panorama
----------------

Koment
18Mars 2004

Shprivatizimi i ekonomisë sonë

Bashkim Kopliku

Iu dha liçensa e tretë” e celularit (telefonisë së lëvizshme) Telekomit (firmës famëkeqe shtetërore)”, na informon me gojën e vet, ministri i Transportit; “do të ndërtohet TEC-i (centrali elektrik) i Vlorës” (nga shteti), dhe “do të ndërtohet me paratë e shtetit linja hekurudhore elektrike Durrës-Tiranë”, dëgjojmë leksionin vlonjat të kryeministrit: të gjitha këto janë lajmet shokuese të ditëve të fundit...

Janë shokuese sepse bëhet fjalë për miliona dollarë që i lihen në dorë qeverisjes që t’i menaxhojë (apo t’i shpërdorojë), sipas vendimeve ekonomike të saj. Normalisht, duhet të dëgjonim: “iu dha liçensa e tretë kompanisë private X, e cila nuk ka lidhje, as të fshehta, as me shtetin tonë dhe as me dy kompanitë ekzistuese AMC dhe Vodafone”, apo “u privatizuan burimet energjetike (centralet elektrike, hidrocentralet dhe termocentralet ekzistuese) dhe firma private Y do të ndërtojë një TEC në Vlorë”, apo “iu dha koncension BOO (build-operate-oën, që do të thotë ta ndërtojë, ta përdorë dhe ta zotërojë) për ndërtimin e një linje hekurudhore elektrike Durrës-Tiranë, firmës private Z”. Lajme të tilla të investimeve private (jo shtetërore) hem do të na gëzonin, e hem do të na linin të qetë, sepse ata që do të merrnin këto vendime, pra shpenzimin e qindra milionë dollarëve në këto investime, do të ishin privatë, pra do të merrnin vendime për të shpenzuar paratë e tyre: normalisht privatët nuk para janë budallenj që “t’i hedhin në lumë paratë e tyre”, prandaj pak ua kemi merakun në vendimet e tyre për të investuar.

Nuk duhet të na zejë gjumi natën kur mendojmë se vendimet për të shpenzuar paratë tona po merren nga disa nëpunës shteti, të një shteti që akuzohet nga ndërkombëtarët si një ndër më të korruptuarit në rajon (shtetit tonë). Këtyre nëpunësve nuk duhet t’u lemë të drejtën të vendosin për të shpenzuar paratë tona, kushdo qofshin, kryeministra, ministra apo drejtorë drejtorish, etj. Ka disa arsye të njohura se pse: e para, sepse si rregull, janë nëpunës të korruptuar, që mendjen e kanë jo te punët e shtetit, pra jo për të shpenzuar me vend paratë tona, por e kanë mendjen veç ku t’u dalë gjë për xhepin e tyre; e dyta arsye se pse nuk duhet të vendosin nëpunësit e shtetit për këto investime, është sepse edhe e gjithë bota e ka pranuar politikën e privatizimit të ekonomisë, e kanë pranuar tashmë edhe vende që kanë nëpunës shtetërorë “100 herë” më të ndershëm se tanët, pra edhe të huajt e kanë vendosur se paratë shpenzohen shumë më mirë kur mënyra e përdorimit të tyre vendoset nga pronarët e parave se sa kur vendimi merret nga zyrtarë shtetërorë, e përsëris, edhe kur këta zyrtarë janë më të ndershmit në rruzull. Së treti, me dëshirë a pa dëshirë, edhe Partia Socialiste Shqiptare, e ka pranuar në programin e saj privatizimin e ekonomisë, e jo shtetëzimin e saj, shprivatizimin, gjë që do ta kthente mbrapsht edhe PS-në, nga statusi aktual i Partisë Socialistë, në atë të origjinës, atë të partisë komuniste.

Po përse po ndodh ky shprivatizim në “mes të ditës” dhe nuk ulërasin, në korr, të gjithë partitë, e të parat ato të opozitës, duke nisur nga PD-ja, e pastaj edhe ato të mazhorancës! Përse pranohet në vitin 2004, çmenduria e para vitit 1990, çmenduria e komunizmit shqiptar, kur qeveria, Komisioni i Planit të Shtetit, vendoste për çdo gjë, që nga çmimi i gozhdave, deri te numri i kafeneve në qytet, e deri te fabrikat që duheshin ndërtuar, vendime që bënë që ne shqiptarët ta pësonim më keq se e gjithë lindja e Evropës: patëm urinë dhe robërinë komuniste më ekstreme! Në se ky veprim, i investimeve shtetërore, në fusha ku privati është provuar se është “100 herë më efikas”, do të bëhej në vitin 1992, mund edhe të pranohej si injorancë, e rrjedhur nga këshillat e ekonomistëve të edukuar në shkollat e komunizmit. Por jemi në vitin 2004, kur kemi më shumë se 13 vjet në “jokomunizëm”. Atëherë, duke përjashtuar injorancën dhe budallallëkun, mbetet të kërkohet në drejtime të tjera. E drejtimet e vetme që më vijnë në mend janë korrupsioni i zyrtarëve shtetërorë shqiptarë e dhe të huaj, korrupsion që mund të shprehet në disa forma; sa për ilustrim, po rreshtoj disa nga këto forma:

1. Duke u bërë investime shtetërore dhe jo private, qarkullojnë qindra miliona dollarë nëpër duart manipuluese të nëpunësve shtetërorë, dhe si rregull i korrupsionit, ngjiten në ato duar disa miliona dollarë, për të përfunduar në xhepat e nëpunësve të shtetit shqiptar.

2. Duke investuar, shteti shqiptar, edhe kur fondet janë “të organizmave ndërkombëtare” (në fakt, janë fonde që merren nga llogaria për Shqipërinë pranë atyre organizmave), angazhohen nëpunës të Bankës Botërore e tjerë, për implementimin (vënien në jetë) të këtyre fondeve (siç është rasti i “TEC-it të Vlorës”). Nëpunësit e Bankës Botërore dhe të organizmave ndërkombëtare, që rekomandojnë investime të tilla shtetërore, tani në vitin 2004 (dhe jo në vitin 1954), qofshin francezë apo nënshtetas të tjerë, natyrisht që japin këshilla që janë në kundërshtim me leksionet e institucioneve nga ku paguhen, me leksionet dhe parimet e shpallura botërisht. Natyrisht që mbetet të pranohet se, ata, specialistët e huaj “$1000/dita”, natyrisht që kanë motive të forta për t’iu kundërvënë parimeve të institucioneve ku paguhen (duke bërë ortakllëqe të fshehta me nëpunësit tanë), e motivi më i thjeshtë që më vetë ndër mend, është të sigurojnë vazhdimin e punësimit në Bankën Botërore (apo në organizmat e tjera përkatëse), deri edhe duke u marrë me absurdin e shprivatizimeve në Shqipëri (nuk përjashtohen edhe zarfat qinda mijëra dollarëshe nga kompanitë që do të fitojnë tenderat “ndërkombëtarë”!)…

3. Investitorët e huaj, janë më komodë të vijnë të punojnë këtu, në Shqipëri, duke u paguar, nga ne, thjeshtë për punën që bëjnë, se sa të punojnë me paratë e tyre, e ta marrin shpërblimin e punës dhe të investimit të parave të tyre, nëpërmjet fitimit nga aktiviteti i biznesit: pse t’i hynë rreziqeve kur gjejnë “budallenj” që i mbajnë rreziqet vetë, siç i mban shteti ynë!

Po le ta lemë analizën e arsyeve që shtyjnë qeverinë në hapa të tilla, e të gjejmë zgjidhjen e kësaj katastrofe shprivatizimesh? Urgjentisht duhet të ngrihen për të ndaluar këto shprivatizime, i gjithë opinioni pozitiv shqiptar, sidomos politikanët e ndershëm nga të gjitha drejtimet, majtas dhe djathtas, duke vendosur me ligj të prerë: ndalohet që shteti shqiptar të bëjë investime që diku në botë janë private; shteti shqiptar duhet të krijojë lehtësi që këto lloj investimesh t’i bëjnë investitorët privatë, shqiptarë ose të huaj. Kështu, do të kemi një firmë të tretë të celularit private, e cila do të konkurrojë “long hand” (pa lidhje të fshehta) me Vodofone dhe AMC; do të kemi një TEC të Vlorës privat, i cili do të shesë energji në tregun shqiptar, njësoj siç shesin centralet elektrike që nga Suedia e deri nga Bullgaria, apo njësoj siç shitesh nga privati energjia elektrike, në kohën e mbretit Zog; të kemi një hekurudhë elektrike Durrës-Tiranë private, e cila do të sigurojë lidhjen e rehatshme e komode të Durrësit me Tiranën, ku pronari i saj, i hekurudhës, do të nxjerrë paratë e shpenzuara për ndërtimin e saj, me biletat që do t’u shesë udhëtarëve, në konkurrencë të lirë me furgonët dhe autobusët, (e jo me paratë e pensionistëve, e të tjerë nevojtarëve të buxhetit tonë); të kemi të gjitha centralet elektrike dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, të privatizuar, gjë që do të sigurojë, më së fundi, energjinë elektrike me cilësi dhe pandërprerje, në shtëpitë dhe bizneset shqiptare; të kemi Telekomin privat, duke siguruar tarifa të kontrollueshme nga shteti (kështu siç është, shtetëror, i bie që shteti të kontrollojë shtetin). Shteti ynë nuk duhet të merret me këto investime, por duhet të përqendrohet, të merret vetëm me ato gjëra që nuk i bën dot aq mirë privati, edhe në vendet e tjera, e jo më tek ne, jo që jo. Shtetit tonë i mbeten mjaft për të bërë, e që deri tani nuk ka qenë në gjendje t’i bëjë, i mbetet të bëjë mirë sa vijon: të rregullojë, të pastrojë e t’i bëjë më efikase gjykatat, prokuroritë, entet rregullatorë të aktiviteteve monopol (si telefonia, elektriku, uji etj.), ministritë e bashkitë, e të tjera të këtij lloji.

--------