Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 9
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609

    Historiku i krijimit të himnit tonë kombëtar

    Qysh në fillim do të theksonim faktin, se problemi i shqyrtimit të historisë së krijimit të himnit tonë kombëtar “Rreth flamurit të përbashkuar” (apo qoftë edhe i bërjes ose jo të një himni tjetër), janë para së gjithash probleme për t’u diskutuar dhe rrahur nga muzikologjia shqiptare. Pohimi i këtij momenti në hyrje të shkrimit tonë ka një rëndësi të veçantë, pasi, siç do të shohim më poshtë, mungesa e analizave, debateve artistke dhe problemore mbi lëndën në fjalë, në më të shumtën e rasteve ka sjellë shtrëmbërime dhe keqkuptime të pavend lidhur me sa më sipër. Për këtë arsye, por dhe për disa të tjera syresh, jemi përpjekur që nëpërmjet këtij shkrimi integral lidhur me himnin tonë kombëtar “Rreth flamurit të përbashkuar” të shprehim të ç`ka dimë deri më sot rreth njërit prej simboleve tona kombëtare.

    Në një vështrim të përgjithshëm, çështja e himneve kombëtare të vendeve të ndryshme është një problem i cili filloi të popullarizohej fillimisht në Angli, diku aty nga mesi i shek. XVIII. Në fakt, himne ka patur edhe përpara kësaj kohe, por rëndësia dhe kuptimi i tyre nuk ka qënë në këtë shkallë kaq të rëndësishme të cilës i referohemi neve sot, pasi askush nuk e mendonte se ky llojformimi i ri muzikor do të përfaqësonte një nga gjetjet gjeniale të të shprehurit të shpirtit të popujve. Muzikologjia daton si të parin himn atë të Holandës, himn i cili i përket vitit 1572 - “Wilhelmus van Nassouwe”. Ndërkohë, himni me fjalët më te vjetra në origjinë i përket himnit japonez, rreth shek. IX, tekst i cili rrjedh kryesisht nga folklori. Po në këtë arsyetim, himni më i gjatë në ekzekutim është “Marcha de la Patria”, i Argjentinës kompozuar nga Blas Parera në vitin 1813; ndërkaq himni kombëtar me më shumë vargje është ai i Greqisë etj. Pra siç e shohim, historia e formimit të himneve kombëtare është e ndryshme në vende të ndryshme. Me sa duket, në përcaktimin ose jo të një krijimi muziko-letrar si himn kombëtar, rol kryesor kanë luajtur edhe kontekste të caktuara, kryesisht historike në historinë e një vendi. Por ka edhe shembuj të tjerë. Këtu gjej rastin të përmend faktin, se p.sh himni zyrtar i Vatikanit u përcaktua në vitin 1949 me anë të një vendimi zyrtar të Selisë. Në bazë të himnit të Vatikanit qëndron muzika e kompozitorit francez Sharl Guno, i cili e shkroi këtë muzikë në vitin 1846 (vepra quhet “Marcia Pontificiale” dedikuar papa Piut të XI), muzikë e cila gati 100 vjet më vonë u vendos të ishte himn zyrtar i Selisë së Shenjtë. Dhe raste të tilla ka shumë[1].
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609

    vazhdimi...

    Historiku i krijimit të himnit tonë kombëtar
    Deri më tani, poeti Lasgush Poradeci është ai i cili ka përshkruar dhe botuar i pari historinë e krijimit të himnit tonë. Në punimin “Himni kombëtar “Flamurit pranë të bashkuar dhe gjeneza e tij”[2], L. Poradeci bëhet kështu edhe rrëfyesi kryesor për këtë ngjarje madhore. Në rrëfimin e tij të tërheq vëmendjen një hollësi. Kjo hollesi, lidhet me faktin e thjeshte se askush në ato çaste historike për Shqipërinë, nuk mendonte se ajo këngë e ngritur dhe e kënduar për të parën herë nga kori i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, do të ishte himni i ardhshëm. Ja ç’thotë Lasgushi: -…me fjalë të tjera, himni nuk u përgatit me qëllimin e posaçmë që të shërbejë si Himn Kombëtar, të përmbushë misionin e shenjtë të këngës simbolike zyrtare të popullit”.

    Nga këto rradhë, por dhe nga zhvillimi i mëtejmë i historisë së Shqipërisë, vëmë re se në kushtet kur nuk kishte shtet shqiptar ishte jashë mendjeje, që dikush të mendonte që në fillim të kishim himnin e pastaj të bënim shtetin, si me thene: “buxhakun para oxhakut”. Shumë vite më vonë, poeti i shquar Migjeni shkroi poezinë me titull “Kënga që s’kuptohet”, kushtuar melodisë sonë kombëtare. Në përpjekje për ta zhvendosur titullin e poezisë nga konteksti i saj, do të shohim se ky emërtim qëndron fare mirë për të, nisur jo vetëm nga largësia nga data e krijimit të himnit, por dhe se shkrimet historike për gjenezën e himnit tonë, kanë shërbyer në të njëjtën kohë edhe si kronikë besnike e lindjes së tij, por dhe si alibi.

    Gjatë hulumtimeve të materialeve dokumentare rreth lëndës në fjalë, në librin “The Guinnes Book of Music”[3], është shkruar si më poshtë:

    himni “Rreth flamurit të përbashkuar” është pranuar si himn kombëtar i Shqipërisë në vitin 1912
    fjalët e himnit janë shkruar nga Asdreni
    muzika e himnit është kompozuar nga Ciprian Porumbesku

    Duke i shqyrtuar një nga një për sa më sipër, e vëteta do që të theksohet fakti kuptimplotë, se përpara se himni të bëhej himn zyrtar i shtetit të ri shqiptar më 1912, po sipas Lasgushit, “… kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroi ai ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shënjtëroi, duke e dashur me zemër gjer në therori dhe më shumë e përtej vetëtherorisë. Me të luftuan çetat e kryengritjes që ishin nëpër gjithë viset e Atdheut, dhe vdiqën vdekjen e ëmbël dëshmorët e lirisë. Me të u ngrit Flamuri në Vlorë”. Me pak fjalë, kjo do të thotë që ngritja e flamurit nën tingujt dhe fjalët e “Betimit mi flamur” ishte vetëm një akt formal nga ana e Ismail Qemalit për ta njohur këtë këngë si këngën tonë kombëtare.

    (Foto 1– “Faksimile e firmave të delegatëve në Kuvendin Kombëar në Vlorë më 28 Nëndor 1912”)

    Së dyti, lidhur me fjalët e himnit. Në asnjë vend të botës, nuk gjejmë një himn kombëtar i cili t’i kushtohet po një simboli tjetër kombëtar siç është flamuri[4], dhe që të dy së bashku t’i kushtohen atdheut. Ja poezia e plotë e “Betimi mi flamur”[5]-(Hymni patriotik) e shkruar dhe publikuar nga Asdreni në vitin 1908:


    Rreth flamurit të përbashkuar
    Me një dëshir` e një qëllim,
    Të gjith` atij duk` ju betuar
    Të lidhim besën për shpëtim.
    Prej lufte veç ay largohet
    Që është lindur tradhëtor,
    Kush është burrë nuk frikohet,
    Po vdes, po vdes si një dëshmor!
    Në dorë armët do t`i mbajmë
    Të mprojmë atdhenë më çdo kënt,
    Të drejtat tona ne s`i ndajmë;
    Këtu armiqtë s`kanë vënt.
    Se Zoti vetë e tha me gojë
    Që kombe shuhen përmi dhe,
    Po Shqipëria do të rrojë;
    Për të, për të luftojmë ne!

    O flamur, flamur, shenj` e shenjtë,
    Te ty betohemi këtu,
    Për Shqipërin` atdhen` e shtrenjtë,
    Për nder` edhe lavdimn` e tu.
    Trim, burrë quhet dhe nderohet
    Atdheut kush iu bë theror;
    Për jet` ay do të kujtohet
    Mi dhet, mi dhe si një shenjtor!


    Vazhdon..
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609

    vazhdimi...

    Lidhur me origjinalitetin e poezisë së himnit do të citonim përsëri Lasgushin i cili thotë se “…tituli “Betimi mi flamur”, që i ka vënë himnit Asdreni, është një koncept dhe një akt e fakt etnikërisht shqiptar”. Po të njëjtën gjë në koncept e pohon edhe Migjeni, qysh në vargun e parë të poezisë kushtuar Melodisë kombëtare: “U vodh kënga nga zemra e kombit”. Që të gjithë e njohin edhe kontekstin e betimit popullor mbi flamur: - “Nën hijen e tij qofshim dhe në dorën tonë valoftë”.

    Së treti lidhur me muzikën e himnit. Si Migjeni, po ashtu edhe Lasgush Poradeci anojnë të paktën në karakterizimin e përgjithshëm të himnit tonë për nga përbërësi muzikor i tij. “Këngë a vaj? Çë je? Thuejma, zemër kombi! (Migjeni); “U bë Shqipëria! Po u bë duke vuajtur me buzëqeshje, duke u kurajuar me këngën e jetës dhe të vdekjes nër dhëmbe: me Himnin e saj Kombëtar Shqiptar” (Lasgushi).

    Më tej, Prof. Sokoli thotë se “… motivi i këtij himni e ka burimin te tradita muzikore gjermane , meqë këngët e lartpërmendura (nga kjo traditë-shënimi ynë) janë më të hershme se kompozimi i Porumbeskut”. Edhe kompozitori i shquar bashkëkohor George Ligetti[6] konstaton me të drejtë ngarkesën edhe origjinën internacionale të parakrijimit të Himnit Shqiptar të Flamurit. Pohimi i kësaj të dhëne është me rëndësi jo vetëm për faktin se krijimi i himnit tonë në pikëpamje muzikore ishte drejtuar përkah orientimit të përgjithshëm perëndimor, por dhe se në këtë mënyrë nuk ka arsye që ende të citohet Porumbescu si krijues i tij.

    Vetë krijimtaria muzikore e Purumbeskut[7] ka një lidhje të fortë me traditën e shquar muzikore të Austrisë, vend ku ai studioi muzikë pranë konservatorit të Vienës. Tashmë njihet fakti, se në bazë të himnit të tij qëndron një nga meloditë më te njohura të rinisë austriake të gjysmës së dytë të shek. XIX. Në rastin e himnit të vjetër të Rumanisë “Pe al nostin steag”, të kompozuar nga C. Porumbescu me fjalë të A. Barteanut, po sipas Prof. Sokolit, “… mjafton të krahasojmë fillimet e këtyre këngëve gjermane me fillimin e Himnit të Flamurit për të parë ngjashmërinë e madhe, ose pothuajse njëjtësinë e disa masave”.

    Shembulli muzikor nr. 1- “Melodia dhe teksti i Himnit Kombëtar”

    Në Shqipëri në vitet 1900-1945, nga muzikologjia jonë konstatohet se krahas folklorit muzikor dhe tendencave të para të muzikës profesioniste shqiptare, u krijua dhe kultivua edhe nje repertor këngësh me origjinë vendase dhe internacionale, këngë të cilat këndoheshin në gjuhën shqipe. Kjo gjë u vu re si në aspektin e këngëve lirike si psh serenatat, po ashtu edhe në fushën e këngëve patriotike e më pas atyre partizane. Pa u zgjatur këtu do të përmendja këngën “Të gjithë ne o djema”, me fjalë dhe muzikë nga Spiridon Ilo (1876-1950); këngën “Vlora-Vlora”, me kompozitor Thoma Nasin dhe poezi nga Ali Asllani; “Këngën e dëshmorëve të Shkodrës”, me fjalë dhe muzikë nga Kolë Jakova; “Këngën e Asim Zenelit” me fjalë nga Qamil Buxheli dhe muzikë nga Mustafa Krantja; “Bashkohi shokë me ne në çetë”, me fjalë dhe muzikë nga Kolë Jakova; “Shkrep me zjarr porsi rrufeja”, me fjalë nga A. Skali dhe muzikë nga Kristo Kono; këngët “Kushtrimi i lirisë”, “Britma e çlirimit”, “Hakmarrja” , “Ato maja rripa-rripa”, “Rini-Rini”, “Himni i ushtrisë” me muzikë të Dhora Lekës e shumë të tjera.
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609

    vazhdon

    E gjithë kjo krijimtari kishte bërë jetën e saj nga goja në gojë dhe vetëm gjatë viteve ’50, tek ne u bënë përpjekjet e para për të grumbulluar dhe notizuar këngët patriotike edhe partizane që ishin kënduar nga populli për vite me rradhë duke përfshirë këtu edhe himnin e flamurit. Dy botimet e para të kësaj fushe i përkasin vitit 1959 të përgatitura përkatësisht nga Gaqo Avrazi -“Këngë patriotike”, dhe nga Baki Kongoli - “Këngë partizane”. Në materialet shoqëruese të tyre me të drejtë konstatohet se në përgjithësi për të gjithë këtë repertor vihet re se pjesërisht janë krijime me autor, pjesërisht të popullit dhe pjesërisht melodira të importuara që tashmë ato janë asimiluar në thesarin e muzikës sonë. Konstatimi vazhdon me faktin se populli këto këngë i ka bërë të tijat duke marrë formën shqiptare saqë po t’i krahasosh me origjinalin ndryshojnë mjaft njera nga tjetra[8]. Dhe ky nuk është vetëm një fenomen shqiptar. Në kulturën muzikore të ç’do vendi, në të gjitha kohërat gjendet një repertor i tërë muzikor i cili qarkullon pa ndërprerë, duke ndryshuar gjuhën si dhe stilemat muzikore të materialit fillestar. Kjo është një dukuri normale e shkëmbimit të kulturave.

    Për sa më sipër, edhe muzika e himnit kurrsesi nuk mund të quhet plagjaturë e për më tepër imitim. Po ashtu, ajo nuk duhet të konsiderohet si një pamundësi kompozimi prej krijuesve shqiptarë. Pikërisht zgjedhja e kësaj melodie ndoshta mund të ketë qënë edhe e rastësishme, por ne mendojmë se parapëlqimi i saj synonte zgjedhjen e një gjuhe muzikore tepër të lexueshme e të qartë për të tjerët, për të kuptuar aspiratën e kombit shqiptar në ato vite të errëta të historisë së tij. Duke pasur dhe përdorur në ndërtimin e tij melodik, gjymtyrë të tëra pan-evropiane, himni synonte (me gjetjen muzikore “rastësore”), pikërisht Europën. I krijuar në kohën e ripërtëritjes së ndërgjejges historike shqiptare, melodia me tekstin e Asdrenit sillte dhe ende sjell zërin e njërit prej popujve të rilindur të Europës.


    Shembulli muzikor nr. 2- “Partitura e Himnit Kombëtar, orkestruar nga akademik Cesk Zadeja”
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609

    vazhdon...

    Rreth historisë së shkrim-notizimit të himnit tonë kombëtar

    Duhet theksuar se që nga krijimi i tij e deri në fund të viteve 40’ të shek. XX, himni ynë përveç se është kënduar dendur, ka bërë një jetë më së shumti gojë më gojë dhe pjesërisht është interpretuar me nota. Pas vitit 1912, interpretimi me nota i himnit ishte domosdoshmëri pasi ai ishte i destinuar të luhej edhe në ceremoni të ndryshme të shtetit shqiptar jashtë vendit. Në një letër të dërguar nga Faik Konica, në atë kohë përfaqësues në legatën e Mbretërisë Shqiptare në Washington, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme shkruhet shprehimisht se “… morra nga ministria e detit e Sh.B.A një letrë ku më luten t’u gjej një kopje për bandë t’avazit kombëtar të Shqipërisë…kuptova që avazi ynë ësht i vetëmi avaz kombëtar që nuk e kanë”.

    Për herë të parë për partiturën e himnit flet Lasgushi kur përshkruan dërgimin e himnit në atdhe nga kolonia shqiptare e Bukureshtit në vitin 1908 me anë të Tashko Ilos dhe Hilë Mosit i cili punonte ne kete kohe si sekretar prane nje tregetari te madh te Korces. Lasgushi i quan ata me qëllim kasnecë, pasi ishin në të vërtetë mbartës të një mesazhi që fillimisht duhej kënduar. Që të dy erdhën në Korçë “… me partiturat e himnit të bëra imtësisht gati me fjalë shqip”, dhe prej këtu filloi mësimi dhe përhapja e himnit kombëtar në të gjithë Shqipërinë. Po sipas Lasgushit “…përhapja parashikonte në krye të të gjithave mësimin e këngës”. Pikërisht për këtë arsye u zgjodh Hilë Mosi i cili kishte përveç formimit letrar dhe intelektual edhe talentin muzikor.

    Mendoj se përhapja e himnit në popull do të ketë pasur vështirësi serioze për dy arsye. E para lidhet me mungesën e mësimit të muzikës dhe të sistemit muzikor në Shqipëri në ato vite, dhe e dyta lidhet me veshin muzikor të shqiptarit. Përhapja e himnit në një rrugë “gojë më gojë”, ndërmjet transmetuesve të tij (shpesh herë pa arsim muzikor), dhe bartësve të tij të ardhshëm , me siguri duhet ë ketë sjellë një rikrijim të mundshëm të tij. Së dyti, historia ka provuar se është tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që një populli si i yni t’i imponosh një melodi të huaj, aq më tepër melodinë që do të shndërrohej më pas në këngën kombëtare shqiptare.

    Në një kohë me ardhjen e Hil Mosit dhe Tashko Ilos në Korçë, një shtytje mësimit të muzikës në përgjithësi dhe mësimit të himnit në veçanti i dha krijimi i “Bandës së Lirisë” themeluar më 1 tetor 1908. Qysh në formim banda përbëhej prej 25 muziktarësh me vegla të ndryshme. Fakt është se komuniteti i ri i muziktarëve në Korçë, pajtoi me pagesë një dirigjent italian të quajtur Pasquale i cili shërbeu si dirigjent i “Bandës së Lirisë”. Aq shumë u lidh ai me të sa më vonë edhe himnin e bandës së Lirisë e kompozoi ai vetë me fjalë të Hil Mosit. Pas kësaj periudhe, me gjallimin edhe të formacioneve të tjera muzikore nëpër qytetet e Shqipërisë si Shkodra, Elbasani, Gjirokastra, Vlora, Gjakova etj, përhapja e himnit me nota u bë më e lehtë.
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609
    Mbi regjistrimet muzikore të himnit tonë kombëtar

    Regjistrimi i parë muzikor në disk i himnit tonë kombëtar, është bërë nga shoqëria diskografike “Albanian Phonograph Records”. Kjo është shoqëria e parë diskografike shqiptare e shekullit të XX, e ideuar dhe themeluar në Amerikë në vitin 1923 nga muziktari dhe patrioti Spiridon T.Ilo nga Korça. Në një kontekst më të përgjithshëm, vlera e “A.P.R” është shumëplanëshe dhe lidhet me gjithë zhvillimin e kulturës dhe artit muzikor shqiptar të viteve ‘20-‘40. Himni ynë kombëtar është kënduar dhe regjistruar në disk nga vetë Spiridon Ilo së bashku me tenorin arbëresh Giuseppe Mauro. Vlen të theksohet se tenori arbëresh Giuseppe Mauro, në vitet 20’ të shek. XX ka qënë një ndër tenorët me famë botërore. Në kohën kur së bashku me Spiridon Ilon regjistroi himnin tonë kombëtar në diskun e prodhuar nga shoqëria diskografike “Albanian Phonograph records”, me nr. E-3948, G. Mauro ishte ftuar në New York nga Metropolitan Opera për të interpretuar atje rolin e Otellos nga opera me të njëjtin titull e Verdit.

    Foto 3- “Faksimile e botimeve të Albanian Phonograph Records”

    Himni ynë ka njohur shumë versione të regjistruara në disqe duke filluar prej viteve ‘40 e deri në fund të viteve ’60. Ndër këto regjistrime në disqe, përmendim atë te regjistruar pranë “ODEONIT” me nr. Ab 56 me mbishkrimin: “Hymni i flamurit”, Një pjes e korit të shkollës Normale Femërore të Korçës drejtue prej Maestro Z. Sotir V. Kosmos. Ky kor ka interpretuar gjithashtu në diskun me nr. Ab 55 edhe “Hymnin Mbrentorë” etj. Regjistrimi më i mirë profesionalisht i himit tonë kombëtar, është ai i vitit 1995. Ky regjistrim është interpretuar nga orkestra simfonike e Bambergut-Gjermani dhe është orkestruar posaçërisht për këtë orkestër nga kompozitori ynë i shquar Prof. Çesk Zadeja (1927-1997(-“Artist i Popullit”) me rastin e vizitës së Presidentit gjerman në Shqipëri.

    Historiku i përpjekjeve për himne të tjera kombëtare.


    Na duhet të themi se mbas pëlqimit të përgjithshëm të “Rreth flamurit të përbashkuar” si himn kombëtar (1912), në mënyrë të vazhdueshme janë shkruar këngë apo qoftë edhe vetëm poezi për himn kombëtar. Poezi për himn kombëtar kanë shkruar At Gjergj Fishta më 1913, Ernest Koliqi më 1921 si fitues i vendit të parë në konkursin[9] për himn kombëtar shpallur nga Ministria e Arsimit, Fan S.Noli më 14 nëntor 1926 me titull “Hymni i flamurit”[10], Mihal Grameno me titull “Kënga Kombëtare”[11], Hil Mosi “Himn i Bandës së Lirisë”[12]. Himn kemi edhe nga poeti Lasgush Poradeci më 1933, të botuar tek “Vallja e yjeve” etj. E përbashkëta e gjithë këtyre poezive është fakti se që të gjitha pothuajse i referohen përsëri simbolit të flamurit, gjë që është edhe në thelb të poezisë së Asdrenit.

    Mbi njatë flamur Perëndia
    me dorë t’vet Ai ka shkrue:
    Për shqiptarët do t’jet Shqupnia..
    At. Gjergj Fishta

    O vend e vatër,
    O nëne e babë.
    Fan Stilian Noli

    Një poezi të shkëlqyer përsa i përket references sonë lidhur me flamurin kemi edhe nga Zef Serembja[13]:

    Flamuri shqiptar
    S`i shihet n`horizont i dlirë shkëlqimi
    Dhe as nuk i fal ngjyrat për fitore
    Më nuk shartohet mbi lavdin njerëzore
    Porsi një shenjë drite apo mjerimi.
    I grisur ra dhe s`e përfill njeri,
    Dhe gjindja e Arbrit, e ndershme e krenare
    mori mërgimin dhe as ndalet fare
    në një breg mikpritës n`siguri.

    N`mëshirë të fatit përherë duke ndeshur
    Intruga diplomatësh, n`hidhërim
    Ç`do shpresë e ç`do premtim ngadalë i tretet
    Dhe koha kalon, rend fluturim.
    Nga gjithshka na premtuan asgjë s`mbetet.
    Më keq na shkelin se sa truall`n e zhveshur.
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609

    vazhdon..

    Qysh në vitin e parë të vendosjes së mbretërisë nga Ahmet Zogu, Shqipëria u bë edhe me himnin e mbretërisë. Në ndyshim nga himni “Betimi mi flamur”, himni i i ri mbretërisë i kushtohej tërësisht figurës së mbretit, një traditë e njohur kjo për të gjitha himnet e mbretërive, me muzikë të Thoma Nasit dhe me fjalë të Kristo Floqit. Një tjetër përpjhekje për himn mbretëror kemiedhe nga Loni Logori, i cili nuk arriti të njihej si i tillë. Një variant i himnit të mbretërisë është interpretuar dhe regjistruar në disqe nga sazet e Selim dhe Hafize Leskovikut në vitet ’20.

    Në vitin 1922, Këshilli i Ministrave shpall konkursin për bërjen e “Himnit zyrtar kombëtar”[14]. Për shpalljen e konkursit dhe kriteret e tij caktohet Ministria e Arsimit ku ndër të tjera u përcaktua edhe masa e shpërblimit prej 1000 franga ari për vjershëtarin e himni dhe 3000 franga ari për kompozitorin e tij. Më tej, në vitin 1937, në përvjetorin e 25 pavarësisë, u organizua një konkurs, me qëllim bërjen e një himni tjetër kombëtar. Sipas arsyetimeve të Komisionit të ngritur për kremtimet e 25 vjetorit të vetqeverimit, “… hymni i sotëm i flamurit kombëtar asht fjalë për fjalë përkëthimi i një marshi rumun dhe gjithashtu melodija e tij asht nji kopjim i plotë i muzikës rumune”[15].

    Duke e konsideruar ekzistencën e këtij himni “… si një cen për ndërgjegjen kombëtare dhe për sedrën t`onë atdhetare”, komisioni i përbërë nga Zj. Parashqevi Kyrias, Mati Logoreci, Kol Rodhe, Telki Selenica, Sotir Papakristo, Karl Gurakuqi, Zoi Xoxa, Lasgush Poradeci, Qemal Butka dhe Odhise Paskali në mbledhjen e dates 05. 03. 1937 vendosën hartimin e një himni tjetër me frymë thjesht shqiptare. Ky komision ngriti edhe një komison-juri, e cila do të vendoste për caktimin e krijimit artistik i cili do të ishte himni i ri kombëtar. Komisioni përbëhej nga At Gjergj Fishta, Mid`hat Frashëri dhe Konstantin Cipo. Për hir të së vërtetës, Mid`hat Frashëri bën dorëheqjen nga kjo Juri, dorëheqje e bërë e ditur publikisht me letrën e tij të dt.26. 07. 1937. drejtuar Komisionit qëndror të kremtimeve të vetqeverimit. Nga 76 krijime, juria e përbërë nga At Gjergj Fishta dhe Kostaq Cipo shpallën fitues himnin e krijuar nga Beqir Çela[16]., i cili mbante pseudonimin “Osoja i Ri”.


    O Flamur, yll i lirisë,
    Valëvit me plot shkëlqim;
    E prej qiellit t`Shqipërisë
    Të dëgjohet në amëshim

    Foto 4- “Faksimile e librit kushtuar krijimeve për teksin e Himnit Kombëtar, Tiranë 1937”

    Fakt është se ky konkurs për poezinë e himnit nuk u pasua edhe nga një tjetër konkurs i cili do t`i kushtohej muzikës së tij. Për këtë arsye, duke mbetur vetëm një tekst, kjo poezi nuk pati popullaritet dhe si e tillë u fshi nga qarkullimi, megjithëse pjesëmarrësit dhe krijimet e këtij konkursi u botuan në shtypin e kohës. Për variacion të temës së njohur të flamurit, edhe konkursi në fjalë u quajt “Tekstet për konkursin e Hymnit të Flamurit”. Më pas kemi edhe një konkurs për melodinë e himnit kombëtar. Në konkurs u shpall fitues një kompozitor italian mjaft i njohur, por edhe për këtë nuk pati një vendim zyrtar të metëjshëm për ta zyrtarizuar si himnin tonë kombëtar.

    Krijime artistike mbi këtë temë, të konsideruara në vetvete të pavaruara (por me titullin “Hymni Mbretnor”), kemi të realizuar me vargje të Loni Logorecit dhe “muzikuar si e këndon Spiridon T. Ilo” në tonalitetin Fa +. Ky variant është botuar edhe me nota (facsimile e partiturës) dhe hapet me strofën:

    Ardhi koha e bekuar
    Për Shqipëri të lëftojmë
    Mbretin tonë ta nderojmë
    Dhe të vdesim të gëzuar

    Në kopertinë të këtij botimi krahas titullit “Hymni Mbretnor”, gjejmë edhe foton e tenorit të shquar arbëresh Giuseppe Mauro dhe shënimin “… kënduar prej të dëgjuarit tenorit shqipëtar Zotit Giuseppe Mauro”.

    Shembulli muzikor nr. 3-“Faksimile e melodise dhe tekstit të Himnit mbretëror”

    Në këtë kohë, një përpjekje tjetër për të ndryshuar himnin ekzistues të flaumurit, u bë edhe nga ana e kompozitorit Thoma Nasi dhe poetit Kristo Floqi. Në ndryshim nga sa më sipër, këta dy autorë e ruajtën të paprekur linjën melodike të “Himnit të Flamurit”, por synuan ndryshimin e vargjeve të tij. Me këtë rast, kompozitori Thoma Nasi realizoi të parin klavir të himnit tonë kombëtar së bashku me harmonizimin përkatës

    Shembulli muzikor nr. 4- “Faksimile e klavirit të himnit të flamurit”
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609
    Pas pushtimit , në vitet 1942-43, në malet e Shqipërisë partizanja Dhora Leka krijoi himnin e ushtrisë çlirimtare, himn i cili njihet edhe sot zyrtarisht si himni i ushtrisë sonë, kjo krahas shumë himneve të brigadave partizane apo formacioneve të tjera luftarake etj.

    Pas çlirimit të vendit më 29 Nëndor 1944, rreth fundit të vitit 1945-fillimit të 1946, u organizua konkursi i parë shtetëror për himn kombëtar. Krahas shumë krijimeve të paraqitura, si krijimi më i mirë u shpall “Himni i Shqipërisë së re”, me poezi të Skënder Luarasit dhe muzikë të Kristo Konos, rezultat që u bë i ditur me shpalljen e Shqipërisë republikë më 11 Janar 1946. Koha tregoi se edhe ky krijim artistik nuk u ligjerua që të zëvendësonte himnin ekzistues për arsye nga më të ndryshmet, megjithëse “Himni i Shqipërisë së re” (në ndonjë rast edhe me fjelë të tjera), pati interpretime të ndryshme, kryesisht nga kori i ushtrisë. Pas kësaj, përpjekjen tjetër serioze për të shkruar një himn, e kemi në fillim të viteve ’70. Nga Këshilli i ministrave të asaj kohe, në bashkëpunim me ministrinë e arsimit dhe kulturës si dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë u shpall një konkurs për “Himnin e Republikës”. Në këtë konkurs morën pjesë ajka e krijuesve tanë, ndër ta Çesk Zadeja, Ismail Kadare, Tish Daija, Fatos Arapi, Nikolla Zoraqi, Xhevahir Spahiu, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi, Tasim Hoshafi etj. Sipas ish sekretar të lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, studiueses dhe kritikes së muzikës zj. Hamide Stringa konkursi pati një organizim shumë serioz si nga ana e krijuesve ashtu edhe nga organizatorët. Më kujtohet se kemi bërë shumë takime për të parë materialet dhe për t’i seleksionuar. Pas seleksionimit u arrit në dy variante. Në himnin e krijuar nga Çesk Zadeja dhe në atë të Nikolla Zoraqit me poezi të Fatos Arapit të titulluar “E lirë u ngrit toka jonë”. Pati mendime që të njihej si himn edhe kënga e Pjetër Gacit “Për ty atdhe”.

    Historia e himneve vazhdon edhe më tej, por gjithësesi pa sjellë ndonjë rezultat i cili të ndikonte në ndryshimin e himnit tonë kombëtar. Në të gjithë këtë histori të himneve të tjera, ajo ç’ka duhet thënë është e lidhur me faktin se asnjë vendim nga cilido forum artistik apo shtetëror, nuk ka ndikuar në zëvendësimin apo ndryshimin e himnit ekzistues të flamurit, për arsyen e thjeshtë, se himni është ngulitur thellë me rëndësinë, peshën dhe domethënien e tij në memorien kolektive të shqiptarëve. Ndoshta gjithë ç’ka thamë më sipër mund të jenë një argument i mjaftë për të kuptuar, se pse kanë “dështuar” përpjekjet për të ribërë në himn të ri të Shqipërisë. Kjo nuk do të thotë se s’do të ketë përpjekje të tjera, por mendoj se mbrapa tyre, edhe sikur himni “Rreth flamurit të përbashkuar” të mos njihet më si himn zyrtar, shqiptarët kudo që të jenë do të vazhdojnë përsëri të këndojnë thjesht këngën “Rreth flamurit të përbashkuar”.


    Së fundi

    Ajo që duhet ritheksuar është fakti se ndryshe dhe si në asnjë himn tjetër të botës, himni ynë ekzistues është një me flamurin tonë kombëtar. Ky binom shprehet që në titullin e poezisë së himnit “Betimi mi flamur”, që siç e përsëritëm është një akt e fakt etnikërisht shqiptar. Nisur nga ky vështrim, himni është edhe kënga e flamurit dhe njëkohësisht edhe kënga jonë zyrtare. Për veçoritë e popullit tonë, popull i ndarë në katër shtete, faktor i bashkimit kombëtar, faktor i “prishjes” së kufijve artificialë, faktor i unifikimit etj, ka qënë edhe flamuri dhe himni ynë i njëjtë. Për sa më sipër, e udhës do të ishte që të presim kohë më të qeta, kohë gjakftohta të cilat do të na ndihmojnë që të rishikojmë të gjithë së bashku, me qetësinë dhe maturinë e duhur gjërat të cilat mund të ishin bërë ndryshe, ku një ndër gjërat mbase do të ishte edhe himni. Deri atëhere, himni i vërtetë i shqiptarëve apo “Avazi ynë kombëtar”, siç shprehet Konica do të jetë ai që do të njihet, do të këndohet dhe do të respektohet nga të gjithë shqiptarët, ashtu siç është shkruar në nenin 14, pika 4 të Kushtetutës: Himni Kombëtar është “Rreth flamurit të përbashkuar”.


    Tiranë 2000-2003


    --------------------------------------------------------------------------------

    [1] World anthems. RCA Victor 09026-61344-2, p1992. English Chamber Orchestra ; Donald Fraser, conductor. CONTENTS: Marcha real (Spain) -- Advance Australia fair (Australia) -- Jeszcze Polska (Poland) -- Patria amada, Brasil! (Brazil) -- Kong Christian (Denmark) -- Ee Mungu nguvu ye tu = Oh God of all creation (Kenya) -- O! Canada (Canada) -- God save the Queen (Great Britain) -- Ch'i Lai! = Arise! (China) -- La brabanconne (Belgium) -- Maamme Laulu = Our land (Finland & Estonia) -- Isten aldd meg a Magyart = God bless the Hungarians (Hungary) -- Ja, vi elsker dette landet (Norway) -- Einigkeit und Recht und Freiheit (Germany) -- Kde Domov Muj? = Where is my home? (Czechoslovakia) -- The star spangled banner (United States) -- Segnorees apo tin kopsi = I shall always recognize you (Greece)-- Wilhelmus van Nassouwe (The Netherlands) -- The peaceful reign (Japan) -- Hatikvah = The hope (Israel) -- Walla zaman 'algunud = Hail, gallant troops (Egypt) -- La marseillaise (France) -- Sean eternos los laurales (Argentina) -- Due gamla, du fria (Sweden) -- Mexicanos al grito de guerra (Mexico) --Ethiopia (instrumental) -- Land der Berge (Austria) -- Lietuva (Lithuania) -- Inno di mameli (Italy) Compact Disc CX2505

    [2] Lasgush Poradeci, “Vepra”, Tiranë 1990, fq. 356-373. Botuar fillimisht në gazetën “Tomorri” në vitin 1942.

    [3] “The Guinnes Book of Music”[3], Great Britain, 1981, fq. 189.

    [4] Shiko dhe Bardhosh Gaçe, “Flamuri dhe Ismail Qemali”, Tiranë 1997.

    [5] Marrë nga Asdreni, “Poezi”, Tiranë, 1972, fq. 18-19. The National Anthem
    United around the flag,
    With one desire and one goal,
    Let us pledge our word of honor
    To fight for our salvation
    Only he who is a born traitor
    Averts from the struggle.
    He who is brave is not daunted,
    But falls - a martyr to the cause.
    With arms in hand we shall remain,
    To guard our fatherland round about.
    Our rights we will not bequeath,
    Enemies have no place here.

    For the Lord Himself has said,
    That nations vanish from the earth,
    But Albania shall live on,
    Because for her, it is for her that we fight.
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Për një Himn të ri Kombëtar

    • Eno Koço

    Në vitin që sapo lamë, 2008, u debatua ndër televizione e u shkrua së shumti për Himnin Kombëtar me që ishte 100-vjetori i ardhjes së tij në Shqipëri. Secili jepte mendimin e tij për vlerat e himnit. Pati dhe rezerva midis folësve, pasi sipas tyre, me të drejtë, evidentohej fakti se himni ishte kompozuar nga një autor i huaj dhe vargjet ishin po ashtu adoptuar nga një vjershë e huaj, të dyja këto rumune. Pra, është folur a shkruar duke analizuar vetëm vargjet dhe muzikën. Për këndimin e tij, apo për mënyrën si transmetohet nga zërat e njerëzve, pothuajse nuk është folur e shkruar kurrë. Ky komponent, transmetimi nëpërmjet këndimit, është thelbësor, është kolona e tretë që mban më këmbë ngrehinën e himnit, apo të çdo pjese muzikore. Fjalët dhe muzika do të ishin të vdekura pa interpretimin e tyre. Është pikërisht natyrshmëria me të cilën do të duhej të përcillej himni që dëshiroj të ngre në këtë shkrim. Por më parë, pak më tepër histori do të nevojitet, sepse për komponentët e tjerë, fjalët dhe muzikën, të cilët janë padyshim po aq të rëndësishëm sa dhe interpretimi, por që janë dhe më të kapshëm e më konkretë për këdo, prandaj dhe kanë bërë të ketë pasur kaq shumë diskutime rreth tyre.
    Që nga koha kur himni u soll për herë të parë në Shqipëri 100 vjet të shkuara, pra më 1908. Duke qenë se ai ishte i huaj, janë bërë përpjekje për të krijuar himne të tjerë kombëtarë, me muzikë e fjalë nga krijues shqiptarë. Dëshira vërtet sublime, por që për rrethana të caktuara nuk janë çuar dot deri në fund. Është thënë dhe vazhdon të thuhet që himni ekzistues i ka rezistuar më së miri kohës, kështu që e ka fituar legjitimitetin e vet. Kjo është shumë e vërtetë. Është lënë të kuptohet që krijimet e tjera gjatë këtyre 100 vjetëve, si në gjysmën e parë të shek. XX, ashtu dhe në gjysmën e dytë të po të njëjtit shekull, nuk kanë qenë më të mira se sa himni ekzistues, prandaj dhe nuk i kanë plotësuar kushtet për ta zëvendësuar atë. E marr me shumë rezervë këtë fakt. Kam bindjen se ka qenë më tepër paaftësia për ta çuar deri në fund nismën, mbase dhe për shkaqe subjektive, siç na ndodh shpesh mosrënia në ujdi edhe për çështje të rëndësie të veçantë. Kështu, më mirë me atë të huajin se sa me ndonjë tonin që do t’i gjendej patjetër ndonjë kleçkë si dialekti, etniciteti, fryma që e karakterizon, shtrirja krahinore, intonacionet e melodisë, pulsi ritmik, deri tek prirjet fetare e të tjera, si e si për të mos rënë në një mendje për të pasur një himn tonin.
    Himni ekzistues është i bukur, shumë i bukur. Ai përçon solemnitet e dinjitet, prandaj dhe i ka rezistuar bindshëm kohës. Jemi mësuar me të dhe breza të tërë shqiptarësh e kanë njësuar me identitetin e tyre kombëtar. Megjithatë, duhet thënë se ai është dhe mjaft i vështirë për t’u kënduar mirë. Kjo sepse kur u kompozua, ai nuk u mendua për të qenë himn masiv i shqiptarëve. Atë e solli koha dhe nevoja në Shqipëri. Fjalët dhe muzika e tij ishin krijuar nga rumunët Andrei Bârseanu (1858-1922) dhe Ciprian Porumbescu (1853-1883) për tjetër qëllim, më saktë, kushtuar Bashkimit të Principatave Rumune në vitet ’50 të shekullit XIX dhe himni përmbante një karakter të thellë patriotik rumun. Ky himn edhe sot vazhdon të këndohet si i tillë dhe të transmetohet në radio e televizione në Rumani. Madje, rumunët mburren, në kuptimin e mirë të fjalës, për faktin që një muzikë dhe vjershë patriotike e tyre është bërë himn kombëtar i një shteti tjetër.
    Ishte pikërisht ky përçim i tij që i dha hov shpërthimit të ndjenjave kombëtare përmes këngës. Në traditën e këngëve korçare, si dhe të shqiptarëve të Rumanisë që e trashëguan këtë traditë, këngët në grup shprehnin ndjesi të natyrave të ndryshme, ku vend tepër të rëndësishëm zinin nocionet e bashkimit, protestës, mobilizimit e kushtrimit, me fjalë të tjera, ndjenjave patriotike. Janë pikërisht këto këngë, apo më mirë është interpretimi i këtyre këngëve, që çuan në atë që do të merrnin emrin si këngë karakteristike korçare, por që sot në mënyrë të vazhdueshme, thjesht nga naiviteti e mosnjohja, i ngatërrojnë me serenatat korçare. Adaptimi i melodive të huaja për nevojat shpirtërore të korçarëve, ishte një tipar karakteristik sa i qytetit, aq sa edhe ballkanik e mesdhetar. Pikërisht, pjesë e këtij frymëzimi në grup i të kënduarit, pa çka se nga ç’vend huazohej melodia, ishte dhe përshtatja që iu bë në Bukuresht këngës patriotike “Pe-al nostru steag e scris Unire” (“Rreth flamurit të përbashkuar”). Rrethanat e krijimit të këtij himni i ka shpjeguar më së miri poeti ynë i vlertë, Lasgush Poradeci. Por si poet që ishte, edhe ndonjë rrethanë të formimit të himnit e ka shpjeguar në mënyrë krijuese. Në fakt, fjalët me frymë patriotike të këngës u krijuan krejt spontanisht, në rrugë, duke marshuar nëpër rrugën Calea Victoriei të Bukureshtit pas një mbledhjeje të shqiptarëve. Ishin fjalë të shpërndara, pa shumë lidhje, por tërë vrull dhe patos. Të frymëzuar nga ky spontanitet krijues i fjalëve, shqiptarët i kërkuan Asdrenit që ky t’i kthente ato në vargje të mirëfillta. Ai e pa të udhës t’i referohej ndjenjave patriotike dhe fjalëve të Bârseanu-t, duke i përshtatur ato mjeshtërisht në shqip. Rrëfimin mbi zanafillën spontane të himnit ma ka thënë gojarisht Dhimitër Kristesku, nga Drenova, bashkëkohës i Asdrenit, që jetoi në Rumani dhe që u ndodh midis grumbullit të njerëzve që marshonin në Calea Victoriei. Gjithnjë sipas Lasgushit, “himni arriti të bëhej kësisoj Himni Kombëtar i Kolonisë së Bukureshtit, që përfaqësonte Shqipërinë në atë vend mërgimi aq të djegur për atdhe, duke u bërë zakon të këndohet rregullisht përpara dhe pas çdo ushtrimi të korit”.
    Vargjet e Bârseanu-t, përshtatur nga Asdreni, i shkonin më së miri frymës patriotike që kalonte Ballkani aso kohe, më konkretisht Rumania dhe më pas Shqipëria, ndërsa muzika ishte kompozuar më 1880, kur Porumbescu studionte aso kohe në Vjenë në Konservatorium für Musik und darstellende Kunst, madje dhe u këndua atje si pjesë e programit të mbarimit të studimeve të tij më 1881. Dihet që himni me nota muzikore dhe fjalë u soll në Korçë nga Bukureshti më 1908 (ndoshta dhe më 1909!) nga emisarët atdhetarë ishin Tashko Ilo dhe Hilë Mosi. Lasgushi e përshkruan me ndjeshmëri të lartë këtë moment misionar. Kur në prag të Pavarësisë lindi nevoja për një himn kombëtar, kjo muzikë u përhap në Shqipëri me një shpejtësi të madhe. Kori i Korçës e këndoi himnin në shpalljen e Pavarësisë, në nëntor të 1912. Kush do ta mendonte që një ditë kjo muzikë dhe ato fjalë do të ktheheshin në simbolin kombëtar të shqiptarëve dhe do të jetonin jo pak, por njëqind vjet. Himni u shpërnda gojarisht në popull. Me një fjalë, ishte të kënduarit që përçoi fillimisht, pastaj u botua si vjershë në gazetën “Liri e Shqipërisë” të Sofjes më 1912 dhe më pas në të njëjtin vit në Bukuresht, në vëllimin e Asdrenit, “Ëndra e lotë”.
    Himni u transmetua tek njerëzit jo nëpërmjet procesit të mendimit abstrakt, domethënë i porositur apo gjykuar për të qenë një himn kombëtar i shqiptarëve, edhe pse ishte krijuar si himn patriotik. Ai u përcoll në popull përmjet një procesi dinamik, për të përçuar energji dhe forcë, por dhe solemnitet, për të shprehur ndjenja patriotike, për të lëvizur nga një vend në tjetrin, për t’u adaptuar sipas kërkesave të rrethanave ku ai përdorej. Ai u regjistrua disa herë në disqe duke nisur që nga i pari i kënduar në duet nga arbëreshi Guisepe Mauro dhe muzikanti e poeti nga Korça, Spiridhon Ilo dhe prodhuar nga ky i fundit më 1918 dhe 1923 në ShBA. Por himni që u këndua në krye të herës në një nga sallat e provave të korit të Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, më pas do të përhapej në rrugë e sheshe, e më vonë i sjellë në Shqipëri do të përvetësohej nga grupe më të mëdha njerëzish. Në traditën tonë muzikore kemi këngë që ashtu si himni ynë ekzistues kanë lindur në momente vendimtare të historisë së Shqipërisë, të cilat kanë të njëjtën moshë të himnit ekzistues kombëtar dhe që shumë shpesh kanë luajtur rolin e një himni të vërtetë kombëtar. Ndryshe nga himni i Porumbescu-t, këngët masive korçare, që morën emrin patriotike, shpeshherë të dala nga buzët dhe shpirti i luftëtarëve të lirisë të çetave kryengritëse, ishin më të lehta për t’u kënduar dhe u fiksuan në memorien e popullit më mirë e më shpejtë se sa himni që do të bëhej më vonë kombëtar. Ato ishin më të shtruara, më të thjeshta, më të ngrohta, jo akademike, me një shtrirje zëri për të gjithë. Mjafton të përmend njërën prej tyre, “Për Mëmëdhenë”. Ka një shtrirje prej vetëm tetë notash (si shumica e himneve në botë), me intervale të afërt e të rrjedhshme që mund t’i këndojë çdo njeri, ka ngrohtësinë e përzemërsinë, ka dhe dinamizmin dhe pulsin e marshit në refren, ka fjalë kushtrimi thurur maleve të Shqipërisë si dhe evokon ndjesi të mirëfillta vendase. Megjithatë, kjo këngë nuk u bë dot kurrë himn, edhe pse teksti dhe muzika e mbanin peshën e himnit, aq më tepër të bëra prej një patrioti shqiptar, kryengritës, por dhe i lëçitur, siç ishte Mihal Gramano.
    Përmenda më sipër që himni ekzistues kombëtar nuk është i lehtë për t’u kënduar mirë. E them me bindje këtë. Për këngëtarët profesionistë ai nuk paraqet vështirësi, por për masën e gjerë të njerëzve, nxënësit e shkollave, grupet entuziaste nëpër ceremoni të ndryshme e stadiume, e gjejnë jo të lehtë këndimin e tij, thjesht sepse ka shtrirje shumë të madhe vokale (13 nota) dhe që në fillim të tij ka intervale jo të lehta për t’u intonuar siç duhet nga njerëzit e zakonshëm. Në gjysmën e dytë të himnit, regjistri i të kënduarit shkon aq lartë sa kur i shikon fytyrat e njerëzve se si skuqen (shpesh edhe njerëz me dinjitet) dhe aq më tepër kur dëgjon zërat e tyre që shkojnë deri gjysmë toni poshtë, që edhe për një që, siç thuhet, nuk ka vesh për muzikë, e dallon që diçka nuk shkon, që diçka nuk është në rregull. Sigurisht, mund të bësh edhe sikur këndon për të ruajtur solemnitetin, por ndjesia për himnin nuk është e dalë nga shpirti yt.
    Mendoj se çështja në se duhet të kemi një himn të ri, të këndueshëm nga të gjithë, do të duhet të shqyrtohet në rang akademik e jo të mjaftohet vetëm me debate televizive. Sot kemi kompozitorë që mund të përmbushin më së miri krijimin e një himni të ri kombëtar. Përpjekje për një himn të ri shqiptar janë bërë që në dhjetëvjeçarin e parë pas Pavarësisë, më 1922, dhe më pas përsëri më 1937 për tekstin e tij. Pas Luftës, më 1946 u shpallën dhe fituesit për një himn të ri kombëtar dhe në fillim të viteve 1970 u shpallën të tjerë finalistë për muzikën. Pra, 50 vjet përpjekje të vazhdueshme për të patur një himn të ri shqiptar, rezultuan të pa suksesshme. Në këto 40 vjetët e fundit shteruan edhe ato përpjekje që ishin bërë më parë si për të përligjur përfundimisht paaftësinë. Arsyetimet për këto mos realizime mund të jenë të ndryshme, por në vështrimin tim këto kanë qenë të gjitha dështime më tepër se sa përfundime që nuk u gjet himni i duhur. Himni ekzistues na u soll i gatshëm nga jashtë, me fjalë dhe muzikë, dhe pas 100 vjetësh ne nuk arritëm të bëjmë një tonin që të këndohet nga të gjithë por dhe që të mburremi që është i yni. Ai respekt i madh që kemi për të huajin dhe shpesh ajo mos konsideratë për atë të vendit, është reflektuar edhe në fushën e himnit. Madje, duhet thënë se himni ekzistues në vitet e pas-Luftës nisi të paraqitet apo harmonizohet ndryshe dhe të pësoj edhe ndonjë ndryshim arbitrar melodik, ndërsa në variantet e para-Luftës i kanë qëndruar më besnik muzikës origjinale të Porumbescu-t. Mjafton te futesh sot në internet e të dëgjosh variantin origjinal, kënduar në rumanisht dhe ekzekutuar nga një seri ansamblesh rumune, veçanërisht nga një variant shumë i bukur i korit të ushtrisë rumune, do të bindemi se diçka duhet bërë për të pasur edhe neve një himn tonin.
    Kuptohet, ky sugjerim i imi për të vazhduar përpjekjet për të pasur himnin kombëtar, të shkruar e kompozuar nga autorë shqiptarë, është disi i ndjeshëm për shumë nga ata që do ta quanin të pa drejtë një ndërmarrje të tillë. Mendoj që përpjekjet janë gjithmonë të mira aq më tepër për një mision kaq madhor sa himni i vendit tënd. Janë përpjekje që kanë filluar që më 1922 dhe janë pasuar në regjime e qeveria shqiptare të disa spektrave politikë. Vërtet të jemi sot në një stad më të ulët ndërgjegjësimi për të bërë një analizë të thellë të kësaj çështjeje?

Tema të Ngjashme

  1. Origjina e Himnit te Flamurit
    Nga Albo në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 39
    Postimi i Fundit: 22-12-2021, 11:51
  2. KF Elbasani, "TIGRAT VERDH E BLU"
    Nga ClaY_MorE në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 479
    Postimi i Fundit: 04-10-2008, 00:26
  3. Identiteti Kombëtar dhe Gjuha Standarde
    Nga [A-SHKODRANI] në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 16-04-2006, 12:01
  4. Historia ndryshe
    Nga karaburuni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 43
    Postimi i Fundit: 01-07-2005, 09:53
  5. Abaz Ermenji
    Nga Eni në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 12-03-2003, 14:11

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •