Krimet shqiptare ne Gjykaten e Hages

Nga Shkelzen Maliqi/ Nga Gjykata e Hages per krimet e luftes ne ish-Jugosllavi konfirmohet ngritja e padise se pare ndaj shqiptareve nga Kosova. Kryeprokurorja Karla de Ponte qendroi javen e kaluar ne Prishtine per te informuar zyrtaret dhe opinionin e Kosoves se Gjykata ka leshuar akuzen e pare ndaj nje qytetari te Kosoves. Karla de Ponte ka paralajmeruar edhe vazhdimin e hetimeve dhe sigurimin e provave per ngritjen e te pakten dy akuzave te tjera.

Zyrtaret e Kosoves mirepriten informacionin e kryeprokurores. Ata ishin te mendimit se Gjykata duhet te ndricoje dhe te ndjeke penalisht te gjithe autoret e krimeve te luftes dhe se, nese eksiston dyshimi dhe provat e krimit, nuk mund te kete instance dhe perkatesi te mbrojtur.

Ne spekulimet e ngritura pas paralajmerimit eshte thene se procedurat e ngritura kane te bejne me ish-pjesetaret e UCK-se. Megjithate, Karla del Ponte dhe zyrtaret e Kosoves theksonin se fillimi i procedures nuk duhet kuptuar si proces kunder UCK-se. Akuzat kane te bejne me krimet konkrete ndaj civileve te perkatesive te ndryshme etnike (serbet, romet dhe shqiptaret qe jane konsideruar luajal ndaj regjimit te Beogradit etj.) dhe jo me veprimtarine clirimtare te UCK-se.

Megjithate, nisma e Gjykates nuk ka mundur te kaloje pa debate opinionesh dhe pa politizime. Menjehere pas shpalljes se lajmit per akuzen, kane filluar spekullimet se kush jane te akuzuarit dhe per cfare krimesh behet fjale. A do te godase Gjykata strukturat komanduese te ish-UCK-se, apo vetem instancat me te ulta te doraseve? Kjo per arsye se propaganda zyrtare serbe edhe gjate luftes e edhe pas permbysjes se regjimit te Milloshevicit (procesi kunder te cilit tashme eshte duke u zhvilluar ne Hage), kane insistuar se UCK-ja eshte organizate terroriste dhe se duhen ndjekur penalisht komandantet e saj. Beogradi parreshtur kerkonte dhe ende kerkon gjykimin e figurave kyce te kryengritjes, te Hashim Thacit, Ramush Haredinajt, Agim Cekut dhe disa te tjereve qe kane poste te rendesishme dhe ndikim te madh ne proceset politike dhe ne demokratizimin e Kosoves se pasluftes.

Nese Gjykata do te akuzonte keta lidere dhe bashkepunetoret e tyre me te afert, vertet do te mund te krijohej pershtypja e precedences se kriminalizimit te luftes clirimtare te shqiptareve ne Kosove. Kuptohet, kryeprokurorja del Ponte nuk ka dhene hollesi per akuzat dhe eshte veshtire qe te pargjykohet qasja e Gjykates ndaj krimeve te bera nga shqiptaret. Por, mund te supozohet se akuza nuk do te jete e pergjithesuar ose e natyres se njejte si ajo per te cilen akuzohet Milloshevici. Edhe nese ne listen e Hages do te jete ndonjeri prej komandanteve te spikatur te UCK-se, ai do te mund te akuzohej vetem per akte te hakmarrjes dhe likuidimet e civileve ne kuader te operacioneve te kufizuara ushtarake, dhe jo edhe per projekte te paramenduara dhe plane shfarosese dhe genocidale, per te cilat akuzohet Milloshevici me bashkepunetoret. Mandati i Gjykates se Hages edhe ashtu nuk eshte denimi i luftes ose i kryengritjes si te tille, por procesimi dhe denimi i shkeljeve flagrante te konventave te luftes, ne lidhje me terrorin, debimet dhe shkaterrimet qe kane goditur civilet dhe popullesine e paarmatosur. Ne rastin e Milloshevicit Gjykata merret me zbardhjen dhe denimin e planeve genocidale, te mbeshtetura nga institucionet shteterore dhe nacionale serbe, qe kane pasur per qellim spastrimin etnik te Kosoves nga shqiptaret, nderkaq qe per UCK-ne dihet se ka pasur program clirimtar te orientuar kunder regjimit, dhe jo kunder serbeve.

Gjithashtu, Gjykata do ta kete shume me veshtire qe te gjeje provat per pergjegjesine komanduese ne kuader te njesive kryengritese te UCK-se, ngase ajo ka qene e perbere nga njesite e vogla guerile qe kane vepruar ne rajonet e ndryshme duke mos pasur koordinim te plote mes vete, keshtu qe per krimet konkrete ndaj civileve serbe dhe te minoriteteve te tjera ne rajonet e caktuara nuk mund te ngarkohen as Shtabi i Pergjithshem e as Drejtoria Politike e UCK-se, vecse nese ka deshmi konkrete se ata kane dhene urdhera per likuidime.

Sipas disa spekullimeve Gjykata as qe ka prova te mjaftueshme per te ndjekur krimet e shqiptareve te kohes se luftes. Per hetuesit e Hages nuk duhet te jene shume te besueshme dhe valide deshmite dhe burimet serbe, sidomos ato te pergatitura ne kohen e regjimit te meparshem. Gjykata ne pergjithesi preferon hulumtimet e pavaruara, dhe Serbia as me pare e as sot nuk e ka pelqyer bashkepunimin dhe punen e pavarur te hetuesve te Gjyakates.

Ne disa qarqe te informuara pohohet se ne listen e kryeprokurores se Gjykates ne te vertet gjenden vetem personat ose grupet ektreme shqiptare qe kane bere krime kunder serbeve, romeve dhe pjesetareve te minoriteteve te tjera ne periudhen e pasluftes, per cka kane mundur te mblidhen provat e mjaftueshme dhe me te sigurta.

Sidoqofte, anketat qe jane bere nderkohe tregojne se kosovaret ne pergjithesi kane qendrim pozitiv ndaj punes se Gjykates te Hages, per dallim nga Serbia dhe vendet e tjera ku nje pjese e politikaneve, mediave dhe opinionit mendon se gjyqi i Hages eshte instrument per realizimin e qellimeve te caktuara politike te Perendimit. Ky qendrim pergjithesisht pozitiv i kosovareve nuk do te luhatet, as me inicimin e proceseve kunder shqiptareve, vec ne ato qarqe ekstreme qe kane qene te perfshira ose kane mbeshtetur hakmarrjet e paligjshme.




--------------------------------------------------------------------------------
Korrieri, 04/23/2002