Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Erzeni Maska e Shijaksi-London
    Anëtarësuar
    10-11-2002
    Vendndodhja
    ke kodra kuqe
    Postime
    778

    Mbretëria shqiptare e seksit në Londër

    Faqja 12/13 - SPECIALE Shkurt 12, 2004


    PROSTITUCIONI - GAZETA SHQIPTARE

    Grupet shqiptare kanë ndarë territoret në lagjet e Londrës. Mijëra prostituta kontrollohen prej tyre. Ja zonat e mbretërisë shqiptare së prostitucionit

    Mbretëria shqiptare e seksit në Londër


    Nga korrespondenti ynë në Londër Muhamed Veliu

    Qindra vajza shqiptare kanë mbushur shtëpitë publike dhe saunat e masazhit në Britaninë e Madhe, duke shitur trupin e tyre për llogari të shfrytëzuesve, të cilët ndihen gjithnjë e më të sigurt e të suksesshëm në aktivitetin e tyre. Në raportin e fundit të publikuar nga policia evropiane Europol thuhet se grupet kriminale shqiptare janë më të rrezikshme se ato ruse dhe se shqiptarët janë tani kontrolluesit e vërtetë të prostitucionit në Britaninë e Madhe. Sfida ndaj rusëve duket disi e ekzagjeruar dhe subjektive, ndërsa duket më e lehtë për të hedhur dritë dhe vërtetuar se shqiptarët janë zotërit e prostitucionit në shtetin ishull. E ndërkohë që raporte të tilla shkruhen nga ekspertët e policisë, situata në fushën e prostitucionit evulon. Por nuk jepen shkaqe për këtë të fundit, përse pikërisht shqiptarët apo grupe e tjera kriminale kanë hedhur sytë nga Anglia. Në një raport special sot Gazeta Shqiptare për herë të parë sjell panoramën e zhvillimit të prostitucionit shqiptar në Britaninë e Madhe, si funksionon mekanizmi i këtij biznesi përmes rrëfimit të një vajze të trafikuar, kush janë grupet kriminale shqiptare, organizimi dhe padepërtueshmëria, përpjekjet e filluara nga policia angleze për t'i thënë ndal hovit të tyre, për momentin të vakëta.

    Ndërsa tregtarët vënë arkat me fruta në tezgat e tyre, për t'i reklamuar në tregun e Sohos në Berick Street, një grua rreth të 50-ave po në atë rrugë hapën derën e një ndërtese me stil viktorian, për të filluar dhe ajo biznesin e saj. Ndryshe nga shitësit e frutave në rrugë në katin e dytë të kësaj ngrehine "fisnike" do shitet dhe blihet seks. Pak minuta më vonë në atë shtëpi publike mbërrin një vajzë bjonde e cila ngjit me shpejtësi shkallët që të çojnë në kat të dytë. Ndërtesa nuk është e vetme në zonën e vjetër të dritave të kuqe SOHO, ku numërohen më shumë se 40 shtëpi publike të vetëquajtura Model. Sipas vice squad (skuadrës së prostitucionit) shtëpitë publike janë prona të individëve anglezë dhe moltezë tradicionalisht me lidhje të vjetra me krimin, kurse vajzat kontrollohen nga grupe të ndryshme kriminale kryesisht shqiptare kohët e fundit. Në këtë zonë, ndërthuret argëtimi me praninë e night club-eve më me emër në Londër, droga dhe seksi. Lagja ka qenë gjithnjë një pikë e nxehtë e kontrolluar nga grupet kriminale të West Endit, që nxjerrin fitime në miliona paund. Ndër vite më të sukseshmit kanë qenë Moltezët të ardhur në Londër rreth viteve 60 kur fillimisht e ndërtuan biznesin e tyre me vajza angleze. Por pas rënies së murit të Berlinit dhe komunizmit në Evropën Lindore, ishte mafia Ruse ajo që depërtoi në këtë zonë duke kontrolluar këtë lloj biznesi.
    Tani kohët kanë ndryshuar, ndërsa rusët e kanë drejtuar aktivitetin e tyre kriminal në fusha të tjera, si fallsifikimi i kartave të kreditit dhe trafiku i kokainës apo prostitucioni nëpërmjet faqeve të internetit me vajzat escort, të tjerë lojtarë aktivë në prostitucion janë shfaqur që nga viti 1997 në këtë zonë qejfi siç e quajnë anglezët. Ata janë shqiptarët, të cilët me një eksperiencë disa vjeçare në këtë biznes në Itali, Greqi, Belgjikë, Hollandë tani janë shndërruar në protagonistët kryesorë të prostitucionit jo vetëm në Londër por edhe në qytete të tjera si Birmingham, Liverpool, Newcastle madje edhe në Skoci gjë e cila konfirmohet edhe nga raporti i fundit vjetor i "National Criminal Intelligence Service).
    Sipas vice squad në Londër në një periudhë prej pak vitesh shqiptarët kanë arritur të kontrollojnë 75 për qind të vajzave që punojnë në këtë zonën e SOHOS por prezenca e tyre është mjaft e madhe edhe në zonat periferike të Londrës ku sipas policisë operojnë më shumë se 1 mijë shtëpi publike ilegale. Shqiptarët dhe grupet e tjera kriminale nga Europa Lindore nuk janë pronarë të ambienteve ku zhvilohet prostitucioni. Ata në ndonjë rast kanë tentuar të marrin pronësinë e këtyre shtëpive publike por ka qënë tejet e vështirë. Përpjekjet e tyre kanë çuar deri më marrjen më qera të këtyre objekteve dhe asgjë më shumë. Nga statistikat mësohet se vetëm në Londër punojnë si prostituta më shumë se 5 mijw gra të moshave të ndryshme, shumica nga Europa Lindore, Tailanda, si dhe vajza angleze në të shumtën e rasteve përdoruese të drogës. Kryesisht prostitucioni zhvillohet në shtëpi publike, sauna masazhi të cilat i reklamojnë mjediset e tyre në çdo gazetë lokale, madje edhe në revista të posaçme për prostitucionin.

    Shtimi i prostitutave

    Britania e Madhe, vendi me demokracinë më të vjetër në botë, propoganduese e flaktë e antiskllavërise dhe e respektimit të drejtave të njeriut, nga viti në vit po ndeshet me rritjen e ndjeshme të trafikimit të vajzave kryesisht nga Europa Juglindore, Tailanda dhe Afrika për prostitucion. Ministria e Brendshme Britanike (Home Office) thotë se për çdo vit në vend mbërrinë 150-1500 gra të trafikuara për qëllime prostitucioni.
    Autoritet angleze janë tejet të shqetësuara për numrin gjithnjë në rritje të vajzave nga Europa Lindore. Nga zyrat e Scotland Yard ku ka bazën operacioni "Reflex" i cili merret me krimet e kryera nga qytetarët jo britanikë ku përfshihen dhe ata të cilët janë përfshirë në trafikimin e vajzave, dita-ditës arkivohen emra njerëzish të cilët janë të përfshirë në këtë trafik. Në muajin Shtator me anë të një operacionit "Maxim" i cili merret me së shumti me trafikimin e njerzëve dhe vajzave për prostitucion u arrestuah 43 persona ndër ta dhe trafikantë prostitutash. Njerëzit e përfshirë në tregtinë dhe shfrytëzimin e femrave janë njerëz të cilët në Londër dhe në Britaninë e Madhe kanë gjetur një terren të përshtatshëm për të zhvilluar aktivitetin e tyre kriminal. Vetëm në Londër për çdo javë më shumë se 80.000 njerëz paguajnë për seks dhe përballë kësaj "urie seksuale" më të fituar dalin shfrytëzuesit e vajzave prostituta të cilët për një vajzë mesatarisht për një natë mund të fitojnë deri më 1.000 stërlina. Në vitet e fundit vetëm tre shtetas shqiptarë patën rastin të ndjejnë ftohtësinë e prangave në duar dhe më pas dënimin me akuza për shfrytëzim prostitucioni. Në fundvitin 2002 Mustafa Kadiu u dënua për shfrytëzimin e një vajze minorene nga Rumania me 10 vjet burg ndërsa kushëriri i tij Edmond Ethemi 6 vjet. Ndërsa supertrafikanti laçian Luan Plakici i cili shfrytëzoi 7 vajza lindore u dënua nga një gjykatë në veri të Londrës me 10 vjet burg. Ai u cilësua nga policia dhe media angleze si trafikanti më i sukseshëm i prostitutave ne historinë e Anglisë.

    Lidhjet brenda lagjes Soho Rrëfimi i Lindës

    Linda është një vajzë bjonde rreth të 25-ve, me sy të mëdhenj të kaftë dhe flokë të shkallëzuar mbi supe. Në vijën ndarëse mbi ballë nuanca e errët tradhton ngjyrën e verdhë artificiale të flokëve, por kjo nuk ka shumë rëndësi për të. Përballë 7 viteve në rrugët e Europës, detaje të tilla janë tepër të papërfillshme. Eshtë larguar nga Skrapari me "burrin", siç thotë sot e kësaj dite pas 7 vjetësh që shet trupin për llogari të tij, ka punuar në Itali dhe Londër. "Në Londër është më e sigurtë të punosh si prostitutë, pasi je brenda dhe e ruajtur", thotë ajo. Ne e takuam Lindën në një bar në Berrick Street. Portreti i saj me tualet të freskët, por të rëndë që mbështillet nën tymin e cigares dhe biseda që sa vjen e bëhet më e çlirët të lë përshtypjen e një jete më shumë të lodhshme se tragjike… Pyetjes sonë nëse ka ndër mend ta mbyllë përfundimisht këtë kapitull në rininë e saj, Linda i përgjigjet me një të mbledhur të supeve, ndërsa është më e prirur të bisedojë rreth gjërave që nuk kanë të bëjnë direkt me të, pa mohuar përfshirjen e vetvetes në këtë rrjet të shfrytëzimit dhe shitblerjes së seksit. Linda pranoi të rrëfejë për Gazetën funksionimin dhe mekanizimin e gjetjes së punës në lagjen Soho, ku ajo është vendosur prej vitesh, si është ngritur rrjeti i padepërtueshëm i klaneve shqiptare. E tërë zona e Sohos kontrollohet nga djemtë shqiptarë kryesisht nga jugu, të cilët përveç vajzave nga qytetet si Erseka, Gramshi, Fieri, Skrapari, Lushja dhe Elbasani shfrytëzojnë edhe vajza nga Rusia apo Rumania. "Unë kam 4 vjet që punoj në këtë rrugë, thotë ajo, i njoh të gjitha vajzat. Kur erdhëm në fillim thjesht kërkuam punë tek të zotët e shtëpive publike, më pas kemi ndihmuar njëra tjetrën duke i gjetur vende. Rrugët që kanë më shumë punë janë Berrickt Street, Piter Street, Greet Street ku në të gjitha apartamentet janë vajza shqiptare. Për një natë mund të fitojmë nga 400 deri në 600 stërlina duke hequr qeranë e dhomës 300 stërlina në natë. Po ashtu edhe çunat tanë kanë miqësi me njëri tjetrin. Për të gjetur një vend pune në Soho tani është e pamundur, ka çuna që paguajnë para vetëm e vetëm të gjejnë vende pune. Në rrugën Piter Street vajzat punojnë me dy turne. 9 me 6 dhe 6 deri më 3 të mëngjesit".

    Zonat e klaneve

    Grupet kriminale shqiptare të përfshira në prostitucion pas goditjes së policisë Italiane dhe atyre Evropine kryesisht Belge dhe Hollandeze janë zhvendosur në shtetin ishull. Kjo zhvendosje ka filluar që në vitin 1997 dhe arriti kulmin në vitin 2000, 2001. Sipas burimeve të besueshme në komunitetin shqiptar në Londër mësohet se personat e përfshirë në prostitucion janë vendosur kryesisht në Londër, por lidhjet e tyre me qytete të tjera madje deri në Skoci nuk mungojnë. Shumë nga ata janë persona të kërkuar nga këto vende madje dhe nga policia shqiptare.
    Kështu tropojanët dhe kuksianët veprojnë kryesisht në lindje të Londrës në lagjet Barking, Ilford, Forest Gate, Stratford nga ku kanë lidhjet e tyre me lagjet e tjera në zona të ndryshme, në të cilat veprojnë pjesëtarë po të këtyre klaneve. Kështu Wood Green është një pikë e nxehtë e cila kontrollohet me kujdes nga tropojanët, laçianët pjesë të klanit Plakici dhe shkodranët deri diku. Jugu i Londrës sidomos zona Lewisham është një tjetër bazë e klaneve veriore të cilat përdorin si pikë takimi, kafenë në qendrën tregtare të kësaj zone. Nuk mbeten prapa në organizim shkodranët të cilët kryesisht kanë preferuar zonën e lindjes së Londrës dhe qytezën e Lutonit. Rivaliteti midis tropojanëve dhe shkodranëve në këtë qytezë përfshi hesapet e palara nga Italia ka sjellë konflikte të dhunshme deri në vrasje.
    Tiransit dhe burrelsit janë stacionuar kryesisht në lagjen Kilburn dhe në pjesë të tjera të Londrës. Organizimi i tyre është tejet i kujdesshëm dhe qëndrojnë larg ekspozimit. Shfrytëzuesit e suksesshëm nga Lushnja, Fieri, dhe qytete të tjera i drejtojnë operacionet e tyre nga Kafe Rouzhe në South Gate. Padyshim që lagjet Harringey, Seven Sisters dhe Barking mbetet si pika takimi ndërmjet grupeve të ndryshme shqiptare.

    Sa fitojnë?

    Paratë e fituara nga prostitucioni arrinë në miliona paund. Padyshim shqiptarët kanë pjesën e tyre të luanit në këtë biznes i cili në Britaninë e Madhe arrin në 800 milion stërlina në vit. Në lagjen Soho për një mardhënje seksuale minimumi i pagesë është 20 stërlina ndërsa për shërbime extra, dhe kohëndenje më të gjatë deri në një orë çmimi arrin në 120 stërlina. Saunat e masazhit kanë çmime më të larta, të cilat përfshijnë hyrjen në to 15 stërlina, ndërsa masazhi dhe mardhënia seksuale paguhen 60 deri në 80 stërlina. Sipas vajzës e cila pranoi të flasë për Gazetën ajo në një natë fitonte 600 stërlina ose rreth katër mijë stërlina në javë. Ndërsa në saunat e masazhit ka raste që një vajzë mund të fitojë nga 800 deri në 1000 stërlina. Shfrytëzuesit shqiptarë në Londër udhëtojnë me makina luksoze dhe me paratë e përdorura veprojnë në dy mënyra. E para duke i dërguar në Shqipëri me anë të kompanive apo korrierëve privatë, dhe e dyta duke bërë investime në Angli. Nga një shkrim i para disa kohëve gazeta Daily Mail kishte zbuluar dy shfrytëzues shqiptarë të cilët kishin blerë dy shtëpi banimi me vlerë 165 mijë stërlina secila. Po ashtu për të qënë të mbrojtur shfrytëzuesit shqiptarë kanë hapur restorante apo piceri në të cilat punojnë njerëz të tjerë dhe justifikojnë shumat e parave që kanë nëpër banka.

    Histori

    Një vajzë rumune e quajtur Klaudia mori guximin t'i drejtohej zyrave të antiprostitucionit në Charing Cross. Ajo ishte vetëm 15 vjeçe dhe pasi ishte rrëmbyer nga shfrytëzuesi i saj shqiptar Mustafa Kadiu në rrugët e Napolit në jug të Italisë, ku punonte për llogari të një bande shqiptarësh, ishte trafikuar drejt Londrës me dokumenta fallco. Në dëshminë e saj rrënqethëse minorenja rumune në sallën e gjygjit në gjykatën e Soëthorkut në jug të Londrës prapa perdeve me një zë të dridhur duke qarë dëshmoi se Kadiu me ta sjellë atë në Londër i vuri një thikë në grykë dke i thënë se ajo duhet të punonte për të në saunat e masazhit duke shitur trupin klientëve anglezë. E ndihmuar nga Trasy Spencer, një pronare shtëpish publike në Londër, vajza ju drejtua policisë për ndihmë. Ajo tregoi tmerrin që kishte kaluar nga njëra shtëpi publike në tjetrën dhe se si Mustafa Kadiu e kishte përdorur atë si skllave seksi. Pas një gjyqi maratonë juria e Londrës e gjeti fajtor Kadin dhe më pas ai u dënua me 10 vjet burg. Rasti i minorenes rumune ishte një rasti i vetëm gjatë vitit 2002 ku një vajzë denoncon direkt shfrytëzuesin e saj.

    Përpjekjet

    Vajzat shqiptare të futura në prostitucion në Londër dhe në qytete të tjera të Britanisë së Madhe ndjehen tejet të dobëta për të denoncuar tutorët e tyre. Ato janë të frikësuara për fatin e familjeve në Shqipëri dhe çfarë është më e rëndësishmja për të ardhmen e tyre. Në të shumtën e rasteve ato janë trafikuar ilegalisht në UK dhe nëse ato kapen i prêt riatdhesimi. Por numri i grave dhe vajzave shqiptare dhe atyre nga Europa Lindore të trafikuara për prostitucion gjithnjë në rritje në Britaninë e Madhe ka bërë që Ministria e Brendshme Britanike Home Office të ngrejë një skemë pilot ku vajzat e trafikuara do të kenë mundësi të strehohen dhe të marrin këshillime nga punonjësit socialë. Shumica e këtyre vajzave, kur ndalohen nga oficerët e emigracionit në ambientet ku ato prostituojnë, dëbohen direkt në vendet e tyre. Sipas qendrës Vatra në Vlorë vitin e shkuar nga Anglia janë kthyer 16 vajza disa prej tyre janë ricikluar sërish në trafik. Skema e re e ndërtuar nga Ministria e Brendshme britanike në bashkëpunim me autoritetet e emigracionit i mundëson dhënien e ndihmës vajzave prostituta, të cilat bashkëpunojnë me policinë duke dhënë dëshmi se kush i shfrytëzon dhe si ato janë trafikuar në Britaninë e Madhe, më pas atyre do t'u jepet një shtëpi e sigurtë ku ato mund të vazhdojnë jetën larg prostitucionit. Zëdhënësi i Home Office u shpreh për Gazetën se kjo skemë pilot do t'u ofrojë këtyre vajzave kushte të përshtatshme për jetesë dhe këshillim. Ato do të kenë mundësi të bisedojnë me autoritetet e luftës kundër trafikimit të vajzave për qëllime prostitucioni për të bërë të mundur arrestitimin e trafikantëve dhe shfrytëzuesve të tyre. Disa nga vajzat që me vullnetin e tyre do të bashkëpunojnë me policinë do të marrin strehim të menjëhershëm në shtëpi të sigurta të siguruara nga projekti "Eaves Housing" i cili merret me reabilitimin e vajzave që lënë vullnetarisht prostitucionin. E megjithëse këtë përpjekje të qeverisë Britanike për të ndryshuar dicka në jetën e këtyre vajzave rezultatet pozitive të kësaj skeme duken shumë larg. Tani Britania e Madhe ka hyrë në hartën e vendeve evropiane ku skllavëria e prostitucionit ka gjetur terren dhe po rritet me ritme të shpejta, dhe ku shqiptarët po shndërrohen në protagonistët kryesorë të këtij biznesi. Kjo do të thotë më shumë jetë vajzash të shitura nëpër shtëpitë publike të Britanisë së Madhe, dhe më shumë fitime për grupet kriminale Britanike zotërues të këtyre ambienteve dhe shfrytëzuesve shqiptarë.

    Flet Christopher Bradford, kryepolici që lufton me shqiptarët

    Numri një i anti prostitucionit në Londër Chief Inspector Christopher Bradford njeriu që ndeshet përditë me prostituta dhe shfrytëzuesit e tyre thotë për Gazetën se "tani mund themi se prostitucioni nuk është më i stacionuar vetëm në zonën e Sohos por në të gjithë Londrën. Grupe të ndryshme kriminale të përfshira në këtë biznes shfrytëzojnë vajza nga vende të ndryshme. "Është një biznes ku janë përfshirë shumë individë apo grupe individidësh. Vihet re se shqiptarët kohët e fundit janë më shumë aktivë se të tjerët, dhe se ata operojnë në klane të vogla apo në bazë familjesh gjë e cila na e bën shkatërrimin e tyre tejet të vështirë. Eshtë e vështirë të thuhet se sa vajza kontrollojnë ata në të gjithë Londrën. Ata kanë dy ose tre vajza të cilat janë një komoditet, vajzat shkojnë punojnë dhe në darkë dorëzojnë të gjitha fitimet e ditës tek shfrytëzuesit e tyre madje në të shumtën e rasteve ato keqtrajtohen. Në ato raste kur ne kemi ndërmarrë operacione anti-prostitucion dhe kemi ndaluar këto vajza ato nuk pranojnë të bashkëpunojnë me ne nga frika e hakmarrjes ndaj familjeve të tyre. Shumica e vajzave që ne kemi ndaluar janë ilegale dhe pa të drejtë qëndrimi në UK". Bradford thotë se pa bashkëpunimin e vajzave ai dhe oficerët e tij nuk mund të bëjnë asgjë më shumë se sa ndalimi i këtyre viktimave dhe kalimi i tyre autoriteteve të emigracionit. Njësia që ai drejton ka vetëm 15 oficerë të cilët duhet të monitorojnë të gjithë aktivitetin e prostitucionit në Londër. Ai thotë se "ne përqëndrojmë vëmendjen e punës tonë në rastet e rënda", të cilat sipas tij janë kur ata marrin ndonjë sinjalizim për vajzat prostituta të cilat janë minorene. "Uroj të kisha më shumë oficerë, dhe më shumë burime informacioni në terren thotë duke qeshur inspektori Bradford të cilit tani nuk i bëjnë më përshtypje ato që ai dëgjon nga viktimat e prostitucionit dhe shfrytëzuesit e tyre meqë i ka patur shumë shpesh përballë në intervistat e tij.

  2. #2
    Ikon-thyes Maska e Qafir Arnaut
    Anëtarësuar
    27-07-2002
    Vendndodhja
    Shum po shndrit aj Diell, e pak po nxeh
    Postime
    1,542
    Derra si Luan Plakici & co do ta paguajn ne nje menyre ose tjetren ate menyre jetese qe kane zgjedhur. You live by the sword you die by the sword. Por c'kusur kemi ne te tjeret qe prej tyre na hapet nami i keq. UK i shtohet tashme Italise, Greqise, Belgjikes si nje nga vendet ku duhen shpenzuar miliona ne kohe e para per nje fushte 'public relations'.

Tema të Ngjashme

  1. Çfarë mendoni për Ahmet Zogun?
    Nga honzik në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 242
    Postimi i Fundit: 03-03-2014, 08:03
  2. Video e ushtarëve grekë në Internet indinjon shqiptarët
    Nga Ingenuous në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 207
    Postimi i Fundit: 22-09-2011, 14:58
  3. Paketa e propozuar nga Ahtisari për statusin final të Kosovës
    Nga Nice_Boy në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 451
    Postimi i Fundit: 21-10-2007, 12:59
  4. Brukseli: Zgjedhjet e 2005, shansi juaj i fundit
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 32
    Postimi i Fundit: 12-04-2005, 14:53
  5. Cili është synimi i AKSH-së?
    Nga Faik në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 65
    Postimi i Fundit: 04-12-2003, 04:22

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •