Veprimtaria letrare, sociokulturore dhe politike e Midhat Frashërit është shumëdimensionale. Ai është konsideruar si njëri nga intelektualët më të shquar të brezit të vet. Gjatë pesë dekadave të sundimit të oktopodit komunist ai mbeti i letuar dhe u quajt "reaksionar", "tradhëtar" etj. E vetmja tradhëti që kishte bërë ishte ajo ndaj ideologjisë komuniste dhe ideologëve të saj.
Salajdin SALIHU
Jeta dhe vepra me pak fjalë
Midhat Frashëri (Lumo Skendo apo Mali Kokojka), ka qenë ministër i Punëve Botore në qeverinë e parë shqiptare, delegat i Stambollit dhe "Vatrës" në Konferencën e Paqës në Paris, më 1920. Ka qenë pjesëmarrës në Konferencën e Mukjes (1943) kur mes forcave politike shqiptare u arrit marrëveshje për mbrojtjen e atdheut, e cila më pas u prish, kurse Midhat Frashëri, pas ardhjes së komunistëve në pushtet u arratis në Amerikë. Komunistët shqiptarë, këta kasnec të internacionalizmit proletar, e futën veprën e tij në regjistrin e veprave të ndaluara. Në të njëjtin regjistër figuronte edhe emri i Faik Konicës, i cili e çmoi Midhatin si atdhetar dhe si "njëri nga më të diturit e brezit të ri" ("Parashtresa", 1899).
Midhat Frashëri është marrë me veprimtari publicistike dhe letrare si dhe ka përkthyer disa vepra. Nën drejtimin e tij janë botuar "Kalendari Kombiar", "Lirija" dhe "Dituria". Ka shkruar jetëshkrimin për Naim Frashërin, novelat "Hi dhe shpuzë", studimin mbi shqiptarët dhe të ardhmen e tyre të pagëzuar si "Pritmi i Shqipërisë", ese sociopolitike dhe etnike "Plagët tona" etj. Midhat Frashëri ka botuar edhe disa vepra në frëngjisht: "L'affaire de l'Epire (1915), "La population de l'Epire" (1915), "Les Albanais chez eux et a la l'Etranger " (1919), "Albanis et Slaves" (919). Midhat Frashëri ka përkthyer në shqip veprat "Guillaume Tell" të Lamartinit (1898), "Bëje të mirën pa hidhe në det" e Franc Hofmanit (1900), "Robinson Crusoe" e Defosë (1909) dhe "Psikologjia e edukatës" e G. Le Bon (1923).
Midhat Frashëri vdiq më 3 tetor të motit 1949 në Njujork. Më poshtë do të përqëndrohemi te disa mendime të tij. Pra do të bëjmë një vështrim sipërfaqësor të një pjese të krijimtarisë së tij
Për shkrimtarët dhe gazetarët
Në esetë e tij Midhat Frashëri shkrimtarët dhe gazetarët i sheh nga prizmi i një romantiku. Ata do të duhej të ishin njerëz idealist me ndërgjegje të lartë kombëtare. Ai ishte i mendimit se njerëzit e letrave mund të bënin gjithçka për qytetërimin e një populli dhe përparimin e tij, ndërkaq për shtypin thoshte se duhej të ishte "kopshti i një jete morale, shkolla e së vërtetave politike dhe shoqënore, predikimi për zhvillimin mendor dhe shpirtënor, e një discipline vullnetare e një rregulle të inspiruarë prej amorit dhe dashurisë, duke kupëtuarë drejt dhe vërtet interesin tënë". Sipas Midhat Frashërit, shtypi nuk duhej të ishte pasqyra e kafeneve dhe vendi i fjalimeve të zbraztë.
Ai kërkonte nga gazetari të kishte patriotizmë dhe modesti dhe të mos vuanin nga smundja e gjelave të detit "që janë më pakë të mençmet e shtazëvet, po që mufaten më tepër". Ai kishte bindjen se do të kishte një shtyp të mirrëfilltë vetëm nëse do të drejtohej nga njerëz të zotë dhe profesionistë.
"Në duamë pra që të ketë rëndësi shtypi ynë dhe të bëjë shërbim, duhet që edhe të jetë në duar të denja, në njerës të zotër, të pajuarë me cilësi dhe virtute të naltë".
Midhat Frashëri edhe shkrimtarin e konsideronte si njeri idealist i pajisur me atdhedashuri. Megjithatë duhet të përmendim se arti vlerësohet me kritere estetike dhe jo ideologjike (qoftë kjo edhe ideologji kombëtare) apo etnike. P.sh. Konica e trajtonte më drejt këtë temë. Sipas Konicës atdhedashuria dhe letërsia janë dy gjëra të ndryshme, pra letrar i mirë mund të jetë edhe ai që nuk është edhe atdhetar i mirë, gjithashtu edhe një atdhetar i mirë nuk do të thotë se është njëkohësisht edhe letrar i mirë...
Për Midhat Frashërin "ngjallja e kaqë kombeve ka nisurë me frymën e poetëve…se ritja dhe lartësimi i kombevet ka gjetur fuqi nga inspirimi i dhënë prej vjershëtorëvet".
Gjithnjë sipas Midhat Frashërit, që të bëhet kombi më i fortë ata kanë nevojë për një ideal që duhet ta krijojnë shkrimtarët dhe intelektualët.
"Ay ideal i bën që të heqin dorë nga rezhionalizma shterpë, nga egoizma misqine, u jep një hov që të rrojnë vetëm për vendin e nderuarë dhe të pandarë".
Për intelektualin
Si çdo njeri idealist edhe Midhat Frashëri nuk ishte i kënaqur me rolin e inteligjencies në shoqëri. Kjo është e kuptueshme për njerëzit e artit që gjithnjë, siç do të thoshte bashkëkohaniku i Ismet Toto, kërkojnë forma më të përsosura mendimi e ndjenje. Nga krijimet e tij shkëputa një pyetje tepër aktuale:
'Po të pyes: ti që e sheh rrezikun, ç'bën, si i bën ballë vdekjesë, cilin miet po përdor?…
Gjer më sot asgjë s'ke bërë për të mjerët, për ata që vuajnë…'
Ja edhe një mendim mjaft aktual: "Jeta intelektuale gjer më sot ka lojturë një rol zero ndër ne. Fuqia dhe kujdesi i tërë ka qenë varurë ne jeta materiale…Zgjimi i një orizonti të mendjësë dhe të moralit, me ndjenja më të holla dhe me të lëmuara, mvaretë nga rëndësija dhe bukurija që do të dijmë ne t'i japim jetesë intelektuale, me anë të shkrimevet".
Për shqiptarin
Shqiptari prej natyre, thotë Midhat Frashëri, është kotësi-dashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë të tjetri.
"Popullit tënë më tepër se çdo send i mungon durimi", thotë Frashëri, duke shtuar se "kemi rrojtur për orën, për minutën e tanishme" e jo edhe për të ardhmen.
"Ai që udhëton në Shqipëri…habitetë kur vë re se këta drurë janë të vjetrë dhe s'gjen as një të ri në mes të tyre! kush lodhetë që t'i mbjellë dhe të presë dhjetë vjet pemën e tyre". Kështu shkruan Midhat Frashëri.
Mbi kritikat ndaj qeverisë
Për Midhat Frashërin qeveria "nuk rrëfen kurrë një send pozitif". Për Midhatin kjo fjalë është "një përallë, një hie, një erë", pranda ai nuk e sheh të arsyeshme të kritikohet aq shumë qeveria, sepse ajo është diçka që nuk ekziston, që s'ka trup, që është vetëm një skaje teknike.
Midhati nuk pranon bindjen se me kritika rrëzohet një qeveri, puna e së cilës nuk duket te ministrat por te nëpunësit. "Me të hequrë shtatë ministrët, a do të heqësh edhe gjithë deputatët, gjithë nëpunësit (disa mijë) që janë kolaboratorët e qeverisë?". Pra pasi gjithçka del nga populli atëherë duhet përpjekje për përparimin e tij, e ky përparim mund të fillojë nga një nëpunës i thjeshtë.
Kritika ndaj qeverisë, sipas M. Frashërit, shkarkon njeriun prej përgjegjësisë, "me qënë se çdo faj j'a hedh një hieje, një ëndëre".
Ai shton: "Kritika e qeverisë është puna më e lehtë e botësë, dhe prandaj në atë jipetë çdo njeri që s'ka no një vleftë në person të tij, çdo njeri që s'është i zoti të flasë prej një sendi me dobi, prej një subjekti pozitif. Është si fjalët e atyreve që s'gjejnë tjatër ç'të thonë, po qahenë nga koha, herë nga vapa dhe herë nga të ftohtët".
Duke e pohuar se "çdo komb ka qeverinë që meriton", Midhati shton edhe këtë: "Fuqia e një njeriu është e vogël për të ndrequrë një qeveri të tërë, po e mjaftë për të ndrequrë punët e tija personale".
Midhati kërkon që çdo kush të marrë përgjegjësi në përparimin e një kombi apo shteti e jo vetëm qeveritarët. Ai është i vetëdijshëm se nëse gjithçka lihet në duart e qeveritarëve, atëherë do të ketë keqpërdorime.
Para shumë kohësh pata thënë se politikanët nuk janë fajtor për gjithçka, sepse duke fajësuar politikanët për gjithçka zhveshemi nga përgjegjësia personale. Lasgush Poradeci do të thoshte: "Kur e burgosëm Vincent Prenushin". Pra, e fut edhe veten si bashkëpjesëmarrës në krim, sepse "poeti mban përgjegjësi për gjithçka". Kur gabojnë politikanët gabojmë edhe ne (duke e futur edhe veten këtu), sepse ne kemi vendosur që po ata politikanë të na udhëheqin. Ç'dobi kemi prej atyre që me orë të tëra na flasin për politikë dhe patriotizmë, që bëhen kinse janë ekspertë të politikës ndërkombëtare e nuk bëjnë asnjë ndryshim në konceptin e jetës familjare, nuk i kujtohet së paku ta pastrojë oborrin e vet nga plehu.
Demokraci d.t.th. të marrësh përgjegjësi. Nëse nuk dëshiron të marrësh përgjegjësi, atëherë do të shohësh fajtorin gjithmonë te tjetri dhe pa e kuptuar je pjesë e kopesë dhe ke nevojë për një bari edhe nëse ai të shpie në gojën e ujkut. A nuk i fajësuam me vite të tjerët për gjendjen tonë e nuk bëmë vet asgjë?
"Unë kam parë një Shqiptar që kritikonte me orë dhe me javë qeverinë pse nuk godit udhë, dhe ay burrë vetë, me shtatë vëllëzërit e tij kishte dy pëllëmbë baltë në oborr", shkruan M. Frashëri.
Midhat Frashëri ishte i mendimit se vetëm zhvillimi kulturor do të mund të përparonte një popull:
" Rrojtja e një populli, mbajtja dhe lulëzimi i një kombi, i një Shteti, s'është vetëm me miete materiale; kërkon dhe një shumicë kondita morale, një fuqi të mëndjesë dhe të shpirtit, që sigurojnë përparimin dhe qytetërimin, që e bëjnë atë komb dhe atë Shtet të zërë një vënd të ndershëm në shoqërinë e sotme. Fuqija morale dhe shpirtënore është ajo që siguron edhe pushtetën materiale mirëshkuarjen fizike".
Dhe diku tjetër: "Një popull nuk rron dot pa ideal, pa një shtytkë, pa një qëllim që e bën të ecënj, të punojë, të përpiqetë dhe të përparojë….pa një fuqi morale, pa një pikë drejt së cilës duhet të rendin së bashku, njerëzit dhe popujt vdirenë, shuhenë".
"Reaksionari" Midhat Frashëri
Vepra e tij është e gjërë, por deri ajo nuk është e prezentuar si e plotë. E kemi njohur si "reaksionar", si "tradhëtar". Kë? Birin e Abdyl Frashërit. E nga ana tjetër atdhetar më të mëdhenj kanë qenë lenkaçukot e pilopelisterat. Midhati kishte punuar për të mirën e kombit dhe vendit të tij, si një njeri idealist. Ai ishte vënë në shërbim të krijimit të arketipit të një shoqërie të përparuar dhe civilizuar shqiptare… Dhe u letua.
Fatkeqësisht njollosjen e tij e bënë para së gjithash vet shkrimtarët. Ajme!
"Puna s'është shorta e një njeriu, e një palë të njerëzvet: është piesa e të gjithëve", thoshte ai. Duke iu referuar kësaj thënie do të shtonim: Është punë e të gjithë njerëzve të shkencës që të bëjnë rivlerësimin e historisë së tyre, sepse vetëm kështu një popull mund të ecë përpara. Me sentimentalizma, eufori dhe rrahagjokse nuk zhvillohet një komb. Ai vetëm zhytet në ëndërr dhe humb ndjenjën për realitetin.
"Çdo Shqipëtar gjendetë sot përpara gjykatores' së historisë. Historija po na gjykon: në mos patmë fatin të jemë stërnipë të lumturë të stërgjyshëvet fatosë, kemi detyrën të përpiqemi që të bëhemi, ne vetë, stërgjyshër të ndershmë për nipët tanë".
Dhe kishte të drejtë ky "reaksionar", përkundër atyre që kishin detyruar arratisjen e tij nga atdheu, për ta bërë pastaj të njëjtin një burg të madh; përkundër atyre që kishin bërë të vuante një popull i të tërë, të cilin e kishin afruar afër humnerës.
Proza poetike të Midhat Frashërit
AH, PO BIE SHI PRAPË
Eja, mike, se po bie shi.
Më duketë sikur qan qielli, sikur derdh lote të hollë. Edhe zëmra ime sot po qan. Jam vetëm, lotët e qiellit riedhin jashtë qelqevet dhe po ndjej të ftohtët brënda në zëmër.
E mban mënt, mike, kur ishim bashkë sa shum' e donim shinë? E mban mënt gazin që ndjenim afrë dritares kur binin pikat e mbëdha të shiut? Ti i prisnje ato ditë, se e dinje që më pëlqenin; i prisnje ato ditë, më prisnje mua.
Ahere, kur bota mbytësh në lot, ne ishim të gëzuarë; ahere, kur bota mbulohësh me ujë të ftohtë, ne kishim nxehtë në zëmrët.
Po tani, nga kjo odë gjysm' e errët, shikoj pikat që po kullojnë, dhe po mbërdhi.
SHKRETINA
Nga një herë jam si beduini në shkretinë. Më çdo anë shoh qiellin të pshteturë në ran'e skuqurë: kurrkund një nisi shprese; tekdo një qiell i përvëluarë, një tokë shterpë dhe të diegurë.
Po ndiek udhën, i prinur prej yllit të veniturë që më rrëfen shpresa ime. Po ecinj, dit' e natë, dhe shumë herë këmbët më gjakosenë.
Ku vete? Atje tej, më tutje se kjo ran' e shkretë, m'at' anë këti qielli të errët; po shoh një qëllim; ylli im po më rrëfen një udhë.
Po dal! Një zë më pyet: Është një qëllim ay, a po një mirazh?
Edhe shumë herë jam si beduini në shkretinët.
MOT' I RI
Ikë, ikë. Qofsh'i nëmur ti që vjen të më urosh motin e ri.
Një mot akoma! Edhe me qeshje në buzë, me urime, vjen të më thuash se m'u pakësua një mot, më thua për shumë vjet.
Dy-mbë-dhjetë hëna! si dije më duketë ay që shkoj, pastaj edhe ay më parë, edhe tjetri akoma!
Lumi që rrjedh lëshon zallin, deleja që shkon le gjurmën, flaka që digjetë le hinë. Po ti, o kohë, ç'na le? A po këtë hi mi kokët tënë!
Qysh pra, gjithë vuajtjet e mëmës s'ime, gjithë shpresat e saja, shpresat e mija, vuajtjet e mija, gjithë këto kështu do të shuhenë?
Vargu i vdekjes po mbushetë, kur imi çdo mot po afëron më të këputurë. Edhe s'mund ta ndaloj këtë lumë, s'mund ta mbaj këtë jetë!
Edhe ti ironi, me qeshje në buzë, vjen të më urosh. Ikë, ikë këtej, se s'dua urime unë, jam për rënkim.
Krijoni Kontakt