Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 6
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e ChuChu
    Anëtarësuar
    03-06-2002
    Vendndodhja
    nyc
    Postime
    3,400

    Marie Thérèse Marchal, zonja franceze që ka braktisur Parisin për Tiranën

    Ka krijuar një botë kënaqësish të ëmbla franceze në Tiranë dhe një biznes të suksesshëm. Prej 14 vjetësh në Tiranë, Marie Marchal është gruaja e njohur nga të gjithë në lagjen e ish-Bllokut për ëmbëlsirat e saj franceze

    Nga Belina Budini - SPEKTRI

    E mbështjellë me aromën e brioshit të ngrohtë dhe çajit mente, rrethuar nga dhjetëra detaje “country”, tufëza të thata elbi e aksesorë prej druri, e ndjekur nga një fëshfërimë elegante museline franceze, me një theks të dashur shqipje pariziene, Marie Thérèse Marchal është gruaja që ka sjellë këtë botë të ëmbël “à la parisienne” në Tiranë. Por përtej fëshfërimës prej museline franceze, parfumit të ëmbël parizien që ka sjellë në Tiranë, Marie e ka brendësuar tashmë Tiranën dhe Shqipërinë. Me një pasaportë shqiptare në xhep, një shqipe për t’u pasur zili, një shtëpi në zonën e ish-Bllokut dhe një sallon çaji e pastiçeri po aty, plot miq shqiptarë e një jetë të re në Tiranë, kjo madamë franceze ka përse të thotë: “E dua Shqipërinë”. Në fakt, e përsërit dendur: “Tirana pour toujours (përgjithnjë Tirana)”. Kjo do të thotë se ka vendosur ta braktisë përgjithnjë Parisin për Tiranën. Një në miliona parizienë e bën këtë: Marie Thérèse Marchal, 55 vjeç, e martuar dhe nënë e pesë fëmijëve. Në Shqipëri qysh prej 14 vjetësh, Marie nuk është thjesht një grua “e ëmbël”. Dy herë kandidate për deputete, kripa e saj është politika. Inxhiniere ndërtimi me profesion, ajo kërkon të arrijë të bëjë diçka më shumë për qytetin e saj, Tiranën, sesa ta ëmbëlsojë atë me pasta franceze. Dhe ka disa ide se si mund ta arrijë këtë. Por më parë kërkon votën e bashkëqytetarëve të saj. A do t’ia japin? Dy herë jo. “E treta e vërteta”, - thotë Marie, e cila ka vendosur ta hedhë edhe një herë tjetër, për të tretën dhe të fundit herë, kandidaturën për deputete në një zonë të Tiranës. Po kush është kjo zonjë pariziene, që ka lënë bulevardet e Parisit për rrugët tërë pluhur e baltë të Tiranës? Kryeqytetasit njohin buzëqeshjen e saj të madhe dhe përshëndetjen “Mihdita!” ndërsa hyjnë në dyqan për të blerë apo për të ngrënë diçka, por nuk dinë më shumë për këtë zonjë franceze. E sheh nxitimthi të kalojë mes tavolinave, nga kuzhina te banaku duke folur herë frëngjisht e herë shqip, ndërsa gjithë mania e saj është detaji dhe kujdeset që çdo gjë të jetë e përkryer deri në detaj, ashtu si edhe look-u i saj, i fokusuar në detajin e një këpuce të lidhur me fjongo elegante tek nyelli i këmbës. Ndërsa ka vënë çdo gjë në rregull dhe u ka dhënë fund porosive, ndalet një hop në një tavolinë të qetë në një “endroit non fumateur” të pastiçerisë, të tregojë për “Spektër” aventurën e saj shqiptare.

    “Bienvenue në ishullin francez të Tiranës!”
    Prekja franceze shquhet gjithkund në këtë ambient të ëmbël. Është prekja e zonjës së kësaj ëmbëltoreje, dora dhe imagjinata e Marie Marchal. Arredimi dhe dekoracioni është pika e saj e fortë. Ambienti është i rëndësishëm për të, shumë i rëndësishëm. Që nga detaji i një Tour Eiffel të metaltë në hyrje të pastiçerisë deri në nuancën e dritës së abazhurit mbi tavolinën e fundit aty. Njohëse e dhjetëra qindrave recetave ëmbëlsirash, po kaq i rëndësishëm është për Marie edhe detaji i një bajameje apo një luleshtrydheje si dekoracion në një tortë të thjeshtë. Që ishulli i saj francez të jetë një eldorado i vogël i Tiranës. Ka arritur ta shndërrojë vërtet Pastiçerinë e saj në një ishull kënaqësish të vogla. Pret e përcjell aty si një zonjë shtëpie miq e klientë dhe ata janë kaq të shumtë sa ka menduar të hapë një shtëpi tjetër për ta. Në fakt do të jetë një taracë franceze me karrike tipike nga ato që përdoren në taracat e lokaleve në Francë, por me shumë kombinime shqiptare, pemë frutash e lule të Tiranës. Marie është e mbërthyer nga entuziazmi i krijimit të kësaj bote të re natyrale dhe pjesën më të madhe të këtyre ditëve e kalon duke u marrë me ambientin e ri. Ka në krah edhe bashkëshortin e saj, Pierre, i cili megjithëse nuk është kaq entuziast sa Marie për jetën në Tiranë (dhe siç thotë Marie nuk mund të rrijë më gjatë se një muaj në Tiranë pa shkuar në Paris), e mbështet atë në projektet e saj të biznesit. Megjithëse ambicia më e fortë e Marie-së në Shqipëri nuk është biznesi, por politika, ajo është duke shijuar kënaqësitë e një biznesi të suksesshëm. Një çift shqiptar janë miqtë e ngushtë të Marie-së dhe ata që e kanë ndihmuar për të filluar këtë biznes. Ata janë prapaskena e qëndrimit të Marie-së në Tiranë, mbështetja e saj në kuzhinë dhe në administrimin e pastiçerisë. Gjithë çfarë mbetet tjetër është dora e saj. Ajo vetë nuk është pastiçere, megjithëse njeh përmendësh një mori receta ëmbëlsirash. Herë pas here sjell ndonjë pastiçer francez për t’u mësuar punonjësve të saj artin e të gatuarit ëmbëlsira franceze. Dhe janë pikërisht shqiptarët që i gatuajnë ato për klientët e Marie-së. Pazarin ajo shpesh e bën vetë. Jo në supermarkete, por në Pazarin e Ri. Aty i zgjedh luleshtrydhet, stafidhet, bajamet, arrat e frutat e thata sipas kritereve të formës e cilësisë. Pastaj gjithë historia zhvillohet në kuzhinë, prej nga dalin kënaqësitë e ëmbla franceze…

    Dita e një zonje franceze në Tiranë
    Dita e saj është e mbushur nga mëngjesi në darkë vetëm me punën dhe nuk çlodhet veçse një herë në 2-3 muaj. Ora 7 e 30 e mëngjesit e gjen aty në sallonin e çajit, edhe dreka. Një pushim i shkurtër dhe deri në 10 e 30 vazhdon të jetë në punë. Ky është cikli i ditëve të francezes sonë në Tiranë ose më saktë në pastiçerinë dhe sallonin e saj të çajit. Një herë në dy-tre muaj shkon të vizitojë Parisin dhe ky qëndrim nuk zgjat pothuajse asnjëherë më shumë se 10 ditë, për t’u kthyer rishtas në qytetin e saj të ri. Një ose dy seanca masazh në javë tek një institut bukurie, çdo mëngjes nga 30 minuta gjimnastikë në shtëpi dhe “heureuse et contente” (e kënaqur për bukuri). Fundjavave? Asgjë e veçantë. Sidomos relaks dhe ndonjë udhëtim i shkurtër me makinën e saj deri në Durrës. Pushimet? Fatkeqësisht Shqipëria nuk është vendi i saj i pushimeve. Por është vendi i punës, ama. Ajo preferon të pushojë në mal me fëmijët e saj dhe burrin, zakonisht në Alpe. “Ecim pesë-gjashtë orë në këmbë derisa mezi marrim frymë dhe kjo na bën shumë mirë. Zakonisht kjo është forma e pushimeve tona”, - tregon Marie. Kësisoj dita e saj rrotullohet aty në hyrje të ish-Bllokut, ku megjithatë nuk i shpëton Tiranës së zhurmshme e të ndotur dhe smogut. Sigurisht kjo gjë në fillim i bënte përshtypje dhe vazhdon ende ta shqetësojë, por mendon që të bëjë diçka për ta përmirësuar gjendjen në këtë zonë kur të jetë vetë deputete e ish-Bllokut. “Nëse do të jem ndonjëherë”, - nuk harron të thotë. “Plehrat dhe mbeturinat gjithandej në rrugët e qytetit janë një skandal i vërtetë”, - thotë ajo, duke theksuar se pikërisht ato janë sipas saj problemi më i madh që ka qyteti. “Kjo pamje e qytetit e mbushur me plehra ia humb dinjitetin Tiranës”, - thotë duke shtuar se duhet të ketë patjetër një mënyrë për ta shpëtuar Tiranën nga plehrat për një jetë më të pastër. “Unë do të doja shumë të bëja diçka në këtë drejtim. Por nga ky pozicion që kam, nuk mund të bëj asgjë. Do të ofroja ndihmën e kompanive franceze me siguri, po të isha në pozicionin e një deputeteje në Shqipëri”, - është e bindur ajo. Betohet se nuk dëshiron të bëhet deputete për post e ofiqe, por se i pëlqen shumë të merret me qytetin ku ka vendosur të jetojë këtej e tutje. Ashtu siç i pëlqen shumë të merret edhe me pastiçerinë e saj. Dhe ndërsa pret të bëhet deputete, pikërisht me atë është e shtrënguar të merret. Gjithçka e ideon vetë aty sipas modeleve franceze me të cilat është mbrujtur.

    Ambicia për t’u zgjedhur deputete
    Në zgjedhjet e ardhshme do të hedhë rishtas kandidaturën për deputete. Pas dy humbjeve të para, pas të cilave nuk ka dalë pa zhgënjime, dëshiron ta provojë edhe një herë të fundit me më shumë siguri. “Ende nuk e kam vendosur nëse do të kandidoj akoma si e pavarur apo do të bashkëpunoj. Por jam e sigurt se me asnjë nga dy ekstremet politike. As me PS, as me PD”, - thotë Marie duke shtuar se megjithatë, edhe nëse humb, nuk bëhet fjalë për t’u larguar nga Shqipëria. “Tashmë unë kam jetën time këtu”, - shprehet ajo. Këtu ka edhe ëndrrën për t’u zgjedhur deputete. Numrin e votave për të propozuar kandidaturën e ka plotësuar gjithnjë. Herën e parë 400 dhe të dytën 300. Nuk e ka aspak të vështirë t’i mbledhë këto vota në pastiçerinë e saj. Do të mjaftonin vetëm pak klientë. Por zhgënjimi i saj më i madh është se herën e fundit kur vendosi kandidaturën numri i votuesve rezultoi më i vogël se numri i firmave që mblodhi që të mund ta hidhte këtë kandidaturë. “Herën e parë, më 1997, hodha kandidaturën në Kavajë në një zonë elektorale aty. Bëra fushatë pasi mblodha 400 firma dhe mora 3% të votave, isha e katërta aty nga 15 subjekte partiake në garë”, - kujton ajo, duke shtuar se njerëzit aty e pritën shumë mirë, megjithëse jetesa e tyre ishte shumë e mjerueshme. Nuk fitoi. “Më thanë që për dy-tri vota mund të kisha fituar, po nejse. S’ka problem”, - shton. Për herë të dytë garoi për deputete në vitin 200. Kësaj radhe në lagjen e ish-Bllokut. Ishte më e vështirë. Nuk arriti të mblidhte më shumë se 100 vota, ndërkohë që vetëm për të vendosur kandidaturën kishte mbledhur 300 firma. “U mërzita shumë, megjithatë kam vendosur të konkurroj edhe një herë të fundit. Mbase do të kem mundësinë të jem deputete e të mund të bëj diçka për qytetin që kam zgjedhur për të jetuar këtej e tutje”.

    Aventura e beftë në Shqipëri
    Nuk është një aventuriere nga ato që preferojnë të jetojnë në vendet e botës së tretë. Madje thotë se më larg se në Shqipëri nuk ka shkuar. Në fillim ka ardhur për punë. Dhe Shqipëria është stacioni i saj më i gjatë i të jetuarit përveç Francës. Ishte 17 maji i vitit 1990 kur erdhi për herë të parë në Shqipëri. Si konsulente për problemin e ujit të pijshëm dhe “pashë që kishte plot për të bërë këtu. Qëndrova dy javë, vizitova disa uzina dhe disa vende të tjera”. U kthye vetëm pas dy muajsh me disa projekte të reja në kokë. “Ndërmjetësoja me kompani franceze për të investuar në Shqipëri. Në fund të vitit 1991 pranoi një kompani dhe unë erdha bashkë me të si konsulente. Vizituam stacione pompash duke bërë analiza dhe kjo zgjati disa vjet. Ndërkohë kontaktoja edhe investitorë të tjerë si për prodhimin e mobilieve, për ekspertizë gjeologjike, për trenat, elektricitetin etj. Kontaktova edhe me Ministrinë e Financave në Paris dhe kur ishim duke konkluduar diçka, ndodhën rrëmujat e 1997-ës. Ndërkohë unë kisha marrë qysh në vitin 1996 pasaportë shqiptare”, - tregon ajo. Po këtë vit organizoi një konferencë në Pallatin e Kongreseve në bashkëpunim me pushtetin lokal për krijimin e vendeve të punës në vend. Por zhvillimi i referendumit dhe ndryshimet në rrjedhën politike të vendit e ndalën edhe këtë iniciativë dhe ajo thotë se mbeti vetëm e pa mbështetje. Kompanitë e huaja u larguan, ndërsa ajo e kaloi në Shqipëri 1997-ën. “Kisha disa ide, si për shembull: të shkoja në Këshillin Evropës dhe nëpërmjet një projekti këta të mund t’ua blinin armët shqiptarëve e ide të tilla. Por nuk kisha fuqinë për t’i propozuar këto projekte. Po të isha deputete, kjo do të kishte qenë shumë më e thjeshtë. Ja, kështu vendosa të bëhem deputete, që të mund të ndryshoja diçka realisht në këtë qytet”, - thotë ajo duke shtuar se kompanitë franceze tashmë i janë larguar Shqipërisë dhe është shumë e vështirë t’i bindësh që të kthehen e të investojnë këtu, sepse humbin kohë dhe para pa arritur asgjë. “Forca ime për t’i sjellë ata në Shqipëri mund të jetë vetëm të qenit deputete”, - përfundon Marie.

    LOOK
    Eleganca, sipas saj, është ajo që secili ka në vetvete. “Ajo veçantia, ai detaji që të dallon nga të tjerët. Dhe shpesh diçka shumë e vogël mjafton për të bërë diferencën. Një shall, një palë këpucë, pa qenë nevoja të shndërrohesh në një “pemë krishtlindjesh” e plotë xhingla”, - thotë duke shtuar se jo gjithçka e blen në Paris. “Edhe këtu ka plot dyqane dhe mund të gjesh gjëra të cilat pastaj sigurisht duhet t’i sajosh vetë me pak fantazi”.

    FAMILJE
    Është një familje e madhe, por në Tiranë në pjesën më të madhe të kohës jeton vetëm. Pierre, bashkëshorti i saj, nuk e ka pasur kaq të lehtë sa ajo ta braktisë Parisin për Tiranën. Ai një pjesë të mirë të kohës e kalon atje. Sigurisht nuk mungon gjatë në Tiranë për t’u kthyer pranë së shoqes. Marie ka pesë fëmijë, disa prej të cilëve të martuar. Përveç njërit prej tyre, të tjerët e kanë vizituar Shqipërinë dhe e kanë miratuar vendimin e mamasë së tyre për të jetuar këtu, ku Marie është e lumtur edhe për klimën mesdhetare e për ambientin social e të hapur të cilin nuk mund ta gjesh më në Francë.

    SHTËPI
    Shtëpia e saj i ngjan një galerie të vogël pikturash e antikash. Në katin e fundit të një pallati të ri, pikërisht në papafingo ajo ka krijuar një mjedis romantik e antik në të njëjtën kohë. Plot prej këtyre antikave janë shqiptare si edhe një pikturë e saj në mur e veshur me dimit mermeri. Një koleksion enësh të vjetra, poçesh prej balte, jelekësh e qëndismash artizanale janë detajet shqiptare të shtëpisë së saj të vogël, por të ngrohtë e të ëmbël po aq sa dyqani i saj.


    @SPEKTRI

  2. #2
    forever hers Maska e Eagle
    Anëtarësuar
    21-07-2002
    Vendndodhja
    boston-temporarly
    Postime
    505
    kuqe me jep cik paswordin e spektrit...
    nuk e duroj dot i-ne pa pike.

  3. #3
    ................
    Anëtarësuar
    19-11-2004
    Postime
    1,110
    Embelsira te mira kishte, vec se disa prej tyre rrijne pambuluar dhe si rezultat behen GUR te forta. Yikes! Jo se e ka fajin Maria por e kane ato cupat qe ka punesuar.

  4. #4
    Argjentinas Maska e ArberXYZ
    Anëtarësuar
    05-05-2005
    Postime
    867
    Beri mire qe erdhi kjo zonja, se na hapi syte. Vjeni nje i huaj ketu edhe ...uuuuuuuuuupppp....personi VIP.

  5. #5
    ................
    Anëtarësuar
    19-11-2004
    Postime
    1,110
    Se te shkosh ne Shqiperi eshte sakrifice (kur je mesuar me kushte te tjera), aq me teper per te huajt. Mgjs te qenit ne Shqiperi qenka bere heroizem keto kohet e fundit.

  6. #6
    Perjashtuar Maska e Prototype
    Anëtarësuar
    10-05-2002
    Postime
    1,450
    E qe thoni ju moj gra lol kam pasur fatin te shkoj i ti provoj embelsirat e saj , jan shume tasty dhe ambjenti eshte shume shik I LOVED IT

Tema të Ngjashme

  1. Tifozat e Super Kampiones TIRONA <3>
    Nga BlueBaron në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 274
    Postimi i Fundit: 15-10-2005, 01:39

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •