E vërteta shqiptare në jetimoret greke

Raporti i UNICEF-it për trafikimin e fëmijëve shqiptarë në tokën
helene. 75% "zhduken" nga institucionet. Të ngujuar në jetimoret e
Greqisë. Të detyruar forcërisht të ndërrojnë kombësinë. Pa asnjë
kontakt me gjuhën amë. Eshtë realiteti i fëmijëve shqiptarë të
trafikuar në tokën helene, i zbardhur nga raporti i UNICEF-it për
Shqipërinë.

"Fëmijët më të vegjël se 12 vjeç dërgohen nëpër jetimore, ku i
nënshtrohen një procesi të shkombtarizimit me forcë dhe humbasin
kontaktin me gjuhën e tyre të origjinës", thuhet në raport. Shifrat e
Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, flasin për 6'000 fëmijë
shqiptarë në jetimoret italiane dhe 2'000 në ato greke. Porse raporti
i UNICEF-it saktëson se e vërteta e përtej gardhit të jetimoreve
greke është krejt tjetër. "Në tre vitet e fundit, rreth 75 për qind e
fëmijëve shqiptarë në institucionet greke, janë `zhdukur' prej aty",
thuhet në raport. Sipas burimeve zyrtare greke, nga 644 fëmijë
shqiptarë të strehuar, 487 ia kanë mbathur. Por raporti tregon se nuk
ka informacione bindëse rreth numrit të fëmijëve shqiptarë të mbajtur
në jetimoret greke. "Ministria greke e Shëndetësisë ka refuzuar t'i
përgjigjet kërkesës së OJQ-së shqiptare "Help for Children" për
informacion dhe akses nëpër jetimoret greke", thuhet në raport.

TË ZHDUKUR E TË VDEKUR
"Disa të zhdukur e të vdekur", ka deklaruar shefi i misionit të
organizatës "Terre des Hommes", duke iu referuar raportit për fëmijët
shqiptarë të trafikuar në Greqi. As policia e organizatat
joqeveritare greke nuk kanë dijeni për vendndodhjen e pjesës më të
madhe të fëmijëve shqiptarë. "Rreth 80 për qind e fëmijëve të
trafikuar që janë në Greqi kanë ndryshuar lokalitetet ku qëndronin më
parë, si dhe aktivitetet që ushtronin. Ata janë zhdukur në rrjete,
apo qytete e shtete të tjera", thuhet në raport. Rishtas, trafikimi i
fëmijëve për të dyja sekset, lidhej me punësimin me forcë e lypjen,
shpërndarjejn e drogës dhe aktivitete të tjera si larja e
makinave. "Ka fëmijë që janë rishitur për arsye prostitucioni",
citohet në raport. Sipas të dhënave të mbledhura nga "Terre des
Hommes", pas disa kohë qëndrimi në Greqi apo në Itali, fëmijët
trafikohen më tej në Evropën Perëndimore.

Qytetet kryesore prej nga trafikohen fëmijët shqiptarë janë Berati,
Korça, Fieri, Elbasani e Tirana. Raporti saktëson se mosha e tyre
varion nga 0-15 vjeç. Shumë syresh, janë prej familje të
varfra. "Shumica e fëmijëve të trafikuar vijnë nga minoriteti rom në
Shqipëri, megjithëse ka fëmijë edhe me origjinë shqiptare dhe
problemi nuk është specifikë e një grupi të caktuar nga radhët e
minoriteteve", thuhet në raportin e UNICEF-it. Sipas raportit,
fëmijët trafikohen për në Greqi, duke shkuar në këmbë, duke kapërcyer
malet, me kamion, nëpërmjet kufirit me dokumente false, si dhe me të
ashtuquajturat "nëna" false. Raporti i mëshon edhe përfshirjes së
zyrtarëve në trafik. "Tolerimi i autoriteteve në të dyja anët e
kufirit, Greqi e Shqipëri, është bërë një pjesë e pandarë e
problemit", citohet në raport. Në disa raste, rikthehen. Porse vetëm
në kufi. Arrestohen, burgosen e mbahen bashkë me trafikantët. Në çdo
rast me të rriturit. "Gjatë mbajtjes në arrest, me ata shpesh
abuzohet, keqtrajtohen dhe grabiten nga gardianët apo edhe nga të
ndaluarit e tjerë. Pas disa ditësh, ata dërgohen në kufi dhe lihen
aty në mëshirë të fatit", thuhet në raport. Kësisoj ua servirin në
pjatë të argjendtë trafikantëve, pasi, sipas raportit, institucionet
shqiptare dhe policia nuk janë të informuara rreth aksioneve të
fqinjëve.

RAPORTI I ORGANIZATËS "TERRE DES HOMMES" NË KE
"Dhjetëra fëmijë shqiptarë janë `zhdukur' në Greqinë qendrore". Ky
është një nga konkluzionet e raportit "Fëmijët shqiptarë të trafikuar
në Greqi" i organizatës ndërkombëtare "Terre des Hommes", në
komisionin e të drejtave të njeriut në Këshillin e Evropës. "Janë me
qindra fëmijët shqiptarë që nga mosha katër vjeç të trafikuar në
Greqi, ku janë shfrytëzuar ekonomikisht e seksualisht, për përfitime
të të rriturve", thuhet në raportin e parashtruar në KE. Sipas
raportit, qeveritë e dy vendeve kanë bërë shumë pak në ndaljen e
këtij fenomeni. Fjala e përfaqësuesve të "Terre des Hommes" në KE,
saktëson se nuk ka kritere etnike në "përzgjedhjen" e fëmijëve të
trafikuar. Përfitimet shkojnë të gjitha në xhepat e "bosëve". "Një
fëmijë siguron minimumi 30-50 euro në ditë dhe të gjitha paratë ia
jep padronit", thuhet në raport. Ndodh që rekrutuesi është i afërm i
familjes së fëmijës së trafikuar. "Do të bëjë lekë". Kësisoj bindja
ndodh pa shumë mundim. "Prindërit i lejojnë fëmijët për shkak të
varfërisë, injorancës, por në disa raste janë të përfshirë vetë në
trafik", thuhet në raport. Sakaq, vendi i destinacionit, Greqia, nuk
i konsideron të vegjlit viktima, por fajtorë për kalim të paligjshëm
të kufirit. "Terre des Hommes" apelon në Këshillin e Evropës për t´i
thënë ndal këtij trafiku, nëpërmjet një bashkëpunimi të të gjitha
palëve.

SHIFRAT E FËMIJËVE TË TRAFIKUAR
Sipas Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale janë të paktën 6'000
fëmijë shqiptarë në jetimoret italiane dhe 1-2 mijë në ato greke
Zonat kryesore prej nga trafikohen fëmijët shqiptarë janë Berati,
Korça, Fieri, Elbasani dhe Tirana Mosha e fëmijëve të trafikuar
varion nga 0-15 vjeç Një fëmijë fiton minimumi 30-50 euro në ditë. Të
gjitha të ardhurat i kalojnë "bosit".

Sipas burimeve të institucioneve greke, nga 644 fëmijë shqiptarë të
marrë në mbrojtje, 487 janë arratisur, 90 janë përcjellë te familjet
e tyre, 45 janë dërguar nëpër institucione, 22 janë kapur nga
policia. Rreth 80 % e fëmijëve të trafikuar në Greqi kanë ndryshuar
lokalitet dhe aktivitet, janë zhdukur në rrjete, apo qytete e shtete
të tjera. Panorama, 18 01 2004