Nga Mitro Çela

Në ekonominë tonë të tregut, çdo gjë ka brenda e jashtë ironinë e vet. Por a ka gjë më ironike se sa fakti, që një gazetar i "Fiks Fare", nën "vëzhgimin" e kamerës së fshehtë, të fitojë tenderin për ujësjellësin e Udënishtit në Pogradec?!

Pamjet televizive tronditën themelet e shtetit. Ben Blushi, në rolin e ministrit të Pushtetit Vendor, kërkoi të marrë flamurin i pari. Zanati ia donte ta pushonte në vend kryetarin e komunës! Mirëpo jetojmë në demokraci! Ministri, që e ka në vartësi kryetarin e komunës, nuk ka kompetencë ta shkarkojë! Këtë të drejtë, sipas ligjit që është bërë me asistencë të Evropës, e ka vetëm kryeministri!

Për fat të keq të ministrit (lexo për fat të mirë të vendit) zoti Nano ishte për vizitë miqësore në Greqi! Por jetojmë në epokën e internetit. Ministri "qëndisi" një letër dhe me postë elektronike e nisi drejt Athinës. Dhe ndodhi thagma, siç kuvëndojnë sokakëve korçarët: Zoti Nano, megjithë protokollin e rënduar të vizitave dhe uikendit, gjeti kohë jo vetëm të lexojë haberin e ministrit, por edhe të marrë vendim të formës së prerë: "Kryetari i komunës, për krimin e rëndë ndaj parave publike, shkarkohet në vend!"

E bëri këtë hata të madhe, megjithë pasojat që mund të sjellë zbatimi i vendimit. Sipas ligjit, KQZ-ja duhet të shpallë ditën e zgjedhjeve për kryetarin e ri të komunës. Zgjedhjet janë me risk: bën vaki që komunën ta humbasin socialistët dhe ta fitojnë demokratët e Berishës!

Ironia vazhdon! Pa mbërritur fermani nga Athina, në skenë ngjitet zoti Bashkim Fino, në rolin e ministrit të Rregullimit të Territorit dhe Turizmit. Ai ka "thesin" e parave për tenderimet e ujësjellësave në mbarë vendin. Me këtë të drejtë, bëri një deklaratë në shtyp. Një "mal" me akuza për komunarin që "trazon" paratë e shtetit. Normale! Si mund ta "honepsë" një ministër socialist një korrupsion të përmasave të tilla?! Dhe ku? Në një komunë ku fshatarët vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm?!

Por a ka ironi më të madhe se sa fakti që ministri cakton një numër telefoni, ku populli mund të informojë në çdo kohë, në qoftë se sheh ose dëgjon se ka korrupsion në tenderime për një krua fshati a rrugicë qyteti?!

Përfytyroni një skenë të tillë. Mesditë. Kërcet zilja e telefonit informator... Alo... Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2001 ka një kapitull për ministrinë e Rregullimit të Territorit. Alo... nuk e merrni për mungesë takti, në qoftë se ju kujtoj se në faqen 173 përmenden disa allishverishe në tenderime, si në ndërtimin e ujësjellësit në Llugaj (Tropojë); ndërtimin e depove të ujit në Përrenjas; ndërtimin e ujësjellësit në fshatin Gegë (Kuçovë)... Alo... Edhe aty mund të jenë vjedhur para! Ndoshta kemi variante si tek ujësjellësi i Udënishtit!

Le të lëmë mënjanë fantazinë për telefonatën dhe të kthehemi në faktet reale. Këtë raport, zoti Kërçuku e ka lexuar në Kuvendin e Shqipërisë. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka lënë një procesverbal në dikaster. Për disa nga shkeljet më të rënda ka bërë denoncim edhe në Prokurorinë e Përgjithshme. Është bërë çdo gjë sipas rregullave. Mungon vetëm emri i nëpunësit fajtor, që të dënohet si puna e komunarit nga Udënishti i Pogradecit?!

Me të drejtë dikush mund të thotë: Të shkuara të harruara! Në atë mot kishim tjetër kryeministër. Veziri i ditëve tona, nuk di të falë. Ai, kur është puna për vjedhje në tenderime, pret "koka" pushtetarësh edhe duke qenë jashtë shtetit! Mirëpo çfarë t'i bësh demokracisë! Zoti Kërçuku një herë në vit është i detyruar të raportojë në parlament për mënyrën se si përdoren paratë e buxhetit të shtetit. Kështu bëri edhe një muaj më parë. Mes të tjerave ai u tha deputetëve në sallë dhe ministrave në podium: "Vitin e kaluar dikasteret bënë mbi 600 tendera. Në rreth 75 për qind të tyre janë vërejtur shkelje të procedurave ligjore."

Ironia qëndron në faktin se mes dikastereve, më shumë shkelje të procedurave në tenderime janë vërejtur në "binanë" e Këshillit të Ministrave! Kush nuk beson le të këndojë raportin, duke filluar nga faqja 175. Aty do të mësojë se në zyrat pranë kryeministrit, janë shkelur procedurat në tenderat për blerjen e karburantit, riparimin e automjeteve, rikonstruksionin e zyrave, blerjen e pajisjeve të ndryshme. Me këto tenderime arka e shtetit ka humbur miliona!

Ironia qëndron në faktin se "miza" e Udënishtit e zbuluar nga kamera e fshehtë bëhet "buall" nga qeveria; ndërsa "bualli" i tenderave të dikastereve i zbuluar nga kontrollorët e zotit Kërçuku, "shëtit" i lirë mes dosjeve të korrupsionit?!

Morali: Nuk do të ishte ironi e kohës, në qoftë se rrogtarët e Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk do të ishin nëpunës, por operatorë me kamera të fshehta!

Tema