Një lanë më e madhe se Lana. Një Lanë po aq e pisët sa Lana ku bezhdilet notojnë ujrave të murme kafe. Një urë si e Lanës e cila si për t’u tallur mban emrin e shenjtit që shpëtoi selanikasit nga serbët, Shën Dhimitrit, me spirale telash me gjëmba, tre autoblinda dhe ushtarë me helmeta mbuluar me cohë lara- lara. Një ushtar nga ato kolonitë franceze Guadeloupe, a Guyane, a Mayotte me dhëmbë të bardhë, më të bardhë se të atij arabit të L' Étranger-it të Camus-it, i cili të sheh drejt e në sy. “Papiers”. Letrat. Pa asnjë katikule, të lutem a zotni. Këto janë përshtypjet që më janë ngulitur më tepër nga Kosova.
Ibër-Lana e ndan Mitrovicën mëdysh. Në një Mitrovicë serbe dhe një Mitrovicë shqiptare.”Po të afrohet 1 shqiptar në urë nga ana tjetër dalin 10 serbë. Po të afrohen 10 shqiptarë nga ana tjetër dalin 100 serbë dhe po u afruan 100 shqiptarë nga ana tjetër dalin gjithë paramilicët e Sheshelit, me Roje të Urës dhe Shqiponja të Bardha bashkë”, thotë shoqëruesi dhe nuk e marr vesh përse këtë e thotë me gjysmë zëri. Rojet e Urës dhe Shqiponjat e Bardha, me xhaketa të zeza lëkure, paguhen nga Beogradi. Poligoni ku stërviten është areali i Knjaz Milloshit. 101 vjet më parë, ekzaktësisht 101 vjet para, Mitrovicën e kishte vizituar “Kralica e Malësorëve”, Mary Edith Durham: "Mitrovica, e vogël, e pastër, e këndshme, gjendet atje ku Fusha e Kosovës nis e fiton lartësi, në vendin ku Sitnica takohet me Ibarin... Numrin e familjeve ortodokse nuk e mësova, por mora vesh se po ndërtojnë me ngut një kishë të madhe. Sidoqoftë shumica e padiskutueshme është mysylmane. Bujtëm në hanin e një vllahu të vogël i cili më tha "Habitem kur ngrihem në mëngjes dhe shoh se mbretëron paqja. Ne jetonim si gjarpërinjtë brenda në shpellë dhe tashti kemi dalë në diell". Por Mitrovica që duket kaq paqësore është tinder waiting for a spark- eshka që pret shkëndijën… Është një luftë elementare ku mbijeton më i forti, sipas ligjit të natyrës “Nuk ka vend për të dy; vri ose do të vrasin”. Mitrovica e 101 vjetëve më parë nuk ishte as serbe, as shqiptare, as ndërkombëtare. Ishte thjesht Perandori Osmane. Nuk njiheshin as minierat as dhe pasuritë e saj. Çfarë janë këto fraza? Vegim? Parathënie Kasandre? Intuitë? Përse Mitrovica është eshka që pret shkëndijën për t’i dhënë flakë barutit? Dhe pyetja kryesore: Kujt i intereson sot ligji i xhunglës, kujt i intereson imperativi “kill or get killed”?
Dy peshoret
“Mitrovica nuk është një enklavë serbe, por kryeura serbe në Kosovë”, thotë Dejan Anastasijeviçi, më i ekuilibruari i analistëve serbë. “Në Mitrovicë nuk ka marrë fund lufta për Kosovën… Kufiri nuk kontrollohet me kujdes dhe Beogradi mund të dërgojë përforcime dhe armë”. Si i tillë “Operacioni Ibar”, i shkurtit 2000 për kërkimin e elementëve kriminalë dhe mbledhjen e armëve në Mitrovicë, ishte sprova për të mbushur ujë me një kovë pa fund. Dhe kjo shtron pyetjen përse KFOR-i nuk tenton të kontrollojë kufirin Serbi- Kosovë, por kontrollon Ibarin, kufirin serb- kosovar?
Sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave "OKB-ja ka dështuar në Mitrovicë, pasi ka lejuar ndarjen e qytetit në dy pjesë, duke e shkëputur Mitrovicën Veriore nga administrimi civil juridik i UNMIK-ut. Dhe jo vetëm kaq: Pushtetit komunal të dalë nga zgjedhjet e organizuara prej UNMIK-ut, UNMIK-u i heq kompetencat administrative ndaj Mitrovicës veriore. Është i paaftë, apo hiqet si i paaftë? Përse KFOR-i i UNMIK-ut dhe UNMIK-u vetë përdorin dy kandarë në Mitrovicë?
Në gjysmën e parë të shkurtit 2000, formacionet paraushtarake serbe në Mitrovicën Veriore përzenë 1500 shqiptarë nga shtëpitë e tyre, plagosin 140 dhe vrasin 13 civilë, 6 gra, 3 fëmijë dhe 2 të moshuar. KFOR-i francez ndërhyn dhe arreston 58 shqiptarë dhe 1 serb. Ky është kandari për shqiptarët dhe reagimi i qeverisë shqiptare për këtë kandar është: “Beogradi dhe Tirana kanë përgjegjësinë të nxisin, të lehtësojnë dhe të rrisin bashkëpunimin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, në mënyrë që Kosova të mos jetë hallkë e dobët e stabilitetit dhe zhvillimt në rajon, përkundrazi, një zonë qendrueshmërie demokratike dhe e hapur, si për Shqipërinë, ashtu edhe për Serbinë". Një mizerabilitet shpirtëror, i cili nuk do t’ia dijë se po fal miliardat e kombit të vet, pasi një ditë Shqipëri dhe Kosovë do të bëhen bashkë. Në gjurmët e mizerabilitetit të Enver Hoxhës i cili ia bashkoi Kosovën Serbisë. Po për interesa internacionale- personale. Po kandari serb?
Me 8 prill 2002 kontigjenti polak i KFOR-it francez sprovon të ndalojë një person që ngiste makinën pa patentë. “Kryetari i Këshillit Kombëtar të Kosovës së Veriut” Millan Ivanoviç hedh një granatë duke plagosur 22 policë, disa në rezik jete. Pas 4 muajsh UNMIK-u i kërkon Beogradit ta arrestojë Ivanoviçin dhe Beogradi përgjigjet se ai ndodhet në Kosovë. Po atë ditë Ivaniçi i thotë në Beograd korrespondentit të “Süddeutsche Zeitung” se ai nuk ka për t’u arrestuar kurrë. Pak ditë më vonë Zv/Kryeministri Nebojsha Coviç sqaron në veçanti këtë “Këshill Kombëtar” për “situatën provokative të krijuar nga UNMIK-u i cili kërkon të arrestojë Ivaniçin” dhe kërkon përpunimin e “strategjisë për të ruajtur territoret e Kosovës ku jetojnë tashti serbët”. Po e njëjta gjë edhe sot, “la même chose”, siç thonë francezët: Një shqiptar për të cilin shqiptarët thonë se ishte i paarmatosur vritet me këmbëz të lehtë nga francezët, ndërsa një serb që u hedh një bombë policëve dhe plagos dy prej tyre largohet i qetë. Hetimi për fëmijët e ndjekur me qen nga serbët dhe të mbytur në Ibër nis vetëm pas shpërthimit të rrëmujave dhe versioni që jep zëdhënësja e UNMIK-ut është “një fëmijë tha se e dinte që një fëmijë i ka thënë prindërve të tij se ata kishin hyrë për t’u larë në lumë dhe i kishte marrë rryma” (AP, Focus März 04). Kur fëmija që kishte shpëtuar tha “na ndoqën me qen dhe ujrat e Ibrit ishin të akullta”. Tamam për t’u larë 8 vjeçarët. Pse e tërë kjo? Në fillimet, kur ende në krye të Serbisë ishte Millosheviçi, Jeffrey Gedmin i American Enterprise Institute e shpjegon pse-në me fjalët “Kërkojnë të kontrollojnë ç’mund të kontrollojnë, kërkojnë të destabilizojnë ç’mund të destabilizojnë dhe atje ka një pasuri të çmuar dhe Millosheviçi do të ishte shumë i lumtur me minierat që kanë rëndësi të jashtëzakonshme për të”.
Kuvajti i Serbisë
Sipas New York Times-it (August 10, 1998) “Mitrovica është zona më e pasur minerale e tërë Evropës përkëtej raleve, copa më e vyer e Ballkanit, me vlerë miliarda dollarë... Miniera e parë për plumb dhe zink, miniera e tretë për nga madhësia që prodhon ar, argjend, kadmium, cirkon,... Lufta në Kosovë është lufta për minierat e Mitrovicës... Mitrovica është Kuvajti i Serbisë”. Lufta në Kosovë, shkruante New York Times-i kur lufta donte edhe 8 muaj të tjerë që të fillonte. "Minierat në Mitrovicën Veriore përfaqësojnë 3/ 4 e pasurive potenciale minerale të Jugosllavisë. Edhe në vitin e bllokadës ekonomike '96, ato sollën 100 milionë dollarë fitime”, jep detajet jugosllave, fletorja serbe New Wiew. Lista e pronarëve dhe pretendentëve për këto miniera e shpjegon mirë lojën që është luajtur dhe po luhet në Kosovë.
Aksioneri i parë i këtij “Kuvejti serb”, pas aneksimit të Kosovës dhe pasurive të saj nga Sllobodan Millosheviçi, ishte Beobanka me ish drejtor pikërisht Milosheviçin. Deri në ’90 i tërë minerali i Mitrovicës përfundonte në Rusi dhe njeriu që kontrollonte lidhjet ruse ishte pronari i "Inex-Interexport"-it, ambasadori i Jugosllavisë në Moskë, Borislav Milosheviçi, pikërisht vëllai i Slobodan Milosheviçit (BBC 16 April, 1998). Këto dhe janë ato “lidhjet shpirtërore” të Serbisë me “Djepin e saj Historik”. Kreatura që shtriqej dhe shtriqet në këtë djep është interesi ekonomik, minierat e Mitrovicës dhe jo manastiret e Graçanicës. Nuk ia përtoi Millosheviçi ta qepte me tegel automatiku mikun e tij të ngushtë Zoran Todoroviç kur deshi të privatizojë Trepçën. As interesimi i “vëllait të madh” Rus nuk është thjesht spiritual. "Genex"-i, kontraktuesi i "Mabetex" të Xhevdet Pacollit, kosovarit më sllav që njeh historia e Kosovës, e lidh këtë rreth vicioz me Putinin, i cili erdhi në fron pikërisht me ndihmën e Pacollit dhe kryeministrin Çernomyrdin (ICG june 2002; Guardian, 8 june 1998). Po pas Millosheviçit?
Mitrovica mon amour
Skema e shpërndarjes territoriale të KFOR-it në Kosovë është mjaft interesante: KFOR-i amerikan, siç dhe i interesonte, u fut si pllakë izoluese mes Kosovës dhe Maqedonisë me anglezët pas shpine. KFOR-ët italianë dhe gjermanë kapën JP me më pak telashe. Francezët u sulën të kapin veriun. Aspak rastësisht. “Kompanitë franceze janë tepër të interesuara për privatizimin e faktorive të metaleve me ngjyrë në Serbi dhe Kosovë”, thotë Financial Times-i dhe faktorija kryesore e metaleve me ngjyrë është ajo e Mitrovicës. Pas marrjes në kontroll të Mitrovicës nga KFOR-i francez dhe emërimit Shef të UNMIK-ut i të francezit Kouchner, më 14 qershor 1999, vjen në Jugosllavi drejtori i SCMM-së parisiene, tregtari më i madh i argjendit të Mitrovicës, Jean Pierre Rozan dhe blen 51% të aksioneve të Trepçës nga "Jugobanka". Në shtator ai firmos kontratën për shfrytëzimin e Trepçës me drejtorin e caktuar nga Beogradi, serbin Novak Bjeliç ("Le Monde", 1 septembre, 1999: ICG Novembre 1999). Për të vazhduar më tej me francezët: SCMM-së franceze dy vjet para u shtua firma pariziane "TEC- Ingenierie". "Trepça është imja, por ende nuk kam vendosur kush duhet ta bëjë sekuestrin, qeveria greke apo jugosllave", thotë fabrikanti i nëndetëseve dhe raketave Patriot, beniamini ekonomik i qeverisë Evangelos Mytilenos, pasi fiton gjyqet në Greqi dhe Jugosllavi (Vreme, Belgrad, 09.11.2001). Kontratat Mytilenos, i cili mes të tjerave është pronari real i AMC-së “shqiptare” (www. Ote), i kishte firmosur me Jugobanka-n e Millosheviçit dhe Genex-in e Çernomyrdinit - Paçollit. Në një kohë që de jure Mitrovica ishte kosovare. SCMM- TEC Ingenierie- Trigaduri- Genex- Mitilenos- Jugobanka- Beobanka ky dhe është rrethi vicioz Francë- Jugosllavi- Rusi- Greqi. Pikërisht këta janë dhe shtetet që fusin spicat në karron kosovare.
Ndërkohë që diskutohej për Mitrovicën, implementimin e Mitrovicës, pushtetet paralele në Mitrovicë, hapjen e pub-eve në Mitrovicë, Mitrovica ishte shitur. Tek francezët, rusët, grekët, të cilët janë dhe ata që e zgjasin lojën. Vetëm në ’97 Mytilenos kishte paguar 519 milionë $ dhe aty ku lëvizin miliarda loja është tejet e ashpër dhe grasoja për të lyer ingranazhet politike kursesi nuk mungon. Dhe sa për ta ngatërruar edhe më keq të tërën, ndonëse para heqjes së autonomisë të Kosovës nga Milosheviçi, minierat i përkisnin pushtetit administrativ shqiptar, Beogradi e konsideron veten pronar “de jure” të minierave. “De facto” po se po përderi sa UNMIK-u ja kanë lënë në dorë Mitrovicën.
Epilog
A kishte mundësi për t’i eliminuar tërë këto andralla, që për më tepër nuk dihet se si do të marrin fund? Qysh jo? thonë kosovarët. Atëhere kur kosovarët u kthyen në Kosovë, me Rugovë dhe UÇK bashkë, në vend që të kishin rënë copë në Prishtinë “për fotele” por të ishim marë me Mitrovicën, sikur ajo qeveria internacionale socialiste ta kishte pasur për zemër problemin shqiptar aq sa ka korrupsionin, sikur banorët e Mitrovicës të ishin kthyer shpejt në shtëpitë e tyre pa pritur rikthimin e serbëve, sikur ata që u kthyen ta kishin ngritur flamurin në qendër të qytetit dhe jo nga ajo shkolla në cep të qytetit, kjo që po ndodh nuk do të kishte ndodhur. “Presidenti Koshtunica dhe Zv/kryeministri Coviç po punojnë që ta ndajnë Kosovën”, thotë Momçilo Trajkoviç, i cili nuk është ndonjë aktivist i Human Rights, por lideri i Lëvizjes së Rezistencës Serbe, tifoz i zjarrtë i Millosheviçit. "Misioni i UNMIK-ut ka bërë gabime, por ne do të reflektojmë në mënyrë që t'i përmirësojmë ato", thotë Kryeadministratori i Kosovës Holker. Me një fjalë sërishmi një pozicion pati. “Bashkësia Ndërkombëtare mënon të caktojë statusin dhe, në mungesë të tij, cikli i dhunës përsërit veteveten duke u bërë gjithnjë e më i fortë”, thotë Dejan Anastasijeviçi. Papunësi, varfëri dhe urrejtje. Urrejtja është ushqimi më i mirë kur nuk ka bukë. Si e tillë paqia dhe demokracia në Kosovë ngjajnë me sprovën për ta zhdukur krimin në varfëri. Ndërkohë që krimi nuk zhduket në varfëri. Rrugëdalja?
“Administratori Steiner përuroi në Mitrovicë një qendër kulturore, e cila mblodhi të rinj shqiptarë dhe serbë. Kjo dhe është ura magjike, e cila do të kontribuojë ndjeshëm në qetësimin e situatës", lajmëronte një vit para UNMIK-u. Po ditën e "urës magjike" serbët e Mitrovicës rrahën keq dy shqiptarë që kishin humbur rrugën, vranë pa shkak një të tretë dhe hodhën bomba në lagjen boshnjake. "Do t'i gjuaj me bomba tërë shtëpitë përreth si dje", iu hakërrua policisë bombahedhësi.
Kështu si kanë vajtur punët, nëse politikanët kosovarë nuk arrinë të kuptojnë se problemi Nr. 1 i Kosovës është bashkimi i Mitrovicës dhe se para çdo statusi dhe standarti, ata duhet të kërkojnë bashkimin e saj me Kosovën, çdo gjë do të vazhdojë si deri tashti. Madje më keq, më me hile dhe më me dhunë. Dhe duhet ta kuptojnë se kanë përballë një Europë kontradiktore dhe një Amerikë bush-jane krejtësisht indiferente. Ndoshta dhe fati i ndihmon në nëntor duke sjellur në fuqi ndonjë sekretar shteti si Holbrrok. Por duhet ta kenë të qartë se pa zgjidhur Mitrovicën në asnjë mënyrë nuk mund të zgjidhin problemin e Kosovës. Qoftë dhe materialisht duke i vënë në punë ato miniera që do t’i kthejnë nga varfanjakë në pasunarë.
Nga Prof. Dr. Apollon Baçe
Krijoni Kontakt