Çështja çame, PS rrëzon projektrezolutën e opozitës

Darina Tanushi

TIRANË – Deputetët socialistë kanë vendosur dje, në mbledhjen e grupit parlamentar të mos miratojnë rezolutën e iniciuar nga deputetë të Ballit Kombëtar e hartuar nga deputeti Shpëtim Rroqi për çështjen çame. Diskutime të shumta janë bërë për këtë projektrezolutë, e cila sipas deputetëve socialistë, por edhe sipas qëndrimit të mbajtur në komisionin parlamentar të Politikës së Jashtme, ku përfaqësohen pothuajse të gjitha grupet parlamentare, është e nevojshme të rishqyrtohet, riformulohet dhe t’i jepet një përmbajtje me një diapazon që përfshin marrëdhëniet midis dy vendeve, që të vihet në kontekstin e këtyre marrëdhënieve të rregulluara nga normat e së drejtës ndërkombëtare. Nënkryetarja e Kuvendit Makbule Çeço, e pyetur nga “Shekulli” u shpreh se “Parlamenti nuk duhet e nuk mund të miratojë rezoluta që të jenë vetëm për shou, por të jenë të tilla që të japin efektet e duhura”, sepse një vit më parë është miratuar një tjetër rezolutë për marrëdhëniet me Greqinë. Këta deputetë që kërkojnë miratimin e kësaj rezolute të dytë, tha Çeço, të krijojnë përshtypjen që çështjen çame e shikojnë të shkëputur nga korniza e marrëdhënieve midis dy vendeve tona, pra të krijon përshtypjen e një trajtimi formal, të miratohet një rezolutë dhe kaq. Logjika të çon në një qëndrim të tillë që para se të miratosh një rezolutë në Parlament duhet të përdoren të gjithë instrumentat dhe mekanizmat që ka në dispozicion Parlamenti, pra të bëhet një evidentim i rrjedhojave dhe efekteve të sjella nga rezoluta e mëparshme ku inkuadrohet me rëndësinë e duhur dhe çështja çame. Në këtë kontekst, gjykoj, që është mëse e nevojshme të merren informacionet e nevojshme nga strukturat shtetërore përkatëse, e në radhë të parë, nga Ministria e Jashtme e më pas të gjykohet nevoja e një rezolute të veçantë brenda kuadrit të marrëdhënieve midis Shqipërisë e Greqisë”.