NGA BBC
--------
Hamasi zgjedh udhëheqës të ri
Rantisi u vu në krye të Hamasit pas vdekjes së sheikut Jasin
Hamasi ka zgjedhur një udhëheqës të ri, emri i të cilit do të mbahet anonim që ai të mos pësojë fatin e dy udhëheqësve të tjerë të Hamasit.
Abdel Aziz Rantisi, udhëheqësi i Hamasit për Gazën u vra në një sulm ajror izraelit, të shtunën në mbrëmje, ndërsa po shkonte me makinë në shtëpi, në rrethinat veriore të Gazës.
Një helikopter izraelit qëlloi makinën me raketa duke vrarë dy rojet e tij të sigurisë dhe duke plagosur të tjerët, duke përfshirë edhe udhëheqësin e Hamasit. Ai vdiq pas pak në spital.
Izraeli ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin duke e përshkruar zotin Rantisi si koka pas sulmeve terroriste. Por për palestinezët ai ishte një figurë politike që respektohej gjerë, një person që artikulonte luftën e tyre.
Ai ishte një nga bashkëthemeluesit e Hamasit së bashku me sheikun Ahmed Jasin, i cili vetë u vra muajin e kaluar.
Tani fokusi eshte kthyer në përgjigjen e Hamasit. Organizata është betuar se do të hakmerret, por këto betime u bënë edhe pas vdekjes së sheikut Ahmed Jasin, ndërkohë që ende nuk është ndërmarrë asgjë e rëndësishme.
Por mbrëmë natën, përkrahësit e Hamasit gjithashtu thanë se ky sulm i ka bërë ata më të vendosur.
Krijoni Kontakt