ATHINE (4 Korrik) - Policia greke njoftoi se ka ndaluar një ekzekutor të grupit terrorist grek "17 Nëntori",asnjë anëtar i të cilit nuk ishte ndaluar gjatë 27 vjetëve të veprimit të tij, si autorin e një atentati të dështuar të shtunën e kaluar në Pire, Savas Xiros. Shefi i policisë greke, Fotis Nasiakos, njoftoi se ky njeri kishte marrë me qira nën një emër të rremë, që "prej 8 vjetësh" një lokal ku ndodhej depoja kryesore e armëve të "17 Nëntorit", të zbuluar dje në mbrëmje nga policia në Kato Patissia, pranë qendrës së Athinës. Nasiakos njoftoi gjithashtu se gjurmët e gishtave të Savas Xiros ishin "identike" me disa të tjera të zbuluara në një makinë të përdorur nga "17 Nëntori" gjatë vrasjes së pronarit grek të anijeve Costas Peteratikos më 28 maj 1997 në Pire, porti i Athinës. Vrasja në qershor 2000 e atasheut ushtarak britanik në Athinë, gjeneralit Stephen Saunders, është e fundit e atentateve të grupit "17 Nëntori". Savas Xiros është shtruar në spital që prej të shtunës në mbrëmje në një njësi të terapisë intensive dhe gjendja e tij është "stabilizuar", sipas spitalit. Mjeti shpërthyes, i përbërë nga dinamit, që po bëhej gati ta vendoste mesa duket në sportelin e një kompanie detare në Pire, shpërtheu aksidentalisht. Policia arriti të martën në konkluzionin se një armë e gjetur në vendin e atentatit në një çantë në afërsi të të plagosurit ishte ajo e një polici të vrarë nga "17 Nëntori" në vitin 1984.
(AFP/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt