Në raportin e fundit UNESCO tërheq vëmendjen për braktisjen e gërmimeve në Butrint. Nga fatura 1.4 milionë euro e palës angleze, asnjë qindarkë për restaurime aty ku prej 10 vjetësh janë bërë gërmime që janë lënë në qiell të hapur. Profesor Richard Hodges, nuk iu përgjigjet pyetjeve për të shpjeguar situatën

Anglezët në Butrint, 10 vjet të çuara dëm


Thoma Nika, Elsa Demo

Nuk është vetëm Butrinti që përshkruajnë gazetat dhe revistat e huaja që nga “Herald Tribune” apo “The Economist”, Butrintit i vizitorëve VIP të kinemasë dhe biznesit, të joshur nga legjenda e Eneas që mbajti frymën në këtë breg pas rënies së Trojës, as vetëm qyteti që i dërguari i Musolinit, mjeshtri arkeolog Luixhi Ugolini nxorri nga kjo minierë vetëm një pjesë të trupit të antikitetit dhe Mesjetës. Në raportin e saj për vitin 2003 UNESCO deklaron se Butrinti tani pas tre vjetësh, që nga koha e marrjes së statusit pasuri e rrezikur, mbetet në rrezik. Ky raport i cili është diskutuar, mes të tjerash, dy ditë më parë në mbledhjen e Bordit të Butrintit është pozitiv në konstatimin e një ish -fenomeni tranzitiv, por të rrezikshëm për qendrën antike: goditja që iu është bërë ndërtimeve pa leje rreth tij. Fshati i Ksamilit që po i afrohet me ndërtime Butrintit, vazhdon të shihet si një rrezik që duhet ndalur, pasi mund të ndikonte negativisht në të ardhmen e gjithë zonës duke ulur edhe numrin e vizitorëve e të pushuesve në Butrint.
Por sipas të dhënave të specialistëve të UNESCO-s që kanë vizituar vitin e kaluar Diaporitin konstatojnë dhe raportojnë se gërmimet e bëra në këtë qendër janë braktisur dhe nuk janë bërë restaurime.
Me sy të lirë mund të shohësh se gërmimet janë bërë në mënyrë, të pakriter, sa cilado ekspeditë që do të vinte, do ta kishte të vështitë të ndiqte rrjedhën e punës.
Tri zona të rëndësishme të Parkut Kombëtar të Butrintit në një masë të madhe të paeksploruara, Pallati i famshëm i Trikonkës, fusha e Vrinës dhe Diaporiti, janë toka ku gërmon misioni arkeologjik anglez, që është prezent në Butrint prej vitit 1993, drejtuar nga profesor Richard Hodges.
Instituti i Monumenteve të Kulturës e Ministria e Kulturës e ka ngritur këtë shqetësim vitin e kaluar, e harroi, dhe vetëm kur tregojnë me gisht ndërkombëtarët atëherë u bindkemi se problemi është vërtet yni.

Gërmo e mos restauro
Kujtojmë se vitin e shkuar problemi i gërmimeve të anglezëve në butrint shkoi deri në marrjen e një vendimi për pezullim e tyre nga dikasteri i kulturës, u bë edhe pjesë e debatit parlamentar dhe ishte një ndër sikletet e kreut të shtetit shqiptar në Londër. Ajo çfarë duket në Pallatin e Trikonkës ku gërmohet prej dhjetë vjetësh, janë shkëputjet e konfiguracioneve të panumërta nga dhomat e mjediset e këtij Pallati. Por njëherësh të sheh syri gurë të rrëzuar e që vazhdojnë të rrëzohen, mure që kanë bërë bark e janë gati në rrënim, sikundër nuk mund të mos vësh re se këputjen e pemëve rreth e rrotull.
Në fushën e Vrinës gërmimet shpesh kanë ndjekur vijën e kanaleve ujitës të hapur dekada më parë, pa i konfiguruar tërësisht objektet flasin vetë për punë të lëna përgjysmë.
Në hapësirën arkeologjike të Diaporitit pamë gjurmët e braktisjes së gërmimeve në kompleksin e banjave, kishës, banesave me dysheme mbuluar me tufa shkurresh. Prej dhjetë vitesh Pallati i Trikokonës, fusha e Vrinës dhe Diaporiti janë kthyer në dëshmi të pakundërshtueshme të një pune të papërgjegjshme dhe shkel e shko të misionit arkeologjik anglez. Gërmimet në këto zona ende nuk kanë përfunduar duke lënë çdo gjë të pambrojtur në qiell të hapur.
Shefi i departamentit të arkeologjisë për qytetin e Sarandës Dhimitër Çondi thotë se edhe mbulojat e mozaikëve të zbuluar në mjediset e Trikonkës janë vënë kohët e fundit, vetëm pas gjurmëve të dëmtimit. Arkeologu pohon se janë 10 vjet gërmime pa kryer asnjë konsolidim. Fatura e misionit anglez duke llogaritur gërmim-restaurim njëherësh, ka vlerën 1.4 milionë euro për çdo vit. Duke argumentuar se më keq se kaq nuk mund të punohej dot, ai i referohet asaj pjese të pallatit të restauruar qysh në vitin 1982 nga prof. Aleksandër Meksi.
Rezultati është që vendet e gërmuara nga anglezët, sot pas vjetësh nuk janë bërë ende të vizitueshme. Gërmime dhe vetëm gërmime, pa përfunduar ciklin e plotë me objektet, të cilat që nga momenti që shohin dritën e diellit, kanë nevojë të restaurohen. Një skandal arkeologjik që dikush duhet t’i thotë “ndal” ose e pakta që mund të bëjë profesor Hodges, si i ftuar të kontribuojë në Butrintit, me paret e qeverisë së tij, të japë shpjegime për situatën dhjetëvjeçare. Nuk e bëri këtë shpjegim as atëherë kur mori ekskluzivitetin e zbulimit të të gurit të famshëm të shahut, duke deklaruar më parë në mediat e huaja me guxim se në Butrint ishte luajtur shah qysh në shek.V e.s, pra shumë më herët nga shpikja e persëve. Asnjë deklaratë, krerët e arkeologjisë në Tiranë, as në atë kohë as sot, as për dhjetë vjet. Sa duhet pritur? Tirana jep vetëm përgjigje kompromisesh të tipit nuk duhet të nxitohemi, duhet të presim sa të kopsitet ky apo ai projekt gërmimesh, duke e pasur davanë të humbur në këtë bashkëpunim, fjalën pa peshë, zërin që s’iu dëgjohet, krejtësisht në hijen e kësaj marrëdhënieje, në vend që të ndihen të barabartë. Ka vërtet një Fondacion të nderuar të quajtur Butrint, por prof.Hodges, drejtor shkencor pranë këtij fondacioni ka refuzuar të përgjigjet për gërmimet e rëndësishme ndërkombëtare, siç do të deklaronte dikur, që do t’i sjellin reputacion të madh Shqipërisë dhe Butrintit.

Hodges refuzon të përgjigjet
Intervistë pa profesor Hodges-in
Duke marrë shkas nga gjendja e gërmimeve dhe nga pamjet që ofrojnë fotot, nga Pallati i Trikonkës, Fusha e Vrinës dhe Diaporiti, i dërguam këto pyetje profesor Richard Hodges, i cili për një javë nuk na ktheu përgjigje për të shpjeguar situatën:

Përse gjatë 10 viteve ekspeditë në Butrint ju kini realizuar vetëm gërmime, pa i shoqëruar ato me restaurimin e objekteve siç e parashikon ligji?

Si e shpjegoni që pas kaq kohësh ende produkti i punës suaj nuk është bërë i vizitueshëm?

Mendoni se kjo është përgjegjësia juaj, apo e partnerëve shqiptarë?

Në sajtin, faqen tuaj zyrtare në internet, pretendohet se ju e kini kthyer Parkun Kombëtar të Butrintit në një qendër të shkëlqyer. Sipas jush pala shqiptare ka ndonjë kontribut në këtë shkëlqim?

Sa janë kujdesur ekspeditat tuaja për ruajtjen e ekuilibrit të ekosistemeve në Butrint?

Në Fushën e Vrinës të bie në sy që mjaft prej gërmimeve tuaja janë bërë duke ndjekur kanalet ekzistues të kullimit, ku “notojnë” fragmente objektesh. Mendoni se ka ardhur kjo për shkak të mosrestaurimit?

Gërmimet në Diaporit japin përshtypjen e punëve të lëna përgjysmë dhe të braktisura. A e njihni dhe e pranoni ju këtë situatë?

Nëse ekspedita juaj ka një faturë financiare 1.4 milionë euro në vit, atëherë si e shpjegoni mungesën e investimeve në Butrint?