Industria

Florian Papadhimitri - 03/05/2004

Mbyllet "Kurumi", 1250 punëtorë në rrugë

Kompania turke, e cila zotëron fabrikën e prodhimit të oksigjenit dhe të çelikut, e ka mbyllur aktivitetin në të dyja linjat. Arsyeja kryesore është çmimi i lartë i energjisë. Drejtuesit e saj shprehen se nga prodhues do të kthehen në importues


Burokracitë dhe papërgjegjshmëria e institucioneve po lënë pa punë mbi një mijë punëtorë dhe po falimentojnë prodhuesin më të madh në Shqipëri. Alarmin e kanë dhënë ditën e parë të këtij muaji drejtuesit e lartë të kompanisë turke “Kurum”, të cilët që prej tre ditësh kanë mbyllur dyert e fabrikave. Të kontaktuar nga “Biznesi”, drejtues të cilët nuk duan që të identifikohen, kanë bërë të ditur mbrëmjen e djeshme se janë 1250 punëtorë në total të cilët kanë mbetur pa punë që prej ditës së fundit të muajit që lamë pas. Arsyeja e mbylljes totale të aktivitetit prodhues është çmimi i lartë i energjisë elektrike, thonë burimet e sigurta, duke shtuar se kjo është lënë me qëllim nga shqiptarët të cilët kanë vendosur çmimet e energjisë. Arsyeja e mbylljes së aktivitetit është paralajmëruar dhe më parë nga drejtuesit e lartë të kësaj kompanie, të cilët disa muaj më parë kanë shprehur ankesat për gabimet që janë bërë këtë vit në vendosjen e çmimeve të energjisë. Kështu, në listën re të çmimeve të energjisë elektrike, ndryshe nga një viti më parë, industria e prodhimit të çelikut dhe ajo e oksigjenit janë lënë jashtë saj, duke bërë që kjo industri të paguajë me një çmim prej 10.4 lekë një kilovat-orë, ndryshe nga industritë e tjera, të cilat paguajnë 8.3 lekë një kWh. “Për këtë gabim jemi ankuar fillimisht në Ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës, - tregojnë drejtuesit e “Kurumit”, - por ata vetëm sa pranuan gabimin dhe na përcollën për te ERRE”. Pasi u adresuam tek institucioni i pavarur ERRE, vijojnë ata, ne bëmë një letër zyrtare ku kërkonim që të përfshiheshim në listën e re të çmimeve të energjisë dhe të rregullohej ky gabim. Më tej pritëm të zgjidhej problemi me çmimin e energjisë elektrike dhe pas dy muajsh Enti Rregullator i Energjisë na ktheu përgjigje duke thënë që duhet të marrim një opinion te drejtuesit e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Historia vijon më tej me përgjigjen e KESH, tregojnë drejtuesit e “Kurumit”, ku u tha që s`ka asnjë gabim me faturat dhe çmimet e energjisë. Drejtuesit e “Kurumit” tregojnë se kanë më se tre muaj që po presin që problemi të zgjidhet, por asnjë prej institucioneve nuk po vendos asgjë. “Të gjithë e pranojnë që është bërë gabim, - shprehen ata, - por asnjëri nuk i jep zgjidhje ”. Pas kësaj nga “Kurum” i është dërguar letër zyrtare së pasi kryeministrit Fatos Nano e ministrave Viktor Doda, Anastas Angjeli e më tej drejtorit të përgjithshëm të KESH-it Andis Harasani e atij të ERRE-s, Pjetër Dema. “Por tre muaj kanë kaluar, - deklarojnë drejtuesit e “Kurumit”, - dhe akoma nuk ka asnjë zgjidhje, vetëm faturat prej 1.2 milion dollarësh që vijnë”. Përveç kësaj, nga ana e “Kurumit” letër ku shpjegohej problemi kanë marrë dhe përfaqësuesit më të lartë të FMN-së, Bankës Botërore dhe disa ambasadave. Të indinjuar, drejtuesit e “Kurumit” thonë se janë lënë qëllimisht jashtë listës së re që është përpiluar gjatë dhjetorit që lamë pas. Ata e shpjegojnë “gabimin” duke thënë se janë dy arsyet kryesore të cilat e kanë krijuar atë. E para, sipas tyre, është se ata janë ndër konsumatorët më të mëdhenj të energjisë elektrike dhe paguesit më të rregullt të faturave. Kjo bën që “Kurum” të jetë një prej burimeve më të mëdha të KESH-it. Ndërsa arsyeja e dytë, shpjegojnë burimet e “Kurumit”, është ndërhyrja e konkurrentëve, të cilët mund të kenë “investuar” për energjinë elektrike.


“Kurum”, 800 mijë dollarë në muaj pagesa energjie
Gjatë viteve që lamë pas konsumatorit “Kurum” i janë faturuar rreth 800 mijë dollarë në muaj, të cilat janë paguar rregullisht në llogarinë bankare të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Që prej muajit janar të këtij viti fabrikës së vendosur në Elbasan i janë dërguar fatura prej 1.2 milion dollarësh, por drejtuesit e “Kurumit” kanë vendosur që të paguajnë vetëm 800 mijë dollarë në muaj pasi kjo është shuma që duhet të paguhet nëse çmimi i një kilovat-ore do të ishte prej 8.3 lekë. Kjo ka bërë që të lindë një diferencë mes shumës që faturohej nga faturistët elbasanas adhe asaj që paguhej nga “Kurum”. Me lindjen e këtij deficiti dhe moszgjidhjen e problemit, data 30 e muajit prill ka qenë afati i fundit i lënë për vijim normal të punës, pas kësaj datë gjithçka në furrat dhe ambientet e tjera të prodhimit është mbyllur. Momentalist “Kurum” po shet nga rezervat dhe mallin stok që ka në magazimat e saj. Drejtues të kompanisë turke deklarojnë se në qoftë se nuk i jepet një zgjidhje problemit, atëherë investimi i parashikuar prej 40 milionë dollarësh do të kalojë tërësisht në import, ku do të sillet mall nga Turqia. Aktualisht, përfshirë dhe punonjësit turq, “Kurum” ka rreth 1250 të punësuar që kanë ngelur pa punë. Për sa i përket konsumit, gjatë vitit që lamë pas “Kurum” ka konsumuar rreth 76 GIGA Watt.