Rreth 20 parti të cilat nuk kanë arritur të kalojnë pragun elektoral në zgjedhjet e fundit, janë të detyruara të kthejnë paratë e tyre për t'iu shpërndarë më pas partive të tjera. Në këtë mënyrë secila parti që nuk ka arritur të kalojë pragun 2.5 përqindshit është e detyruar të kthejë paratë. Me një votim pesë me dy KQZ ka vendosur që rreth 20 parti duhet të kthejnë paratë e marra për financimin e zgjedhjeve të 12 tetorit 2003. Sipas këtij vendimi, PDR, PLL, PBK, PDK, PKSH, PBLSH, konservatorët dhe 13 parti të tjera duhet t'i rikthejnë shtetit të gjitha së bashku 18 milionë lekë. Ndërkohë që Partia Demokratike është partia, e cila do të marrë më shumë rreth 11 milionë lekë të reja. Pas saj vjen Partia Socialiste, e cila përfiton rreth 5,2 milion lekë nga lekët e kthyera nga partitë të cilat nuk kanë kaluar pragun elektoral. Ndërkohë PLL është partia e cila do të kthejë më shumë para me rreth 2,1 milion lekë. Nga këto fonde do të përfitojnë gjashtë partitë fituese në zgjedhjet e fundit lokale të 12 tetorit të vitit të kaluar.

Nga ana tjetër nuk ka asnjë lloj mekanizmi, i cili detyron partitë, të cilat nuk kanë kaluar pragun që të kthejnë paratë, pasi dhe Kodi Elektoral ekzistues nuk e përcakton një gjë të tillë, gjë që rrezikon rishpërndarjen e parave. Në lidhje me këtë fakt ka ardhur dhe kundërshtimi i parë nga Partia Komuniste, e cila me anë të kryetarit të saj Hysni Milloshi ka deklaruar se megjithëse partia e tij nuk e ka kaluar pragun, nuk do të kthejë paratë e marra për zgjedhjet e fundit lokale të 12 tetorit. Një gjë të tillë ai e ka argumentuar me faktin se kjo nuk përbën një shkelje të kodit elektoral.

Tabela

Partitë që duhet të kthejnë paratë

PLL 2.074.653 lekë

PDR 692.308 lekë

PDK 1.541.377 lekë

PBK 1.189.945 lekë

PKSH 1.003.024 lekë

PPSH 813.781 lekë

PBL 1.627.209 lekë

PBKD 1.623.564 lekë

PBD 1.419.877 lekë

LKSH 735.427 lekë

PLPSH 715.501 lekë

PBKSH 697.357 lekë

P.Kons 715.906 lekë

PUK 717.067 lekë

PSKSH 723.088 lekë

PBDKSH 768.529 lekë

PPK 703.918 lekë

PESH 698.626 lekë

PLFSH 18.198 lekë

PSHA 10.422 lekë

PMP 3.726 lekë

Totali 18.493.503 lekë



Partitë që përfitojnë nga rishpërndarja e fondeve

PSSH 5.123.648 lekë

PD 11.033.662 lekë

PSD 0 lekë

PR 368.534 lekë

PAA 734.050 lekë

PDS 1.097.033 lekë

AD 0 lekë

PBDNJ 136.576 lekë

Totali 18.493.503 lekë