TIRANE ( 2 Korrik) Dje mbi tryezën e Ministrit Çipa ka mbërritur një raport i kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Mustafa Kërçuku. Bëhet fjalë për vjedhje në vlera stratosferike në tenderat e Ministrisë së Rendit Publik vetëm gjatë vitit të fundit. Në krye të listës qëndron Kolonel Shyqëri Dade (vëllai i Ministres së Jashtëme Shqiptare Arta Dade) i ci li ka 5 vjet që drejton tenderat e MR, dhe sipas raportit të Kontrollit të KLSH duhet të paguajë rreth 100 milionë lekë të vjetra. Çfarë do të bëhet me kolonelët që kanë vjedhur miliona e miliona (duke mos kursyer edhe ushqimin e qenve të antidrogës)? Kush do t'i paguajë më shumë se 1 milionë dollarë që u janë vjedhur 13 mijë policëve? Janë lekët e ilaçeve, të rripave, tëuniformave, benzinës, këpucëve, ushqimeve, pasaportave e të tjera e të tjera...Shumica e këtyre skandaleve që kanë për protagonistë kolonelë të njohur dhe emra të lidhur me qarqet më të larta të politikës dhe shtetit, kanë shkuar në Prokurori nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (ish-SHIR), nga vetë ju dhe nga kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Mustafa Kërçuku.
"Kolonelë hajdutë"
Edhe pse njerëz brenda Kontrollit të Lartë të Shtetit (të cilët i kanë dhënë "Gazetës Shqiptare" raportin skandaloz) deklarojnë se ministrit së Rendit Publik dhe Prokurorisë i është dërguar vetëm "maja e ajzbergut", shifrat dhe faktet tregojnë për hajdutë të pangopur dhe që mbajnë grada kolonelësh. Në krye të listës qëndron kolonel Shyqyri Dade, aktualisht drejtor ekonomik në Ministrinë e Rendit Publik. Gjatë 5 viteve të fundit vëllai i përkëdhelur i Arta Dades ka drejtuar të gjitha tenderat e Ministrisë së Rendit Publik, që kanë kapur një shumë prej rreth 80 milionë dollarësh. Eshtë hera e katërt që Kontrolli i Lartë i Shtetit e përmend këtë kolonel. Por ai mbijeton. Këtë herë propozohet për largim nga puna dhe akuzohet për "humbje" të një shume prej rreth 100 e 7 milionë lekësh të vjetra, që duhet t'i paguajë. Por edhe një kolonel tjetër i mirënjohur që drejton Drejtorinë Juridike në këtë ministri, Fatmir Fagu, duhet të paguajë miliona dhe të përgjigjet për firmat që ka vënë. Po kështu, në radhën e kolonelëve që jo vetëm duhet të paguajnë shuma të kosiderueshme (sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit), por edhe të përgjigjen përpara eprorëve dhe Prokurorisë për tenderat që kanë firmosur, janë edhe: Maksim Pinci, Ilir Mustafaraj, Engjëll Hysi.
Dëmi
Bëhet fjalë vetëm për periudhën nga 1 janari i vitit 2000 deri në 31 dhjetor të vitit 2001. Personni që, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka vjedhur hapur, është ish-drejtori i Prokurimeve, Edmond Aliaj, aktualisht i zhdukur dhe i kërkuar nga Prokuroria. Ai akuzohet si protagonist për një "humbje" ndaj shtetit në shumën marramendëse 270 milionë e 338 mijë lekë të vjetra. I gjithë dëmi që një "tufë" kolonelësh, të përkëdhelur dhe të mbrojtur sistematikisht nga klasa politike, i ka bërë Ministrisë së Rendit Publik dhe firmave të ndryshme private vetëm gjatë një viti, arrin në shifrat e 500 mijë dollarëve amerikanë. Zoti Çipa, prokuroria, qeveria, gjykata dhe struktura të tjera të shtetit, nuk duhet të harrojnë se "kjo është vetëm maja e ajzbergut". "Gazeta Shqiptare" disponon dokumente të shumta për skandalet disavjeçare në tenderat e Ministrisë së Rendit Publik dhe asaj të Mbrojtjes.
Ja njerëzit e tenderave të Policisë
Shyqyri Dade (kolonel)
Fatmir Fagu (kolonel)
Ilir Mustafaraj (kolonel)
Maksim Pici (kolonel)
Maksim Meta (anëtar komisioni i tenderave)
Dhurata Xhelili (anëtar...)
Afërdita Boshnjaku (anëtar...)
Dashamir Cali (anëtar...)
Manjola Shtatraze (anëtar...)
Shqipe Demi (anëtar...) dxh/mr (GazetaShqiptare/Balkanweb)
Krijoni Kontakt