Viola Gjoni - 06/05/2004
Agjencitë private të punësimit, “luftë” kundër papunësisë
Agjencitë private të punësimit japin një ndihmë të madhe për lehtësimin e papunësisë në Shqipëri
Papunësia e regjistruar në Shqipëri është në shifrën e 15-përqindëshit, ndërsa ajo reale luhatet në masën e rreth 30-përqindëshit.
Cilat janë agjencitë private të punësimit?
Sipas specialistëve pranë Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, deri tani janë licensuar 5 subjekte si agjenci private të punësimit dhe përkatësisht: “La Speranza”, “Aforsa”, AGCF (Amerikan Global Capital Fund) në Tiranë, “Puna” sh.p.k në Durrës dhe “Serxhio” në Elbasan. Gjithashtu, janë në proces licensimi edhe tri agjenci private punësimi.
Nga ana e ministrisë bëhet e ditur se momentalisht ushtrojnë aktivitet të ligjshëm vetëm tri agjenci private të punësimit. Agjencitë “Puna” sh.p.k me drejtues Njazi Ismailin dhe AGCF me drejtues Fatos Shtyllën nuk kanë bërë rinovimin e licensës dhe konsiderohen të paligjshme nga ana e ministrisë.
Ndërsa agjencia “Aforsa” me drejtues Avni Zeqon është në proces rinovimi pasi i ka përfunduar afati i ushtrimit të aktivitetit dhe ka bërë kërkesën për rinovim.
Shërbimet e ofruara nga agjencitë private të punësimit
Agjencitë private të punësimit regjistrohen si person fizik/juridik, privat dhe e ushtrojnë veprimtarinë e ndërmjetësimit në punë nëpërmjet këtyre shërbimeve:
informacionit, këshillimit, si dhe vlerësimit të kërkesave dhe të aplikimeve për ndërmjetësimin në punë; kërkimit të vendeve të punës; ndërmjetësimit për përcaktimin e kushteve dhe lidhjen e marrëdhënieve të punës ndërmjet kërkuesit dhe punëdhënësit.
Sipas ligjit, shërbimet e agjencisë për punëkërkuesit janë falas, me përjashtim të pagesës së shpenzimeve të nevojshme për plotësimin e dosjes administrative të çdo punëkërkuesi.
Dokumentet për aplikim në agjencitë private të punësimit:
- formular përgjithësues
- fotokopje pasaporte
- profesionin ose zanatin që ushtron
- 2 fotografi.
Kriteret për aplikim në agjencitë private të punësimit:
- mosha 18-65 vjeç
- të mos jetë i ndjekur penalisht
- çfarëdo lloj niveli arsimor
- plotësimi i kontratës me agjencinë.
Krijoni Kontakt