Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17

    Qeveria e Vlores perpiqet te rimarre Janinen

    Fakte historike zbardhin dorëzimin e divizionit shqiptar në 1913 te grekët dhe marrëveshjen me trashëgimtarin e fronit, princin Konstandin

    Përpjekjet e dështuara të Ismail Qemalit për t'i dhënë Shqipërisë qytetin e Janinës

    Përparim Rexhepi

    Beteja për qytetin e Janinës, gjatë Luftës së Parë Ballkanike (1912-1913), për shqiptarët paraqet një interes të veçantë, pasi në strukturat e Garnizonit të Janinës kishte një numër të madh të luftëtarëve shqiptarë, një divizion me redifë (rezervistë) kryesisht nga krahinat e Jugut të Shqipërisë, si dhe vullnetarë të tjerë shqiptarë. Si e tillë, ajo e meriton për t’u njohur e për t’u studiuar në kuadrin e rolit dhe kontributit të faktorit shqiptar.

    Kush ishin letrat dhe telegramet, që Ismail Qemali ju dërgonte krerëve të ushtarëve shqiptarë, që ishin instaluar në kështjellën e Janinës për ta mbrojtur atë nga forcat greke? Përse drejtuesi i qeverisë së Vlorës kërkonte me çdo kusht që përpara Konferencës së Londrës, Janina të mbahej nga shqiptarët, qoftë edhe nën flamurin grek? Nga cilat krahina ishin luftëtarët që përbënin Korpusin shqiptar në luftën e Janinës? Si u zhvillua beteja për qytetin, që ishte planifikuar nga qeveria e Vlorës për t´u bërë kryeqytet i Shqipërisë së Jugut dhe përse Esat Pashë Janina vendosi t´ia dorëzonte grekëve qytetin? Për fakte të hollësishme për këtë ngjarje gati të harruar nga historianët, bëhet fjalë në shkrimin e mëposhtëm…

    Divizionet shqiptare në Luftën e Parë Ballkanike

    Gjatë Luftës së Parë Ballkanike, tetor 1912-prill 1913, Garnizoni i Shkodrës në veri dhe ai i Janinës në jug u evidentuan si dy bastionet më të forta të qëndresës. Ndryshe nga njësitë e tjera të ushtrisë osmane në Trakë, Kosovë, Sanxhak, Maqedoni, Shqipëri, Epir dhe Thesali, të cilat që në fillim të Luftës së Parë Ballkanike pësuan disfata të rënda, në Shkodër dhe Janinë rezistenca e garnizoneve të sipërpërmendura vazhdoi nga një muaj sa ishte planifikuar në gjashtë muaj (Janinë) dhe shtatë muaj (Shkodër), madje në kushtet e rrethimit të plotë nga forcat e armikut. Në historiografinë ushtarake ballkanike, operacionet për mbrojtjen e Shkodrës dhe të Janinës vlerësohen në shkallën më të lartë, e sidomos mbrojtja e qytetit të Shkodrës, garnizoni i të cilit doli nga rrethimi me dinjitet, me flamujt luftarakë, armatimin dhe në rregull të plotë, saqë kundërshtarët e tyre ishin të detyruar t’i nderonin kur kalonin para tyre. Ndonëse jo e nivelit të mbrojtjes së Shkodrës, edhe operacioni për mbrojtjen e Janinës ka vlerat e veta të padiskutueshme, edhe për faktin se gati gjysma efektivit të Garnizonit përbëhej nga luftëtarët shqiptarë. Është e nevojshme që kjo betejë e madhe të zbardhet, sepse në qoftë se për qëndresën e Garnizonit të Shkodrës kundër sulmeve të forcave të mëdha të ushtrive serbo-malazeze është bërë diçka, ndonëse jo në përmasat që duhet, për evidentimin e kontributit të divizionit shqiptar në mbrojtjen e Janinës (13 tetor 1912-6 mars 1913) nuk është shkruar asgjë.

    Përpjekjet e qeverisë së Vlorës për të marrë Janinën

    Shtabi Madhor turk, në strukturën e planizimit luftarak, të miratuar në fillim të vitit 1912, që parashikonte masat kryesore në një konflikt të mundshëm me shtetet ballkanike, detyrën për të mbrojtur pjesën perëndimore të Rumelisë, ku përfshiheshin territoret shqiptare, ia kishte caktuar Armatës së Dytë, me qendër në Selanik. Kjo Armatë përbëhej nga tre korpuse: Korpusi 3-të, me qendër në Selanik, Korpusi i 6-të, me qendër në Manastir dhe Korpusi i 7-të, me qendër në Shkup, si dhe tri divizione autonome me nizamë (22 K në Kozanë, 23 K në Janinë dhe 24 K në Shkodër), të cilët në rast lufte ktheheshin në korpuse, pasi kompletoheshin me nga një divizion me redifë shqiptarë. Fati i ardhshëm i qytetit të Janinës ishte me një rëndësi të madhe jo vetëm për perandorinë osmane, por edhe për dy vendet kryesore pretenduese, Shqipërinë dhe Greqinë. Greqia dëshironte ta pushtonte sa më shpejt “zemrën e Epirit”, ndërsa dihet se ky qytet, ku kishte patur selinë e pushtetit të tij, Ali Pashë Tepelena, pretendohej nga qeveria e Ismail Qemalit, si kryeqendra administrative e viseve jugore të shtetit të porsashpallur të pavarur shqiptar. Sipas vlerësimit të Ismail Qemalit, po të binte Janina, bashkë me të do t’i shkëputeshin shtetit të saposhpallur shqiptar territore shumë të gjera të tij në jug. Por, ndryshe nga qyteti i Shkodrës, për të cilën në mënyrë konstante ekzistonte interesimi agresiv i Austro-Hungarisë për të mos u aneksuar nga Mali i Zi apo Serbia, përkrahja nga ndonjë fuqi e madhe europiane që Janina t’i përkiste Shqipërisë së pavarur, ishte shumë e zbehtë. Për këto arsye, në kushtet e situatës së ndërlikuar të Luftës së Parë Ballkanike, Plaku i Vlorës shpresonte që Korpusi i Janinës, ku kishte një numër të madh të luftëtarëve shqiptarë, të rezistonte sa më gjatë, duke krijuar kushte për një zgjidhje optimale të fatit të qytetit. Në këtë kontekst, qeveria e Vlorës vendosi një komunikim të vazhdueshëm me komandën e Korpusit të Janinës për ta ndihmuar me ç’të mundej për forcimin e gjithanshëm të mbrojtjes. Në morinë e korrespondencës, tërheq vëmendjen telegrami i drejtuar, më 20 dhjetor 1912, nga Ismail Qemali, komandantit të Korpusit të Janinës, në të cilin, ndër të tjera, thuhej: ”Mbrojtja dhe disiplina e armatës së Janinës do të thotë t’u vihet një pritë aspiratave greke, që duan të na shtypin e prandaj presim të na thoni se si duhet të përpiqemi e ç’kërkesa e komunikime duhet të bëjmë”. Por, edhe Komanda e Korpusit të Janinës ishte e interesuar për bashkëpunimin me qeverinë e Vlorës, pasi siç u theksua, një numër i madh i efektivit përbëhej nga luftëtarët shqiptarë. Ky interesim u kthye në shqetësim, kur pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, disa luftëtarë shqiptarë, që luftonin në frontin e Janinës, nisën të dezertonin për të shkuar pranë familjeve të tyre. Shkaqet kryesore ishin opinionet e përhapura nga armiku se “çështjen e kufijve të Shqipërisë e kishin në dorë Fuqitë e Mëdha, prandaj ishte e kotë të luftohej e të derdhej gjak” dhe masakrat e pashembullta të kryera ndaj banorëve shqiptarë nga forcat e ushtrisë serbe dhe greke që kishin avancuar në territoret e Shqipërisë së Jugut. E shqetësuar nga një fenomen i tillë me pasoja fatale për qëndresën e organizuar, Komanda e Korpusit të Janinës iu drejtua për ndihmë qeverisë së Vlorës që të ndërhynte për ta ndaluar e penguar largimin nga fronti të luftëtarëve shqiptarë. Ismail Qemali, duke i ofruar ndihmën e Qeverisë së tij, në të njëjtën kohë, kërkoi nga komanda e Korpusit në Janinë (ashtu si edhe të Korpusit në Shkodër) që të ngrinin flamurin shqiptar, krahas atij turk, gjë që do t’i motivonte më shumë forcat shqiptare. Megjithëse ky propozim, për arsye të ndryshme, nuk u mor parasysh, nga komandat respektive turke, duke iu përgjigjur kërkesës së komandantit të Korpusit të Janinës, Këshilli i Ministrave në Vlorë, më 29 janar 1913, mori zyrtarisht vendimin që “Të mbrohet me çdo kusht Janina” dhe u dërgoi një thirrje gjithë krahinave të vendit, me anën e së cilës kërkonte që “ushtarët shqiptarë, të arratisur nga fronti i Janinës, të ktheheshin menjëherë në repartet e tyre, për mbrojtjen e interesave të Atdheut. Për shqiptarët, thuhet në këtë thirrje, është një detyrë fort e madhe të mbrohet dhe të mbahet Janina. Megjithëse ushtarët shqiptarë luftojnë nën flamurin otoman, prapë se prapë këta duhet ta dinë këtë detyre dhe ta njohin dobinë që ka Janina për Atdheun e tyre”.

    Kush ishte Korpusi që mbronte Janinën

    Korpusi i Janinës përbëhej nga një divizion me redifë shqiptarë, forca mustafëz (territoriale shqiptare), vullnetarë vendas, forcat e Divizionit 23 me nizamë, reparte xheniere etj. Divizioni me redifë shqiptarë përbëhej nga 3 regjimente këmbësorie: regjimenti i Janinës, me batalionet e Janinës, Margëllëçit, Filatit dhe Ajdonatit; regjimenti i Vlorës, me batalionet e Vlorës, Mallakastrës, Fierit dhe Tepelenës; regjimenti i Gjirokastrës, me batalionet e Gjirokastrës, Delvinës, Përmetit dhe Leskovikut; gjithashtu, në Janinë ishin vendosur edhe batalioni i Skraparit, një batalion i Bilishtit, si një numër vullnetarësh nga banorët shqiptarë vendas. Divizioni 23 me nizamë përbëhej nga tre regjimente këmbësorie, një regjiment artilerie dhe forca të tjera. Duhet patur parasysh se Greqia, në prag të fillimit të Luftës së Parë Ballkanike, ishte një shtet i vogël, me një popullsi me më pak se 2 milionë banorë dhe me një sipërfaqe të kufizuar; territoret e shtetit të pavarur grek shtriheshin në Peloponez, në një pjesë të Thesalisë, në Beoti, Atikë etj. Kreta ishte njësi administrative më vete, nën protektoratin e Fuqive të Mëdha evropiane të kohës. Epiri, Maqedonia e Egjeut, Traka dhe ishujt Jonianë ishin nën juridiksionin e Turqisë. Kufiri i vjetër turko-grek në veri e verilindje të Greqisë, në vilajetin e Janinës, në këtë periudhë, fillonte në perëndim të Prevezës e vazhdonte në verilindje, duke përfunduar në Larisa.

    Përbërja e forcave greke

    Forcat tokësore të ushtrisë greke, në prag të fillimit të konfliktit me Turqinë, në tetor 1912, kishin një efektiv prej rreth 113 mijë vetësh, të ndarë në 4 divizione këmbësorie (1,2,3,4), forcat e zgjedhura “Evzon” (7 batalione), forca të artilerisë etj. E kaluara më e afërt e ushtrisë greke nuk shkëlqente, përkundrazi: në ndeshjen e vitit 1897, me forcat turke, ajo kishte pësuar një humbje të rëndë dhe vetëm ndërhyrja energjike e aleatëve të saj të mëdhenj europianë e shpëtoi atë nga shpartallimi i plotë. Në këto luftime, për merita të veçanta Hasan Riza Pasha (më vonë komandant i Korpusit të Shkodrës, dhe Esad Pashë Toptani, zëvëndës i tij) u graduan: i pari nga nënkolonel në kolonel, kurse i dyti nga kolonel në gjeneral-brigade. Duke nxjerrë mësime nga kjo disfatë, krerët e lartë ushtarakë grekë iu drejtuan për ndihmë Francës, e cila dha një kontribut të veçantë për modernizmin dhe menaxhimin e ushtrisë greke jo vetëm në periudhën para fillimit të Luftës së Parë Ballkanike, por edhe gjatë zhvillimit të saj… Ndërkohë, armata e Epirit kishte filluar luftimet kundër garnizoneve turke dhe, më 2 nëntor, pushoi Prevezën, më 11 dhjetor Sarandën etj. Përfundimisht, pas pushtimit të Artës, Prevezës, Pargës etj., më 13 dhjetor, 1912, trupat greke iu afruan Janinës. Luftime të ashpra vazhduan gjatë 14-15-16 dhjetorit, rreth rajonit të mbrojtjes së Korpusit të Janinës në lartësitë e Luzetës dhe Agia Nicoloas, të cilat, më në fund, ranë në duar të grekëve. Por më 19 janar 1913, nëpërmjet një kundërgoditje të suksesshme, trupat turko-shqiptare rimorën Luzetën, por nuk e mbajtën dot gjatë pasi, më 21 janar 1913, grekët e pushtuan përsëri. Deri më fillim të marsit 1913, midis trupave greke dhe forcave të Korpusit të Janinës, nuk pati veprime të shënuara luftarake. Por, çuditërisht, për dy ditë luftime, më 4-5 mars, mbrojtja e fuqishme dhe e fortifikuar e korpusit të Janinës, u thye lehtë nga trupat greke, të cilat e detyruan kundërshtarin, që të kapitullonte.

    Rrethimi i Janinës nga luftëtarët grekë

    …Arsyeja kryesore pse trupat greke kishin ndalur para Janinës ishte se ato kishin përpara një sistem modern të rajoneve e pikëmbështetjeve të fortifikuara, të vendosura në mënyrë rrethore, në lartësitë dominuese, që kontrollonin kalimet për në qytetin e Janinës. Natyra, përgjithësisht malore e rajonit në jug, juglindje e jugperëndim të Janinës, me lartësitë e Bizanit, Manolisës, Agi Nicoloas, Doroutis, Katsicsës, Megas, Mikro-Gardioku, Sadovica etj., i jepte një forcë të veçantë këtij fortifikimi, duke bërë atë shumë të vështirë për t’u pushtuar. Veç forcave të këmbësorisë, në këtë sistem mbrojtjeje ishin vendosur 21 bateri artilerie të kalibrave të ndryshëm, me 128 topa (nga të cilët 72 topa ishin të kalibrit 90 mm, 16 –120 mm, 2 -150 mm dhe 25 topa -75 mm), si dhe 12 mitralozë, të cilët, së bashku me armët e tjera të këmbësorisë, me kryqëzimin e zjarrit të tyre, mbulonin të gjithë terrenin e veprimeve luftarake, e sidomos shtigjet malore, të cilat lejonin kalimin në shpinë të rëndimit të luftimit të Korpusit të Janinës. Zemra e këtij sistemi mbrojtjeje të fortifikuar ishte Bizani, 10 km në juglindje të Janinës, në lartësitë me të njëjtin emër. Bizani ishte pika më e rëndësishme e gjithë sistemit të pikëmbështetjeve të fortifikuara përreth Janinës. Ajo ishte ideuar e ndërtuar nga Marshalli gjerman, Von Der Goldz, për të kontrolluar zonën përreth, por sidomos rrugën Janinë-Prevezë. Dy kodrat, ku ishin vendosur rajonet dhe pikëmbështetjet në Bizani, përbëheshin nga terrene të ashpra shkëmbore, një tipar i veçantë që e detyroi Von der Goltsin dhe oficerët e tij të adoptonin një plan special për fortifikimin dhe për vendosjen e baterive të artilerisë. Përpara pikëmbëshetjeve dhe transheve të vijës së parë në Bizani, në distancën e mbrojtjes së afërt nga sulmet e këmbësorisë armike, ishin vendosur telat me gjemba si dhe nga minat. Të gjitha këto punime ishin bërë para luftës, duke e kthyer Bizanin në një fortesë, të vështirë për t’u pushtuar…

    Ditët e fundit të luftimeve (4-5 mars 1913)

    Konkretisht, forcat shqiptaro-turke, në jug, juglindje dhe jugperëndim të Janinës, në këtë kohë, ishin vendosur: Në Bizani- batalionet redif të Ajdonatit, Delvinës dhe Gjirokastrës, si dhe regjimentet 67 e 69 me nizamë; në Manolasu - bat.redif i Ajdonatit; në Agia Nicolaos- bat. redif i Përmetit dhe b3 R68K; në Kotorts-bat redif i Janinës dhe ai i Mallakastrës; në Kondinius- bat. redif i Leskovikut; Dirack-bat. redif i Fierit; në Sadovicë-bat.redif i Margëllëçit. Plani grek i operacionit për të pushtuar Janinën ishte i bazuar mbi një mashtrim të vjetër, i cili është i njohur në historinë e luftrave. Thelbi i këtij mashtrimi konsistonte në krijimin e një force të madhe fleksibël, këmbësorie dhe artilerie, në qendër të rendimit luftarak grek, e kamufluar mirë, e cila do të manovronte nga e majta ose e djathta, për të dhënë goditjen vendimtare, në varësi të situatës dhe të lëvizjeve të forcave të kundërshtarit. Pikëmbështetja e fuqishme e Bizanit u përpoq mjaft gjatë ditës që të pengonte avancimin e trupave greke, duke goditur me zjarr artilerie Manolissën, Agios Nicolaos dhe Douroti, por më kot. Në këto kushte, trupat turko-shqiptare në pikëmbështetjet e sipërpërmendura, përveç Bizanit, të rrezikuara të binin në rrethim të plotë, u detyruan të tërhiqen drejt Janinës. Për çudi, asnjë veprim energjik dhe asnjë kundërsulm nuk u ndërmor nga komanda e Korpusit. Dukej sikur ajo ishte pajtuar me idenë e kapitullimit… Pikërisht, në këtë moment, Esad Pasha mblodhi oficerët e shtabit të tij, të cilëve u parashtroi propozimin e vet për të dorëzuar Janinën dhe për të vënë në dijeni për këtë gjë komandën e lartë të trupave greke, si dhe Princin Trashëgimtar të fronit, Konstandin...

    Kapitullimi

    Kapitullimi kaq i shpejtë i Garnizonit të fuqishëm të Janinës, (për dy ditë, 4-5 mars 1913) ka shtyrë ndonjë autor të aludojë për ekzistencën e një marrëveshjeje të fshehtë ndërmjet komandantit të Korpusit, Esat Pashë Janinës me komandën greke. Se sa e saktë mund të jetë kjo akuzë, nuk mund të thuhet ndonjë gjë me siguri. Trupat shqiptare dhe turke, sipas kësaj marrrëveshjeje, fillimisht lanë armatimin, municionin dhe pajisjet e tjera në transhe dhe nisën të grumbullohen në vendin e caktuar për robërit e luftës. Por, papritur, nga Komanda greke erdhi urdhri që trupat e zënë rob të Korpusit të Janinës të riktheheshin në pozicionet e tyre, të merrnin armatimin personal dhe të rreshtuar, me oficerët në krye, të parakalonin në Serviana, para tribunës së fitimtarëve grekë. Trupat e redifëve, të mustafëzëve shqiptarë, si dhe të nizamëve turq, porsa mbaronin parakalimin para tribunës së ngritur nga grekët në Serviana, ishin të detyruar që të hidhnin pushkët menjëherë në tokë. Sipas një gazetareje franceze, dëshmitare okulare, kjo ishte një pamje shumë e trishtuar për fundin e një prej garnizoneve që rezistuan më me këmbëngulje në Luftën e Parë Ballkanike. Janina ishte pushtuar nga trupat perandorake osmane më 1430. Por, pas afro 500 vjetësh, fati i saj në dukje do të diskutohej midis ushtrisë otomane dhe asaj greke, por, në të vërtetë, nuk ishte kështu. Janina do të diskutohej midis dy fqinjëve të vjetër, shqiptarëve dhe grekëve. Duket se profecia e Plakut të Vlorës kishte qenë e saktë. Me rënien e Janinës së Ali Pashë Tepelenës në duar të grekëve, Shqipërisë së Jugut iu shkëput pothuajse e gjithë Çamëria, së bashku me territore të tjera.
    "Babai i shtetit është Ismail "Qemali", e zbuloi Edvin shkencëtari!"

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e DGman
    Anëtarësuar
    30-12-2003
    Vendndodhja
    Wichita KS USA
    Postime
    78
    Kam dy harta qe mund te tregojne me qarte synimet e fqinjeve tone, dhe pasigurine e fuqive te medha per te dizenjuar kufujte.
    Po te doni mund tja u dergoj me email se ketu se ve dot ngaqe ka size te madh bytes. Po te duan moderatoret le te me MP dhe ja u dergoj une menjere.


    Ne kete website mund ti gjeni ato hartat qe beja fjale.

    http://www.lib.utexas.edu/maps/histo...y_balkans.html
    Ndryshuar për herë të fundit nga DGman : 22-01-2004 më 17:14
    Le ti harrojme kishat xhamiat
    dhe maskarenjte qe ka qeveria,
    se ai qe eshte burre
    dhe s'ka per te vdek kurre,
    eshte ai qe i ben
    lavdi vendit te tij.

  3. #3
    Dash...me kembore Maska e Toro
    Anëtarësuar
    26-04-2002
    Vendndodhja
    CALIFORNIA
    Postime
    1,404
    Nuk e di, por artikulli i Perparim Rexhepit, se si me duket, sikur u shkon per mbare teorise greke per "turko-shqiptaret"( turkallvanus). Ne artikull paraqitet Greqia si "djalli" qe donte te zaptonte Shqiperine e Jugut, ndersa Turqia si mbrojtese e saj.....
    Cuditerisht, vete zoti Rexhepi bie me kembet e veta ne trillimet qe ka shkruar.
    Janina iu dorezua trupave greke nga "motra" Turqi ne 5 mars 1913, nderkohe qe Shqiperia si province autonome e njohur zyrtarisht dhe si shtet i pavarur i panjohur vec nga fuqite e huaja e kishte shpallur pavaresine e vet ne 28 nentor 1912- pra plot 3 muaj e ca me pare. Ne 28 nentor 1912, qeveria e porsakrijuar e Vlores i shpallte territoret e vilajetit te Janines si pjese te shtetit shqiptar. Gjate ketyre 3 muajve, Turqia ( qe na kishte aq shume per zemer), jo vetem qe nuk i dorezoi keto territore tek qeveria shqiptare, jo vetem qe nuk i lejoi trupat e saja te mbronin territorin turk ( zyrtarisht deri ne 5 mars 1913), por u fut ne negociata me shtabin e forcave greke (Kujdes! Jo me qeverine greke, por me shtabin e forcave ushtarake greke) per ti dorezuar nje territor i cili nuk i takonte. Negociatat me qeverine greke do te thoshte qe pas largimit te saj, Turqia do te kishte garanci ligjore per trajtimin e ish -qytetareve turq me kombesi shqiptare, por negociatat me ushtrine nuk i parashikonin keto garanci sepse dihet fare mire se ushtria nuk shpall ligje dhe nuk jep garancira per civilet. Ushtria mund te negocioje dhe te garantoje nderin ushtarak , jo te drejtat e popullsise civile. Perkundrazi, Turqia mobilizoi rezerviste shqiptare , te cilet fare mire nese territoret e vilajetit te Janines do ti ishin dorezuar qeverise shqiptare te Ismail Qemalit, do te ishin pjese e ushtrise shqiptare, jo turke. Kjo perkon plotesisht me teorine greke qe thote se "shqiptaret ishin ne mbrojtje te territoreve turke dhe te interesave turke dhe si te tille duheshin denuar".

    Konkluzioni i veprimeve te mesiperme te Turqise, pohuan friken e Plakut te Vlores. Me vone ne marreveshjet per zgjidhjet e problemeve te territoreve dhe te kufijve shqiptaro-greke, Greqia me te drejte te saj ligjore nderkombetare do te deklaronte se territoret e vilajetit te Janines i kishte pushtuar pasi keto i ishin dorezuar ligjshmerisht (Nuk i kishte pushtuar, por i ishin dorezuar-prandaj greket insistonin qe garnizoni i Janines te largohej me armatim te plote dhe jo si rober lufte) nga Turqia ,e cila deri ne ate kohe i posedonte. Diferenca midis pushtimit dhe dorezimit, ishte largimi i garnizonit te Janines me armatim apo si rober lufte. Ne vitet e mevonshme, qeverite shqiptare qe nga 1913 deri ne 1920 (e deri me sot do te shtoja une) do te kishin veshtiresi , ne mos pamundesi ligjore per te provuar se keto territore qe i perkisnin Shqiperise qe nga 28 nentori 1912 ne baze te deklarates se shpalljes se Pavaresise se Shqiperise ne Vlore. Ne rast se keto territore i perkisnin sipas ligjeve nderkombetare Shqiperise, Turqia duhet tia kishte dorezuar asaj , jo forcave ushtarake greke. Ne Janine, turqit nuk lejuan qe te ngrihej flamuri shqiptar, pra zyrtarisht nuk e njihnin Shqiperine si shtet te pavarur, as si krahine autonome te Turqise. Koincidentalisht, kufijte veriore e vilajetit te Janines perkonin me kufijte e "Vorio Epirit" te teorise greke.
    Pra me pak fjale, zoti Rexhepi na paraqet si fitore, si nje humbje te ndershme ne fushe te betejes nga qeveria e Vlores te territoreve shqiptare te Shqiperise se Jugut, tragjedine me te rende te shekullit te kaluar qe Turqia lozi ne kurriz te popullit shqiptar.
    Qeveria e Ismail Qemalit nuk kishte asnje lloj mundesie reagimi ne kete rast. Nga ana ligjore, ajo u privua nga e drejta e negociatave te drejteperdrejta shqiptaro-greke per kufijete midis shteteve pikerisht sepse Turqia i dorezoi keto territore te banuara ne shumicen e tyre derrmuese me shqiptare tek ushtria greke. Nga ana ushtarake, mobilizimi i rekruteve shqiptare ne ushtrine turke ( e cila u dorezua , kapitulloi) i shterri mundesine qeverise se Vlores te organizonte nje mbrojte qofte dhe formale te ketyre territoreve ndaj ushtrise greke. Ky eshte realiteti dhe fakti historik.
    Pra zoterinj, fajtore per katandisjen e Shqiperise "dy thela" nuk ishte Greqia, e cila i kishte shpallur lufte Turqise, por Turqia e cila perdori dorezimin e territoreve shqiptare tek greket si shkembim , per te mbrojtur interesat e veta ne Thrake, Thesali dhe Maqedoni dhe ishujt e Egjeut. Me nje fjale, perdori shqiptaret si gure shahu, si mish per top per te ruajtur territoret e banuara me turq ne Thrake , Maqedonine Lindore dhe ishujt e Egjeut. Cuditerisht, ne keto raste turqit do te benin negociata direkte me qeverine greke, jo me ushtrine greke duke kerkuar garancira per miretrajtim per popullaten civile, gje qe nuk e bene ne mars 1913 ne Janine. Cuditerisht, 7 vjet me vone, ne 1919, qeveria turke do te negocionte me qeverine greke te Venizellos,(jo me shtabin e ushtrise greke) te drejtat e minoritetit turk ne Thrake dhe ne rajonin e Izmirit (qe ne ate kohe iu dha Greqise si shperblim per pjesemarrjen e saj ne rradhet e Antantes fituese te luftes se pare boterore). Kur ky rajon ra perseri ne duart e Ataturkut ne 1920, argumenti ligjor qe perdori ishte se qeveria greke kishte shkelur marreveshjet e perbashketa greko-turke per trajtimin e popullsise civile turke dhe argumenti ushtarak ishte se ushtria greke kishte kaluar territoret e caktuara te rajonit te Izmirit dhe kishte hyre ne territorin turk(argumeta qe ia mohoi qeverise se Ismail Qemalit). Rajoni i Izmirit iu rikthye Turqise ne 1921 zyrtarisht, ndersa Cameria deri dhe sot e kesaj dite ngelet territor grek.

    Por perderisa kemi per historiane injorante si zoti Rexhepi, jemi te destinuar te mos njohim historine dhe si te tille jemi te destinuar ta perserisim gabimin. Rasti i sotem flagrant i pavaresise se Kosoves eshte i tille. Ne se do te lejojme si popull dhe si qeveri te perserisim gabimet e 1912-13 perseri do te vajtojme per territore te humbura.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Toro : 25-01-2004 më 14:33
    "Who is John Galt?"

Tema të Ngjashme

  1. Misioni Amerikan Në Shqipëri (1946)
    Nga DriniM në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 30-07-2010, 21:39
  2. Berisha të ikë, kryeministri i ri nga PD.
    Nga Dajti në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 143
    Postimi i Fundit: 21-12-2009, 03:38
  3. Komploti boteror
    Nga ORIONI në forumin Historia botërore
    Përgjigje: 43
    Postimi i Fundit: 31-10-2005, 12:59
  4. Vlore ..dizet e di ..dizet e tre.
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-12-2002, 09:56

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •