimale, pasi, përveç këtyre, dalin dhe emra të tjerë vendesh të populluar me shqiptarë, si Grebene, Naselic, Vodenë, Jenixhe, Selanik (15.000 shqiptarë), Elasonë, Katerinë, Seres, Drame, Kavallë, etj. Në literaturën e kësaj kohe, qendra të tilla banimi sinjalizohen si popullsi shqiptare.




RRETHANAT HISTORIKE NË PRAG TË ANEKSIMIT TË ÇAMËRISË NGA SHTETI GREK.

Siç dihet, Pavarësia e Shqipërisë u realizua në 28 nëntor 1912, në udhëheqjen e patriotit të shquar, Ismail Qemali. Njohja e këtij akti nga Fuqitë e Mëdha, u krye gati shtatë muaj më vonë, në 29 korrik 1913. Në harkun e kësaj kohe ndodhën zhvillime intesive në Ballkan, që sollën përmbysje të mëdha. Është koha e Luftës së Parë Ballkanike. Aleanca greko-serbo-bullgaro-malazese arriti suksese ndaj Perandorisë Osmane. Si rrjedhim i kësaj situate, mes palëve luftuese nënshkruhet Traktati i Paqes i 30 majit 1913, në Londër. Sipas këtij traktati, Turqia hiqte dorë nga të drejtat e saj nga Shqipëria dhe së dyti, i njihte të drejtën Fuqive të Mëdha për përcaktimin e kufijve të saj.
Aleatët ballkanikë i paraqesin Koferencës së Londrës paraprakisht kërkesat për copëtimin e trojeve shqiptare. Në mars 1913, Kosova dhe krahinat shqiptare të Maqedonisë, iu dhanë arbitrarisht Serbisë e Malit të Zi.




Në 1-14 nëtor 1913, në Athinë nënshkruhet traktati greko-turk

Traktati greko-turk parashikon rregullimin e një sërë çështjesh mes dy vendeve. Në nenin 6 të këtij traktati thuhet: “…Në vendet e zotëruara nga Greqia, të drejtat e pasurisë mbi pronat e paluajtshme agrare, të zotëruara nga persona privatë me dokumente nga shteti osman, para zotërimit të tyre, do të njihen nga shteti grek. Janë të përfituar përsa i takon të drejtave të pronësisë mbi tokën. Në emër të personave ligjorë të regjistruar ose të zotimeve në saje të ligjeve osmane të pasardhësve të paqes.
Mund të privohet nga prona e vet pjesërisht ose tërësisht, e cila mbahet për hir të sigurimit të interesit pas një zhdëmtimi të saj”.



Çamëria i jepet Greqisë


Me Protokollin e Firences, të dhjetorit 1913, Çamëria i jepet përfundimisht Greqisë.
Brenda harkut kohor të një viti, shënohen zhvillime intesive e vendimtare për fatet e trojeve shqiptare. I paraqitëm në mënyrë të përmbledhur, jo se nuk njihen, por për të shënuar e theksuar disa aspekte të rendësishme të këtyre ngjarjeve.

Së pari: Baza juridike.

Shqipëria e shpalli pavarësinë që në nëntor të vitit 1912, pavarësi që iu njoh në korrik të vitit 1913. Ky akt, që ishte shprehje e vullnetit dhe e aspiratave të popullit shqiptar, përfshinte gjithë territoret e banuara nga shqiptarët, përfshi Kosovën, Maqedoninë dhe Çamërinë, territore që gjer në atë kohë ndodheshin nën juridiksionin osman. Krahina e Çamërisë, si vazhdim i natyrshëm i territoreve shqiptare në jug të vendit, ishte gjithashtu nën juridiksionin osman dhe pjesë integrale e Shqipërisë. Ndërsa Greqia e kishte fituar pavarësinë e vet kombëtare që në vitin 1830, pra gati një shekull më parë.
Së dyti: Aneksimi i territoreve shqiptare nga vendet fqinje

Kjo gjë, pavarësisht se u realizua sipas dëshirës së fuqive kryesore të mëdha, binte ndesh me vullnetin e shprehur nga populli shqiptar në 29 nëntor 1912. Por për t'u shënuar, është se si para, ashtu dhe pas njohjes së Pavarësisë së Shqipërisë, politika e copëtimit të saj nuk ka ndryshuar. Kështu, në mars 1913, Kosova dhe vise të tjera shqiptare i aneksohen Serbisë dhe Malit të Zi, kurse në dhjetor 1913, Çamëria i aneksohet Greqisë.

Së treti

Ky fenomen ishte paraprirë nga veprimtari të ethshme antishqiptare të vendeve të interesuara, sidomos të Greqisë dhe Serbisë. Ambiciet e tyre fatkeqësisht u morën në konsideratë në një masë të madhe nga Konferenca e Londrës.

Së fundmi

Traktati greko-turk i nëtorit 1913, e trajtoi problemin çam si çështje mes Greqisë dhe Turqisë dhe jo si një problem shqiptar. Kujtojmë se në këtë kohë është njohur Pavarësia e Shqipërisë.
I dhamë këto konsiderata të përgjithshme, për të kuptuar më mirë zhvillimet që pasuan këto ngjarje, sidomos në lidhje me problemin çam. Nga ana tjetër, këto akte do të jenë në bazë të zhvillimeve të mëvonshme dhe do të shërbejnë si pika reference në luftën politike e diplomatike, jo vetëm mes Shqipërisë e Greqisë, por dhe në një shkallë më të gjerë.

QËNDRIMET GREKE

Gjatë Luftës së Parë Ballkanike, Greqia jo vetëm pushtoi krahinat e Janinës dhe Çamërisë, por shtiu në dorë dhe Sazanin, Himarën, fshatrat e bregut dhe në përgjithësi Shqipërinë e Jugut. Shteti grek, në përputhje me projektin e “Megal idesë”, jo vetëm që nuk e diskutonte aneksimin e Çamërisë, por mbante të pushtuara edhe territoret e Jugut, për gllabërimin edhe të të ashtuquajturit “Vorio-Epir”.
Ja se ç’shkruan Vasilis Kondis, drejtor i Studimeve Strategjike në Selanik, në librin e tij “ Greqia dhe Shqipëria në shekullin e XX”, faqja 40: “…Kur në 15 maj 1911, Komiteti Kryengritës Shqiptar kërkoi bashkimin e katër vilajeteve për një Shqipëri etnike autonome, menjëherë në qershor u dukën grupe të armatosura greke në Epir (andartë), si kundërpeshë ndaj çetave të luftëtarëve shqiptarë. Shqipëria dhe Greqia në thelb mëtonin të njëjtën trevë, d.m.th. Epirin. Ky aktor e bëri të pamundur afrimin greko-shqiptar, sepse qeveria greke përkrahte themelimin e një shteti autonom shqiptar, pa përfshirjen në të të Epirit”. Në faqen 44, thotë: “…kur në 18 gusht 1912, qeveria turke pranoi propozimet shqiptare për bashkimin e katër vilajeteve, Serbia u trondit, ndërsa qeveria greke i propozoi Sofjes, Beogradit dhe Cetinës, themelimin e një aleance katërpalëshe, për të frenuar pretendimet shqiptare…”. Ndërsa në faqen 54, po ky autor thekson se në qershorin e vitit 1913, Greqia ishte gati të hiqte dorë nga lakmitë e saj për të marrë bregdetin përballë Korfuzit (Çamërinë, shën.im), nëse i jepeshin si këmbim ishujt e Egjeut …Nuk mund të ketë miqësi greko-shqiptare, po nuk mori Greqia Vorio-Epirin”.


Reagimi ekstrem i ministrit të Jashtëm grek


Në verën e vitit 1913, ministri i Jashtëm i Greqisë, Zografos, njëkohësisht guvernator i Janinës, deklaroi: "...Mos “krijoni iluzione, edhe nëse do të jemi të shtrëguar të braktisim Epirin, ne nuk do të lëmë veçse tokën, gjithçka mbi dhe do të rrafshohet…”. Nëpërmjet Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, që vepronte në Shqipëri, sipas vendimit të Konferencës së Londrës, grekët arritën t’i impononin qeverisë së princ Vidit, protokollin e Korfuzit të 17 majit 1914, që u njihte krahinave të jugut një “autonomi”, e cila do të përdorej nga Athina si shkallë kalimtare, për të kaluar më pas në aneksim. Kështu, në vitin 1914, si rezultat i këtyre përpjekjeve, shpallet autonomia e “Vorio-Epirit”, nga renegati Jorgo Zografo. “Batalionet e Shenjta”, së bashku me trupat greke, rrafshuan Jugun e Shqipërisë dhe shkaktuan masakra e vuajtje të mëdha mbi popullsinë shqiptare.

Gracka e marrëveshjeve të fshehta antishqiptare

Në fund të tetorit 1914, pushtimin de facto Greqia e shndërroi në pushtim de jure, kur ky u njoh prej 6 Fuqive të Mëdha evropiane, nënshkruese të Traktatit të Londrës, të vitit 1913. Kjo njohje ishte një hap drejt rishikimit të vendimeve të 1913-s, hap që u materializua me nënshkrimin e Traktatit të Fshehtë të Londrës, të 26 prillit 1915, midis fuqive të Antantës dhe Italisë.
Gjatë periudhës 1914 - 1918

Shqipëria, si gjithë Ballkani, shndërrohet në shesh lufte, bëhet fjalë për Luftën e Parë Botërore. Edhe pse janë periudha të turbullta, përpjekjet për gllabërimin e Shqipërisë nuk reshtin.

´Ballkan