tema
----
KFOR konfirmon se 5 nga 9 të vrarët e paidentifikuar janë nga Serbia
4 të vrarë në Kosovë nga Shqipëria?
Dyshimet mbeten se katër të vdekurit që janë në morgun e Rahovecit afër Prizrenit janë shtetas të Shqipërisë. Zëdhënësi i UNMIK tha dje për Tema se trazirat e muajit të kaluar kanë qenë të organizuara. Ai tha se "ky nuk është një konkluzion i hetimeve, por kjo është dukur qartë gjatë trazirave".
Nga Prishtina Drini Gjata
Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë rikonfirmuan dje se trazirat në Kosovë ishin të organizuara dhe se së shpejti pritet të nisë operacioni për arrestimin e personave të grupit udhëheqës të trazirave. Duke folur për gazetarët zëdhënësi i UNMIK-ut për polici dhe gjyqësi Naraj Singh ka deklaruar dje se për gjithë qytetarët e Kosovës ka përfunduar identifikimi i të vrarëve. "Ka përfunduar identifikimi i kufomave të të vrarëve në trazirat e 17 dhe 18 marsit në Kosovë". Ai theksoi se 19 kufomat janë identifikuar dhe se në ditët në vazhdim do të bëhet edhe dërgimi i 5 kufomave të qytetarëve serbë të Kosovës të vrarë. Pra sipas statistikave të reja 19 vetë janë qytetarë të Kosovës 5 janë qytetarë serbë dhe katër kufoma mbeten ende të paidentifikuara. Sipas raportit të parë të UNMIK në Kosovë ka pasur 28 të vdekur. Pas bilancit të fundit të bërë nga UNMIK dhe pas identifikimit të pesë kufomave si qytetarë të Serbisë, mbetet të identifikohen dhe katër kufoma të tjera.
Të vrarët që janë nga Serbia do t'u dorëzohen të afërmve në Meradë (kufiri i Kosovës më Serbinë).
Naraj Singh nuk ka dhënë informacione për thashethemet e ditëve të fundit për ku flitej për 4 kufoma të paidentifikuara në morgun e Rahovecit (qytet afër Prizrenit ku bëhet ekspertiza e të gjitha viktimave të armëve). Këto informacione zëdhënësi Singh i ka bërë publike në konferencën e rregull për shtyp të se mërkurës në selinë e UNMIK-ut në Prishtinë.
Në këtë konferencë është thënë edhe se trazirat e muajit të kaluar kanë qenë të organizuara. I pyetur se si është arritur në këtë konkluzion zëdhënësi i KFOR-it për 'TemA' ka theksuar se "ky nuk është një konkluzion i hetimeve, por kjo është dukur qartë gjatë trazirave". Ai gjithashtu ka konfirmuar se këto ditë është intensifikuar operacioni për arrestimin e personave organizatorë të protestave. Në Prishtinë dhe në tërë Kosovën dje ka filluar edhe një kontroll i rreptë i të gjitha mjeteve për të kapur këta persona dhe të tjerët që bartin armë. Nga mëngjesi të gjitha hyrjet e Prishtinës kanë qenë të bllokuara nga KFOR-i i cili bënte edhe kontrollin e të gjithë automjeteve. Zëdhënësi Moran nuk ka dhënë informacione për këtë operacion në Prishtinë.
Lajmin se katër kufoma të paidentifikuara janë ende në morg në Kosovë nuk është komentuar nga qeveria shqiptare. Të dhënat e fundit që flasin se ato janë në Prizren forcojnë më shumë idenë se ata janë nënshtetas të Shqipërisë.
Udhëheqësi i Kosovës Ibrahim Rugova bëri të dielën një paralajmërim të qartë për "shtete fqinje me Kosovën" duke aluduar për Serbinë dhe Shqipërinë se po ndërhyjnë në punët e brendshme të Kosovës.
Identifikimi i pesë të vrarëve nga Serbia dhe mundësia që katër të tjerët të jenë nga Shqipëria e rëndon pozitën e Tiranës zyrtare në raport me gjendjen në Kosovë.
KFOR-i dhe policia e UNMIK-ut po vazhdojnë aksionet për arrestimin e personave që dyshohet se janë përfshirë në trazirat e 17 e 18 marsit, u tha në konferencën e djeshme me gazetarë. KFOR-i dhe policia e UNMIK-ut deri më tash kanë arrestuar rreth 180 persona nga radhët e të gjitha bashkësive etnike që dyshohet të kenë kryer akte dhune kundër KFOR-it, policisë së UNMIK-ut dhe qytetarëve të Kosovës dhe kanë konfiskuar shumë armë, tha zëdhënësi i KFOR-it Xhim Moran.
Ai bëri të ditur se komandanti i krahut jugor të NATO-s Gregori Xhons ka përshëndetur letrën e liderëve të Kosovës drejtuar qytetarëve për normalizimin e gjendjes pas protestave të dhunshme.
Xhonson ka thënë se ky është një hap inkurajues që çon për përpara, duke shprehur mbështetjen e tij të plotë për të gjithë ata që e kanë nënshkruar atë letër.
Ndërkaq, në një komunikatë të KFOR-it thuhet se dy javë pas ngjarjeve të marsit 298 persona vazhdojnë të jenë të strehuar në kampet e KFOR-it.
Vritet Shaqir Krasniqi, polic i TMK
Mbrëmë rreth 20.00 afër fshatit Grabanicë të Klinës, persona të panjohur kanë vrarë Shaqir Krasniqin (1976), oficer i TMK-së dhe ish-pjesëtar i UÇK-së. Bëhet e ditur se mbi automjetin me të cilin po udhëtonte Shaqir Krasniqi janë zbrazur breshëri plumbash. Në veturë ndodhej edhe nëna e tij, e cila është plagosur, por është jashtë rrezikut.
Qeveria e Kosovës reagoi pas vrasjes duke e dënuar atë shumë ashpër. "Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës me dhimbje morën lajmin për vrasjen e kapitenit të TMK-së, z. Shaqir Krasniqi. Qeveria shpreh indinjatën e thellë për veprën kriminale, e cila mori jetën e oficerit të TMK-së, një ish ushtari trim të UÇK-së", thuhet në një deklaratë të lëshuar nga zyra e Kryeministrit të Kosovës.
"Qeveria fuqimisht e dënon këtë akt dhe kërkon nga organet kompetente të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme që kriminelët e tillë të sillen përpara drejtësisë.
Mosndriçimi i rasteve kriminale, dëmton rëndë sigurinë e qytetarëve dhe ardhmërinë e Kosovës, andaj edhe nuk duhet lejuar që kryesit e këtyre krimeve të kalojnë pa u ndëshkuar.
Kryeminstri në emër të Qeverisë së Kosovës i shpreh ngushëllimet e thella familjes së të ndjerit", thuhet në këtë deklaratë.
----------
Krijoni Kontakt